Niazi Nelaj

Shkrime

Mos ja pafshim bojën vitit 1997

2 shkurt 2021 · 8 min lexim

(pjesë nga ditari vetjak i atij viti)

Kam dëgjuar të thonë: “Tridhjetenëntë mos ardhsh kurrë…)! E drejtë e nuk e luan as topi. Më duhet të shtoj „Nëntëdhjeteshtata si vit i nëmur, qoftë i pakthyeshëm“! Kam arsye që them kështu. Ai vit i Zi, shkaktoi mjaft prapësi. Kush e shkaktoi? Përse ? dhe si? Nuk kam këllqe ti futem kësaj analize. Por, kam dëgjuar, poshtë e përpjetë teksa e mallëkojnë, me shpirt, mbasi u ka djegur shpirtin shumë bashkëkombasve. Një gjë e parashikoj e për këtë duke iu referuar praktikës të deritanishme ku ka më shumë zhurmë se sa punë kam një farë sigurie se „E vërteta, ndoshta nuk do të dalë kurrë në shesh“ ! I ndjeri Safet Zhulali; personazh politik i njohur, në atë kohë, e paska parashikuar me vërtetësi fatin e ngjarjeve të atij viti, mbasi mund të ketë qenë njëri nga ata që e kanë gatuar.

Pa bërë „heroin“; as „qaramanin“, nuk pretendoj se kam qenë në qendër të „ciklonit“ por në periferi të tij, veç se e kam përjetuar, mbi kurriz e i kam ndjerë me dhimbje pasojat e asaj katrahure. Në atë kohë, isha rrugëve. Dhe në cilat rrugë? Për shkaqe pune, isha i detyruar të kaloja nëpër shumë „postblloqe“ djemsh grabitqarë dhe kriminelë të cilët kishin formuar banda keqbërësish e vepronin lirisht, ku tua merrte mendja. Në çdo „postabllok“, mund ta paguaja me kokë. Motua e grabitqarëve ishte: „O kuletën, o jetën“!

Në qytetin e Tepelenës, kisha ngritur një biznes, me mallra industriale. Dyqanin e furnizoja nga Tirana, me çanta e me kuti, kartoni plot me mallra të kërkuar nga banorët. Të paktën, një herë në muaj isha i detyruar të shkoja, në Tepelenë, fizikisht, me një bagazh gozha të madh, ku përfshiheshin rreth 20 kuti kartoni e çanta tregtare. Çoja mallin; bëja inventarin e dyqanit, merrja paratë e xhiros, së bashku me kërkesat e kthehesha, sërish në Tiranë.

Kush e qante lodhjen dhe stresin. Në disa pika duhet ti nënshtrohesha kontrollit të rreptë të grabitësve të cilët kishin ngritur „postablloqe“ në: Lushnje; në Fier; në Ballesh; në Greshicë; në Povel; në Ziaj; në Pecaj; në Krahës(tek liqeni); në Qesarat; në Mogilla; në Memaliaj (tek rrapi e më tej); madje dhe brenda në qytetin e Tepelenës. Funksiononte dhe një tjetër „postabllok“ i rrafinuar, brenda autobusit. Një apo disa grabitqarë, të armatosur, të cilët mbështesnin ekzekutorin, hipnin në autobus dhe nën kërcënimin e armëve, u kërkonin e u merrnin paratë, pasagjerëve, kundrejt biletës të rrugëtimit, të cilën, ata ia kishin paguar më parë fatorinos. Shteti „kishte rënë“ e policia ishte inekzistente. Vepronte parimi: „Sejcili për vete; Zoti për të gjithë“. „Plehrat“ dolën në sipërfaqe e ligjin e bënte i ligu.

Nëntëdhjetë e shtata, ishte vit i prapë, në të gjithë rrjedhën e tij. Vërtet pati ulje e ngritje dhe disa pika kulmore, por vazhdimësia ishte karakteristike e tij. Hapja e depove të armëve shënoi njërën nga pikat kulmore të kësaj marrëzie. Armët dhe municionet, ranë në duart e kriminelëve dhe zemërzinjve. Ata, duke patur në dorë armët, kaluan në eufori e menduan se u erdhi dita. Disa grabitës, të cilët i blenë armët veresije ishin të mitur. Rreziku që vinte prej tyre, ishte iminent e spontan. Kush e ka përjetuar atë situatë absurde, patjetër kanë mbresat e tyre. Pa bërë qaramanin, dua të ndaj me ju disa episode makabre;

1.- Në pranverën e vitit 1997, me një shumë jo të vogël parash, më duhej të kthehesha në Tiranë. Në atë kohë, vetëm një autobus, i linjës Përmet – Tiranë, një tjetër i linjës Sarandë – Tiranë dhe një nga Memaliajt, kishin të drejtë të qarkullonin, me pasagjerë, në këto linja automobilistike. Duhej vepruar me dredhi. Bleva, në tregun e lirë një shtembë, të cilën e mbusha me gjizë të freskët. Disa pako me para të cilat arrinin shumë të madhe, i futa nëpër qese plastike dhe shtembën e vendosa në mes të autobusit, pa kapak. Në grykë të shtembës kisha vendosur disa copa djathë, cilësor. Pasagjerët, të ndodhur përpara kësaj situate, pyesnin: Ku e bleve gjizën? po djathin? Sa lekë ishte 1 kg? dhe a janë cilësore? Për të mos krijuar dyshim, u thoja njerëzve: Provojini vetë! ja ku janë? E kalova klasën, erdha në Tiranë, së bashku me paratë në shtembën me gjizë.

Episodi Nr.2

Një mëngjes, kthehesha nga Tepelena, në Tiranë. Kisha punuar rreth një javë, në dyqan e kisha bërë goxha punë. I kënaqur nga puna dhe nga rezultati i saj, me disa para në xhep, u nisa, gjithë qejf, me maunën që guidonte miku im besnik Afrim Mullaraj. Ndihesha më i sigurt, kësisoj. Kisha arsye për këtë. Besnikërinë e Afrimit e kisha provuar shumë herë; por e vulosa në një rast kritik. Më bie ndër mend, një rast, kur transportuam nga Tirana, në Tepelenë, e më pas në Pire një argjendar i cili kishte me vete 2 kg ar, të pastër, për ta çuar në punishten e tij, në Pire. Djali, nuk e kishte fare idenë, se çfarë përfaqësonte Tepelena e atyre muajve. Arin e siguroi Afrimi, në maunë kurse për të kaluar natën, djali u strehua në shtëpinë e vjehrrit tim, Tahir Ilirjani. Argjendari donte t’u komunikonte prindërve, në Tiranë se ishte në një shtëpi të sigurtë. E këshillova mikun të kalonte nga dhoma në dhomë, i përkulur mbasi, ngado vështroje flakën e grykave të zjarrit dhe fishkëllimën e plumbave që shkrepeshin, pa pushim. U lidh në telefon me familjen djali e u qetësuan të dyja palët. Megjithatë, atë natë, asnjeri nuk mbylli sy.

Mbërritëm në Memaliaj. Pa mbërritur tek rrapi i lashtë, është një udhë e drejtë. Moti ishte i mirë, e njerëzit, edhe në ata kushte kishin nisur të qarkullonin. Afrimi ecte me terezi e kishte siguri, mbasi ishte në zonën e tij të qarkullimit, ku shumë njerëz e njihnin dhe e respektonin. Unë, gjithashtu isha i shkujdesur, mbasi paratë që kisha me vete, i kishim fshehur mirë, në makinën e kunatit tim.

Papritur, në rrugë, në anën e shoferit u shfaq një fëmijë, i moshës rreth 10 – 12 vjeç. Ai mbante në dorë një armë, automatike të tipit kallashnikov me krehër brenda. Mezi e mbante armën dhe e pengonte dielli i atij mëngjesi, të cilin e kishte përpara. Në kohën kur ishte rreth 70m. Larg makinës tonë, djali ngriti armën, e drejtoi tek ne por nuk e shkrepi. Kujtova se adoleshenti e njihte Afrimin e donte ta trembte, për shaka. Instinktivisht, për fatin e të dyve, ngrita lart dorën e djathtë dhe e përshëndeta, me përzemërsi djalin. Ky veprim instinktiv më shpëtoi jetën. Djali, me sa duket, u sygjestionua nga reagimi im i menjëhershëm, me dashamirësi, uli armën, buzëqeshi dhe ai e përshëndeti me dorën e lirë. Mesiguri djaloshi me armë në dorë, ka menduar se e njihnim dhe përshëndetjen me dorë që i bëra e ka marrë si shenjë mirësie. Ndoshta ka menduar se këta dy burra, të hipur mbi një saurer, mund të jenë të njohur apo miq të familjes e të fisit të tij. Pra, djali u ndie i ngrohur e mes dashamirësve dhe jo mes „armiqve“. Na shpëtoi rasti dhe fati. Edhe tani, pas kaq vitesh, e kam menduar thellë e nuk arrij të shquaj: Kujt duhet tja di për nder këtë mrekulli. Raste plot, të ngjashëm, na thonë se në praktikë kanë ngjarë dhe të pangjara, kur një breshëri automatiku të mjaftonte për të shkaktuar një gjëmë, vërtetësia e të cilës nuk do të dilte në shesh kurrë.

Kaluam Rrapin e lashtë dhe morëm udhën automobilistike kombëtare. Në hyrje të udhës, ishte një top 125mm, në pozicion luftimi. Topi ishte i orientuar nga Mogillat. Pastaj ura mbi Vjosë e më tej fabrika e fosfateve. Patëm kohë ta kalonim bisedën në rrjedhën normale. E pyeta Afrimin “A e njihje ti atë djalin që na drejtoi armën“? U habita kur mora përgjigjen.ere-jo, nuk e njihja. Pse të gjithë fëmijët e Minierës do të njoh unë. (Në atë kohë, qyteti i Memaliajt, identifikohej me simbolikën minierë. „Epo, përse nuk thua që paskemi shpëtuar paq, se do të na kishin bërë plumbat shoshë. Më tej, sejcili prej nesh solli argumente “pas pilafit” në të mirë të argumenteve të tij.

Afrimi: “Adoleshenti që mezi mbante kallashin në dorë, mund të ketë menduar: Pa ta provoj një herë, a do ta shpojnë plumbat xhamin e kabinës e të godasë dy burrat”? E kujtonte lodër armën,adoleshenti. I pranueshëm ky version. Pastaj sollëm shembuj të ndryshëm nga praktika e atyre ditëve. Siç ndodh zakonisht në një udhëtim të gjatë, e të rrezikshëm, kur, pas çdo kthese mund të ndeshte njeriu në grabitqarë, që të kërkonin paratë ose kokën. Thonin se në Berat, një adoleshent, kishte marrë shenjë një grua shtatzanë, nisur nga kurioziteti, si do të vdiste shtatzana. Afër adoleshentit me armë në dorë, kishte kaluar një prift; i cili nxitonte për të shkuar në punë. Era i valëvitete pelerinën dhe flokët e lëshuar. djali shenjoi mbi uratën me kurreshtjen për të parë si do të vdiste një uratë. etj.

Makabritete të tilla ishin të panumërta në atë vit tragjik. Prandaj, çdo njeri i ndershëm e me dy pare mend në kokë lipset ta mallkojë, me shpirt atë vit të mbrapshtë dhe ata që e kurdisën atë prapësi të padëshiruar. Vetëm kaq, gjykoj se nuk mjafton; çdo njeri duhet të bëjë çfarë varet prej tij që ‚97 të mos përsëritet. Më ngjan se është aktuale thirrja e publicistit Julius Fucik në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur shkruante:“Njerëz, ju dua, jini vigjilentë“!

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë – Janar 2021

← Të gjitha shkrimet