Bliri i Tahirit

Nuk bëhet fjalë për ndonjë legjendë urbane nga ato që dëftohen rëndom nëpër kafeteritë e qytetit por, për një ndodhi të vërtetë. Ngjarja zë fill në vitet e mesit të Shekullit të Njëzetë; lidhet me një emër njeriu, i cili, ka ekzistuar, realisht dhe ka ndodhur mes njerëzve. Vërtet ndodhia është e përjetuar nga njerëz që janë larguar nga kjo jetë, por bëma bujëmadhe, është përcjellë gojë më gojë, si një ndodhi e pazakontë dhe ka mbërritur deri në ditët tona. Në arenën e ndodhive të ditëve tona, kanë dalë aktorë të rinj të cilët janë të aftësuar për të bërë më shumë e më mirë por, nuk është e drejtë që ngjarje të tilla, të trajtohen si të kapërcyera, të injorohen, ca më keq kur ato dënohen me bojkot.

Historikisht është i njohur fakti se drurët jetëgjatë të pyllit, shpesh janë kthyer në simbole e u kanë bërë jehonë personaliteteve që i kanë merituar, ose kanë evokuar ngjarje të cilat bartin histori, të cilat lidhen ngushtë me to. Në Janinë, psh. Ka ekzistuar, prej shekujsh, një vend, i cili është quajtur : “Rrapi i Falë”. Historia dhe këngët që i janë kushtuar atij vendi, kanë ardhur tek ne, për shkaqe që dihen, të fragmentarizuara e të zhubravitura. Në vendin tonë, në plot treva, njerëzit dëftojnë histori që lidhen me drurin jetëgjatë të rrapit, i cili jeton 3000-4000 vjet.

Në afërsi të Mashkullorës, në Gjirokastër ndodhet Rrapi i Mashkullorës, me histori të lashtë e të re luftërash atdhetare. Duke zbritur drejt derdhjes të lumit të Vjosës, përballë qytetit Memaliaj, në luginë, është një vend i quajtur : “Rrapi i Dervenit”. Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, ky vend u përzgjodh e u bë dëshmitar i një takimi dypalësh, ku u shpalosën qëndrime të kundërta lidhur me pushtimin fashist të Shqipërisë dhe domosdoshmërinë e luftës çlirimtare, kundër pushtuesit të huaj.
Në fshatin Kalivaç të Tepelenës, në të dy brigjet e lumit Vjosë, në jetë të jetëve kanë ekzistuar, në gjendje natyrale drurë rrapi shekullorë dhe rrapishte, të cilët janë shpallur “pasuri kombëtare”. Kur në vendin e quajtur Donije, operoi një firmë fantazmë, e cila, gjoja do të ndërtonte një hidrocentral, gërmoi e shëmtoi faqet e kodrave dhe zhduku rrepet shekullorë.
Kush ngjitet në fshatin Progonat, i cili i përket trevës heroike të Kurveleshit të Sipërm, me siguri do të ndalet pak, për t’u shlodhur e për t’u freskuar nën rrepet me histori në qendër të fshatit. Hijet e freskëta të dy rrepeve, më se njëshekullorë dhe ujët e ftohtë të kroit që ndodhet jo më tepër se 30m, më tej, mbledhin, në stinën e nxehtë, burrat e fshatit, të cilët, të ulur, “vënçe”, kuvendojnë me njëri-tjetrin, për historinë dhe aktualitetin, dëftojnë bëma heronjsh, lozin domino, letrash, pinë dhe ndonjë gotë “raki”, nga ajo ballë kazani e ja marrin këngës, për shtatë palë qejfe, pa u bërë merak për ato që ndodhin rreth tyre. Thonë se dy rrepet, të cilët nuk pushtojnë dot dy burra, i ka mbjellë babai i “Heroit të Popullit”- Hasim Zeneli kurse çesmën ia ka dhuruar fshatit, nacionalisti guximtar – Hetem Toto, në mesin e viteve ’30 të shekullit të shkuar.
Vlerat e drurëve jetëgjatë, shpesh u kanë dhënë emrin vendeve, fshatrave, madje dhe trevave të tëra. Kush nuk e njeh pishën e zezë të Voskopojës, e cila është e rrallë në botë? Efektet kurative të saj janë të pazëvëndësueshme. Një dru mesatar i kësaj pishe, mund të barazohet me një fabrikë oksigjeni. Një dru i tillë thith 2.2 kg. CO2 dhe çliron 1.8 kg.O2, Në 24 Orë. Nga zbërthimi i rrëshirës përftohet Ozon- 03, i cili ka ndikim të fuqishëm në rikuperimin e mushkërive të sëmura. Prandaj sanatoriumet ndërtohen afër pyjeve me pisha. Bredhi i Otovës i ka kapërcyer kufijtë e vendit, si dru me vlerë për nga cilësia e drurit.
Në mjaft raste, prania, me shumicë e drurëve të ndryshëm i ka dhënë emërtimin një fshati, një treve, apo, në raste të veçantë edhe një krahine të tërë. Po të të bierë udha të shkosh në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, aty, buzë Vjosës, tek vendi ku janë instaluar pompat elektrike të ujitjes së fushës së bukur ku kanë pjesë disa fshatra, një kodër, prej kohësh vazhdon të quhet : “Ullinjtë e Hanit”. Pa u futur në histori, kodra ka marrë këtë emër, vetëm për arsye se është e mbuluar nga drurë ulliri, i cili, siç dihet jeton mbi 1000 vjet. Ngjitemi më lart, e më në Perëndim ku një fshat quhet Dushkarak dhe emrin e ka marrë falë pranisë, me shumicë të dushkut, si dru jetëgjatë. Në faqen Perëndimore të malit të Shëndëllisë, poshtë fshatit Kashisht dhe si mëhallë e tij, ndodhet fshati Kallam. Një i tillë, me emrin Kallam – Kashisht, ndodhet buzë Vjosës, afër Fierit. Druri i Fikut, i cili nuk shquhet; as për jetëgjatësi, as për bukuri të trungut e të degëve, në trevën e Fierit i ka dhënë emrin një fshati, i cili quhet Fikas etj.
Kush banon në qytetin e Tepelenës, ose ka kaluar, nga rrapi shekullor, pranë bustit të “Heroit të Popullit Selam Musa Salaria deri tek sheshi qendror i qytetit, me siguri ka vënë re, në të dyja anët e shëtitores, dy rreshta me blirë, në vijë të drejtë, të cilët janë transplantuar, nga mali i Luzatit dhe është kultivuar. Më i bëshmi, më i zhvilluari syresh; ai që “heq atë valle labe”, në krye të shokëve, ndodhet, thuajse përballë ngrehinës të postës qytetëse. Ata nuk janë blirë të mbirë vetiu por janë të mbjellë nga dora e njeriut. Drurët e blirit që shikojmë sot e kënaqemi me ta e kanë një histori, rreth gjysmëshekullore, ndonëse druri i blirit jeton gjatë:1000-2000vjet. Nuk është vetëm jetëgjatësia që e bën me vlerë këtë dru. Hija e tij është “e lehtë” dhe e këndshme; druri përdoret gjerësisht për të përgatitur mobile e për të zbukuruar mjedise; lëvozhga e tij, me fibra të rralla, përdoret për të përgatitur litarë e sende të tjerë, me vlerë; lulja e blirit ka mjaltin më të mirë në botë etj. Në rrethin e Tepelenës, Malit të Luzatit, natyra i ka bërë një privilegj, të cilin nuk e kanë të tjerët. Vende- vende, në këtë mal, kanë mbirë e janë rritur, në gjendje natyrale, korije me drurë bliri, të njohur për vlerat e shumta të tij. Më sipër zumë në gojë, por nuk e shtjelluam një histori, me të cilën ka lidhje bliri i madh; i pari në radhë, diku në nisje të karvanit të drurëve dekorativë që zbukurojnë shëtitoren kryesore të qytetit të Tepelenës. Tash erdhi radha ta dëftojmë atë histori, siç ka ngjarë, në vitet e transformimit e të rritjes të përmasave të qytetit.
Ai bli, mban emrin e atij që e pruri, në krahë, nga Mali i Luzatit dhe e mbolli e u kujdes për rritjen dhe veselitjen e tij, në gjysmën e viteve ’60 të një shekulli më parë. Të paktë janë tepelenasit që e dinë se ai bli ka një emër të përveçëm dhe ka marrë nofkën: “Bliri i Tahirit”. Zanafilla e asaj mbjelljeje, e cila mori përmasa historike, lidhet me kohën kur Tahir Ymer Ilirjani, kishte përfunduar studimet dyvjeçare, në Universitetin e Tiranës, sipas modelit të “universitetit të klasës punëtore” dhe, pas kthimit në Tepelenë, u emërua shef i seksionit ekonomik, në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës. Atij, si militant komunist, kuadër me aftësi organizuese e me personalitet të pastër, ku shquhej çiltërsia dhe drejtësia e karakterit, iu ngarkua të drejtonte sektorë jetikë e të vështirë si ai i financës; grumbullimit; komunales dhe kuadrit. Kur i thanë se duhet të shkonte në atë detyrë, për të përmirësuar punën në këta sektorë të vështirë, militanti kokëngjeshur deklaroi:”Jam ushtar i Partisë e do të shkoj ku të ketë nevojë partia. Pushkën, në krah nuk e hodha për të marrë poste, karrige e privilegje, por për të çliruar popullin tim. Tani jam i lumtur që më jepet mundësia ti shërbej këtij populli edhe për ndërtimin e jetës së re”. U tha; u bë; Tahiri, i cili e kishte mendjen tek puna dhe i hanin duart për të punuar, nisi menjëherë zbatimin e detyrës së re. E donte mjaft, trevën dhe qytetin, prandaj e priti me entuziazëm emërimin në këto detyra të vështira. Tepelena është trevë e vështirë. këtë Tahiri e dinte por nuk i trembej syri fare. Ai ishte nga ata burra, burrërorë, që e merrte rrezikun në sy. Terreni i ashpër malor, vendi gurishtë, i varfër e pa ujë, qyteti mes grykave ku fryn erë e fortë, sa ta zbërthen xhaketën, njerëzit me veçori formimi e geni, etj, këto i njihte mirë Tahiri, i cili, për shkak të detyrës së prokurorit të rrethit, e kishte shkelur trevën, në çdo cep të saj. Një njeriu që shkel për herë të parë në ata troje, i krijohet ndjesia sikur, natyra, një pjesë të ashpërsisë ua ka “deleguar”, banorëve të atyre anëve. Prandaj ata janë të fortë, si shkëmbinjtë masivë mbi të cilët është ngritur ajo anë mali, sikundër janë të lidhur, me njëri-tjetrin, si vetë malet që rrethojnë luginën. Tahir Ilirjani, e kishte të qartë se sektori më i vështirë që duhej menaxhuar prej tij ishte ai komunal.
Në një qytet, sado i vogël qoftë, puna e drejtuesit të shërbimit komunal mund të krahasohet me punën që bën nikoqirja e shtëpisë; e cila lodhet e rropatet, gjithë ditën; çfarë nuk bën e çfarë nuk prek me dorë por, në fund të ditës, kur bën bilancin e punës së saj thotë: ”çfarë kam bërë, sot“? Pra, puna e saj “nuk ka duk”, Po të nis të numëroj, vetëm proceset e punës të shërbimit komunal, në Tepelenën e asaj kohe, shumëkush mund të bëhej me dhimbje koke. Sistemimi i qytetit, pastrimi, gjelbërimi, ujët e pijëshëm, energjia elektrike, shërbimi këpucarëve, i berberëve, kovaçhana, dërstila, krehja e leshit, ngjyrosja, mullinjtë e blojës, riparimi i çative; zëvendësimi i xhamave të thyer, marangozët, pastrimi kimik, dushet dhe wc- të etj, ishin disa drejtime pune të tij. Në jetën e banorëve të qytetit u futën dhe disa elementë që nuk ishin parë. U propagandua e u kërkua që në ballkonet e shtëpive të mbaheshin vazo me lule. Përgjegjësi i sektorit u fut deri tek, nderja e rrobave, në tel, me estetikë e pa prekur privatësinë e tjetrit, etj. etj.
Duhej nisur, nga nisja. Tahiri kishte përvojë të madhe e me vlerë, në drejtimin e punëve, por në sektorin komunal, gjendja në të cilën ai e gjeti qytetin, kërkonte një metodë pune e stil të veçantë, i cili të përkonte me kohën e të mirëpritej nga banorët. E nisi punën, me shumë zell. E bëri planin; fillimisht në kokë e pastaj e hodhi në letër. Duhet të evidenconte problemet dhe të përcaktonte drejtimet kryesore të punës. Për këtë qëllim, ai formoi një grup pune, me specialistë, kuadro, punëtorë e zanatçinj që i njihnin mirë punët. Plani i punës që doli nga konsultat e ndryshme, ishte tejet i detajuar, deri në mërziti. Ai zbriste deri në detaje, të cilat, disa nëpunës sipërfaqësorë i quanin të tepërt. Nuk është e tepërt po të them se në sektorin komunal, Tahir Ilirjani gjeti një amulli, të plotë e anomali të theksuar. Njohuritë e tij, për menaxhimin e këtij sektori ishin të pamjaftueshme, prandaj, ai zgjodhi të shkonte për eksperiencë në dy rrethet fqinjë: në atë të Gjirokastrës dhe në atë të Fierit, të cilët, për hir të së vërtetës kishin shërbim komunal më të përparuar.
Shefi i ri, qëndroi në këta dy rrethe, përafërsisht një javë. Ishte një javë intensive, ku ai, nga mëngjesi, deri natën vonë, pa, me sytë e tij, ndoqi hap pas hapi çdo proçes pune dhe mësoi si mund të drejtohej një shërbim aq kompleks, siç ishte shërbimi komunal. I ndërgjegjshëm se punët do ti kryenin specialistët, të cilët, gjithashtu kishin nevojë të kualifikoheshin, Tahiri u mëshoi fort çështjeve të organizimit e drejtimit të punëve, të cilat, rëndonin mbi shpatullat e tij.
Sapo u kthye në Tepelenë, Tahiri u fut në drejtimin e punës. Si njeri që i hanin duart për punë, ai përveshi llërët dhe, siç e kishte në gjak, priu me shembullin vetjak, në çdo proces. Ai grumbulloi rreth vetes një grup pune, në përbërje të të cilit kishte specialistë të të gjithë profesioneve, kuadro drejtues dhe njohës të mirë të proceseve të punës. Bëri një program pune, të detajuar, duke zbritur në hollësi, të cilat, shpesh herë etiketoheshin si bezdi, nga ata që ishin mësuar të livadhisnin.
Puna e parë, e cila paraqitej emergjente, ishte pastrimi i qytetit. Një qytet, si Tepelena, i cili po zgjerohej dita – ditës, kërkonte një vëmendje më të madhe, lidhur me pastrimin e tij. Ishin disa qindra njerëz e u bënë disa mijëra banorë. Ata, qarkullonin çdo ditë nëpër rrugët e qytetit dhe, meqënëse shumica e burrave tymosnin duhan, sikur nga një paketë të boshatisur të flaknin në rrugë, pirgu me mbeturina bëhej i konsiderueshëm. Në vitet e parë të jetës intensive të qytetit, kujdesi i njerëzve për ti mbajtur rrugët dhe mjediset të pastër, nuk ishte ai që kemi sot.
Qyteti i Tepelenës, në atë kohë, pastrohej nga disa punonjës fshesaxhinj që mbanin në duar shkopinj druri, me nga një tufë xane ose paliçe të lidhur, në pjesën fundore dhe me një karrocë dore, prej druri, me një rrotë përpara. Punonjësit ishin pa uniformë pune dhe të pa instruktuar mirë. Kur fshesa rrëshqiste mbi rrugë për të fshirë, në atmosferë ngrihej një re pluhuri, mbytës, e cila, kur nuk frynte erë stacionohej e kthehej në mjegullnajë. Banorët flaknin në rrugë gjithfarë mbeturinash, të cilat ndotnin qytetin; nikoqiret flaknin nga balkonet plehrat e apartamentit të tyre. Nëpër rrugë nuk ishte e vështirë të shkelje mbi bajga e kakërdhi dhe mjedisi mbante erë urinë. Këtej e nisi punën shefi i ri, pastrimi i qytetit ishte çështje që nuk priste.
Puna e parë: u mblodhën e u udhëzuan punonjësit e pastrimit të qytetit. Ata u udhëzuan, si ta bënin më mirë punën e tyre dhe u pajisën me veshje pune, të dallueshme, me farasha, për mbledhjen e plehrave e me mjete të tjera pune. Në fund të çdo rruge, u vendosën kazanë plehrash, një dukuri, të cilën, qytetarët tepelenas e panë për herë të parë. Karrocat e dorës, me një rrotë, u zëvendësuan nga simotrat e tyre, të tërhequra prej kuajve e dalëngadalë, vendin e tyre e zunë makinat e plehrave, të cilat, jo vetëm kishin kapacitet bartës më të madh, por dhe i çonin plehrat më larg qytetit.
Çështje tjetër, me shumë peshë ishte agjitacioni dhe propaganda me njerëzit, me qëllim që, tek ata të kultivohej një qasje tjetër ndaj pastërtisë. Për të përpunuar mendjet e njerëzve, u vu në lëvizje gjithë makina e fuqishme propagandistike e kohës. Organizatat-bazë të partisë të punës, organizatat e rinisë, bashkimet profesionale, aktivistët e blloqeve të banimit, përgjegjësit e shkallëve, madje dhe shkollat, u hodhën në sulm, për të formuar një mentalitet e psikologji të re, e cila përkonte me kohën.
Në këtë pikë, Tahir Ilirjani ishte me fat. Të ardhurit në qytetin e Tepelenës, ose ishin nëpunës, ose kishin kaluar në shkollën e Luftës Nacional çlirimtare, apo ishin të lidhur ngushtë me luftëtarët e çlirimit. Kësisoj, tek kjo kategori banorësh zinte vend më lehtë agjitacioni e propaganda e partisë. Po ti thoje tjetrit: “Ky është urdhër i Partisë”; zbatimi i tij ishte i garantuar, madje me fanatizëm të theksuar. Ata që kanë punuar në ata vite, e dinë mirë sa e vështirë ishte të ndryshoje mentalitetin dhe psikologjinë e njerëzve. Jeta në komunitet kishte mjaft përparësi por dhe forca e regresit, e cila tërhiqte pas, nuk ishte e pakët. Tahir Ymer Ilirjanit, si militant i përkushtuar, i duhej të ndeshej, disa herë me ashpërsi, me ata që kryenin nevojat vetjake, në natyrë; me të tjerë që konsumonin ujin e pijshëm për ujitjen e kopshteve personalë, natën, me të tjerë, të cilët bënin lidhje të paligjshme të energjisë elektrike etj. Ai zbriti deri tek ndryshimi i mentalitetit të njerëzve, për domosdoshmërinë e mbajtjes të vazove me lule, në ballkone, madje dhe deri tek nderja e rrobave, në tel, me estetikë. Fillimisht pati dhe ndonjë rezistencë e kundërshti, por bindja nuk vonoi, kur u pa qartë e mira që sollën këta veprime. Agjitacioni e propaganda, nisi me individë, në formë gojore, u shtri në çdo familje; u punua në grupe të vegjël e u shfrytëzua avantazhi që kishin më të shkolluarit e më të kulturuarit. Për veprimet pozitive e për prapësitë, kërkohej e jepej llogari,individualisht, në organizatat përkatëse. Kësisoj u formua një “gardh”, i padepërtueshëm, për të penguar të keqen.
Veç ta vështroje Tahir Ilirjanin, si i ndrinte nuri e i gufonte zemra, tek e shikonte qytetin e tij të dashur, të pastër e të rregullt dhe njerëzit të përfshirë në aksione konkrete dobiprurëse. Ishte një krenari e ligjshme; jo mburrje. Arritjet, në drejtimet e mësipërme, mbanin me vete edhe kontributin e tij, me vlerë, si drejtues militant e si komunist i papërtuar.
Pastërtia e qytetit u arrit, jo lehtë, por u bë një realitet i dukshëm e i prekshëm. Por ajo do të ishte pa vlerë po të mbetej deri tek rrugët dhe mjediset. Kërkohej mjaft punë për të arritur higjienën vetjake të njerëzve, pastërtinë e trupit e të teshave që vishnin, paraqitjen e jashtme me sqimë qytetare, sjelljen me kulturë në raportet me njëri tjetrin dhe edukata në mjediset e qytetit, ku fjalori vulgar ishte “në shtëpinë e tij”. Atyre që nuk e kanë përjetuar mund t’u duket habi e kanë të drejtë mos ta besojnë, por kështu ka ngjarë; kështu është transformuar ai qytet e ata njerëz, mbi atë trevë shkëmbore. Kush ka banuar në Tepelenën e viteve ’50 të një shekulli më parë, me siguri do ti kujtohen përmasat e qytetit dhe mënyra e jetesës e banorëve të tij.
Në atë kohë, ngrehinat me dy kate (mbasi për më lart nuk bëhej fjalë) numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Qyteti ishte i mallkuar, frikshëm, dhe në kokat e njerëzve (e besonin apo jo) kishte zënë vend slogani dashakeq:”Tepelena : 99; kurrë qindi mos u bëftë”! Bëhej fjalë për numrin e banesave. Pas viteve ’60 Tepelena “shpërtheu” e pallatet me 4-5 e 6 kate u bënë dominuese. Përballë fakteve, çdo snobizëm e besëtytni, u bë pluhur e hi.
Ndryshoi mikroklima, mjedisi i ri diktoi dhe një mënyrë jetese tjetër. Nëse të paktën dhjetë vjet më parë tepelenasit laheshin vetëm në lumë dhe në stinën e ngrohtë, tashmë ujin, 24 orë pa ndërprerje e kishin në çdo shtëpi dhe dushet nisën të funksiononin bindshëm. E them, pa mëdyshje se madhështia e qytetit, bukuria dhe pastërtia e tij, rrugët e drejta me trotuare anash, shto këtu edukimin e vazhdueshëm të njerëzve, bënë të mundur një qasje të re të njerëzve ndaj qytetit dhe me njëri-tjetrin. Qyteti dikur i “mallkuar, frikshëm”, falë mendjes dhe duarve të njerëzve, u radhit me shokët e, në disa drejtime ua kaloi atyre.
Duhet pranuar fakti se qyteti i Tepelenës, nuk u shtua e nuk u shumua, thjeshtë në rrugë natyrale. Të ardhurit rishtaz, sollën në qytet një mentalitet e psikologji tjetër, të larmishme, sipas trevave nga u dyndën, Këto ndryshime duheshin niveluar e tretur me njëra-tjetrën. Pikërisht kjo ishte gjëja më e vështirë që kërkonte më shumë punë e kohë. Terreni mbi të cilin vepronte Tahir Ilirjani ishte në anën e tij dhe u bë strehë për arritjen e objektivave madhore.
Në formimin e një raporti të ri, në marrëdhëniet e njeriut me natyrën, është i njohur ndikimi i fuqishëm i gjelbërimit e në veçanti pyllëzimi. Një njeri, sido që mund të ketë mentalitete që i takojnë të shkuarës, e ka të vështirë ta flakë përdhe një copë letër, një paketë cigare bosh, një pako të çfarëdoshme me hedhurina, apo një send tjetër pa vlerë, në një mjedis që “shkëlqen“ nga pastërtia.
Për gjelbërimin e qytetit, Tahiri, u konsultua me specialistë të mirëfilltë e me njohës të problemit dhe ideoi e piketoi, një sërë masash efektive. Tradicionalisht, nëpër rrugët dhe kopshtet e banorëve të qytetit ekzistonin disa drurë rrapi, lisi, perralli, fiq, rrush, bajame, mana, kumbulla të egra etj. Ato ishin të shpërndara e nuk i jepnin ndonjë bukuri të veçantë për qytetit që po rritej.
U desh të ndërtoheshin dy lulishte, në të cilat u mbollën ligustra, rozmarinë, landra, trëndafila e lule të tjera. Por, me peshë mbetej pyllëzimi i rrugëve të qytetit. Shefi i ri, studioi drurët pyjorë, që kishin bukuri e do ta hijeshonin mjedisin, por dhe ata drurë, të cilët “i pranonte” trualli mbi të cilin ishte ngritur qyteti. Konsultimi me specialistë të mirëfilltë të profilit, si i paharruari Sabaudin Shehaj, bëri të mundur të mos mbilleshin drurë që nuk i përshtateshin përbërjes fiziko-kimike të tokës. Treguesit orientonin drejt drurit të blirit, pishës. Cedrës, akacies, dafinës, ndonjë mimoze, pak rrepe, ligustra e landra dhe bredha (cetra). Të gjithë këta drurë, rriteshin vetëm në pyll, larg qytetit, në vegjetim natyral, pa ndërhyrjen e njeriut. Vendburimet, Tahiri i njihte dhe i kishte shkelur, kur shkonte për të mbledhur lule e gjethe, së bashku me Metullahen dhe djalin e madh – Agronin. Drurë të tillë kishte në Peshtan, në Luzat, në Bënçë e gjetkë. Druri i blirit, për avantazhet që paraqet i pëlqente mjaft Tahir Ilirjanit dhe ai, vendosi të organizonte një aksion, mbi baza vullnetare, me punonjësit e gjelbërimit, për të shkulur, në Malin e Luzatit, e për të mbjellë, në rrugët e Tepelenës, fidanë bliri.
Aksioni u projektua e u zbatua në një ditë të dielë, në mes të muajit dhjetor, i cili përkonte me muajin e pyllëzimeve. Fshati Luzat i rrethit të Tepelenës, sidomos sipërfaqja ku ndodheshin blirët ishte në distancë nga qyteti i Tepelenës rreth 3 orë. Problemi kryesor ishte transportimi i fidanëve. Ata duhet të shkuleshin me rrënjë dhe të mos dëmtohej kurora e tyre e gjelbër. Aksioni u organizua, në të gjithë detajet, nga Tahir Ilirjani, shef i atij sektori, i cili u vu në krye të këtij aksioni revolucionar. Kush me kazmë e kush me bel; njëri me sëpatë e tjetri me kosore, çdo njeri, me një vegël të përshtatshme, në dorë dhe me torbat e bukës në sup, grupe –grupe, u nisën, herët në mëngjes në drejtim të malit të Luzatit. Deri në fushën e fshatit, rruga ishte e gjerë dhe e njohur; më tej, për të shkuar në parcelën me blirë udha përshkonte shtigje dhish, me gurë, të bezdisshëm, të cilët pengonin lëvizjen e njerëzve.
Në përbërje të grupit të aksionistëve kishte gra dhe burra. Me qëllim që të ushqeheshin, me të mbërritur në vendin e punës, atë mëngjes dhe për të ngrënë drekën, çdo aksionist kishte marrë me vete, ushqime, sipas mundësive dhe kushteve të familjeve të tyre. Nuk kishin mundësi ti bënin karshillëk njëri-tjetrit, mbasi, të gjithë “në një kazan zienin”! Ishin vitet kur mallrat e “shportës”, në veçanti racioni i mishit, pula, vezët, gjalpi, djathi, kafja etj, ishin të kufizuara e nuk i mjaftonin familjes as për të kaluar muajin. Megjithatë, amvisat e njohura tepelenase kishin mblojtur diçka për këtë ditë, e cila ishte e veçantë në jetën e punonjësve të komunales. Në orët e para të paradites grupi i grave dhe i burrave, pjesëmarrës në aksion, mbërritën në mes të pyllit, në një lëndinë të bukur, ku vendi ishte i hapët dhe kishte pllaka e guri, për t’u ulur.
Aksionistët, femra e meshkuj, si me komandë nxorën nga torbat pakot me ushqime të mbështjella me gazetë e i hapën, përpara vetes. Çfarë të shikoje? Edhe restoranti më i pasur apo një dasmë ku derdhet gjëja, si lumë, do ta kishte zili atë larmi asortimentesh. Më të privilegjuarit, kryefamiljarët, siç duket ata që bënin ligjin në familje, kishin marrë me vete nga një copë mish apo pulë, të pjekur dhe patate të fërguara etj. Djathi i bardhë dhe vezët e ziera, nuk mungonin në asnjë pako. Disa gra, nga kursimet e familjes kishin përgatitur qofte, kishin bërë petulla, qullapite, llokume, byrekë, ullinj të kripur, ndonjë kokërr shegë, një copë varg me palafike, disa kokrra arrë apo bajame, një ftua etj. Asortimentet e shumtë e pasuronin dhe e zbukuronin atë “sofër”, majë malit, në natyrë të hapët. Kryefamiljarët, ata që edhe kur shtroheshin në sofër, në familje, kishin privilegjin të hanin thelën më të madhe e t’u servirej, në pjatë: “gryka“ e gjellës, kishin marrë me vete, edhe ndonjë botile, me “farmak” (lexo raki).
Secili zgjodhi e shkuli një fidan bliri dhe e “paketoi” për ta transportuar në krah. Tahirit i shkoi syri tek një fidan bliri, i bukur, i shëndetshëm e me vegjetacion të gjelbër të plotë. E gërmoi rreth e rrotull, i preu rrënjët anësore; me ndihmën e shokëve e shkuli dhe e bëri gati, për ta transportuar. Me qëllim që dheu të mos veçohej nga rrënjët, e futi rrënjën në një thes prej zhake, të cilin e kishte prurë, nga shtëpia, posaçërisht. Dikush nga aksionistët e këshilloi mos ta merrte tërë atë “katana”, mbasi ai bli ishte tepër i rëndë e rruga ishte e gjatë. Po ku mbushej koka e Tahir Ilirjanit; ai e kishte vendosur dhe kaq mjaftonte. Asnjeri nga aksionistët, përveç Tahirit, nuk mund ta transportonte atë dru. Pastaj, Tahiri e përzgjodhi vetë e po të mos ta merrte, do të ndihej keq. Sedërliu ynë nuk mund ta bënte këtë gjë.
Në mesditë, kur kishin mbetur edhe pak orë ditë, “karvani” i aksionistëve, me fidanë bliri në krah, zbriti malin e u vu në udhën e drejtë që të çon, nga Ura e Luzatit, për në Tepelenë. Zbritja e malit ishte më e vështirë se ngjitja, Jo vetëm për shkak të ngarkesës që kishin në kurriz, njerëzit, por dhe për arsye se gurët rrëshqisnin e tok me ta edhe aksionistët. Kur nata kishte rënë e qyteti kishte ndezur dritat,”karvani” i aksionistëve, i lodhur e i dërrmuar, mbërriti në qytet. Tahiri, si të tjerët, nuk e kishte lëshuar fidanin e përzgjedhur prej tij, për asnjë çast dhe e solli atë të padëmtuar.
Gropat, në të dyja anët e shëtitores, vijë të drejtë ishin hapur, sipas kushteve teknike dhe lulishtarët nuk e patën të vështirë të bënin mbjelljen e fidanëve që sollën nga mali i Luzatit. Tahir Ilirjani, i cili, në atë kohë ishte në kulmin e fuqive fizike të burrit, e solli të padëmtuar, në asnjë çatall, blirin që përzgjodhi vetë. Ata që e vështronin tek zbriste malin, me gjithë atë masë të gjelbër në krah, kishin ndjesinë se një pjesë e pyllit me blirë, po zhvendosej, gradualisht, nga faqja e malit, drejt Fushës së Luzatit. Asnjeri, veç Tahirit, nuk mund ta sillte në Tepelenë tërë atë “Katana”; të rëndë e masive.
Fidanët e blirit u mbollën në gropat që ishin hapur, posaçërisht për ta, në anën Perëndimore të shëtitores kryesore të qytetit e cila ndodhet rrëzë kalasë të moçme. Bliri i Tahirit u mboll i pari në radhë, diku përballë postës qytetëse. Atij i takoi radha të ishte në krye të valles dyshe labçe, dhe e hoqi e e heq atë valle, sot e kësaj dite. Tahir Ilirjani u kujdes; si gjatë mbjelljes dhe më pas që bliri i mbjellë prej tij të rritej e të zhvillohej në kushte optimale. Dhe druri i bukur e dobimadh, i blirit, u rrit i shëndetshëm e u zhvillua, si ai që e ngriti në krah. Me kohë, ai bli doli mbi të tjerët dhe dikush që ia dinte historinë e quajti “Bliri i Tahirit”!
Banorët autoktonë të Tepelenës dhe ata që banojnë prej kohësh, në këtë qytet, e njohin këtë ndodhi, e cila shkon deri në kufijtë e legjendës. Tahir Ymer Ilirjani, nuk është më në jetë, por bliri që mbolli, si dru jetëgjatë, qoftë vetëm për këtë fakt, do të bëjë që heroi ynë të kujtohet, brez pas brezi, si nga ata që e kanë parë ndodhinë dhe nga të tjerë që vetëm e kanë dëgjuar, si rrëfenjë.