Niazi Nelaj

Shkrime

Kryetari vizionar që garonte me traktorin

25 qershor 2015 · 15 min lexim

Tregim, i jetuar, kushtuar Tahir Ymer Ilirjanit

Në luginën e Vjosës, në faqen Jug-Perëndimore të masivit të Shëndëllisë, shtrihen fshatrat: Kashisht, Bylysh, Kallam, Damës, Malas, Beçisht dhe Dragot. Banorët e trevës janë autoktonë. Ata shquhen si mikpritës, burra me besë e mentarë.Fshatarët e kësaj treve janë të lidhur me njëri-tjetrin, me njëmijë fije miqësie, krushqie e lidhje gjaku. Tokat e kësaj lugine, nuk përmenden si pjellore, edhe pse disa ara të veçanta janë të begata. Të tilla mund të përmendim vilat e Shukajve në Deçaj; Bregu i Madh; Gorica; Vilat e Mullarajvem, etj, në Kashisht dhe Bambulli; Fusha e Kallëmit, Byeza etj, në Damës. Në këto toka dhe në të tjerat mbillet grurë; misër; thekër; koçkulls; fierza; duhan;fruta dhe perime gjithëfarëshe.

Me vlera të shumta janë kullotat në Shëndëlli; tek Gropa e Nënës; tek Sheshi i Ahmetit; tek Shpella e Zezë; tek Qafa e Shalësit; në Gradishtë e gjetkë, të cilat i përkasin fshatit Kashisht dhe Karaulja; Driza e Damësit; në Bylysh apo tek Shparti, në Damës, etj. Bagëtitë që dimëronin e veronin, në këtë rrëzë, ku toka është gurore e bari i hollë, kanë mish mjaft të shijëshëm e të lehtë. Mali mbi Damës, përmasat e kurrizit të të cilit shtrihen nga Dragoti, në Arrëz, është një dhuratë e Zotave, e pasur në lule e bimë medicinale gjithëvjetore, mbledhja e të cilave u vjen në ndihmë ekonomive të fshatarëve.

Qysh në kohë të lashta, nga radhët e banorëve të trevës, kanë dalë atdhetarë të spikatur e njerëz të zgjuar e të mënçur, të provuar për trimëri të rrallë. Ndonjëri, si Ali Pashë Tepelena, i cili, me bëmat e tij zuri vend në histori,kontribuoi, brenda kufizimeve të kohës, për bashkimin e trojeve shqipfolëse dhe formoi shtet, brenda shtetit të osmanëve, të shtrirë në një pjesë të madhe të globit dhe që u bë perandoria më gjakatare e kohës. Atdhetaria dhe dëshira për të qenë të lirë, u shpalos, me tërë madhështinë gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Qindra djem e vajza të kësaj lugine, u radhitën në Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe luftuan, me armë në dorë, trimërisht, për çlirimin e vendit. Mjaft të rinj e të reja, mes tyre, trimi 15 vjeçar Lame Kanani, nga Damësi, u flijuan, akoma pa u rritur.

Biri i denjë i Damësit, Tahir Ymer Ilirjani, nën ndikimin e komunistëve dhe të nacionalistëve atdhetarë, luftoi, me armë në dorë, duke qenë komandant i vendit, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Tahiri, ishte lindur e ishte rritur mes fshatarëve të tij dhe e donte shumë këtë luginë e njerëzit e saj. Pas çlirimit të vendit, Tahir Ilirjani, nën pushtetin e ri, të komunistëve, shërbeu në detyrën e prokurorit të rrethit, në Kuç të Kurveleshit (3 vjet); në Sarandë (5 vjet); në Përmet (3 vjet) dhe në Tepelenë (7 vjet). Ai shërbeu dhe disa vite, të tjerë (7), në detyrën e shefit të seksionit, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës, ku mbulonte sektorë jetikë si ai i ekonomisë, grumbullimit dhe kuadrit etj.

Fundi i viteve ’60 të shekullit të kaluar, shërbeu për t’u dhënë shtysë të ndjeshme, mëkëmbjes të koperativave bujqësore, të cilat sapo ishin formuar. Partia dërgoi në këto kooperativa, kuadro me përvojë, njerëz me vizion të qartë dhe militantë komunistë. Tahir Ymer Ilirjani, ishte i tillë. Ai përqafoi, menjëherë thirrjen e partisë dhe shprehu gatishmërinë, për të lënë zyrën e për të shkuar atje ku ishte fronti më i vështirë; prodhimi i bukës së popullit.

Në fundvitin 1969, Tahiri i la lamtumirën zyrës, në Tepelenë dhe mori udhën për në kooperativën bujqësore Damës –Kashisht. E kishte të qartë, djali nga Damësi, i rritur mes vuajtjeve të yzmeqarisë dhe erës së barotit, në zjarrin e luftës për liri e në atë për ndërtimin e socializmit, se nuk do ta kishte të lehtë, por nuk i trembej syri fare. Tahiri ishte lindur e ishte rritur në Damës të Tepelenës dhe kish luftuar e ishte bërë dhëndërr, në Kashisht. Kryetari i ri i kooperativës bujqësore, nuk shkelte për herë të parë, në ato mjedise. Ai i kishte shkelur me pëllëmbë, fshatrat dhe ishte ulur në çdo vatër familjare të asaj treve. Tahir Ilirjani, kishte lidhje gjaku, e miqësie, me disa fise e familje dhe kjo e favorizonte atë. Mund të themi se kryetari i ri, ishte me fat. Banorët e zonës, ishin atdhetarë e njerëz të besës. Ata përqafonin çdo direktivë, të partisë, përfshi dhe kolektivizimin e bujqësisë, me shpresën se do të jetonin më mirë.

Kooperativa bujqësore ku shkoi Tahiri kryetar, ishte formuar rishtaz e ishte në hapat e parë të jetës së saj. Tahir Ilirjanit iu bë thirrje, për të shkuar në detyrën e vështirë të kryetarit të kooperativës bujqësore, me qëllim që të përmirësonte organizimin e punës e për t’u dhënë udhë problemeve në atë fillim të vështirë. Pesëdhjetëkatër vjeçari Yahir Ilirjani, ishte në kulmin e pjekurisë intelektuale e fizike si dhe kishte, mbi shpinë një përvojë të pasur pune e jete. Në fshatin Damës, ai gjeti bujq me përvojë, të cilët, siç thonin vendasit “Kishin dalë nga bishti i parmendës”! Ata kishin mendim të pjekur, në fushën e bujqësisë dhe zotëronin metoda të përparuara për rritjen e kulturave të arave, perimeve e frutave. Në Kashisht, Tahiri u bazua shumë tek bujqit e blegtorët me përvojë dhe mjaft punëtorë. Pikërisht, tek bujqit dhe blegtorët e përparuar, e gjeti mbështetjen Tahiri dhe ia arriti qëllimit.

Në gjysmën e ekonomisë bujqësore,në Kashisht, kooperativa dispononte ara të begata, si ato tek vila e Shukajve, në Deçaj; tek vilat e Mullarajve; në fushën e Kallëmit; në Bambull; në Drizën e Damësit etj. Ara me prodhimtari të lartë kishte dhe në Damës, sidomos atje ku punonin bujqit më në zë si: Lame Barjrami; Esat Kanani; Zija Salaj; Seit Avdiaj etj. Pikërisht tek këta njerëz e bazoi punën Tahiri, të cilëve ua dëgjonte mjaft fjalën e ua çmonte mendimin. Konsultimi me ta bëri të mundur, punimin e tokës, në kohën më të përshtatshme, mbjelljen e bimëve në kohë optimale dhe vjeljen e prodhimeve e manipulimin e tyre, sipas përvojës shumëvjeçare të bujqve. Kështu dhe në blegtori.

Kryetar Tahir Ilirjani e njihte, “në majë të gishtave” situatën, në të dy fshatrat e bashkuar në një ekonomi të përbashkët, njihte mentalitetet dhe psikologjinë e banorëve vendas, prandaj nuk e pati të vështirë të përshtatej, shpejt e saktë. Detyra e prokurorit të rrethit dhe ajo e shefit të seksionit, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit i kishin çelur horizonte për punën dhe hallet e njerëzve. Ai e nisi punën me ndryshimin e stafit të drejtimit të kooperativës bujqësore. Nuk shkonte: Detyra të reja, me staf të vjetër. Ai zëvëndësoi brigadierët e arave dhe ata të blegtorisë; ndryshoi magazinierët; llogaritarët, deri dhe rojat e arave e të depove si dhe punonjësit “parazitë” që shpërbleheshin me paga fikse.

“Pastrimi“ i kuadrit drejtues, largoi nga vendet e pamerituar disa njerëz që kishin depërtuar deri në pozicione “kyçe”, falë biografisë, miqësive, anësisë e të tjerë motive. U zëvëndësuan të paaftët me njerëz të aftë e të devotshëm, të cilëve “u hanin duart” për punë. Ata, në vend të paraardhësve të tyre që vegjetonin e gogësinin, u vunë shpatullat punëve dhe efekti i ndryshimit nuk vonoi të dukej.

Vajtja e Tahir Ilirjanit, në drejtimin e kooperativës bujqësore, ndodhi në një kohë, kur ishin bërë shqetësuese grabitjet dhe shpërdorimet e pronës. Kalimi nga prona vetjake në atë të grupit, u pasua nga dukuri negative që buronin nga egoizmi e individualizmi dhe mendësia për ta parë pronën e përbashkët si pronë e huaj. Mentalitete të tilla kishin zënë vend në kokën e njerëzve me kohë e jo menjëherë. Ato ishin të bartura nga shoqëria paraardhëse. Mund të duket habi, po të them se, gjatë kohës kur ishte Tahiri kryetar, nuk humbi asnjë kec apo asnjë thes me drithë. Kryetari i ri, nuk ishte çudibërës e nuk e zgjidhi këtë me anën e “shkopit magjik” por iu përkushtua punës, me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Kishte përvojë të gjatë e të pasur, ishprokurori, në fushën e mbrojtjes të pronës së përbashkët, sipas kërkesave të ligjës.

Po çfarë bëri ky kryetar çudibërës? Si i bëri “zap”, vjedhësit, dëmtuesit dhe shpërdoruesit e pronës së përbashkët? Ai, zëvëndësoi rojat e fushës e ata që ruanin depot ku ishin në ruajtje, vlerat materiale të kooperativës me njerëz të drejtë e të ndershëm dhe që kishin reputacion në popull. Kishte roja të kompromentuar, nga ata që vjedhin vetë dhe e bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh kur ndonjë grabitqar qasej me mendim të keq. Tahiri i njihte njerëzit që jetonin me ndershmëri e me djersën e ballit, ashtu siç i kishte të evidencuar grabitqarët. Siç ndodh rëndom, i shkonin në zyrë kryetarit lloj-lloj servilë, lakej, kallëzues vullnetarë, etj. dhe i raportonin: “Filani mori këtë fistani bëri atë prapësi“. I dëgjonte, me vëmendje Tahiri kallëzuesit e i porosiste: “Këto që më thatë mua, mbajini për vete; mos i thoni asnjeriu”! Pastaj thërriste, në zyrën e kooperativës bujqësore, të kallëzuarit, një nga një. Atyre u bënte me dije se : “I dimë të gjitha paudhësitë që keni bërë; për atë që keni bërë, duhet të gjeni “vendin”, por kësaj here nuk po e bëj të njohur botërisht, këtë fakt. Nuk i mungonte kurajoja Kryetarit të ri, të fliste me njerëzit “negativë”, hapët e në sy. Me kokëfortësinë tipike, ai ua përplaste, në fytyrë, gjithë të vërtetat, keqbërësve.

Çështjen nuk e çonte në kryesinë e kooperativës bujqësore; as në organizatën –bazë të partisë, apo në Këshillin Popullor të fshatit, por ndiqte, me syçeltësi reflektimin e bartësit. Kjo metodë pune, dha rezultatet që priteshin. Bartësit, të detyruar nga opinioni jodashamirë ndaj vesit, ndërronin udhë e në raste të veçantë ktheheshin në mbrojtës të pronës së përbashkët. Dikur, Tahir Ilirjani, kishte qenë komandant i vendit, në luginën e Dervenit. Më pas, ai shërbeu, për disa vite, prokuror i rrethit e nëpunës i komitetit ekzekutiv. Si natyrë, Tahiri ishte i drejtë, i ndershëm, serioz e mund të thuhet, herë-herë i rreptë. Fshatarët e zonës i dinin këto karakteristika të tij, prandaj, “ca me hir; ca me pahir”, ishin të detyruar ta respektonin, madje, disa keqbërës e kishin frikë. Kishte në fshat njerëz të lëkundur në veprimet e tyre keqbërëse. Ata, siç ndodh në raste të tillë, janë në mëdyshje: ta bëjnë apo jo një prapësi. Kur mendonin se veprimi negativ i tyre do të merrej vesh dhe se kryetari ishte i rreptë; kthenin udhë e bëheshin neutralë.

Tahir Ilirjanin e donin dhe e respektonin, i madh e i vogël, në fshat. Ata ishin njerëz të të dy gjinive. Në dasma, në gëzime, në gostira e në raste kur mblidhej komuniteti, Tahir Ilirjani e kishte vendin në qoshen e djathtë. Ishte apo nuk ishte i pranishëm, atij i pihej dollia dhe mirësia. Kjo vijë sjellje, kishte të bënte me faktin se kryetari i kooperativës ishte ulur në çdo vatër fshatari; bisedonte vënçe, me ta, njihej me hallet e tyre e jepte mendime të bazuara për kapërcimin e gjendjes. Zor se linte dasmë, gosti, vaki, lindje, madje dhe vajtjen e kthimin e djemve nga ushtria,Kryetari, pa shkuar e pa e thënë fjalën e tij të mënçur. Fjala e tij e ngrohtë, ishte si melhem; ngjallte optimizëm e shpresë. Por, kryetar Tahiri nuk shkonte në vatrat e fshatarëve kot së koti. Ai i pyeste ata e njihej me hallet e tyre, jepte udhë për zgjidhjen e shpejtë të problemeve, kur kjo ishte e mundur e në kompetencën e tij.

Duke biseduar, gju më gju, me kooperativistët, Tahiri shikonte jetesën e tyre, si e kishin të pajisur shtëpinë, me orenditë e kohës. I pyeste ata: sa krahë pune kishin në kooperativë e ndonëse ndonjëri punonte në minierën pranë etj. Hallet njerëzve, kryetari i çonte në kryesinë e kooperativës dhe, sygjeronte, për më “të këputurit”, të vendoseshin në punë ku marrja ishte më e lartë, ose, kur kishte kontigjente, i dërgonte në minierë, ku paga ishte më e madhe. Një qëndrim i tillë, i afërt me njerëzit, me frymë dashamirësie, e shtonte reputacionin e Tahir Ilirjanit, në sytë e njerëzve.

Tahir Ilirjani, nuk ishte qelepirxhi dhe e urrente parazitizmin. Ai kishte njerëz në lidhje familjare, fisnore e miqësie, si në Damës dhe në Kashisht, por nuk e shikoje ta kalonte natën në shtëpitë e bashkëfshatarëve. Kryetar Tahiri, ndihej mirë, në Tepelenë, në çerdhen e tij afër rrapit shekullor, pranë të shoqes dhe shtatë fëmijëve. Ai shkonte në punë (në kooperativën bujqësore) herët në mëngjes e kthehej andej, në mbrëmje, kur dita i kishte lënë vendin natës. Gjashtë orë ishte udha : vajtje e ardhje.

Tahirin kryetar, bashkëfshatarët nuk e panë kurrë, të qëndronte me duar në xhepa e të jepte urdhra, për t’u zbatuar nga të tjerët. Ai rrëmbente, kazmën, lopatën, shatin, draprin, sëpatën, kosoren e të tjera vegla të bujkut dhe printe me shëmbullin vetjak. Si “të mos hidheshin në zjarr, kooperativistët, kur shikonin kryetarin e tyre, në ballë të punëve, duke punuar si ata e më shumë se ata. Tahir Ilirjani, punonte e djersinte shumë, prandaj kooperativistët e donin dhe e respektonin atë, si djalë fshati e si drejtues të tyre. E kush nuk i shkon pas, atij që nuk ka llafe e lajka por përvesh llërët. Tahir Ilirjani ishte llërëpërveshur e punëmbaruar. Në të dy fshatrat, nuk gjeje burrë të matej me Tahir Ilirjanin, për punë. Ai matej veç me traktorin e Ilmi Lulaj apo të Nesim Lamaj.

Në metodën e punës të kryetar Tahirit kishte diçka të veçantë, e cila nuk ngjante me të tjerët. Kur dikush caktohej për të shkuar bari, me dele apo me dhi, në mal, dhe ai “shtrydhej”, Tahiri rrëmbente kërrabën e thosh:“Lëre se do të shkoj unë!” Rastiste që edhe ndonjë bujk, me njohuri profesionale, hezitonte të merrte parmendën. Kryetari, pa e fyer atë që refuzonte shërbimin, pa e fyer atë, i bënte me dije të pranishmit se do të shkonte ai, në arë, për të lëruar arën. Kësisoj, Tahir Ilirjani, nuk ndiqte rrugën e ashpër; përplasjen me bashkëfshatarët por “ua hante kokën me të butë”. Po kush e linte kryetarin të merrte kërrabën apo parmendën e të bënte bujkun apo çobanin. Tahiri nuk e kishte kapur ndonjëherë parmendën me dorë, por, kur fliste për të, të krijonte përshtypjen se ishte “esnaf”. Në fakt, kryetari i kooperativës ishte rritur e ishte burrëruar me tjetër punë.

Kur ishte i mitur e shkonte pas babait, Ymerit, në Damës, me bagëti.Ai punonte e lodhej shumë e nuk ngjante me të vëllanë e madh, Hasanin. Prandaj i ati i la “uratën” Tahirit e ai jetoi, 102 vjeç. E donte shumë punën Tahiri e ia bënte shërbimin. Shembujt pozitivë në jetën aktive të Tahir Ilirjanit, janë të shumtë e të ndryshëm. Në këtë rrëfim do të ndalemi në njërin nga rastet, në atë që na duket më i spikatur. Do të bëhesha i bezdisur e monoton, po të vrapoja pas rasteve e ngjarjeve, të cilët, në jetën aktive të Tahir Ilirjanit, nuk kanë të sosur.

Me iniciativën e kryetar Tahirit, u projektua e nisi puna për të çuar ujët e pijshëm, në çdo familje, në Damës, ku çesmat janë të shumta. Projekti nisi por u përfundua më pas, për arsye se kërkonte mjaft fonde të cilët, aso kohe nuk ishin të mundur. Kështu ngjau dhe me rrugën automobilistike që lidh dy fshatrat etj. Por, në një rast, roli i Tahirit ishte vendimtar e veprues. Rasti paraqitej kështu: Me iniciativën e kryetar Tahirit, në Kashisht, tek Lisat e Likajve, u ngrit një depo drithi,me mure guri, e mbuluar me llamarinë. Në vjeshtën e prasme, një llohë, e shoqëruar me erë të fortë, zbuloi, gjysmën e çatisë e rrëzoi një faqe muri. Brenda depos, ishte magazinuar gruri, buka dhe fara e fshatarëve. Prodhimi u rrezikua seriozisht. Tahiri ngriti në këmbë gjithë fshatin dhe kooperativistët, me frymë aksioni, e nxorrën jashtë drithin brenda ditës. Tahiri u vu në krye të këtij aksioni e nuk u nda, pa rregulluar të gjithë sasinë e grurit. Ai ishte veshur me petka të reja, të pastra e të hekurosura, por nuk mund të qëndronte vrojtues i thjeshtë. U fut kryetari, në mes të llucës e u bë, për ibret. Fshatarët u orvatën ta largonin, por ku dëgjonte koka e tij.

Kur drithi u evakua e rreziku u shmang, njerëzit shkuan, të qetë në familjet e tyre. Kryetari vajti për të kaluar natën në familjen e Haki Zykaj, në Bylysh. Ai, atë natë nuk mund të shkonte në Tepelenë, mbasi u bë vonë e rruga ishte rreth 3 orë, në këmbë. U detyrua ta kalonte natën, në shtëpinë mikpritëse të Hakiut, ku, jo vetëm iu rezervua një pritje e ngrohtë, siç dinë të presin fshatarët e asaj ane, njeriun e tyre të zemrës, por, për gjithë natën, petkat e tij, të ndotura e të lagura, u pastruan, u thanë dhe u hekurosën. Të nesërmen, akoma pa u gdhirë mirë,Tahir Ilirjani e mbajti vrapin atje ku situata ishte e rëndë e dëmtimi nuk ishte riparuar. Mblodhi muratorët e të dy fshatrave (6 vetë) e u dha detyra për riparimin e depos së prishur. Nuk e la me kaq. Kryetari sedërli, çdo ditë bënte kontroll, për të parë ecurinë e punimeve. Jeta e kish mësuar Tahirin të mos besonte verbërisht por atë që besonte edhe ta kontrollonte. Kjo metodë pune e kishte nxjerrë faqebardhë atë njeri, në çdo situatë.

Tahir Ilirjani ishte sedërli. Ai kishte lindur e ishte rritur në Damës, por kur ishte rasti për ti dhënë sejcilit atë që i takonte, ai nuk bënte diferencime e nuk mbante anësira. Për Tahirin, të gjithë ishin të barabartë. Në familje jetonte thjeshtë e me djersën e ballit. Kryetari i kooperativës, ishte njeri i pakompromentueshëm dhe “rrotullohej” me rrogën e tij e të bashkëshortes. Ishin vite të vështirë ngushtësie ekonomike. Mund të duket si paradoks, por ka qenë e vërtetë. Tahiri dhe Metullahja, kishin lindur e po rritnin shtatë fëmijë. Në Kashisht e në Damës kishte familje që jetonin më mirë se familja e Tahir Ilirjanit. Në një kohë kur fëmijët e tij nuk kishin televizor, në banesë, mjaft fshatarë e dispononin atë. Tahiri dhe e shoqja, Metullahja -“Zonjë e rëndë”, në ditët e diela dhe në festa shkonin në mal, për të mbledhur lule e gjethe, me qëllim që të përmirësonin disi ekonominë e familjes së tyre. Ata, të dy bashkëshortë e kishin të rëndë borxhin.

Në katër vitet kur drejtoi Tahir Ilirjani, në të dy fshatrat u përmirësua, ndjeshëm ekonomia e fshatarëve dhe u fuqizua prona e përbashkët. Tahir Ilirjani, u largua nga kooperativa bujqësore e mëkëmbur, me një përvojë të pasur jetësore, e cila i shërbeu për kryerjen e detyrave e tjera që e pritnin.

← Të gjitha shkrimet