Theftë qafën qafëthyeri! nuk e duam; nuk e presim! Kush e gatoi këtë „Çorbë“, të këqijat që shkaktoi, iu mbledhshin pas kokës, vedit e mos e paftë guri – gurin!
Nuk më vjen mirë të bëj krahasime të tillë, por jam i shtrënguar. Jo për të bërë bilan
c, por për të thënë një të vërtetë, të cilën e dinë, shumëkush, por druhen ta thonë hapët. Si ju duket? A ngjan kjo kohë ku koronavirusi po bën namin e po na merr jetë nga ato me më vlerë për komunitetin tonë e më tej teksa ne, në pamundësi për ti prerë udhën, u bindemi tekave të saj, me atë çmenduri kolektive që na u injektua, në vitin e prapë 1997, kur ngjanë të pangjara e ne u ingranuam në këtë „kasaphane“ sikur të ishte jona? Unë them se po; ngjajnë dhe erdhën në jetën tonë, të paftuar por të imponuar.
Pa bërë eruditin, kam lexuar dikur, një libër të të Madhit, Ernest Heminguej, shkrimtar i „Brezit të Humbur“, i cili përjetoi aktivisht paudhësitë e Luftës së Parë Botërore. Nuk munda ta gjej, librin, në morinë e letrave, për ta cituar mota – mo, atë mesazh historik që mundohet të përcjellë Autori i mirënjohur, tek njerëzit e mirë, por po përcjell, në formë të përgjithësuar, mesazhin e tij. Mes të tjerave, Shkrimtari i Madh, shkruan se, edhe nëse nuk u prekën nga plumbat, në fushën e betejës, njerëzit, prapëseprapë mbeten të plagosur. Krahasimin mund ta bëjë, lehtësisht çdokush që ka dëshirë. Katrahura e Luftës së Parë Botërore, ka kohë që nuk është më në rend të ditës, por pasojat fatale që ajo la në jetët e njerëzve, vijojnë edhe sot e kësaj dite. Njerëz të traumatizuar, të trembur, të pashpresë, të rraskapitur e të rrënuar moralisht, tëpaperspektivë, me armë në dorë, të cilat, nuk dinin çfarë të bënin me to, i tërhiqnin zvarrë, ose i futnin në gëmusha. Ama ishin të traumatizuar dhe të frikësuar; droja i shoqëroi gjatë e pasiguria i ndoqi në çdo hap.
Edhe ‚97 – ta ka kohë që nuk është më në veprim, por ajo që bëri e ato rrjedhoja që solli, do të kenë efekte e do të mbahen mend për shumë kohë. Më ngjan se po troket ai vit i prapë e ndonjë kokë e nxehtë e dëshiron të ngjajë, por ne duhet ta ndalojmë e të bëjmë që të mos duket më në këta troje, të cilët meritojnë qetësi e paqe sociale. Më kujtohet, fare mirë, koha kur njerëzit shkonin drejt së panjohurës, drejt pasigurisë, për jetën, në radhë të parë dhe pritnin, me ankth; çfarë do të ngjajë me mua, pas çdo kthese.
Përvojat janë të ndryshme dhe përjetimet jo të njëjtë. Në këto radhë do të përpiqem të risjell në kujtesë përvojën time, pa bërë as trimin; as viktimën. Lexuesi i mençur, le ta nxjerrë vetë përfundimin e ti thërrasë mendjes.
Akoma pa zbardhur dita, në mugëtirën e datës 1gusht, të vitit 1997, kur ishte kulmi i rebelimit absurd kur „“kaçakët“ grabitnin, plaçkitnin, përdhunonin e merrnin, pa mëshirë jetë njerëzish, mora udhën e kthimit, nga Tepelena, në Tiranë. Më duhet të shkoja në Tiranë, për të parë fëmijët e për të blerë mallra për dyqanin. Kisha punuar në dyqan rreth një javë e kisha bërë një dorë me para. Rrugëtimi me Afrimin, për mua ishte i preferuar. Kisha siguri në ndershmërinë, në çiltërsinë dhe në drejtësinë e figurës së tij. E kisha dhe në fisin e gruas, e kjo e shtonte besimin. Afrimi, kishte marrë ngarkesë me banane, në Pire, (rreth 30 tonë banana) e do ti transportonte për në Vaqar, Pranë Tiranës. Së bashku me të rrugëtonte dhe një drejtues mauneje, trim, nga Kukësi. Edhe Ai guidonte një maunë me rreth 30 tonë banane. Kishin ardhur, si kishin ardhur, deri në Tepelenë; më tej, do të rrugëtonin në të tjera prita, ku në çdo kthesë, papritur, mund të shfaqeshin grabitësit, në forma që nuk mund ti parashikoje e me veprime të çuditshme. Disa, pavarësisht se Afrimi kalonte në zonë të njohur ku kishte reputacion, qëllonin, drejtpërdrejt, pa paralajmërim, me qëllim që të mbillnin terror e pasiguri.
Edhe pse përpiqesha të dukesha i qetë në aparencë, ankthi dhe pasiguria më shoqëronin, në çdo hap. Është në natyrën e njeriut, të përshtatet shpejt, në çdo rrethanë dhe, në rastin tonë, njeriu bëhet pjesë e ankthit dhe e vuajtjeve; i konsideron ato, si të tijat.
Atë mëngjes, në mugëtirë, vajta tek një parkim, në fushë, përballë varrezave urbane të Tepelenës, ku, në barakën e mikut tim, rrëmbeva një pushkë, fringo të re, (karabiner) me 30 fishekë. I futa në fole, karabinës, krehërin me fishekë dhe me armë në dorë, i krekosur, dola në rrugën nacionale e u ngjita në maunën e Afrimit. Zura vend në anën e djathtë të kabinës, me karabinën midis këmbëve. U armatosa, si rrugëtarët e tjerë dhe e ndjeja veten më të aftë për të kundërvepruar, po të më imponohej rasti. Sikur çoç do të bëja me atë armë në dorë? Të paktën, në rastin më të mirë mund të shlyeja veten.
Kaluam të qetë, (qetësi i thënçin), urën mbi lumën e Bënçës; dolëm në Majkosh e vijuam udhën për në Memaliaj e pastaj në Mogilla të Vasjarit. Rrugëtonim në errësirë, me dritat e makinave dhe nuk merrnim vesh se çfarë ndodhte rreth nesh. Ama frika na kishte hyrë në palcë e pritnim kur do të bënte “bam“, ose kur do të na dilnin në udhë e mbi udhë, ndonjë grup djemsh të armatosur, të cilët do të nisnin, pa mëshirë, operacionin e plaçkitjes.
Grabitësit e pashpirt, egërsoheshin shumë, nëse ishin të sigurtë se udhëtarët, dispononin para, të thata, por që ata nuk i gjenin dot nga kontrolli që bënin. Atëherë, banditët, hakmerreshin, dhe këmbëngulnin të gjenin paratë, duke përdorur mënyra detyruese të ndryshme çnjerëzore, si gjymtimet, goditjet në kokë me mjete të forta, përdhunimet, deri në tortura e vrasje. Synimi i tyre ishte grabitja dhe këtij “rregulli banditesk” nuk i shpëtonte asnjëri; përfshi dhe të afërmit e tyre.
Kalvari i atij viti të mbrapshtë më mësoi dhe një gjë, të cilën nuk e dija: Po ta identifikoje grabitësin, ai të vriste, pa paralajmërim. Ky ishte „ligj i rrugës“ dhe i rrugaçërisë. Prandaj e mallkoj, me shpirt, atë katrahurë, të cilën mos e paçim fat të vijë sërish në këta troje. Në Teplene, ata që transportonin banane, kishin marrë masa të forta e të pranueshme sigurimi. Dy maunet tona shoqëroheshin nga një truproja e madhe, e armatosur mirë, me armatim të kohës, deri dhe me Zpu, e stërvitur, me vlera trimërie të njohura dhe me reputacion në zonë.
Në atë kohë, shoferët që merrnin udhë, formonin kolonë makinas, njëri pas tjetrit, me shpresë se shumica, herët apo vonë do ta jepte efektin pozitiv. Qëllimi i këtij bashkimi ishte dhe impresionimi i grabitqarëve, të cilët, nga kjo anë ishin të ftohtë e të pashpirt. Në krye të vargut rrugëtonte një maunë e bardhë, 30 tonëshe, e cila transportonte për në portin e Durrësit karburant. Boti i botit, rrugëtonte gati 1 km para nesh dhe ishte i shoqëruar nga një shpurë e armatosur. Në vargun e makinave udhëtonte dhe një furgon i bardhë, i një mikut tim. E kishim organizuar rrugëtimin në mënyrë të përkryer, prandaj ecnim disi të shkujdesur.
Sapo kaluam digën e Rezervuarit të Krahësit, atje ku sot është ndërtuar një lokal i kohës, në errësirën e mëngjesit, dëgjuam ulërimat e plaçkitëseve. I mbaja veshët ngrehur, e prisja ndonjë reagim. Grabitësit, nuk ishin fare pa përvojë, ose përgatiteshin nga „ustallarë“! Ata na lanë të futeshim në “grackën” natyrale, e cila ishte si një lloj „vathë“, nga ku nuk mund të dilnim lehtë. Ata ishin të gjithë të armatosur, të etur për të bërë „pre“ e kishin zënë pozicione dominuese. Më buçasin në veshët, edhe sot e kësaj dite, britmat e tyre, makabre, në brendinë e të cilave ndihej një farë kënaqësie, se e kishin futur „prenë“ në darën e rrethimit, siç bën ujku me të gjorat bageti. Ata shtrëngonin darën dhe kërcënonin. Jo vetëm kaq, udha e ngjitjes, në atë vend, ishte me kthesa të forta dhe malorja e theksuar e ngjitjes, bënte që makinat të lëviznin me shpejtësi të zvogëluar. Papritur dëgjova britmën: „Nuk kini nga tja mbani; jeni të rrethuar; jemi 14 vetë të armatosur; të cilën e pasoi urdhëri me ton të prerë: „Dorëzoni armët dhe paratë, se jeni në „Çark“ e nuk keni rrugëdalje.
Situata u bë tepër komplekse dhe e rrezikshme. Dërgatën që udhëtonte përpara nesh, e kishin çarmatosur dhe e kishin plaçkitur. Maunet tona dhe makinat shoqëruese, ndaluan, „stop“. Nuk pata kohë e mundësi të reflektoja. Për një çast, e mendova veten nën breshërinë e plumbave, të cilët mund të më shponin mishin, nga çasti në çast. Po halli ? Si ishushtarak i dikurshëm, në detyrën e shefit të shtabit, ndoshta më takonte të mbroja miqtë e mi, duke gjetur ndonjë rrugëdalje, pa shumë „firo“. Vëllai i Afrimit, një njeri mjaft trim e kurajoz, të cilit nuk ia ha qeni shkopin, më sugjeroi: „Njazi, folu këtyre banditëve, se nga kjo zonë janë e mund të të njohin nga zëri“! Menjëherë reagova, kundra. E dija që banditët janë banditë e nuk u punon mendja; ata, po i shquajte kush janë, të vrasin, pa një, pa dy. Reagimi im, ishte ndoshta shpëtimtar, për situatën që u krijua. Sa munda u thashë njerëzve:“Fikni dritat; fikni motorret; zbritni nga makinat; shtrihuni përtokë e mos u lëvizni nga vendi“! Ashtu bënë, të gjithë. Banditët kishin përparësi, jo vetëm se ishin në lartësi dominuese, por dhe për faktin se ata mund të qëllonin, në dritën e makinave dhe sytë i kishin si të shqiponjës.
Ra dita e gjërat përqark mund të pikaseshin me sy të lirë. Nuk i pamë „gjobëvënësit“ se ishin të maskuar e të strukur nëpër gëmusha. Makina jonë e pararojes, një Volvo jeshile, u afrua tek postablloku i grabitqarëve, në dalje të pritës. Kur ata panë makinën Volvo me targa të Tepelenës, dhe pikasën brenda saj njërin nga vëllezërit e Afrimit, I cili nuk ta zgjatete, thanë: “Ec! Tepelena”! Nisëm lëvizjen flegmatike, si kërmilli. Miku im, që guidonte furgonin e bardhë shpejtoi të dilte në udhën e ullinjve e nuk pyeste se furgoni i tij, lëvizte mbi disqe. Mjafton të shpëtonte kokën. Për një turist, rezervuari, i krahësit, në sipërfaqe kishte hedhur një „vello të bardhë“. Për një romantik, kjo ishte pamje magjepsëse; por kujt i shkonte mendja për të tilla përsiatje; ishte çasti kur llogaritej jeta e gjërat çmoheshin me kokën e njeriut. Ndaj shpejtuam, për t’u larguar nga gracka. Mbajta frymën e me gjunjët që më dridheshin, mbasi morëm “lejen“ për të vazhduar udhën, e ndjeva veten se akoma isha në jetë.
Mbasdite, në kthim, në vendin e quajtur Zijaj, në udhë të hapët, „banditët“ i morën jetën Bertit, të Merajve, djalit të vetëm të Dashos. Një djalë për kokën e djalit, i cili kthehej nga Durrësi, me botin bosh e me pak para në xhep për tja çuar familjes. Paratë e karburantit i kishte marrë „bosi“, i cili i kishte hipur avionit e shkoi në Greqi. E pagoi me jetë, i pafajshmi e kjo ishte një tragjedi e madhe.
Të nderuar lexues! Situata po sillet si në vitin e largët ‚97. Koka të nxehta po përpiqen ta futin popullin në kaos e në një katrahurë si ajo. Nuk e kemi të qartë kush i lëviz gurët, i qartë është shpirti i zi dhe qëllimi makaber. Sejcili, prej nesh, atje ku punon e jeton, me mundësitë që ka, është i lutur të bëjë çmos, që ajo situatë të mos gjejë terren, në vendin tonë. Harxhet, si deri më tash, dihet, i paguan populli fukara, i cili, ma do mendja duhet të dijë ta mbrojë veten. Ju i vështroni çdo ditë sinjalet ndjellakeqe që na vijnë. Pabarazia, fukarallëku i skajshëm; korrupsioni, prostitucioni, lypsarët që mbushin udhët, mashtruesit, lufta kibernetike që zhvillohet, përqendrimi i popullsisë në kryeqytet, qaramanët që nuk lënë radhë, etj. etj, janë disa premisa, të cilat i shfrytëzon i ligu. Nuk hapim dot televizorin se çfarë të vështrosh? Krime e përdhunime, gjithandej, të cilat, në optikën time janë trokitje; trokitje, dhe vetëm trokitje e asaj që nuk e duam. Prandaj; ju lutem; merreni në dorë çështjen dhe prejini rrugën dashakeqit. Merreni me vete, ju lutem thirrjen e Julius Fuçikut,për vigjilencë.
Një herë tjetër, ndoshta do të shkruaj për të tjerë raste, makabre si ky që po lexoni të cilët janë pa anë e pa fund. Paçi fat e bëfshi zap zuzarët që fërkojnë duart, kur vënë re rrëmujë e krime monstruoze në rrugët e vendit!
Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj, Tiranë më 12 Shkurt 2021