Ç’keni me pleqtë? Lërini në hallin që kanë!
Lëreni plakun në shenjtërinë e vet... kam lexuar dikur, fjalët e një të mençuri. Lufta mes brezave është e lashtë sa vetë jeta. Kjo është e njohur dhe e pranuar. Dihet dhe fakti se natyra është ekuilibristi më i saktë. Pa këtë rregullsi, nuk do të kishte kuptim jeta. Disa ikin e të tjerë vijnë.
Pleqëria, aty është; ajo troket ngadalë, prapa kurrizit. Privilegj, natyra nuk di të bëjë. Ajo ka ligjet e saj e nuk pranon ryshfet për të zbutur ligjësinë. Pleqëria qenka bezdi, jo kënaqësi, edhe pse shpesh mburremi me vitet që mbajmë mbi shpinë.
Vështroni rrugët e qytetit dhe kafeteritë e tij! Shumë pleq; pambarim të moshuar. Disa të vetmuar, të tjerë mbajnë qen apo mace, për dorë. Se fëmijët kanë shtegtuar. Ndonjë çift i moshuar, zënë dorë për dorë, si dikur, në rininë e tyre shëtisin me hapa të rëndë.
Analizës nuk i futem, atë, secili le ta bëjë vetë. Ama, disa raste pikante që më kanë lënë mbresë, do t’i ndaj me ju:... vijon
... vijon vijimi... Dikur, në një arkë kursimi ndesha me një pensionist, i cili mbante librezën e pensionit me numër 5, e cila, ma do mendja i përket vitit 1946. Sa shumë duhet të ketë rrojtur? Sportelistja, me sy të lyer, e vështronte plakun me habi e më dukej sikur i thoshte: Akoma gjallë je? Kërkon të hash akoma? Nuk u ngope së jetuari e së marri? etj. etj. - sikur t’i nxirrte nga xhepi paratë që i jepte atij lumëmadhi.
Një i njohuri im, ka dalë në pension që kur ishte me moshë 27 vjeç. Është afër shekullit, rron, tundet e shkundet me një çantë në dorë, nëpër Tiranë.
Një i njohur tjetër imi, i cili është bërë për ndjesë, mburrej se në jetën e tij nuk kishte lexuar asnjë libër dhe, me krenari thoshte: “Para se të fle, kur shtrihem, gruaja më lexon pasazhe, nga libra të pëlqyer.” Ec e merre vesh këtë punë...! Sikur të ishte bebe e do ta vinte në gjumë gjyshja, duke i dëftuar përralla.
Mosha avancon e nuk na pyet. Çdo njeri do ta “shijojë” pleqërinë. Ajo mban vlera por dhe antivlera; të jep disa kënaqësi, por ka më tepër siklete; ka të përbashkëta por dhe individualitete të cilat, së paku duhen njohur e duhen pranuar.... vijon...
... vijon vijimi... Nuk e përgjithësoj, por ma shpifin disa të moshuar që e vrasin kohën duke bërë politikë. Lumëmëdhenjtë. Lexojnë të njëjtat gazeta e ndjekin të njëjtët emisione dhe mblidhen, i komentojnë njëri-tjetrit, ato që të gjithë i kanë lexuar. Dikush do të thotë, i komentojnë sipas bagazhit që kanë. Dakord. Ka dhe nga ata që u ka mbetur ora dhe maten me hijen e mëngjesit.
Po disa gra të moshuara? E vrasin kohën duke i dëftuar njëra-tjetrës, çfarë dhe si kanë gatuar për drekë. Ca më keq kur i shesin mend shoqja-shoqes, duke dëftuar kënaqësitë që kanë përjetuar, kur kanë qenë tek fëmijët, shtegtarë. Le të bëjnë e le të thonë çfarë të duan, se fundja, në demokraci jemi por të mos bërtasin sa të shqetësojnë ata që kanë pranë e që nuk e kanë kuriozitetin të dinë për jetën e tyre.
Të moshuarit, të përbashkët kanë harresën. Por kanë dhe një merak të madh. Disa mendojnë se mos, pas largimit nga jeta, do të harrohen; prandaj kërkojnë të fiksojnë gjurmët në histori. Sikur historia të ishte regjistër i gjendjes civile. Ajo i përmbledh të gjithë, por thekson ata që lënë gjurmë, jo ata që i atribuojnë vetes, merita të pamerituara ose, rreken të përvetësojnë bëmat e të tjerëve.
Çfarë do të shkruash për atë që ka vdekur, më tha njëri, kur e pyeta; ke të gjallë që çoç kanë bërë.. E kishte fjalën për veten e tij.
Prandaj ka shpërthyer një “garë” e shfrenuar shkrimesh. Nuk jam kundër shkrimeve, por jo të shkruash për vete, që të mos harrohesh. Shkrimet duhet të pasqyrojnë realitetin e të jenë të vërteta...vijon...
...vijon vijimi... Kam një inat, i cili nuk më del kollaj: Na qenka bërë një studim sipas të cilit, në një të ardhme të afërt, kur shumë nga ata që janë në jetë, do të jenë larguar, nuk do të ketë kush të paguajë pensione, mbasi të rinjtë po ikin nga vendi. Studimet kanë vlerë e atyre që i bëjnë, u shpreh mirënjohje por, ju që keni në dorë të bëni diçka për të moshuarit, bëjeni, mos u kurseni.
Ca më keq, dhe kjo më revolton, kur dikush që ka diçka në dorë, fërkon duart duke pritur kur do të nisen të moshuarit në udhën pa kthim.
E them këtë si një kushtrim, si një çështje të vërtetë e cila ka vlerën e një aksiome. Në atë udhë, herët a vonë do të niset secili. Kjo dhe vetëm kjo është e sigurt; të tjerat venë e vijnë!