Niazi Nelaj

Shkrime

Çfarë të shkruash më parë në këtë kohë të ngarkuar?

21 shkurt 2021 · 2 min lexim

Çfarë të shkruash më parë në këtë kohë të ngarkuar? E kam të qartë se mesazhi im, nuk e ka çapin që do të doja, por, “ani” thonë diku, unë do t’i bie telit tim.

Që ta dini ju, të dashurit e mi, kohët e fundit kam filluar të ndjek disa emisione që transmeton RTSH. E dini përse? Në radhë të parë më zgjon nostalgjinë, për të shkuarën me vlerë, por dhe se disa emisione të tjera më pëlqejnë e i çmoj, pa masë.

Mbrëmë, p.sh., një mësuese vullnetare, me banim e me punë në Italinë e përtej detit, e cila, jo vetëm që e fliste gjuhën tonë të mirë, pastër, por kishte dhe kritikë për mjaft zyrtarë, (të shumtët partiakë); për disa gazetarë, gjithashtu të përzgjedhur mbi baza partiake, pa lëre për mjaft pushtetarë (dru me pre) të cilët as që e dinë si flitet e si shkruhet Shqipja e pastër.

Ju lutem shumë: mos t’ua lëmë vetëm gjuhëtarëve, mënyrën e të shkruarit shqip. Gjuha jonë është e mjaftueshme për të shprehur, bukur, atë që ndjen njeriu. Ajo është nga më të vjetrat në kontinent dhe i ka të gjitha çfarë i duhet një njeriu me mend në kokë, për të shprehur botën e tij dhe realitetin. Mos të nisemi nga disa biznesmenë që i kanë mbushur reklamat e dyqaneve, me lloj-lloj fjalësh të huaja, aq sa del në rrugët e Tiranës e thua me vete: Ku jam?

Problemi i dytë është ai i përjetësimit të disa kontributorëve të veçantë, ata që kanë bërë histori e janë ngjitur në majë të profesionit të tyre. Më erdhi mirë kur pashë atë emision “gjigand” do të thoshja, për të madhin Gazmend Caci. Po sa vlera po na ikin e nuk kthehen. Ndoshta kjo është një fushë ku televizioni dhe Facebook-u, mund të bëjnë më shumë.

Më falni, për bezdinë që mund t’ju kem shkaktuar, por këto janë dy nga fushat ku ndjeshmërinë e kam të lartë.

← Të gjitha shkrimet