Niazi Nelaj

Shkrime

Voskopoja mikpritëse dhe befasuese – Reportazh

4 gusht 2016 · 9 min lexim

Voskopoje

Për Voskopojën është shkruar e do të shkruhet, pafundësisht. Natyrisht, me dashamirësi e krenari. Jo më kot është bërë e njohur dhe e dashur kjo trevë, “perlë” e vendit tonë. Ajo, në shekuj është endur mes qytetit dhe fshatit. Sot, për nga bukuritë dhe vlerat që bart, “kapardiset”, me meritë, si Zonjë e Rëndë. Merita, para së gjithash u përket atyre njerëzve që kanë banuar e banojnë aty, të cilët janë shkrirë për vatrën ku kanë lerë e janë rritur. Pra, nuk është vetëm pozicioni gjeografik dhe klima e shëndetshme që i bëjnë nder këtij qyteti të rrallë. Më shumë se këto, Voskopojën e bëjnë të njohur e të preferuar, historia e lashtë e saj e cila e mbulon, me lavdi atë trevë. Njerëzit e shquar që kanë jetuar e jetojnë në këtë vend, i rrinë “Mbretëreshës të Bukurisë Shqiptare” si një gjerdan i ndritshëm, i cili i zbukuron shtatin.

Voskopoja pret e përcjell, pambarim, turistë e vizitorë, të ndryshëm, vendas e të huaj, të cilët, kohët e fundit i kanë fshirë kufijtë që ndajnë stinët dhe e gjallërojnë atë mjedis, në çdo kohë. Si në dimër, dhe në verë, Voskopoja është e preferuara e mjaft vizitorëve, të cilët janë “dashuruar” me bukuritë dhe hijeshinë e klimës së saj të fortë. Prej atyre që vijnë në Voskopojë, ka dhe me origjinë nga kjo trevë. Ata vijnë në këtë qytet, për të përtërirë lidhjet e lashta apo për të shuar mallin, për natyrën e bukur dhe vlerat e saj klimaterike.

Prej disa vitesh, radhazi, pushoj, me kohë të kufizuar, në këtë qytet fantastik e nuk ndahem dot prej tij. Hera-herës pyes veten: Ç’të jetë vallë kjo “magji”? Sa herë kthehem në Voskopojë, përtërihem e relaksohem, pa masë. Klima e “fortë” malore, doemos që më bën mirë, por, kur e vështroj si ndryshohet qyteti, im i dashur, mbushem me gëzim e krenari. Thua sikur jam nga kjo trevë. Ndryshimet që ndodhin në qytet e bëjnë atë më të bukur e më të preferuar, për vizitorët e shumtë të tij. Po çfarë ndryshon në këtë qytet, si të “flakur” në një qoshe të vendit? E them gojëplotë se ndryshohet çdo gjë, përveç klimës që është po ajo që ka qenë, këtu e kushedi se që kur.

Në ndryshim të vazhdueshëm është ai qytet i “magjishëm” e njerëzit e tij. Sa shumë më gëzon fakti kur vështroj një tendencë të mbarë për rikthimin tek tradita e lashtë e rrugëve me kalldrëm dhe tek banesat me gurë të gdhendur; me sofate të gurtë përpara portave mbi të cilët ulen e bisedojnë gratë e moçme të cilat endin historinë, si Penelopa rrjetën. Dëshira e mirë e njerëzve ka si pikësynim të qartë, ribërjen e Voskopojës siç ka qenë dikur; e ndierë në rajon dhe e bukur, për cilindo që shkelte në rrugicat e saj. Rikthimi tek tradita e mirë, nuk mund të përzihet me një kthim prapa por, siç duket, për të korrigjuar një padrejtësi të kohës. Gurët me ngjyrë të errët, të gdhendur me mjeshtëri e durim nga gurëskalitësit e njohur, gorarë; oparakë; panaritas; nga Lavdari, etj. i japin bukuri të veçantë banesave që zbukurojnë rrugët e qytetit. Edhe vetë ata gurë, prej së largu janë sjellë. Trëndafilat karakteristikë, zbukurojnë, oborret dhe rrugicat e qytetit, etj.

Duke shëtitur nëpër qytet, jo pa qëllim, pashë rikthimin tek tradita e mirë e spërkatjes dhe fshirjes të rrugëve nga amvisat me duar të arta të familjeve vendase. Ato, herët në mëngjes, përshëndesin njëra –tjetrën, dhe kalimtarët e rastit, të cilët nuk i njohin, me një mirëmëngjes të çiltër dhe me fishkëllimën e fshesave të tyre. Ky është një rit që përsëritet çdo ditë e tërë jetën. Po restaurohen kisha të njohura, të moçme; si ajo e Shënepremtes; Manastiri i Shën Johan Prodhromit; Kisha e Shënkollit etj. Bamirësinë e voskopojarëve e ndjeva në ditët e pushimit të kësaj vere dhe e gjej, sa herë shkoj në Voskopojë. Një profesor biologjie nga Durrësi, i cili “ka bërë fole” në atë qytet e nuk i ndahet Voskopojës, por shkon çdo vit, kur më prezantoi, me miqtë e tij të rinj, me të qeshur u tha: “Ja dhe një viktimë e Voskopojës”! Qeshën miqtë e tij, të cilët e kuptuan nëntekstin; qesha dhe unë, duke bërë të viktimizuarin. Kur u ndava prej tyre, thashë me vete: “Vërtet paskam kaluar në vartësi të “magjisë voskopojare”? E them plot gojën: Po-Po- Po dhe nuk kam përgjigje tjetër.

Duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit, të cilat, për mua janë bërë të dashura; si ato të fshatit tim, edhe pse nëpër to, kur kalojnë makina, ngrihet pluhur, madje kundërmon dhe aroma e bajgave të lopëve të shumta (një për çdo familje), që kanë banorët vendas, përjetoj një ndjenjë të dyfishtë: Gëzohem, pa masë, kur vështroj ato ngrehina, të restauruara, një e dy katëshe, të ndërtuara bukur, me gurë të gdhendur nga jashtë, sejcila në truallin e të parëve të fisit. Bukur i kanë ndërtuar banesat: Astrit Bebri, nga Krushova; Prifti i qytetit, Papa Thoma Samaraj, shërbëtor i kishës së Shënkollit, shtëpia dhe objekti social të Nexhip Bacellit; kisha e Shën Vasilit, taverna “Voskopoja”; pronë e Demirit; banesa hotel e Theodhorit, nga Drenova, ndërtesa e njësisë administrative e plot ndërtime të tjera. Por më trishton fakti që mes ngrehinave të bukura ka të tjera, të vjetra, natyrisht, të kthyera në gërmadhë, apo në prag të rrënimit. Ndodh kështu, mbasi, ngrehinat e restauruara, janë bërë me kontributet vetjake të voskopojarëve të mblojtura nga kursimet e mbledhura, ca nga ca nga puna prej skllavi, në kurbet. Pyes veten, në heshtje, pa marrë përgjigje: kur do të vijë dita ti vështroj e të kënaqem, edhe me këto ngrehina, të përtërira, si shoqet e tyre?

Më vjen mirë që vendasit me rrënjë voskopojare janë kthyer e po vërshojnë për të gjetur rrënjët. Disa kanë bërë dhe restaurime e punë të bukura, tek të cilët të mbetet syri. Bukurive të Voskopojës përditë u shtohen objekte të rinj. Në udhën që të shpie në Krushovë e në Shipskë, thonë se do të bëhen investime. Më gëzoi “sihariqi” se, së shpejti nis shtrimi me kalldrëm;sistemimi i përroit dhe ndriçimi i asaj rruge të rëndësishme. Deri tani në anën Perëndimore të rrugës, “kanë mbirë” disa ngrehina të bukura, në formë resorti. Të tilla janë ngritur e po ngrihen dhe në vende të tjerë të qytetit. Në mes të pishave të zeza, korçari Llazi Lera, i cili ka restauruar kishën e Shënepremtes dhe ka ngritur një hotel luksoz të cilit i ka vënë një emër interesant e lakonik; O2, në mes të pishave të zeza. Kohët e fundit, ky hotel duket sikur “ka pjellë”, disa bujtina, që ngjajnë lilipute në krahasim me atë ngrehinë luksoze, me tre kate.

Interesant, gjeta hotelin “Royal” të ngritur më lart, në një faqe kodre, nga ku duket, si në pëllëmbë të dorës, qyteti i lashtë, me madhështinë e bukurinë që të magjeps. Ngrehina është ndërtuar para 9 vitesh, në pronat e Manastirit të Shën Johan Pagëzorit, nga i ndjeri Agim Bulka. Më tërhoqi, pozicioni i tij në atë pikë dominuese, në mes të pishave të zeza, që prodhojnë shumë oksigjen; domosdo dhe arkitektura e veçantë e mënyra e punimit me gurë të gdhendur, bukur. U afrova e u ula për të provuar kafen, në kuadrin e eksplorimit të kafeterive të trevës. Tek hyrja e hotelit, “shtanga“, i tëri e nuk më bënin bëja më tej. Në hyrjen e asaj ngrehine, mbi një pllakë guri, të përmasave të zakonshme, dallova një fytyrë njeriu, të gdhendur në gur. U afrova, për të shquar e kujt është ajo figurë? Çfarë të shikoj; figura ishte e gjeniut të letrave shqipe, të Madhit e të paarritshmit Nonda Bulka. Mendova se mund të më kenë bërë sytë e mjegulluar, nga mosha e nga puna që kam bërë. Por, kur lexova, atë dedikim me shkronja të mëdha: Nonda Bulka, u binda se nuk më kishin bërë sytë. Piva kafen dhe, në shoqërinë e të mive, u ktheva në shtëpinë ku banoja.

U mendova gjatë, në vetmi dhe u konsultova me të tjerë. Doja të mësoja domethënien e asaj që pashë në atë vend që më befasoi. Ç’të ketë dashur legjendari Nonda Bulka, këtu, në Voskopojën e largët, në mes të pishave të rralla, jo vetëm në Shqipëri? Me sa jam në dijeni, xha Nonda ka qenë nga Leusa e Përmetit; nuk dija ndonjë lidhje të tij me Voskopojën. Për të mësuar diçka më tepër për atë që pashë, u telefonova miqve të mij të mirë, njerëzve të letrave: Çobo Skënderi e Bashkim Kozeli, për të cilët dija se e kanë patur idhull xha Nondën dhe veprën e tij të pavdekshme letrare. Edhe ata, si unë, u befasuan. Atëherë vendosa të shkoj përsëri për kafe, në atë njësi biznesi. U ula në tavolinë e bisedova me menaxherin e hotelit, Piro Shkodrani; një tiranas me origjinë nga Voskopoja. Pirua i ka vënë shpatullat punës e, me përkushtim e ndershmëri, dhe me profesionalizëm, ia ka ndryshuar faqen, atij mjedisi, si rrjedhojë i ka shtuar, ndjeshëm klientët. Pirua më dëftoi historinë e “ardhjes” të xha Nondës, në këtë hotel. Ai më bëri me dije se Agim Bulka ishte nip i të Madhit Nonda Bulka dhe nip voskopoje. Në kujtim e për të nderuar figurën e ndritur të gjyshit të tij të mirë, vendosi atë skulpturë në mur, në hyrje të hotelit. Shojta kureshtjen dhe u ndjeva mirë, për faktin se kujtesa popullore dhe respekti i pinjollëve për paraardhësit e tyre, rron e do të rrojë, sa të jetë jeta.

Nuk mund ta përfundoj këtë tip reportazhi, sido që është, pa shkruar dhe ndonjë mendim, vetjak, që i shërben përmirësimit të punës. Turizmi familjar, në Voskopojë është në hapat e parë. Ai kërkon mbështetje, në radhë të parë nga shteti dhe me fonde që të mos grabiten. Voskopoja, në kuadrin e riorganizimit të territorit, nuk është më bashki, si më parë, por është kthyer në njësi administrative, me fonde e kompetenca të kufizuara. Planifikimi i fondeve dhe menaxhimi i tyre, i është lënë në kompetencë, bashkisë, në Korçë. Voskopoja, ashtu si motrat e saj turistike, Dardha etj, ka nevojë të vështrohet “plot sytë”. Turizmi familjar ka nisur por hera-herës, në qytet nuk ka drita; rrugët janë ende të pashtruara e shtimi i mjeteve në qarkullim, shton pluhurin; probleme ka me pastrimin e qytetit dhe me disiplinimin e lëvizjes së lopëve, të cilat nuk janë të pakta. Ndoshta, kompletimi i qëndrës shëndetësore dhe përmirësimi i shërbimit, etj, do ti bënin mirë gjallërimit të turizmit.

Për ta mbyllur reportazhin, e tok me të edhe kritikat, mendoj se ndonjë trenerim afatshkurtër, për menaxherët e banesave turistike të qytetit, sidomos lidhur me komunikimin me të ardhurit do të ishte me vlerë e do ta bënte Voskopojën më atraktive. Jam besimplotë se kjo do të bëhet dhe jo vonë!

Shënim: Ky reportazh i dedikohet z. Agim Bulgareci, njeri i letrave shqip; voskopojar në origjinë!

Shkruar nga Niazi Nelaj, në korrik 2016, në Voskopojë

← Të gjitha shkrimet