Urim kushtuar përhapësve kalivaças të diturisë!
Mësuesia, është ndoshta puna më e lashtë e njerëzimit. Mësuesi nderohet kudo. Misioni i tij është fisnik. Ai u mëkon njerëzve dituri. Në të njëjtën kohë, përhapja e diturisë është bujari e shpirtit të tij. Në Kalivaç që në kohë të kohës, mësuesi ka hyrë në treshen e preferuar e të respektuar, së bashku me klerikun dhe ushtarakun. Mësuesi e ka patur dhe e ka vendin në qoshenë e djathtë, atje ku zakonisht ulet, nga i zoti i shtëpisë, miku i largët e më me vlerë.
Për fat të keq, shkolla,e mirëfilltë si e tillë, në fshatin tonë arsimdashës, për shkaqe të njohur është çelur, kalendarisht,vonë. Kjo nuk do të thotë se kalivaçasit nuk e kanë dashur arsimimin e tyre. Vetë shprehja e përdorur rëndom prej tyre : ”Nuk i do i verbëri sytë” është me domethënie. Megjithatë, “mësuesit” dhe mësimdhënja, nuk kanë munguar. Gjyshet dhe nënat, duke u dëftuar fëmijëve përralla e rrëfime, në një farë mënyrë u jepnin atyre mësimet e para. Oda e burrave (grave), ka shërbyer për edukimin e mirëfilltë të pjesëmarrësve,pavarësisht se në vend të bangave dhe dërrasës së zezë, kishte shilte dhe një të parë.
Bariu i deleve apo dhijari e menaxhonte tufën,jo pa dije. Bujku,i dinte mirë punët e tij dhe kalendarin e punimeve në arë. Edhe burgu, për ata që e kishin hak, shkollë ishte dhe është. Kurbeti i mallkuar nga bashkëfshatarët tanë, diçka i mësonte kurbetliut. Besimtarët, pavarësisht se në Kalivaç ndikimi i fesë ka qenë i vakët, kur shkonin në teqe apo më herët,në Kishë e në xhami, dilnin nga ajo derë, me mendim të mirë. Edhe një rrugëtim i thjeshtë,i dy e më tepër njerëzve,për të shkuar në tregun më të afërt; për aq sa e lejonin kushtet, kthehej në një shkollë ku më i mençuri i falte dije më të “vobektit.”….vijon:
Kemi patur dhe “shkollën e malit”. Mjaft ishpartizanë mësuan shkrim e këndim,në kushtet e luftës dhe me ndihmën e pllakave të gurit, mbi të cilat shkruhej, me gurë të mprehtë. Sulo Beqir Sulaj, u mësoi kalivaçasve, si të përdornin armët e si të luftonin. Dëshmori Muharrem Hasani, nga Ahmetajt,në formacionin partizan ku vepronte, njihej si “Mësues i kompanisë”. Po kryepleqtë e shumtë që kanë ardhur njëri pas tjetrit dhe kryetarët e këshillave popullore,më vonë, a nuk ishin mësues të njerëzve? Djemtë që kalonin në shërbimin ushtarak gjithashtu kryenin një shkollë. Kur ktheheshin nga shërbimi ata ishin më të rritur, më të pjekur e më të ditur.
Sot, shkolla e Kalivaçit funksionon në kushte më të pranueshme dhe mësuesit e saj janë në komoditet të shtuar. Le të kujtojmë shkollën e parë të fshatit tonë, e cila u çel,pas Çlirimit të vendit,në Donije, nga biri i fshatit tonë, Halil Zoto Ramaj. Si ishin kushtet atëherë e si janë sot? Halili dha mësim në një tendë të mbuluar me dega rrapi; sot kemi godina të posaçme. Po kurset kundër analfabetizmit? Më se 80% të bashkëfshatarëve ishin analfabetë. Me pak dije por me shumë përkushtim u dhanë njerëzve atë që dinin vetë djemtë e fshatit: Kadri Rrapo Takaj; Dalip Nazif Dostaj, Arif Qamil Sulaj etj. Nëpër kasolle e katonj, me kandil e me bazë materiale të kufizuar.
Në vitet ’50 të shekullit të shkuar, mësuesit ishin nga rrethe të tjerë të vendit; kryesisht nga Elbasani; nga Gjirokastra etj. Dalngadalë, vajzat dhe djemtë kalivaças, plotësuan këshillin pedagogjik të shkollës dhe u bënë pishëtarë të diturisë. Doemos që ata ishin më të pranueshëm, për të vetmen arsye se njohin mirë psikologjinë, mentalitetin dhe tiparet e tjera të bashkëfshatarëve të tyre. Ndryshimi është i dukshëm. Kalivaçasit do t’u jenë përjetë mirënjohës përhapësve të diturisë, në vite si: Halil Zoto Ramaj; Qemal Demir Alidervishaj; Daut Mahmut Hysenaj; Skënder Fejzo Xhaferaj; Xhevaire Xhaferaj; Petrit Zenelaj; Viktor Aliu; Shyqyri Hysaj; Muharrem Agaj; Petrit Hysaj; Agim Hysaj; Jashar Haderaj; Vezir Muharremaj; Xhelil Aliu; Nuri Mehmetaj; Shpresa Bejomalaj (Nelaj); Lumturi Dosti (Nelaj); Luiza Haxhi Nelaj; Adriana Haxhi Nelaj; Fatmira Bejomalaj (Nelaj); Nezajet Ramaj; Gëzime Haderaj (Hysaj); Mirjeta Hysni Deraj; Aleksandër Xhaferaj; Naim Deraj; Erjon Çaushaj; Xhevdet Qamil Nelaj; Baftjar Arif Sulaj etj.
Nuk mund të lëmë pa përmendur rolin e pazëvendësueshëm të atdhetarit Demir Rrapo Zenelaj (Muçoimaj), i cili, erdhi nga kurbeti i largët,me valixhet plot me libra e revista në gjuhën shqipe. Ai ishte fisnik, në shpirt dhe qëllimi i vetëm i tij,në këtë rast ishte përhapja e diturisë, tek bashkëfshatarët e tij analfabetë. Anëtari i shoqatës atdhetare ”Vatra”, të Bostonit, erdhi në Kalivaç, me misionin historik, për të përhapur dituri dhe çeli një kurs me 16 bashkëfshatarë; mes tyre dhe një grua (Sadua e Muharrem Shemës).
Sot, kur shkolla e Kalivaçit, nuk mbahet më me ”miell hua”, por e ka mbushur këshillin pedagogjik, me vajzat dhe me djemtë më të zgjedhur të tij, urimi im shkon në drejtim të shëndetit dhe prosperitetit të tyre, në fushën e përhapjes të dijeve bashkëkohore. Nga zemra uroj: Gëzuar festën, të dashur mësues të fshatit tim, dalshi faqebardhë,në punën tuaj fisnike!