Ta adhurojmë apo ta kemi frikë policinë bashkiake?
Si institucion, jam i mendimit ta adhurojmë e të mbështetemi tek ajo e të kërkojmë ndihmën e saj; por, kur vështroj disa sjellje të rëndomta të policëve të veçantë, më hipën inati e mendoj të kundërtën.
Sot, në mëngjes, tek shkolla "Vasil Shanto" e më në perëndim të saj, pashë një skenë, e cila jo vetëm që nuk më pëlqeu, por më kujtoi vitin që dua ta harroj 1997, kur një ushtar i gjatë, me hundë shqiponje, më goditi me shkop gome, përpara ambasadës amerikane se më pa në rrugë, ku dëgjoja lebetitjet e disa grave që u kishte rënë të fikët e po i ngarkonin në një kamion, për t’i çuar nuk e di se ku.
Sot, disa fshatarë, të cilët tregtojnë në rrugë e mashtrojnë, si xhonglerë të vërtetë, kishin dalë me natë, me prodhimet e tyre, për t’i shitur. E them që në fillim se janë në gabim; ata duhet të shesin në tregjet përkatëse por, kështu janë prerë e me ta duhet jo vetëm detyrim por dhe sqarim.
U habita, kur dëgjova kushtrimin: "Erdhën; erdhën" dhe me torba, kosha, kova e qese në duar, vrapuan për t’u fshehur, aq shpejt sa nuk rrëfehet.
Një grua e moshuar nuk i merrte dot strajcat e saj dhe la kovën me fiq, aty. Një polic bashkiak, trupmadh, rrëmbeu kovën me fiq, e hodhi në makinë (përdorin variante policët) dhe u sul të rrëmbente tjetër "pre".
Më tej, fshatarët, secili më vete, vraponin për t’i shpëtuar grabitjes.
Nuk më vjen mirë të them kështu, por kam dëgjuar se policët bashkiakë, "prenë" e marrin për vete. Mos qoftë kështu, se më trondit shumë!