Niazi Nelaj

Shkrime

Rrëfim për shokun tim të fëmijërisë Servet Rumani

9 mars 2017 · 12 min lexim

Nga ajo ditë e trishtuar, kanë shkuar, plot 62 vjet. Një jetë njeriu.E,në tërë këta vite, për asnjë çast, nuk më është ndarë portreti i shokut tim të fëmijërisë, Servet Rumani, djalit nga Janjari i Sarandës, i cili humbi jetën, aksidentalisht, në moshën e pafajësisë. Shumëkush, ka gjithë të drejtën e Zotit të mendojë e të thotë:”Një çështje personale, kjo, e cila nuk na takon”! Dakort; ashtu është vërtet; por, kur mora penën për të hedhur në letër këto kujtime të hidhura, të cilat nuk më janë ndarë, shpresova se do ta ndaja dhimbjen që më ka shoqëruar kaq gjatë, me lexuesin e nderuar, sidomos me ata që janë ose banojnë në Janjar, përfshi dhe ndonjë nga fisi i tij.

Është e natyrshme, koha e largët ka prurë jo pak ndryshime tek njerëzit dhe sentimentet e tyre nuk kanë ndënjur në vend. Vetëm natyra: malet e çairet; grykat dhe arat, përrenjtë dhe monopatet mund të kenë mbetur siç ishin dikur. Njerëzit kanë ikur, në udhën, pa kthim; të tjerë kanë lerë në vend të tyre. Shtëpitë e dikurshme kanë rënë e, në vend të tyre janë ndërtuar të tjera; burimet dhe çesmat e lashta edhe mund të jenë shteruar dhe pyjet, mesiguri janë përtërirë, me filizë të rinj.etj.
Koha, me vetinë për të mos qëndruar në vend, bën që ndodhitë, sidoqë mund të kenë bërë bujë, në kohën kur kanë ngjarë, ti mbulojë ato, me pluhurin e harresës apo e ka mjegulluar kujtesën e njerëzve. Ndoshta tek dikush ka zënë vend sllogani: “I vdekuri; me të vdekurit e i gjalli, me të gjallët”! Nuk mund të bie dakort me këtë mendim. Pa ditur nga i kemi rrënjët, nuk ngjitemi dot tek degët. Ca më keq, kur e dimë se kemi trashëguar disa të dhëna gojore, të cilat janë përcjellë nga brezi në brez, por jemi disi të varfër në materiale të shkruara.
Në muajin shtator të vitit 1952, në qytetin e Tepelenës, u hap, për të parën herë konvikti i shkollës shtatëvjeçare. Ngrehina që ka mbetur prej asaj kohe, ishte në ndërtim e sipër. Deri në fundin e atij viti, ne, konviktorëve na sistemuan në një kazermë ku kishin banuar, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ushtarët e pushtuesve italianë. Kazerma, e cila u përshtat për të banuar ne, ndodhej në bregun Perëndimor të Lumit të ftohtë, me ujë të kristaltë të Bënçës; pranë mullirit të vjetër dhe dërstilës. Derisa u përfundua godina e re e konviktit, shkonim në shkollë, në qytet, në rresht, njëri pas tjetrit, në këmbë, nga ura e betontë sipër lumit, afër grykës dhe dilnim tek Rrapi i moçëm, në hyrje të qytetit. Kujdestari na printe e kujdesej që të mos mbetej asnjëri prapa shokëve.
Ishim të ardhur nga rrethe të ndryshëm të vendit. Konviktorët vinin, kryesisht nga rrethi i Tepelenës; në veçanti nga fshatrat e thellë, malorë, si Kurveleshi, Buzi e Krahësi, në të cilët shkollë unike (shtatëvjeçare) ishte vështirë të ndeshje. Mjaft djem e vajza, edhe pse hynë në klasën e pestë, ishin të rritur në moshë. Ata kishin qëndruar disa vite, të pashkollë, për arsye se, pas përfundimit të klasës së katërt, nuk mund të ndiqnin klasën e pestë për shkak të largësisë, apo për shkaqe të tjerë. Një djalë nga Krahësi i Tepelenës, Demiri, erdhi në konvikt, në klasën e pestë, mbasi kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Pas rrethit të Tepelenës, i cili kishte shumicën e konviktorëve, në vend të dytë vinin ata nga rrethi i Gjirokastrës, sidomos nga krahina e Dropullit. Nëpërmjet tyre mësova të flas pak, në gjuhën e vjetër greke, sipas akcentit të tyre. Nga rrethi i Sarandës kishin ardhur 10 nxënës. Dy ishin nga fshati kufitar i Janjarit; dy të tjerë (vëllezër), ishin, nga fshati Gjashtë, njëri nga Delvina etj.
Të gjithë ishim të gëzuar, dhe falënderonim fatin e mirë që na pruri të mësonim në një mjedis shkollor, të ri e në një klasë më të lartë. Gëzimi ynë kishte të bënte dhe me atë që do të njiheshim e do të miqësoheshim me shumë shokë e shoqe të rinj.Qysh në ditët e para, të shkollës, nuk di përse u miqësova me djalin nga Janjari- Servet Rumani. Serveti, sapo kishte mbaruar klasën e katërt, në fshatin e tij dhe ishte i së njëjtës moshë me mua. Ai ishte imcak, nga shtati, mjaft i shkathët e i fortë dhe i bukur; për bukuri. Ishte i veshur më mirë nga unë. Ndoshta familja e tij kishte nivel më të mirë ekonomik, ose tradita e fshatit e bënte të ishte sqimtar, në të veshur. Fytyrën e kishte bardhoshe, me tipare të rregullta; me sy e flokë të zinj. Flokët i kishte me onde, i priste shkurt dhe i ndante, anash, me një vijë mbi vetullën e djathtë.
Tipari që binte më tepër në sy, tek ai djalë, ishte buzagazi i tij. Miqësia jonë, e cila lindi që në ditën e parë të shkollës, u forcua e përparoi dita-ditës. Puqeshim në mjaft gjëra, si në sjellje dhe në mësime, të cilat ishin dy kualitetet bazë për një nxënës të asaj moshe. Tek Servet Rumani, më dukej sikur Zoti kishte bërë tok çdo gjë të mirë që mund të thuash, për një njeri. Në çdo gjë ishte i përkryer. Kështu më dukej mua, prandaj e bëra shok dhe e doja si vëllanë tim, të vetëm- Dilon. Nuk u taksëm vëllamë, me hajmali, sipas zakonit, mbasi ishim të mitur e nuk i kishim kushtet për këtë, por në fakt, u bëmë vëllamë, pa pjesë, në jetën e përditshme. Shoqëria jonë ishte nga ato lidhje fëminore, pa interes e pa paragjykuar njëri-tjetrin.
Serveti, fluturonte, nga gëzimi, kur u regjistrua në konviktin e Tepelenës. Kishte shkaqe të tijët, për këtë. Në këtë qytet shërbente, në cilësinë e kapterit, në Repartin e Ndjekjes, i vëllai, Salikua, i cili banonte, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët në një barakë, të sajuar për banesë, në krye të qytetit; në fund të Pallçiaë. Në konviktin tonë, në një klasë më lart, ishte dhe Fatbardha, vajza e xhaxhait të Servetit. Fatbardhës, Zoti dhe familja i kishin dhuruar dhuntitë më të mira të një vajze çame, të denjë për të përfaqësuar atë trevë me tradita e vlera. Ajo ishte vetëm një vit më e rritur nga kushëriri, por në sjelljen e saj, na ngjante me një dado të mirë.
Serveti shkonte shpesh në familjen e ngushtë të Salikos ku nxirrte mallin e të tijëve, të cilët ndodheshin larg dhe shpesh kompensonte pamjaftueshmërinë e të ushqyerit që përjetonim në fillimet e jetës në atë institucion arsimor, si dhe plotësonte ndonjë nevojë që lidhej me pastrimin e të brendëshmeve. Siç duket, kunata e tij zemërmirë e duar artë e trajtonte shokun tim, si fëmijët e barkut të saj. Falë dashurisë dhe kujdesit që manifestonte ajo grua fisnike, ndaj shokut tim, Serveti e ndjente veten ngrohtë në atë mjedis familjar ku jetonte i vëllai me fëmijët.
Në Tepelenë, në atë qytet të viteve ’50 të një shekulli më parë, i cili numëronte rreth 100 shtëpi ku banonin po aq familje, ishte një rrugicë, e cila të çonte nga çesma kryesore e qytetit, tek gjykata e rrethit. Në krahun Jugë-Perëndimor të kësaj rrugice, në një shtëpi njëkatëshe, banonte një grua, e moshuar, me kombësi italiane, e cila quhej Pipina. Ajo kishte mbetur në vendin tonë, nga Lufta e Dytë Botërore dhe jetonte në vetmi. Për të siguruar mjetet e jetesës ajo ushtronte profesionin e rrobaqepëses. Së bashku me Servetin, shkonim shpesh, në atë shtëpi dhe qëndronim gjatë. Pipinën e kishim në rolin e mësueses të Italishtes. I hyri në zemër Serveti, asaj gruaje zemërmirë dhe kishte vendosur ta birësonte. Ndoshta për shkak të zvarritjeve burokratike, apo për shkaqe, të cilët ku ta di unë, kjo marrëveshje nuk funksionoi.
Shoqëria ime me djalin nga Janjari i Sarandës nuk zgjati shumë. Sa ishim tok, nuk ndaheshim nga njëri-tjetri. Të dy ishim si ata ketrat dhe kalavareshim nëpër fiqtë dhe lërushkët poshtë kalasë në atë rrëpirë të gurtë që zbret në lumin e Viosës. Në mësim qëndronim në të njëjtën bangë; në mensë hanim në të njëjtën tavolinë e flinim në të njëjtën dhomë. Në fund të vitit 1952, së bashku me gëzimin e futjes në godinën e re të konviktit, shteti (ishim me bursë shteti) na veshi me kostume të rinj, të qepur me masë, të përgatitur nga një stof i zi, i hollë e cilësor. Na dhanë dhe të brendshme e këpucë të zeza. Kur u veshëm me uniformën e re të konviktorit, Serveti bukurosh, ngjante me një ëngjëll dhe, në bisedat që bënim, e mbushte fantazinë time me gjithfarë planesh, për të ardhmen.
Mbasditeve, në kohën e lirë, para studimit të detyruar, luanim futboll (sport i preferuar për fëmijët e asaj kohe), dhe organizonim lojëra të ndryshme. Më tepër shfrytëzonim për të luajtur një fushë, me përmasa për të vegjël (të kufizuara), e cila ndodhej, mes masivit të bajameve, pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tepelenës. Mes fushës tonë dhe fushës së futbollit të qytetit, ishte një hapësirë, bosh, me gropa e ledhe, ku bënin stërvitje ushtarake, efektivat e Repartit 74. Në atë mjedis, kishim gjetur vendin e përshtatshëm për të luajtur “luftash”. Në lojën e futbollit ingranoheshin pak djem konviktorë (7×7). Të tjerët ose qëndronin anash, si spektatorë, ose luanin “luftash”.
Një të shtunë, mbasdite, kur nuk kishim studim, organizuam lojën tonë të zakonshme; një ndeshje futbolli, mes klasave. Serveti, shkoi në shtëpinë e të vëllait, për të vënë “një brez” bukë me sheqer sipër dhe zbriti, shpejt, tek ne. Meqënëse, ndihej si në shtëpinë e tij, në Janjar, ai, pa, gjysmë të hapur një valixhe të vëllait, dhe mes kapakut e valixhes, dukej diçka metalike, e cila i tërhoqi vëmendjen fëmijës, jo trazovaç. Kur e pa, që ishte diçka e bukur si lodër, e mori, pa lejen e kunatës, e cila lante rroba, jashtë barakës. E futi në gji “lodrën” dhe erdhi, me vrap, pranë nesh. Nuk luaja me shokët, futboll, por qëndroja mbi ledhin e fushës, në cilësinë e spektatorit. Si unë ishin dhe mjaft djem të tjerë, të klasës tonë dhe të asaj tjetrës, për të bërë tifo. Këtu nis tragjedia që i mori jetën shokut tim të mirë.
Sapo erdhi tek ne, Serveti, jo pa mburrje, na tha: “Hajdeni të luajmë luftash, shikoni çfarë kam unë”? Dhe nxorri nga gjiri atë gjënë e zezë, metalike, të bukur e të ftohtë. Na pëlqeu por nuk e dinim çfarë ishte e çfarë mund të sillte. Serveti e kish në dorë dhe na u drejtua, me shaka. Ajo ishte pistoleti vetjak i Salikos, të cilën, në nxitim e sipër, i vëllai nuk e kishte siguruar por e kishte lënë me krehërin plot me fishekë, brenda. Një shoku ynë i klasës, moshatar me ne por më i fuqishëm, pa e ditur funksionin e “lodrës” që solli shoku, i tha Servetit: “Ma jep mua”! Dhe zgjati dorën për tja marrë nga dora. R. pa e ditur, lëvizi djepin luajtës, mbrapa, dhe i futur fishekun. në gojë. Ndërkohë që shoku im tentoi tja marrë tjetrit pistoletin e cila ishte e drejtuar, përballë tij, R. i cili e kishte gishtin në këmbëz, bëri shkrepjen dhe plumbi, përshkoi kokën e Servetit. Dëgjuam krismën e armës, kuptuam se shkrepjen e kishte bërë njëri nga të dy djemtë dhe po vështronim, kujt do ti dilte gjak e kush do të binte përdhe. Pas disa sekondash, shoku im, Servet Rumani, u lëkund tek gjunjët e u shtri, përtokë. Fillimisht nuk e kuptuam çfarë kish ndodhur. Plumbi e kishte marrë në gojë e i kishte dalë prapa kokës, midis qafës dhe trurit të vogël. Një currilë gjaku, i fishkëlleu, si shatrivan, Servetit e i njomi këmishën e bardhë. U hutuam e nuk dinim çfarë duhej bërë. Afër nesh ishte konvikti dhe, brenda pak minutash, erdhën mësuesit dhe disa qytetarë që mësuan për ngjarjen.
E morëm Servetin, në krah, nuk e mbaj mend si, (isha i shokuar), vetëm se vija re që lëvizte dhe trupi i tij ishte i ngrohtë. E çuam në një dhomë, të konviktit, në atë dhomë ku flinim, të dy; e shtrimë në një krevat të katit të parë, sipër batanijes dhe pritëm ardhjen e mjekut. Tepelena,në atë kohë kishte vetëm një mjek, të përgjithshëm, i cili kryente të gjitha shërbimet e specialiteteve. Erdhi mjeku. I veshur me një kostum bojë kafe e me kollaro. Mbasi e pa Servetin dhe këqyri hyrjen dhe daljen e plumbit, urdhëroi infermieren, Lecin, nga Gjirokastra, ti bënte një injeksion, me kafeinë.
Sakaq, Serveti u nda nga jeta. Diku e çuan, larg syve tanë. Erdhi ora e darkës. Në, mensë u futëm të gjithë, por askush nuk e futi lugën në gojë. Kur e vuri re këtë, drejtori i konviktit- Zydiu, na tha: “Ne që kemi marrë pjesë në luftë, na janë vrarë shokët e krahut, por kemi ngrënë e ja tek jemi”. Megjithatë, asnjëri nuk vuri gjë në gojë. Kuzhinier Lluka, për darkë na kishte bërë papare. Siç u shtrua, ashtu dhe u ngrit ushqimi. Ishim të shokuar. Më kishte ikur nga jeta shoku më i ngushtë. Vrasja e tij dhe skenat makabre që pashë, më kishin mpirë të gjithë qënien. Truri nuk më funksiononte fare. Qëndroja në vetmi e qaja. Dikush nga shokët, donte të më qetësonte, por, ku merrja vesh unë. Atë natë, u shtriva në krevat, por nuk mbylla sy. Si unë dhe të tjerët. Isha në dhomën time. Kur shikoja krevatin e Servetit, bosh, më mbulonte ngashërimi. Isha fëmijë e nuk i kuptoja mirë rrjedhojat e asaj tragjedie. Besoja se shoku im Servet Rumani, do të kthehej shpejt e do ta përqafoja, si më parë. Se kështu na thanë:”E kemi shtruar në spital (në ambulancë se spital nuk kish) e do të bëhet mirë. Ku ta dinim ne se ai ishte ndarë nga jeta e për të nuk kishte më kthim.
Të nesërmen, me një makinë tërheqëse, nga ato që tërheqin topat e ushtrisë, të shoqëruar nga ushtarë, nxënës e mësues, Servetin e çuan, pa jetë në Janjar. Në kortezhin e përmortshëm ishte dhe i vëllai, Salikua, e mjaft të tjerë. Shkoi dhe Fatbardha Rumani e di kush tjetër. Mua nuk më morën. Nuk e mora vesh kush e vendosi këtë privim dhe përse e bënë kështu. Ndoshta organizatori mendoi për mua, se mund të mos ta supertoja ceremoninë mortore të shokut të ngushtë. Sidoqoftë, unë nuk e pashë varrimin e tij e, sot e kësaj dite nuk e di vendin ku ai prehet. Shumë vite kanë shkuar e koha ka bërë të vetën; ndoshta gjurmët janë mbuluar. Traditën e trevës nuk e njoh mirë por, nga sa jam në dijeni, në të shkuarën e largët, kujdesi për vendet e varrimit, nuk ka qenë ai që është aktualisht. Gjithsesi, justifikimi nuk justifikohet; barra bie mbi mua, sidoqë ashtu më ka rrjedhur jeta.
Dëshiroj që të tijët (nëse kanë mbetur në Janjar,prej tyre), të kenë dijeni, për ndodhinë tragjike dhe për atë vend, i cili, për mua mbetet një vend i “shënjtë”.

← Të gjitha shkrimet