Ka ngjarë vërtet, nuk është e sajuar
Dikur, format e përgatitjes së kuadrove të shtabit kishin seriozitet e shoqëroheshin me pompozitet. Stërvitja e shtabit zgjaste disa ditë; afërsisht, aq zgjaste dhe praktika e shtabit. Kuadrot, në këto ditë e kalonin natën në repart. Ata flinin në kushte fushimi dhe ushqeheshin me gjellë kazani.
Një çadër, me dy krevate e me pajisjet më të domosdoshme mjekësore, caktohej si infermieri. Atë e menaxhonte një mjek, i përgjithshëm.
Një ditë, mbasi kishin ngrënë darkën, në infermieri u paraqit një oficer. Ishte afër mesnate e mjeku, u ngrit nga gjumi duke fërkuar sytë.
Mjeku, për të mësuar diçka më shumë e pyeti oficerin: "Ti ishe mirë, ç’pate?"
Oficeri, disi me drojë, u përgjigj, shkurt: "Më lau barku, më kauisin zorrët!"
Mjeku i dha dy hape e i tha: "Piji, menjëherë e shtrihu në krevat", duke i rrëfyer me gisht krevatin bosh. Mjekut iu "prish gjumi" e nuk e zinte më.
Më vonë erdhi një tjetër oficer, i cili kishte nevojë për ndihmë. Ai i tha mjekut: "E kam barkun të fryrë e nuk dal dot jashtë; jam kaps". Mjeku, edhe këtij i dha diçka për ta lehtësuar jashtëqitjen e tij dhe e orientoi të shtrihej.
Tek vështronte të dy pacientët me të njëjtin hall, por me kahe të ndryshme; mjeku u afrua, qëndroi në mes të krevateve, mori pamje serioze e, në mënyrë solemne u tha oficerëve: "E di ç’keni ju? Ndërroni bythët!"
Ka kaluar shumë kohë e disa nga protagonistët, nuk janë më në jetë, por ndodhia rrëfehet e shkakton të qeshura.