Kisha e piratit
Sipas një legjende të lashtë, me të vërteta brenda
Nuk jam lindur në Trevën e Bregut Jugor të vendit tonë, por, për shumë arsye e lidhje, atë trevë e kam shumë për zemër. Bukuritë e saj i tejkalojnë të gjitha bukuritë. Para meje shumë të tjerë kanë shkruar me superlativa e nuk kanë ngurruar ti përkushtojnë lloj – lloj epitetesh mikluese, të merituara plotësisht. Veçoj një lavdërim e më vjen mirë ta quaj atë trevë të bekuar një „Legjendë të gjallë“ ! Bukuritë e rralla të kësaj treve, mendja dhe lapsi im nuk mund ti rrokë. Ato nuk mund të ngrihen në lartësinë ku e ka bekuar Nëna Natyrë, e cila, sikur e ka qëndisur me dorë e me fije të hollë ari e argjendi këtë bukuri që të magjeps. Ndaj, nuk më mbetet veç ta mendoj e ta shijoj këtë dhuratë. E kisha vrojtuar jo një herë nga ajri, por nuk isha ngopur me bukuritë e asaj treve të bekuar. Në një rrugëtim turistik, me çunat, ndaluam për kafe, në disa pika por për shkak të kohës të kufizuar që pata në dispozicion, nuk u kënaqa me bukuritë që pashë. Edhe fotografimi nga ajri i atyre brezareve që qëndisi dora e njeriut, në një fluturim ekspedite, me të ndjerin Muharrem Hida në kabinën e majtë të avionit An – 2 dhe me kinooperatorin në bisht të avionit, me derë të hapët që të fotografonte, i lidhur me kabllo çeliku, më ngjalli veç mall e nostalgji, por jo kënaqësi. Ndaj, në ditët e para të Shtatorit të vitit 2013, vendosa të shkoj disa ditë për pushime në Dhërmi, duke gjykuar se pikërisht kjo trevë është një „Perlë e vërtetë “e cila, mepatjetër duhet parë nga afër.!
E formuam ekipin e morëm udhën për në Dhërmi me një autobus turistik të linjës. Në dërgatë ishim: Çifti Pajtim e Violetë dhe unë me bashkëshorten. Shfrytëzuam një rrethanë që na u krijua si rezultat I koniunkturave. Fakti që Leta (ndjesë pastë), në atë kohë shërbente në sektorin e shërbimeve qeveritare të shtetit, na u paraqit si rrethanë favorizuese. Kur po ngjiteshim për të kapur Llogaranë, m’u prish qejfi nga një mesazh zanor që më erdhi në celular. Mesazhi më uronte mirëseardhjen në tokën greke. U habita! Akoma nuk kishim kapur „Pishën Flamur“ dhe lokalet e bukur,. në pyllin me pisha, ku të kundërmon flegrat era e Mishit të qengjit, të pjekur në hell dhe na bëhej mirëseardhja, në tokën e huaj. Çudi e madhe! Kthej kokën pas. Majtas e vështroj Grykën e Dukatit të Vjetër, ku ka mbetur një shtëpi e vetmuar, veç fshatit, prej këmbënguljes të Lalotës trime e fisnike, Nënës të Mikut tim trim Refitit Asllsan Jazoj. Po Dukati i Ri, në faqe të Karaburunit, ku kam ndjerë kënaqësi të rrallë, mes atyre burrave levene, shtatlartë si lisa, me ca mustaqe të theksuara e me fytyra të praruara, të cilët këndonin bukur labçe e në një trapez të rastësishëm, në Shtëpinë e Hysni Bezhanit (ndjesë pastë), u denda me mish të pjekur në hell e me raki rrushi të fortë. Kohë kur ur isha në një rrugëtim me mision të veçantë. Po Tragjasi e Orihu, kur qenkan përfshirë në tokën helene? Pak më tej, është ngritur një lapidar kushtuar përplasjes të një helikopteri, me Malin Logarasë në përpjekje për të shpëtuar jetë njerëzish. Akoma nuk është tharë gjaku i shokëve e kolegëve të mi. Atje ka rënë: trimi i çartur nga Palortoja – Agron Asaf Galanxhi, nga Palortoja së bashku me Veledin Resulin nga Vlora dhe me Pandeli Xhumbën, nga Dropulli. Edhe këta qenkan helenizuar? Unë e di që ata u ulën në një natë të errët, pus në Himarë, për të sjellë në Tiranë, atë natë, studentë dhe pedagogë të aksidentuar. Më tej, në malin e Mjegulloshit, mbi Vuno, po atë natë, u përplas e u rrëzua helikopteri i drejtuar nga gjigandi Vangjel Postoli, nga Berati, me pilot të dytë talentin nga Komari Tafil Niazi Agaj e me trimin tirons Enver Haka. I jemi gjendur njëri – tjetrit, si në të mirë dhe kur e kemi patur punën pisk. Çfarë po më dëgjojnë këta veshë? Nuk thonë mekot : „Sa të rrosh, do të mësosh“! Dakort me këtë, por të paktën të mësosh mirësi, jo prapësi si këto.
Në mes të zbritjes të Malit të Llogarasë, ka qenë një Pikë Vrojtimi e Marinës Luftarake që zotëronte detin dhe sterenë; vetë Dhërmiu i ka mbështetur shpatullat pas Malit të Çikës, për të qenë ngrohtë e i sigurtë; tani po më grishin në tokën greke. Nuk dua ta besoj e gjaku m’u prish. Ama u hidhërova e më hipën kacabujtë. Nuk dija si ta shfryja dufin. Po përse o njerëz të mirë, mendoni si mot – mot më parë e nuk vini re ato që kanë ngjarë? Është e vërtetë që në të shkuarën, qarqe të caktuara shoviniste, njerëz me shpirt të Zi, katran, nga ata që lëvizin, me djallëzi, nën gurë ose hedhin gurin e meshehin dorën, janë përpjekur për të na ndarë e për të na bërë të keqen. Por kohët janë të tjera e jetojmë në një kohë të re; kur jemi të shtrënguar të bashkëjetojmë me viruse e të dëgjojmë lloj – lloj broçkullash, të mbushura apo të fryra, me teori të bazuara apo false. Një gjë nuk ka ndryshuar në këtë histori shpesh të sajuar e të sendërtuar sipas interesave vetjake. Jetojmë në këtë pikë të Globit, pranë njëri-tjetrit që në kohët kur nuk e themi dot. Fqinjin e ka caktuar vetë Nëna Natyrë, e nuk e kemi zgjedhur vetë, siç bëjmë një lidhje miqësore. Le ti lëmë mënjanë cic – micet ballkanike dhe inatet e rajonit e të vështrojmë përpara. Në vendin fqinje të Jugut jetojnë e punojnë mjaft shqiptarë, disa nga të cilët janë ingranuar, për bukuri, në jetën e vendasve. Janë formuar dhe lidhje familjare të qëndrueshme, mes banorëve të të dyja anëve. Pse ore, pak kemi pësuar nga fqinjët e përtej detit? Po atje kemi gati 1 milionë motra e vëllezër, të cilët, në vend që ti mbajmë inat, le ti duam, siç e meritojnë. Kështu mund të thuhet dhe për shqiptarët që jetojnë e punojnë në vende të tjerë të Europës, të Amerikës, të Kanadasë, në Mbretërinë e Bashkuar e në vendet Nordike, deri në Australinë e largët. Është vital shqiptari dhe vitalitetin e kërkon edhe tek të tjerët. Shqipëria ka qenë e do të jetë, këtu, në këta troje, sa të jetë jeta, e nuk ka ndërmend ta ndërrojë vendin. Të lumit ata që mendojnë e punojnë për Shqipërinë dhe thonë, me krenari se i përkasim një race njerëzore, nga më të qëmtuarat, me ambicie e me aftësi transformuese. Ju që keni lënë vendin e keni marrë udhët e botës, për një jetë më të mirë; nëse keni bërë një grusht me para, të cilat mund ti keni mbluar, natyrisht me sakrificë e nuk ua ka falur njeri, jeni të lutur, sipas mundësisë, të sillni këtu, një dorë me monedha, që ta bëjmë Vendin tonë të varfër, si shoqet e më të mirë nga ato. Sa të thoni një fjalë të keqe për Nënën tuaj, më mirë bëni diçka të mirë për të, sado e vogël të jetë ajo.
Lexuesi të më ndjejë se po shmangem disi nga konteksti i këtij shkrimi, për të shprehur indinjatë e mellef, të cilët janë motive të brendshme e më vijnë vetiu, për një çështje jetike siç është përkatësia shtetërore e territoreve. Nuk kam ndërmend të marr pozicione atdhetari e të jap leksione atdhetarie, por nuk mund të prononcohem e të jem dakort me një padrejtësi të cilën, më shumë se koha e kanë shkaktuar njerëz dashakeq e zemërzinj. Jam shqiptar e bir shqiptari. Çdo gur e shkarpë e çdo gjë mbi dhe(mbi trevën ku jam lindur), pretendoj se është imja e më takon vetëm mua. Nuk kam ku të vete, veç mbi këto pllaka guri e mbi shkarpat e fshatit tim. Kuptohet, në pozicionin tim janë dhe ata që e quajnë veten shqiptarë. E dua këtë vend, jo vetëm se është imi por dhe se nuk kam vend tjetër ku të më treten kockat, pranë të parëve të mi.
Sidomos në rrjetet sociale, kohët e fundit po vë re lloj – lloj pretendimesh dhe madje kanë gjetur dhe mundësitë e udhët për të kërkuar një jetë më të mirë. Nuk paragjykoj në këtë çështje, por, ndonjë rezervë e kam e do ta them. Dakort; çdo njeri ka një formim, një mendësi e një qëndrim, koniunktural apo moral. Le të bëjë si të dijë e si të dojë, veç këtë Shqipëri të katandisur kësisoj, jo për faj të saj por për faj të atyre që e kanë Administruar prej kohësh është zhvatur e po zhvatet dhe ka mbetur në fund të rreshtit.
Zonja e Zotërinj, u përgjërohem, me zemër në dorë; mos ma shani e mos ma urreni vendin tim. Ju ikët e keni zënë një qoshe, ku mund të ushqeheni e të jetoni më mirë, por na lini neve që duam të rrimë në vendin e të parëve tanë, sido që është katandisur; të jetojmë hallin që na ka pllakosur. Mos e shani e mos e përbuzni vendin tuaj se do ta kërkoni e nuk do ta gjeni, siç e keni lënë. Jeni të lutur, të mos harroni shtegun e dhive se nuk do të gjeni dot lesën për të mbyllur vathën. Nuk shquhem për ndonjë atdhetar të flaktë; të tjerë, para meje e nga ata që do të vijnë pas kësaj e kanë shpërfaqur atdhetarinë, me vepra, jo me llafe koti. Kënaqem pa masë, për çdo arritje të vajzave e djemve shqiptarë, të cilët veçohen për tipare të rralla e vitale, kudo ku jetojnë; por nuk mund të jem dakort me ata që kanë „rënë në tule“ e mendojnë se kjo është jeta. Kërkoj ndjesë për këtë fshikullim atdhetarie, i cili, ju siguroj se është imi, i brendshëm, me ndjenjë e nuk mund të pranoj që toka e vendit tim, të përvetësohet apo të tjetërsohet virtualisht. Ksenofob nuk jam, i respektoj shumë fqinjët, madje në disa drejtime i kam të preferuar, por atdhetarizmi i tyre më prek e më frymëzon, por dhe më lëndon.
Shkoja në Dhërmi, jo për turizëm, por për qëllime serioze, me karakter kërkimor – shkencor e kulturor. Nuk e fsheh adhurimin që kam për Xha Petro Markon, njërin nga burrat më të ndjerë të Dhërmiut. Doja të gjeja shtëpinë e tij; shkollën dhe të mësoja për lidhjet e tij me Dhërminë. Pra doja të gjeja rrënjët historike të tij. E dyta, do të shkelja, me pëllëmbë trevën, për të njohur në detaje, jetën e atyre njerëzve. Do të vijoja mbajtjen e regjimit ditor, me ecje sportive dhe shëtitjet në ajër të pastër. Në këtë kuadër, notimi në ujët e pastër e të ngrohtë të detit, ishin komponent me vlerë i kësaj ekspedite. Kushtet me mot të ngrohtë dhe konditat tejet favorizuese që na u krijuan në rezidencën Qeveritare, nga ku sapo ishin larguar udhëheqësit e shtetit, bënë të mundur, akumulimin e të dhënave dhe regjistrimin e fakteve, në këtë material.
Pranë Rezidencës Qeveritare të Dhërmiut, anës gardhit rrethues të saj, në Breg të Detit, atje ku shkëmbinjtë e thepisur, të gërryer nga koha dhe nga përplasja e dallgëve, kanë formuar ca si stalaktite prej guri, të thepisur, me kokën në qiell e me këmbët në det, si orizi në orizore, ndodhet një kishë, e cila, çuditërisht mban emrin simbolik : „Kisha e Piratit“. Siç është e njohur botërisht, Dhërmiu, si fshat me popullsi që i përket besimit të Krishterë, i rreshtuar në fenë ortodokse ka qenë e është vendi i kishave të shumta e të lashta. U mundova të eksploroj nëpër gërmadhat e tyre, por nuk e pata të lehtë. Thonë se, në këtë fshat numërohen rreth 40 kisha, disa të rrënuara; të tjera në këmbë e disa kanë nisur të restaurohen. Desha të mblidhja të dhëna, sa më të plota për këto shtëpi të Perëndisë, të cilat edhe pse nuk janë ngrehina të dukura nga jashtë (hamaqellë), vendet ku janë ngritur, ndodhen në pika dominuese, në lartësi, në mënyrë që të jenë sa më pranë Zotit. për t’i pasqyruar në shkrim, nuk e kalova punën „paqe“; ndesha në disa vështirësi. Do ti shkruaj siç më kanë ngjarë: Të moshuarit që duhet të dinë më shumë, në këtë fshat janë të paktë; ata janë rralluar, ose e kanë të vështirë të dalin në rrugë. Mësuesi i historisë, i cili ka shkruar dhe një libër historik, për Dhërminë, ishte i paqejf e nuk munda të kontaktoj; Prifti i Dhërmiut, i cili shkon për të drejtuar procesionet fetare edhe në Himarë, ishte mjaft i zënë e nuk e kontaktova dot. Popullsia e Dhërmiut, e njeh fare mirë gjuhën Shqipe por preferojnë të komunikojnë në Greqisht. Unë po jam i „varfër“ në njohjen e gjuhës të fqinjve të Jugut. Megjithatë, ku rastësisht e ku me „hile plaku“, bëra si bëra, mblodha disa të dhëna, si për fshatin dhe për kishat e shumta të tij.
I shtyrë nga kureshtja për të parë me sytë e mi, mendova: ç’të jetë kjo „kisha e Piratit“, të cilën e kam kaq pranë? Një ditë, së bashku me baxhanakun, i cili ka qenë në emigracion në vendin fqinje rreth 5 vite dhe e zotëron më mirë gjuhën e tyre, kapërcyem gardhin rrethues dhe me vështirësi, u futëm në Kishën e „Piratit“, e cila i ngjan një bunkeri, nga ata të tipit të vjetër, e ndërtuar në formën e një shege. Nga jashtë nuk ta jep përshtypjen e përmasave të të brendshme të saj, por brenda, kisha, i kishte të gjithë anekset dhe reliket, si dhe qëndronte 24 orë e hapët, për besimtarët dhe për vizitorët. Kur mësova për „Legjendën” që përcjell ky objekt kulti me vlerë, u kuriozova më tepër e shkova disa herë në atë kult. Ja çfarë mësova nga bisedat që munda të zhvilloj: Kuptohet, të dhënat janë gojore, por legjenda plekset, me kujtimet e rrëfimet e besimtarëve dhe me faktin konkret, se kisha është në këmbë, e prekshme dhe e vepruese.
Vendasit e moshuar, me të cilët kuvendova, aq sa dinin, më rrëfyen ato që dinin me një kuriozitet e interes të shtuar.
Banorët e Dhërrmiut, kanë qenë e janë besimtarë fanatikë dhe shumë atdhetarë. Për shkak të kushteve të vendndodhjes e të jetesës, (në kushtet e mbijetesës), ata, kanë qenë të detyruar të lundronin e të njihnin, fare mirë, portet detare të Pellgut të Mesdheut, gjatë gjithë harkut që mbështjell ujërat e deteve që formojnë këtë Pellg. Ata kanë disa tipare dalluese, veç të tjerëve. Zgjuarsia natyrale e tyre; guximi dhe trimëria, detyrimi për të hyrë në marrëdhënie tregtare e jo vetëm, me banorët e porteve joshqiptare të Mesdheut dhe të tjerë faktorë, kanë bërë të mundur ankorimin dhe përpunimin e anijeve të tyre të thjeshta, me pajisje primitive por me zemër e me gjak shqiptari, e kanë bërë të mundur veprimtarinë tregtare të tyre me fqinjët, në kushte të ndryshme të kohës e të motit dhe anijet e tyre e ata që i drejtonin ishin bërë të njohur e të respektuar në të gjithë portet e Pellgut të Mesdheut.
Që në kohë të kohës, detarët nga vendi ynë janë bërë të famshëm, në të gjithë portet ku ankoronin, për tiparet dhe vlerat faktik që kishin. Pa bërë evidencë, nga sa di, thuajse të gjithë portet, të cilët lageshin nga ujërat e Pellgut të Mesit të Dheut, duke përshkuar rrjedhat ujore të Perandorisë Osmane dhe më herët ato romake, Shqiptarët, si detarë të zotë, çanin detet, e bënin tregti me Napolin; me Raguzën; me Korsikën; me Gjibraltarin; me Kotorrin;e me Ulqinin; me Durrësin; me Lisus; me Kepin e Rodonit; me Durrësin; me Vlorën; me Triportin e me Zvërnecin; etj.etj. Ata shkonin deri në Kretë, e në Peloponez, në Dardanele e në Varna dhe në Kostancë e kudo që e ndienin se mund të kishin punë duke i rënë kryq e tërthor tërë Pellgut. Detarët shqiptarë ishin parë në portet e Aleksandrisë e në Heraklios, apo, deri në Bejrut e në Sane, siç do të lexoni më poshtë.
Interesante është historia e një detari ulqinakas, të cilin e quanin Haxhi Dauti. Ky Haxhiu, me anijen e tij, me vela, shkonte, 2 herë në vit, në Jemen, ku merrte nizamët që kishin përfunduar shërbimin e nizamit e i sillte në Shqipëri, pranë familjeve, pas shumë viteve. Rrëfejnë se, nizamët, sapo pikasnin anijen e Haxhi Dautit, njoftonin njëri – tjetrin se „erdhi Dauti“! dhe dorëzonin armët e ngjiteshin në anije. Që atëherë, në zhargonin bajat, mbeti sllogani: „„Erdhi Dauti“, slogan, i cili vijon të jetë veprues, në mënyrë simbolike edhe në kohët moderne.
Kur detarët shqiptarë çanin detet, pa u trembur syri, ndonjë romak, me dashakeqësi shprehej: “He mo, se “piratë” janë. Profesor Gatti, i cili e njihte mirë natyrën e detarit shqiptar dhe bëmat e tij, i revoltuar, u shpreh:“Ç’piratë janë ata – mo ? Ata janë zotërues të Mesdheut“!
Po çfarë tregtie bënin detarët nga Bregu; mes tyre dhe Dhërmiasit? Në vendet ku shkonin, ata çonin : vaj ulliri; ullinj të kripur; Qitrot e famëshme; lëkurë; Valanidh; agrume; gjalpë etj dhe merrnin në këmbim mallra industrial; metrazhe; madje dhe kripë, për të cilat banorët vendas kishin nevojë. Detarët nga Dhërmiu, ashtu si ata të Bregut, kanë qenë të kompletuar me cilësitë e një detari të vërtetë. Ata bëjnë pjesë në elitën e detarisë shqiptare dhe kanë qenë e janë pjesë e krenarisë tonë kombëtare.
Kur i pyeta konkretisht, për domethënien e emrit interesant të kësaj kishe, për motivet e ndërtimit të saj dhe kush, e përse e ndërtoi shtëpinë e Zotit me këtë emër. Atëherë, biseda jonë rrodhi lirshëm, gju me gju e me çiltërsi.
Konkretisht: në Dhërmi, që në kohët kur nuk mbahen mend, ka jetuar një detar shumë trim e I zoti, nga vendasit më të çuditshëm, me emrin Johan. Ky Johani ishte mjaft i zgjuar, trim e guximtar, njëri nga djemtë më të fortë e më të dashur për vendasit. Në anijen e lashtë me konstruksion druri, pa pajisje navigatore dhe pa salltanete, bazuar në tiparet luftarake dhe profesioniste të ekipazhit që drejtonte, Barba Johani i Dhërmiut, çante detet e ankoronte në çdo port anijen e tij me vela, ku qëndronte disa ditë sa të përpunohej anija e tij e pastaj, së bashku me shokët e tij të zgjedhur sikur vetja, kthehej, në Dhërmi, mbasi kishte realizuar tregtinë, i shkujdesur vetë, të hallakatur dhe detarët që përbënin ekipazhin, se po ktheheshin në vatrat e tyre ku i pritnin, në ankth e në pasiguri, prindërit pleq, gratë e fëmijët dhe tërë fshati. Ky Barba Johani nga Dhërmiu, përveç se ishte shumë trim, guximtar e i fuqishëm, shquhej dhe si një njeri tepër shpirtmirë e bamirës. Në ato kohë, në limanin e Dhërmiut, nuk ekzistonte asnjë far, i cili, me dritën e tij të grishte ekipazhet për t’u ankoruar. Ama një kandil me vaj, në shtëpinë e Xhaxha Johanit, nuk fikej kurrë, por priste të zotin e kalidhës të kthehej me duar plot. Është e tepërt të bëhet fjalë për ekzistencën e pajisjeve të tjera, të lundrimit dhe të navigimit, të cilat ishin në nivelin e kushteve të kohës, e në ndonjë rast, më inferiore nga ata të disa fqinjëve më të përparuar. E theksoj këtë, mbasi në portet ku ankorohej anija shqiptare me kapitenin Johan Dhërmiasi, ndodheshin dhe anije të tjera, të vendeve që lageshin nga detet që përbënin Pellgun.
Kapiten Johanin e njihnin dhe e çmonin, në Egjipt; në Kretë, në Liban; në Libi, në Marok, në Brigjet e detit Tirren, në Sicili e në Rraguzë dhe në hapësirat e deteve: Mesdhe; të Egjeut; Jonit; në Adriatik e në Kroaci. Bëmat e tij kishin marrë dhënë dhe guximi e trimëria që Ai shfaqte ishin bërë të njohura e të respektuara nga kushdo që e dinte famën e tij.
Po Çfarë çonin e çfarë merrnin në këmbim detarët nga Dhërmiu, në portet e vendeve të tjerë? Një vend e një popull, i cili ishte blegtoral e bujqësor (frutor, kryesisht), transportonte mallrat që kish me tepri si ullinjtë e kripur dhe vajin e ullirit; nerenxa; portokalle, limone, lëkurë, valanidh e disa bimë shëruese dhe importonte drithë, për të ushqyer kalamanët, metrazhe të ndryshme dhe mallra industriale të nevojshëm për jetesën e njerëzve. Barba Johani dhe shokët e tij, vërtet nuk dinin shkrim e këndim por llogaritë i bënin përmendësh dhe shkëmbimi i mallrave bëhej në natyrë, sipas motos: na – nem; me copë.
Më tërhoqi legjenda, edhe pse legjendë dhe vendosa të shkruaj këto radhë, në kujtim e në nderim të veprimtarisë tejet heroike të atyre njerëzve të fortë e të mirë, të zgjuar e trima, siç kanë qenë dikur Barba Johani dhe shokët e tij nga Dhërmiu. Bregdetasit, kanë qenë e janë dhe të shquar në përdorimin e hekurave (makinave). Shokët më të mirë, në jetën time i kam patur nga Bregu. Pa bërë listë, mund të them se Zija Shyqo Memi (ndjesë pastë); stillo Vangjel Melica (ndjesë pastë); Skënder Sherif Dusha; Alqi Dede dhe i vëllai – Fotua; Kiço Mehilli (ndjesë pastë) dhe Manthua; Kosta Neço Dede (ndjesë pastë); Andrea Gjikdhima (ndjesë pastë); Thanas Naçi (ndjesë pastë); Koço Gjini; Valter Ahmataj; etj. etj. ia kanë vlejtur të përthithin shoqërinë time.Tani le të kapërcejmë tek çështja:
Një natë të errët dimri, pas një fortunali, kur detarët e anijes me vela të Barba Johanit, ktheheshin nga „aksioni tregtar“, ku kishin realizuar tregtinë e pas një pune të lodhëshme e me sakrifica, po ktheheshin të shkujdesur në Dhërmi, për të shkuar sa më parë në vatrat e tyre, papritur moti u qetësua e mes resh ndrinin sipërfaqen e ujit rrezet e hënës që shkëlqente në qiell. Syve të shqiponjës të detarëve trima e të stërvitur fort, në netë me mot të tillë, nuk u shpëtoi një vatër e ndriçuar uji, ku shquheshin tri silueta njerëzish, të cilët, po kacavjerreshin e përpiqeshin të qëndronin mbi ujë, me vështirësitë e dergjjes të gjatë e të qëndrimit në ujët e ftohtë të detit. Dhanë sinjalin e kushtrimit, i cili në çast mbërriti në veshët e Kapiten Johanit. Shpejt u qartësua se një anije druri, me vela, e tipit të anijes të tyre, në dallgët e ashpërsuara të detit të asaj nate, kishte pësuar defekt, ishte çarë e ishte mbytur. Vetëm tre nga detarët më të fuqishëm të saj, kishin mbetur gjallë, por të alivanosur e po bënin përpjekje, duke mobilizuar fuqitë e fundit që u kishin mbetur, për të qëndronin mbi derrasat e anijes të mbytur, me sytë nga qielli e me shpresën se shpëtimi do t’u vinte nga Zoti, të cilin e besonin e i faleshin. Ata, si besimtarë fanatikë, shpresonin shumë në shpëtimin që mund t’u sillnin Zotat, ndaj nuk rendnin së luturi, shpresëgjallë, në shpëtimin e shpirtrave të tyre, pa faj. Mirëpo shpëtimi u erdhi nga rraca e tyre njerëzore. Kur panë ndihmën që po u vinte, sidomos kur trupin e tyre gjysmë të ngrirë, e prekën litaret e regjur nga uji e të ftohta akull, njëherazi, me sytë nga qielli e në grahmat e fundit, të frymës, me zë të mekur, i cili mezi dëgjohej por ngjante me një pëshpërimë të mekur, thanë: „Paska Zot e Ai po na vjen në ndihmë për të na shpëtuar frymën“! Në fakt ishin duart dhe shpirti i njerëzishëm i atyre detarëve trima dhe i kapitenit të tyre lavdimadh që u zgjatën për të shpëtuar ato jetë të rëna në fatkeqësi.
Detarët e asaj kohe, në mungesë të mjeteve të ndërlidhjes së brendshme, merreshin vesh me njëri-tjetrin me të bërtitur, por dhe me një vështrim. Ishin të regjur në detari dhe e kuptonin njëri – tjetrin edhe me një vështrim; pa fjalë.
Në rastin tonë, detarët, të cilët e kuptonin çdo lëvizje e qëndrim të kapitenit të tyre – Johan Dhërmiasi, e kapën situatën dhe kuptuan qëllimin e kapitenit të tyre bamirës. Ata u vunë në udhën e shpëtimit të këtyre mjeranëve, të cilëve u kërcënohej jeta. Ata, në mënyrë të rrufeshme, shtrinë cimat dhe tërhoqën në anijen e tyre, marinarët e panjohur. I ndihmuan ata të ngjiteshin, zvarrë, në dyshemenë prej dhoge të anijes pirate, i shtrinë, u nxorrën ujët që kishin pirë, u shqyen leveret dhe u dhanë, për të pirë, raki nga paguret e tyre, nga ato që u kishin mbetur në plloskat, që mbanin në brez. Tre detarët e alivanosur, me mjekra të parruara e me flokë të gjatë, gjysmë lakuriq, me ata sy të zgurdulluar e me rripat e lëkurës që u rrinin për bukuri në atë shtat gjigandi, ku nuk ishte e vështirë të shquaje muskujt e bukur dhe ashpërsinë e fytyrës. I çuan shpëtimtarët, në sterrë e i përcollën pranë kalidheve që i pritnin. Falënderimet e tyre nuk kishin të sosur. Si besimtarë fanatikë, detarët fatkeqë i faleshin dorës së Zotit dhe gjithë Perëndive të atij pellgu ujor, i cili u ndodh pranë tyre, në atë hall të madh që i pllakosi.
Anija “pirate” e drejtuar nga Johani „pirat“, me tre fatkeqë në dyshemenë e anijes shpëtimtare çante, nëpër natën e errët, drejt steresë. Të mërdhihurit, dalëngadalë po e merrnin veten, nga shërbimi që u bënë kolegët dhe nga shpresa që u ringjall, pas marrjes në anije. Gëzimin që ndjenë në ata çaste, si të rënit në det dhe ata që i shpëtuan, mund ta përshkruajë me nota të vërteta, vetëm një njeri, I cili u ndodh i pranishëm në çastin kur fatkeqët shkelën në sterë. Festë dhe gëzim i madh u ndie atë ditë, në fshat, kur u dhanë, duke u përkundur, me këmbët që mezi i tërhiqnin zvarrë, ata tre “Diva”, për të cilët, në Dhërmi kishte mbërritur lajmi I kobshëm i mbytjes të anijes.
Të gëzuar e në eufori, kur panë ardhjen e tre detarëve, në fshat, Fukarenjtë besimtarë të devotshëm, të nxitur nga njerëz me mend në kokë e me besim tek Zoti, therën bageti e servirën mish të pjekur në hell e
Ata pinë verë, pa kursim; kënduan e hodhën valle, hareshëm; grumbulluan fonde; krojtën qeset prej lëkure që mbanin të varura në qafë dhe me to, menduan të ngrinin një shtëpi të re kushtuar Perëndisë që I kishte në sy e në zemër. Ata vendosën të ngrënë një kishë të re, të cilën e pagëzuan, që në themele: „Kisha e Piratit“ ! Ky emër disi i çuditshëm, ishte një përkushtim për kapitenin „Pirat“ nga Dhërrmiu dhe shokët e tij, kapedanë, të cilëve, jo vetëm që nuk ua ha qeni shkopin, por janë nga ata njerëza që të marrin gjak në vetull dhe po -në e kanë po e jo – në – jo!
Thonë se brenda Kishës të „Piratit“ Dhërmiasit dhe banorët përreth, grumbulluan mjaft flori, në shufra e në monedha. Paratë e tyre, kishin të bënin me falënderimin e besimtarëve, për atë që u bëri Zoti, duke shpëtuar djemtë e tyre, por dhe për të kontribuar, për nevojat e kultit. Subjekteve të kultit
Ortodoks në atë fshat iu shtua një kishë e re, e ndërtuar buzë detit, jo pa mendim dhe e bukur, sa të tjerat. Ngrehina e „Kishës së Piratit“ nuk u ndërtua me ndonjë bojë hamaqellë, por u ngrit në nivelin e simotrave.
Kisha e re u pajis me të gjitha afresket e kohës, të punuara nga mjeshtër të mëdhenj të kohës me shumë art e me dashuri dhe me anekset e nevojshëm për të pritur besimtarët e shumtë, të cilët, nga kureshtja e frekuentuan Shtëpinë e Perëndisë, më se një herë.
Në një bisedë, me tendencë që zhvillova, me një të moshuar; i cili, gjithashtu e kishte me të dëgjuar; opinioni ishte përcjellë nga brezi në brez), mësova se në vitin 1946, në errësirën e natës,„Kishës së Piratit“ i ishte afruar, në fshehtësi të plotë, një mjet nënujës i panjohur. Nga mjeti lundrues, ishin parë të dilnin, me masa të forta sigurie dhe në befasi të plotë, 6 njerëz shtatlartë, të cilët shpejtonin, me h e ecnin disi të përkulur. Ata ishin futur në Kishë (e cila qëndronte e hapët 24 orë rresht, kishin qëndruar brenda për disa minuta dhe kur dolën prej andej, sërish nxitonin. Kësaj radhe, burrat mezi mbanin në dorë ca valixhe të rënda, në ngjyrë të zezë, të cilat i mbanin ngjitur, pas shtatit. Burrat, hynë sërisht në mjetin lundrues nënujor, e u larguan në thellësinë e detit pus. Presupozohet se të ardhurit e paftuar, me qëllime për të grabitur arin e grumbulluar nga besimtarët Dhërmias, erdhën në atë mënyrë dhe mbasi siguruan „prenë“ ikën, siç erdhën, pa u ndjerë e pa lënë gjurmë. Kjo, për mua është e besueshme dhe plotësisht e mundëshme. Pakësimi i rezervave të arit, në atë kishë, i zvetënoi vlerat e saj dhe frekuentimi i saj, si objekt kulti u bë më i rrallë!
Goditjen e madhe, “Kisha e Piratit“, simotrat e saj në Dhërmi e në të gjithë vendin, si dhe institucionet e tjera fetare, e morën në vitin e prapë 1967, kur, u vendos ndalimi i besimeve fetare dhe shkatërrimi apo tjetërimi i objekteve të kultit. Marrëzi e paparë, baterdi e paimagjinueshme; krim monstruoz. Për atë punë kolosale, me elemente artistikë të shumtë, të punuara më shumë me shpirt se me art, me një urdhër të verbër, u prishën gjithë ato mrekullira e një, llaçgatues injorant, lyeu, pa mëshirë, muret me afreske, me një furçë me llaç e me gëlqere, përsipër. Për këtë, ndihem, keq, seriozisht. Edhe një qytetari të zakonshëm që e do dhe e respekton të bukurën, mesiguri që do të ndihej keq, në ato çaste dhune makabre. Kisha e Piratit u kthye në një depo drithi, në shërbim të kooperativës bujqësore të fshatit. U shkelën, me këmbë, ndjenjat, sentimentet, dhe aspiratat e besimtarëve vendas. Pas viteve të shndërrimeve demokratike të vendit tonë, kur, u la i lirë besimi fetar dhe u ripërtëritën objektet e kultitektet e kultit, u provua restaurimi i objekteve të besimit fetar. Por, tashmë ishte vonë e duhej një punë kolosale, për të ndrequr atë që u prish, gjë që praktikisht është e pamundur. Më nëfund, më datën 7 shtator të vitit 2013, para se të merrnim udhën e kthimit, për në Tiranë, së bashku me baxhanakun, kapërcyem gardhin e vajtëm në „Kishën e Piratit“. E pamë në atë gjendje të mjeruar e të tjetërsuar, atë mrekulli të mendjes dhe të dorës së njeriut, të shpalosur e me thithjen e përkujdesjes të besimtarëve për të riparuar ç’mund të riparohet.
Po të më lejoni, të nderuar lexues, kam luksin t’ju them dy fjalë zemre, të cilat i kam të mijat. Banorët e Dhërmiut, si ata të gjithë Bregut, të Jugut, janë besimtarë; madje fanatikë. Në obsionin tim, e drejta e besimit, ashtu si ajo e të jetuarit, janë hyjnore dhe njerëzore. Mekot përpiqen ta ngatërrojnë e ta veshin me mister, disa njerëz që hiqen të mençur, por që janë të zotët vetëm të trazojnë ujërat. Çështja e besimit fetar, është tepër e ndërlikuar dhe e brendshme, tek çdo njeri. Përfytyroni një familje të thjeshtë ku në vatër përkundet një djepë. Tok me qumështin që i mëkon, fëmijës, Nëna, i lutet Zotit që pinjollin e saj mos ta ndeshë syri I keq. Ajo, në intimitet, I mëson fëmijës, dhe disa shprehi e rite fetare, të cilat, më pas, fëmija, duke u rritur, i shton e i bën të sajat. Fëmija, vrojton, “blen”, qëmton ato që vë re në shtëpinë e tij. Ndjesia e të besuarit, nuk mund të ndahet, ajo bëhet pjesë e fuxhutit e njeriu nuk ia shpërfaq asnjëriu. Rritet me të, e ndjen dhe i bën yzmetin. E kujt i prishet punë, nëse një njeri beson. Le të besojë, ku ta ndjejë e si ta dojë. Është e sigurt, që, besimtari, kur del nga kisha apo nga shtëpia, e ka të pamundur të ngrejë dorën kundër tjetrit. Mendimi im është: Lëreni të qetë atë popull e mos u përzieni në punët e tij. Janë njerëz të mirë; i njoh e i respektoj; të tjerët i kanë ngatërruar. Mekot përzihen disa grabitqarë, të cilët duan të rrëmbejnë pasuri e të vazhdojnë të sigurojnë të mira, për vete. Dhërmiasit paqësorë, mesiguri që do ta kapin ritmin e kohës e do ta gjejnë zhvillimin, duke nxituar, pa u ngutur, siç thotë një sllogan i lashtë kinez.
Kur dolëm nga Kisha e Piratit, si i besimit musliman që nuk di të bëj kryq, zbatova ritin bektashian për t’u larguar nga Shtëpia e Zotit, mbrapsht. Baxhanaku që ka qenë në emigracion në vendin fqinje dhe ka hyrë e ka dalë shpesh në kishë, bëri kryqin, siç e kërkon riti fetar.
Disa detaje njohëse
Kisha, ka shtrirje: Veri – Jug. Përmasat e saj janë 10 x 4 m dhe lartësia rreth 4 m. Matjet i bëra me çap. Muret e kishës janë bërë me gurë gëlqerorë. Çatia e ngrehinës është në formë harku, si kube. Kisha ka tri dritare tip frengjie. Brenda hapësirës të punës, ndodhet një plate ku gjenden një tavolinë e 4 karrige, të cilat shërbejnë për t’u ulur besimtarët. Po në plate, janë ngulur tre kërcunjë, e mbi ta ndodhen portrete shenjtorësh. Në një kthinë, e cila veçohet nga pjesa tjetër e mjedisit me anë të një perdeje ishte vendosur një llamarinë, mbi të cilën pamë disa shishe me vaj ulliri. Mbi llamarinë pamë qirinj që digjeshin kurse nëpërmjet një korridori ishte një vend bosh, brenda mjedisit të kishës, janë dy kolona muri. Kubeja brenda kishës është, gjithashtu e suvatuar. Në faqet e kishës, së brendshmi, nëpër disa kamare janë vendosur qypa balte, të thyer. Brenda tyre, mund të ketë qenë i depozituar, floriri i grabitur.
U largova nga ai kult fetar; nga Shtëpia e Zotit, i gëzuar e i ligështuar. Tentova të zhytesha në thellësi të shekujve, duke pranuar dhe disa legjenda, si të mirëfillta, por, mbeta i zhgënjyer, ose, siç kanë thënë dikur, vajta për të blerë lesh e ika i qethur. Nuk më mbetet veç të provoj rishtaz, në një kohë të përshtatshme, me qëllim që të plotësoj atë që lashë mangut. Dhërmiu dhe treva së cilës i përket, aty është, e aty do të jetë, mot e jetë, mbi shkëmb, i krekosur, me këmbët në det e me shpatullat të mbështetura pas malit; enigmatik; fantastik, me njerëz të mirë që jetojnë jetën si t’u vijë e si të duan. Ata janë të lirë të besojnë, ku të kenë dëshirë, të mëkojnë fëmijët e tyre, tok me qumështin e gjirit, edhe me besimin ku ua do qejfi dhe janë atdhetarë. Kisha e Piratit, pavarësisht se nuk bie fort në sy për ngrehinën dhe salltanetet, është aty, e fortë, e sigurt, me ata shkëmbinj që e harkojnë, të cilët koha dhe dallgët e detit, i kanë gërryer dhe i rrinë si roja, vetë Kishës dhe Bregut ku është ngritur.
U shkrojt e u postua, për herë të parë, në Dhërmi, më 8 shtator 2013; u ripunua e po ripostohet në Tiranë, në muajin Shkurt 2021, nga Niazi Xhevit Nelaj.