Niazi Nelaj

Shkrime

Nostalgji e dhimbshme

4 shkurt 2021 · 17 min lexim

Nuk mund ta fsheh preferencën që kam, për “perlën” – Voskopojë. As dëshirën që kam, për të pushuar atje, disa ditë në vit. Më pëlqen të përcjell i mbështjellë me freskun e Voskopojës, ditët e nxehta të verës përvëluese që ka Tirana. Në vitet e fundit, Voskopojën e kam frekuentuar, vazhdimisht dhe familjarisht. Pas një rasti fatkeq, dy vitet e fundit, nuk kam mundur të vete në qytetin tim të preferuar. Dikush e quan fshat turistik, të tjerë e quajnë qytet. Për mua, Vosakopoja është qytet nga më të lashtët e më me emër në vendin tonë. Ajo i ka dhënë Shqipërisë shumë kulturë e përvojë jetike. Në këtë qytet kanë banuar e kanë punuar mjaft njerëz të shquar, të cilët kanë lënë gjurmë me bëmat e tyre. Përpara meje, mjaft njerëz të letrave e të fjalëve të mira, kanë vënë në dukje bukuritë dhe vlerat e qytetit e të trevës. Në këto ditë pandemie, mbase ka mbetur dhe për mua të shkruaj diçka. Ca më shumë kur është e njohur përzgjedhja e Voskopojës, midis 100 fshatrave turistikë. Ajo këtë vlerësim e ka patur në kohë të kohës, si dhuratë e natyrës, por, ja që erdhi koha ta meritojë edhe zyrtarisht.

Në këto ditë të nxehta shtatori të vitit 2020, kur na kërcënon seriozisht pandemia e pamëshirshme, mora guximin dhe erdha në vendin tim të përzgjedhur. Jo vetëm për të kënaqur nostalgjinë e për të vijuar traditën, por dhe për të shkelur në ato vende e në ata shtigje malore ku bukuria është derdhur me tepri, ku kemi qenë me të paharruarën Violetë Memeti, motrën e bashkëshortes time. Ajo vajzë, kujtohet si një njeri i pazakontë, si një “ëngjëll mbrojtës”, me fund të trishtë e të parakohshëm. Violeta (ndjesë të ketë), ishte një madhështi fatkeqe. Një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, i mori jetën në moshë tepër të re kur kish shumë ëndrra e parashikonte të kryente mjaft punë të mira. Për ne që e donim dhe e respektonim aq shumë, Ajo mbetet një “ëngjëll” në rrugëtim, jeta e së cilës, sa vjen e largohet, duke lënë pas kujtime të bukura e të papërsëritshme. E donte shumë jetën dhe u përpoq ta jetonte atë, por rrugëtimi iu pre në mes e nuk mundi ti gëzonte frytet e saj.

Mund ta merrni me mend, por uroj mos ta provoni kurrë, qoftë dhe për pak kohë, një pleksje të tillë ndjesish ku nostalgjia përzihet me dhimbjen e cila, sido që të mundohesh për ta mënjanuar, nuk e lë dot pas.

Voskopoja të tërheq e të relakson me bukuritë e saj por, gjithsesi nuk ta heq dot dhimbjen kur ajo ka depërtuar thellë në qënjen e një njeriu. Kështu ngjau dhe me mua këto ditë. Doja, të harroja atë që ka ngjarë por nuk mundja. Boshllëku që ka lënë ikja e Letës, është aq i madh sa është mjaft e vështirë ta largosh nga kujtesa. Nuk them që të tjerë para meje nuk kanë patur raste e ngjarje të përafërta, por ata ndoshta janë më të fortë dhe e kanë kapërcyer më shpejt gjendjen; as në qiell; as në tokë. Voskopoja, si qytet i bukur e nga më të lashtët, doemos që më dhuroi kënaqësi, por atë relaksim nuk e ndjeva sa e si duhet, kur kujtoja, vitet e shkuar.

Qyteti i lashtë, i shndërruar në një vend të braktisur e me shumë gërmadha, po përtërihet. Ai ka shumë gjëra të mira përveç bukurive natyrore, të cilat janë dhuratë e natyrës. Aq shumë kënaqësi të jep ky qytet, sa i ziu njeri, nuk di; kë të zërë e kë të lërë. Çdo gjë, këtu meriton vëmendje e vrojtim të veçantë në mënyrë që të mos mbetet jashtë vëmendjes, asnjë dukuri magjepsëse.

Në çdo oborr të rrok syri trëndafilë e lule ngjyra – ngjyra. Pas largimit të turistëve që u dyndën edhe në këta kushte, Voskopoja duket sikur ka rënë në qetësi e të ngjan me një të përgjumur, i cili fërkon sytë që ti largohet drema. Turistët e shumtë e zhurmëmëdhenj, ata që bënin të gumëzhinte qyteti, ia kanë lënë vendin qetësisë, shkujdesjes dhe freskut. Por qyteti zjen përbrenda; voskopojarët kanë menduar e mendojnë për ta bërë siç ka qenë dikur, në kohën e lulëzimit qytetin e tyre; ti ngrenë lavdinë që ka patur. Atyre që u është bërë e mundur të emigrojnë në vende më të pasura dhe kanë bërë një grusht me para, me punë të ndershme, kur janë kthyer për të parë qytetin e tyre të dashur dhe të afërmit, me paratë e fituara u janë përfillur punëve ndërtimore për të përtërirë banesat dhe infrastrukturën rrugore të qytetit të tyre. Ata, kanë ripërtërirë banesat e degraduara, dhe kanë ngritur të reja, në trojet e të parëve. Veç parave, të ardhurit nga emigracioni, kanë sjellë me vete, dhe përvojën e përparuar të ndërtimit dhe mënyrën e jetesës. Voskopojarët, qysh në kohë të kohës e kanë “rrahur“ kurbetin e ia kanë ndjerë lezetin. Të endur nëpër udhët e botës, ata kanë parë e kanë punuar në vende më të qytetëruara e kur janë kthyer, kanë sjellë kulturë tjetër në vendlindjen e tyre. Pra, tok me paratë, kurbetlinjtë voskopojarë kanë prurë dhe një mendësi tjetër për mënyrën e jetesës, e cila është e ndryshme nga jona.

Qëndroj, punoj (shkruaj) e relaksohem, disa orë në ditë, në balkonin e banesës ku pushoj. Më rrëmben bukuria e mjedisit që më shpërfaqet. Nuk i gëzohem dot flladit të këtyre ditëve, bukurisë dhe hijeshisë që i japin mjedisit trëndafilët dhe lulet shumëngjyrëshe. Më pëlqejnë, pa masë, trokitjet e çekanëve, të cilët gdhendin gurin bojë gri në të kuqërremtë dhe zhurma e sharrave të lehta që presin lëndën drusore.

Është periudha kur banorët përgatiten për të pritur stinën e ftohtë, e cila po troket. Trapanot që çelin brima në gur e në dru, kanë një jehonë të veçantë e cila sikur më gudulis këndshëm. Qyteti, i cili duket si i përgjumur, zjen e ka brenda ritmin e tij ditor. Voskopoja është e bekuar dhe i ka të gjitha kënaqësitë që provon njeriu në jetë. Kënga e gjelave të fushës, njofton ardhjen e mëngjesit e i grish banorët vendas të zgjohen, të lënë shtratin e ngrohtë e t’u përfillen punëve të ditës. Trokitjet e thundrave të lopëve, mbi gurët e shtruar hijshëm në sokakët e drejtë e të gjerë të qytetit ngjajnë me një melodi e ritëm fatndjellës. Sa me ëmbëlsi e me theks të llastuar i komunikojnë njëra – tjetrës amvisat voskopojare, të cilat njoftojnë, bukur e me dëshirë për punët që kanë kryer, si malaksja (Spërkatja) dhe fshirja e rrugicës përpara shtëpisë, shoqërimin e lopëve deri tek porta ku i bashkon, në tufë lopari, deri dhe gjellët me shijë, që kanë gatuar apo kanë ndërmend të gatuajnë, për drekë.

Voskopoja është e bekuar; ajo krenohet me terrenin e thyer, me pyllin e dendur me pishë të zezë; me klimën e pakrahasueshme; me ndërtimet e bukura, me trëndafilët dhe me lulet shumëngjyrëshe dhe mbi të gjitha, me ata njerëz të qetë e dashamirës.

Në Voskopojë nuk ka ndërmarrje apo kompani që të mundësojnë punësimin e atyre njerëzve të shumtë që mblidhen në mes të qytetit, me shpresë se do të gjejnë ndonjë punë të rastit. Voskopoja ka nevojë për vizionarë e për vizion të qartë. Dikur, treva ishte e organizuar në komunë. Disa kompetenca, komuna i kish e ndonjë punë të mirë e bëri. Tani që treva administrohet nga Bashkia e Korçës (20 km larg) dhe kompetencat e qëndrës administrative janë zeruar, është nevojë urgjente, hedhja e vështrimit nga Bashkia, në drejtim të Voskopojës perlë.

Në kuadrin e pikës turistike, nga më të preferuarat në vendin tonë, Voskopoja i ka të gjitha mundësitë të zhvillohet e të dalë mbi shoqet. Resurset turistike, Voskopoja i ka të dhuruara nga natyra, me shumë bujari; me pak më tepër vëmendje, Ajo mund të mahnisë çdo njeri e të meritojë, vendin që i përket. Njerëzit e këtij qyteti me dëshirën për të punuar, me thjeshtësinë e me dashamirësinë e tyre, mesiguri që do të bëjnë çudira. Më lanë përshtypje disa gjëra, të cilat zor se i gjen në ndonjë qytet apo trevë të vendit, lëre më tej.

Kur zbritëm në qytetin e Voskopojës, e tentuam të pinim një kafe, në qendër, kishim vënë maska për t’u mbrojtur nga pandemia. Në Tiranë e në disa qytete të tjerë të vendit përdorimi i maskave është bërë gjë e zakonshme. Në Voskopojë, përkundrazi, vendasit na vështronin me habi, sikur të vinim nga ndonjë planet tjetër. Nuk pashë asnjë voskopojar, me maskë, gjatë ditëve të qëndrimit atje. Është klima dhe pozicioni gjeografik i favorshëm i këtij qyteti, i cili e ka ajrin të pastër e njerëzit, të thatë por të thantë. Më thoni një qytet, madje dhe një fshat analog, ku njerëzit të përshëndesin në rrugë, të njohin apo nuk të kanë parë ndonjëherë. Kjo vijë sjellje dëshmon për edukatë të shëndoshë, për kulturë, për zemër të mirë e për dashamirësi. Në fund të fundit është njerëzillëk e sjellje prej njeriu. Kjo mënyrë të sjelluri më kujton vitet e fëmijërisë, kur në fshatin tim, shkollarët, të vënë në kolonë për një, nëpër monopatet me shkurre, përshëndesnin çdo të panjohur që ndeshnin në udhë. Mirësia e shpirtit të voskopojarëve, gjykuar edhe nga kjo mënyrë sjellje, është emocionuese dhe i ka të mirat brenda.

Edhe në këtë vajtje në Voskopojë, zakonisht qëndroja në balkonin plot me lule dhe shkruaja, mbi një tavolinë të bardhë. Përbri kisha oborrin e madh të banesës dhe matanë rrugës, një ndërtesë dykatëshe, me një balkon të gjatë, në katin e dytë, i cili është i orientuar nga Jugu. Sa e bukur është ajo ngrehinë ku plekset tradita me modernen! Muri i saj, i ndërtuar me gurë të gdhendur dhe me fuga; çatia, me ulluqe anash; oxhaku i ngritur mbi çati dhe porta metalike e hyrjes me dy kanata, përbëjnë një kompleks të bukur, ku ruhet, hijshëm tradicionalja me aktualen. E vështroj këtë mrekulli e nuk ngopem së kundruari. As kjo banesë e bukur nuk i ka shpëtuar traditës vendase ku amvisat duararta, nuk lënë cep të avllisë apo të shtëpisë pa vendosur vazo me lule shumëngjyrëshe. Edhe zonjat e kësaj shtëpie, i kanë mbushur balkonet e gjatë, me lule duke formuar një mozaike fantastike.

Voskopoja, në stinën e ftohtë, i ka temperaturat e ajrit, të ulëta e njerëzit rrallë dalin në rrugë. Banesat e tyre ngrohen, kryesisht me dru zjarri. Më shkaktoi emocione mënyra e stivosjes të druve. Si njëra – tjetra, drutë e zjarrit, të sharruara për bukuri, vendosen në stivë, në lartësi deri 3m, aq uniformisht sa të duhet sikur ke të bësh me punën e një njeriu që vizaton bukur e jo me dorën e një fshatari të thjeshtë, të pashkolluar. E parë nga një kënd më i plotë, kjo është kulturë e nuk ka të bëjë me rrëmujën.

Tregu është larg e shpenzimet për të bërë tregti në Korçë (qyteti më i madh e më i afërt), janë të shtuara; Voskopojarët janë të vetëpunësuar. Prodhimet e arës e të bahçeve, kur u teprojnë, ata i shesin në rrugë të madhe; anës rrugës ku kushtet për të tregtuar janë për të qarë hallin. Ka mundësi, me pak shpenzime të organizohet një treg i përqëndruar ku prodhuesit të tregtojnë të sigurtë, pa u drojtur nga polici apo nga grabitqarët, prodhimet që i kanë të tepërta. Voskopoja është vend ku dëbora mban gjatë e temperaturat janë të ulëta në shumë muaj të vitit. Ka shumë mundësi të bëhet më tepër për zhvillimin e sporteve dimërore, në veçanti, për çeljen e ndonjë piste për të rrëshqitur me ski; pista për ushtrimin e patinazhit artistik etj. Këto nuk bëhen pa studim e pa projekte të sakta duke siguruar dhe donatorë.

Pa bërë analistin dhe atë që jep mend, nuk mund të mos them disa gjëra që nuk i bëjnë nder atij vendi “magjik”. Nëpër rrugët e qytetit qarkullojnë mjaft qen të pistë. Dikush, kur më pa që druhesha të kaloja, më tha: “Nuk të ha; e kanë sjellë turistët dhe e kanë lënë këtu kur ikën; nuk është vendali”! Mund të bie Dakort edhe me këtë version, por një rrugëzgjidhje, po të vrasësh mendjen, mund të gjendet, që ata të mos bezdisin kalimtarët.

Thuajse çdo familje disponon një lopë, me qumësht. Lopët i ruan e i kullot, në tufë me rreth 40 krerë, lopari, i cili i përcjell që në mëngjes, lart, në mal e i mbledh në darkë. Është e çuditshme si lopët kthehen tek shtegu i shtëpisë të tyre, atje ku i pret nikoqirja e shtëpisë. Janë mësuar me këtë qasje edhe lopët, të cilat zbatojnë pikë për pikë kodin e tyre të sjelljes. Trokitjet e thundrave të tyre mbi gurët e rrugëve të shtruara me kalldrëm dhe melodia që prodhojnë zilet e këmborët që mbajnë varur në qafë, nuk janë vetëm mjet njohje por dhe të dhurojnë një kënaqësi monotone. Në rast se do të gjendej një zgjidhje e pranueshme, për të evituar të dalat jashtë të tyre, të cilat formojnë harta në rrugët e qytetit, ndoshta do të ishte më e këndshme shëtitja nëpër rrugët e tij. Më relakson dhe thirrja me emra e lopëve, nga lopari, i cili ka në tufë rreth 40 krerë e i njeh të gjitha, me emër. Nuk është diçka e paparë, por, rëndësi ka fakti se edhe kafshët e dinë emrin dhe reagojnë. Tek kisha e Shën e Premtes, tek shtegu i lopëve qëndrova, një çast dhe vura re si lopari i grishte lopët, me emër që të mos shtyheshin por të kalonin shtegun, një nga një. Ato e dëgjonin dhe i bindeshin kujdestarit të tyre sikur të ishin njerëz. Të çuditshëm ishin emrat e lopëve. Baliskë; Shyte; Shegë; Kuqilë; Laramane; Zeskë; etj. Të cilat përngjasojnë me emra vajzash e lulesh.

Ishim katër, fillimisht në këtë aventurë; mbetëm tre dhe kësaj here vetëm dy vetë. Voskopoja, për t’u ngjitur në mal, ka një rrugë kryesore, diku me kalldrëm e diku me asfalt, të cilës nuk mund ti shmangesh, deri tek “Sheshi i Komandantit”. Në vajtjen tonë të kohëve të fundit, për të kufizuar nostalgjinë, u munduam të bëjmë disa ndryshime (variante). Nuk banuam në ngrehinën ku pushonim çdo vit por ndërruam vendin e fjetjes. Nuk e pimë kafen e mëngjesit dhe atë të mbasditës, në kafeterinë e njohur, pranë shkollës qytetëse, por frekuentuam një kafeteri tjetër.

Më pëlqeu shumë zgjidhja që i kishin dhënë rrugës që të çon tek ura e Voskopojës, e cila është e veçantë, e ndërtuar me gurë të gdhendur dhe me hark guri, e cila është shpallur monument kulture dhe anashkalohet nga mjetet me një baypas të vogël. Në rrugën e ngjitjes për tek Manastiri i Shën Joan Prodhromit shmangëm kalimin nga kurrizi i kodrës; me qëllim që të paksonim kujtimet. Megjithatë, kujtimet nuk mu ndanë; ato, sikur të jenë të stampuara, i ndesha në çdo hap. Pas Hotelit O2, në pyllin që shtrihet në të djathtë, dikur, së bashku me Pajtimin (bashkëshortin e Violetës), mblidhnim luleshtrydhe, të cilat ishin bio. Pak më lart, brenda gardhit të arishtës të Kampit, të dy, mblidhnim hithra, të cilat, në mbrëmje, motrat i bënin lakror me dy petë. Hithra, të pastra e të reja, mblidhnim dhe në territorin e Manastirit e gjatë udhës; në ngjitje e në zbritje. Pushonim rreth një gjysmë ore në stolat përpara manastirit të Shën Johan Prodhromit; kohën e shfrytëzonim për të qëruar hithrat. Këputja dhe pastrimi i hithrave na digjnin duart. Sipas Pajtimit, djegja e hithrave është ilaç i mirë për të luftuar reumatizmin; prandaj e praktikonim, me dëshirë. Kujtonim se ajri i pastër, i pasur me oksigjen dhe ushqimi bio, së bashku me ecjen në atë malore të këndshme, të cilat i vinin në ndihmë qetësisë dhe kënaqësisë të përgjithshme, do ta shpëtonin të sëmurën nga e keqja e pashmangshme. As klima e Voskopojës, as vajtja dhe mjekimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e patën fuqinë ta shmangnin atë sëmundje që mos i raftë njeriu në pjesë.

Në maloren që të çon tek Manastiri, tek një çesmë që rrjedh nga mali e lëshon ujë të freskët, e kishim bërë praktikë të përditshme të mbushnim shishet me ujë për të pirë, të cilin e konsumonim deri sa ktheheshim në të njëjtin vend. Disa dhjetra metra pa mbërritur tek Manastiri, ndodhet një shesh i vogël dhe një shkëmb, në anën Perëndimore të tij. Aty, motrat bënin ushtrime gjimnastikore. Unë dhe baxhanaku qëndronim në pritje të përfundimit të ushtrimeve. Ndalesa na shërbente për të akumuluar energjitë në mënyrë që të përballonim, pa lodhje, maloren që pason, për t’u ngjitur tek “Sheshi i Komandantit”, ku shkuam disa herë, madje dhe drekuam atje, në atë majë mali, nga ku duket Shipska e braktisur. U ula mbi shkëmbin akull, duke kujtuar ditët e lumtura kur ishim të katër. Por sheshi ishte bosh; në të ishte parkuar një autoveturë, e të ardhurve për relaks. Në “Sheshin e Komandantit”, në këtë aventurë nuk mundëm të shkonim. Paksimi i fuqive ka pjesën e vet të ndikimit, por dhe motivi nxitës, mungonte. Në mesditë merrnim udhën e kthimit, në atë tatëpjetë, e cila të kthen në qytet. Rrugës, mblodhëm kokrra trëndafili të egër; thana; kumbulla shqirake etj. Luleshtrydhet nuk ishin në sezon, as era e barit të korrur që të shqyen flegrat e hundës. Vendasit na bënë me dije se bima medicinale e kamamilit, këtë vit kishte nxjerrë lule si asnjë herë. Të ardhurit për turizëm, të befasuar, jo vetëm që ishin habitur me këtë prodhimtari të rrallë, por gdhiheshin e ngryseshin, përmbys, ashtu, gërrmuq, duke mbledhur lulen që përdoret për mjekim dhe është bio.

Më kënaq muzikaliteti që shijoj herët në mëngjes, kur marr udhën përpjetë malit. Orari përkon me daljen e lopëve nga hauri, grumbullimin e tyre dhe nisjen për në kullotën alpine të atij mali me pisha. Trokitja e thundrave të tyre pas gurëve të kalldrëmit e pleksur me tringëllimën e zileve e këmborëve që mbajnë të varura në qafë, shto ndjelljen që u bën lopari, duke i thirrur me emrat që mbajnë, për mua si njeri me origjinë nga fshati, këto tablo, janë të pazëvëndësueshme. Mjaft pushues, si unë, mëngjeseve, marrin udhën për në mal. Shumë syresh, ndoshta i shqetëson era dhe prania e bajgave, të ngrohta, të cilat dalin nga trupi i kafshës e shpërndahen të çrregullta mbi kalldrëmët e udhëve të gurta.

Voskopoja është ndoshta vendi më i bukur i përzgjedhur për turizëm. Resurset turistike i ka e mund ti shtojë, për ta merituar vendin që i përket në podiumin e nderit. Frekuentimi dhe shijimi i bukurive të saj, mbase do të jetë më i madh, nëse kultura e atyre që shërbejnë do të jetë më e lartë. Ai që largohet nga pushimet në Voskopojë i kënaqur, mesiguri që do ta përsëritë “aventurën“ edhe në vite të tjerë. Me këtë synim vajta dhe unë, por, siç kanë thënë bashkëfshatarët e mi, në Kalivaç të Tepelenës; “Vajta për lesh e dola i qethur” ose: “vajta për të hapur sytë e m’u hap barku”! Qoftë ky një rast i shkëputur e mos e provoftë njeri, pas kësaj.

Nuk mund ta mbyll këtë shkrim, pa ju rrëfyer një akt mirësie që preka në Voskopojën “Perlë”. “Ëngjëlli ynë mbrojtës”, Violetë, me figurën dhe me qasjen e saj, ka lënë gjurmë tek banorët e këtij qyteti, të cilët e njihnin dhe e kujtojnë Atë, me respekt e me mall. Kur po merrja udhën, për në Tiranë, në murin e oborrit të një shtëpie të thjeshtë vendase, në qendër të qytetit, më panë sytë një tufë me lule të freskëta, të bëra buketë. Sapo pa e njohu makinën tonë, e zonja e asaj shtëpie, e cila ka patur lidhje dashamirësie, pa interes me të ndjerën, vrapoi, u afrua tek makina jonë e na porositi, me lule në duar e me lotë në sy: “Çojani Letës, tek varri, se e kam dashur shumë e nuk e harroj dot”. Pas kësaj që ngjau, fjalët e asaj gruaje më prekën aq shumë, sa nuk e ndjeva fare udhën e kthimit, gati 200 km të gjatë. Mendoja me vete: “Njerëzit e mirë, nuk janë sosur; mirë thonë se Botën e mbajnë mbi shpinë të mirët dhe të vegjëlit”!

Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj Në Tiranë, gjatë muajve shtator – tetor 2020

← Të gjitha shkrimet