Niazi Nelaj

Shkrime

Mbresa nga viti i paudhë 1997

26 shkurt 2021 · 10 min lexim

(Episodi 4 – Pabesia si komponent i prapësive të asaj dalldie)

Fijet e padukshme dhe lidhjet e nëndheshme përshkonin, tej e mbanë tërë atë kohë në të cilën „gjuetia e shtrigave“, mashtrimi, pabesia, anësitë, përdhunimi etj. u kthyen në dukuri të zakonshme. Nëse mund të shprehem kështu, viti i lig 1997 ishte i ngopur me fëlliqësi e njerëzit, si të dehur, në ekstazë, e në çoroditje të plotë, nuk dinin çfarë bënin e ku i çonte mushka. Këtë çoroditje shfrytëzuan, të ligjtë, për të realizuar qëllimet e tyre të mbrapshta.

Ajo që dua tju bëj të ditur, u ka ngjarë disa qyqarëve të mashtruar keqas, të cilët humbën, në pak çaste, produktin e djersës së tyre, disamujore, por u lebetitën, nga veprimet kafshërore të një grupi djemsh grabitqarë, për të cilët, nuk ekzistonte asnjë normë, nga më elementaret, të qasjes njerëzore dhe që nëpërkëmbën edhe zakonet e traditën e zonës ku vepronin.

Një djalë I ri (rreth të tridhjetave), i shkathët e i. zgjuar, në dukje guximtar e I hedhur por si duket “I lidhur”, guidonte një autobus 52 vendesh. Vetëm Ai kishte “licencë” për të përshkuar aksin rrugor: Kakavijë- Tepelenë – Tiranë e kthim. Jo një herë kisha rrugëtuar me mjetin e tij, në segmentin : Tepelenë-Tiranë. Në timon ishte I shkathët sillej me udhëtarët, me buzagas Në dukje ishte kavalier e dashamirës. Kur rrugëtoja me mjetin e tij, më mbeteshin sytë tek një granatë defensive, e cila qëndronte në kroskotin e autobusit e nuk e prekte asnjeri,edhe kur ajo rrotullohej në atë platformë boshe. Si skeptik që jam, mendoja, çtë jetë kjo granatë? Cila është simbolika e saj? Mbase është ndonjë sinjal, të cilin unë nuk e di? Një ndjesi dyshimi e pasigurie më kaploi dhe të them të drejtën, jo vetëm që nuk isha i qetë e i sigurtë në rrugëtim, por prisja, në ankth, të ngjante diçka jo e mirë.

Ajo që ngjau në një natë pus, afër mesnatës në fshatin Pecaj, pranë ujëmbledhësit të Krahësit, mendoj se kish të bënte me një komplot e pabesi të ndyrë. Natyrisht, gjatë viteve që kanë shkuar qysh nga ajo kohë, emërtimet e fshatrave të zonës kanë pësuar ndryshime e orientimi nuk është aq i lehtë. Megjithatë, ujëmbledhësi është aty e shërben si dëshmitar memec i asaj masakre. Thashë një fjalë të madhe, kur përmenda slloganin komplot. Për t‘u qasur më pranë asaj që ndodhi, do të preferoj të them se atë natë ngjau një pabesi e cila nuk ishte një rast i shkëputur nga vargu i prapësive të atij viti të mbrapshtë, por pjesë e atmosferës të përgjithshme që sundonte në vendin tonë.

Siç është e njohur, në vitin 1991 më pas mjaft vajza e djem nga vendi ynë, morën udhët, duke kaluar jo nga dogana se nuk kishin dokumente, por maleve, rrugë e pa rrugë, me një torbë në krah, në të cilën kishte ushqime tradicionale, (petulla; byrekë; llokume, qullapite, kulaç, vezë të zier, kush e kishte të mundur edhe ndonjë pulë, të pjekur etj. dhe me një shkop në dorë). Ata që e kanë provuar, e njohin mirë këtë kalvar vuajtjesh të pamerituar. Kam parë djem, të lidhur me njëri – tjetrin, mbi bazën e lidhjeve të genit, duke shfrytëzuar si udhërrëfyes, njërin nga pjesëtarët e grupit të rrugëtimit. Ai që dinte dhe njihte rrugën mbasi kishte qenë dhe më parë, në emigracion e i kishte shkelur ato shtigje.

Pa bërë fjalë për kushtet çnjerëzore të punës e të jetesës dhe pagën mjerane që merrnin, në vendet ku punonin. Kalvari i vuajtjeve sfilitëse të tyre, bënte që djemtë rinj të dukeshin si pleq dhe vajzat e bukura adoleshente, shiteshin, shfrytëzoheshin mizorisht ose çiftoseshin me të moshuar. Punonin fatkeqët e ushqeheshin barkdreqët. Ashtu siç thuhet rëndom, në anët tona. Refugjatët punonin me sezone, flinin në arë, e ushqeheshin si të mundnin, me ushqime të thata, kursenin për të mbledhur një dorë me para. Ata, ktheheshin pranë familjeve me shpresë se do të riparonin shtëpinë e rrënuar apo do të shtonin një dhomë; do të martoheshin; do të shlyenin një detyrim; do të blinin një lopë apo disa krerë të imëta e ku ta di unë se çfarë plane e ëndrra thurnin, për një jetë më të mirë. Kishte dhe familje të tëra, që shtegtonin, së bashku me fëmijët, shtoheshin në emigracion, me fëmijë të tjerë e ktheheshin në vatrat që kishin lënë “shkretë” për të bërë, prokopi.

Pa bërë histori, nga sa di, në udhën e kthimit, refugjatët nga vendi ynë, mund të kalonin dhe nëpërmjet doganës, të Kakavijës. Nuk mund të lë pa thënë dy fjalë të trishta kushtuar atyre djemve azganë, të cilët, fati i kishte degdisur larg, në dhe të huaj. Pronari, mbasi i kishte „shtrydhur“ fort refugjatët dhe i kishte paguar për punën e bërë, në ndonjë rast, u ngrinte kurthe e u bënte pritë për t‘u marrë paratë dhe jetën. Zakonisht, refugjatët e bënin udhën e kthimit natën, me qëllim që kur të zbardhte dita të kishin mbërritur në fshatrat e tyre.
Kështu ngjau dhe atë natë. Ngjarja e rëndë e mizore, u shpërfaq në fshatin Pecaj i cili ndodhet, në anën Perëndimore të ujëmbledhësit të Krahësit. Toponimet nuk janë më ato e infrastruktura është tjetër, por, siç dihet, ai vend i ngjan një „darë„ natyrale, ku grabitësit e kanë më të lehtë të realizojnë qëllimet e tyre makabre. Në autobusin e „birbos“ atë natë rrugëtonin rreth 52 refugjatë, me rroba copë – copë, të palarë e të pandërruar që kundërmonin erë të qelbur, me qeset me para në qafë. Ndonjëri kishte blerë dhe ndonjë dhuratë për të tijet. Në autobus rrugëtonin dhe gra me fëmijë, në prehër apo në gji (latante) të shoqëruar nga prindi mashkull. Refugjatët ishin nga zona të ndryshme, kryesisht nga Mallakastra e Egër; nga Mallakastra e Butë, nga fshatrat e Fierit e më tej. Të gjithë gëzonin se do të ktheheshin në vatrat amëtare e do të takonin të afërmit që i pritnin, me padurim. Ata gj ishin të qetë, e të sigurt, mbasi e kishin vënë „vjegën“ tek shoferi i cili, me lajka me llafe, pa fund, i kishte bërë për vete, aq sa i besonin atij faqeziu, qorrazi. Ishte mesnatë e fshati flinte për shtatë palë qejfe. Dritat e shtëpive ishin fikur kurse ato pak drita të rrugëve, mezi dalloheshin, të zhytura në errësirën e natës në mjegullën që kishte rënë mbi ujëmbledhës. Qentë roja të familjeve fshatare ishin lëshuar nga zinxhirët. Ata lehnin, kot, ose bridhnin rrugëve për t’u shmpirë nga qëndrimi i gjatë nën zinxhirë. Në afërsi të vendngjarjes nuk ishin vetëm fshatarët nga Pecajt, por dhe Llakajt nga kodra përballë; Haxhiajt; Zhulajt; Zijajt etj.

Kur autobusi me pasagjerë u fut në “darën” natyrale, që të çon tek dyqani i dikurshëm, pastaj merr kthesën, tek bajamet e ngjitet lart, në maloren që të çon në Zijaj, përpara autobusit u shfaqën disa djem të armatosur, të egër në qasje, me kapuçë në kokë e me armë automatike, në gjoks. Shoferi hapi derën e autobusit e ata u ngjitën, nëpërmjet shkallëve të brendshme të mjetit. Një britmë egërsire, e cila sikur dilte nga shpella, jo nga gurmazi i njerëzve, bëri që edhe ata refugjatë që flinin në fund të mjetit rrugor, të zgjoheshin nga gjumi e të fërkonin sytë, të habitur. Një klithmë tjetër pasoi të parën: „Paratë, ose kokën“! Në autobus nisi zallamahija. Ulërimat nuk kishin tone miqësore, por shprehnin një kundërshtim e protestë të paparë. Ulërinin djemtë refugjatë disa nga të cilët, kundërshtuan me përplasje fizike, edhe pse të paarmatosur. Ata e kuptuan me vonesë kurthin që u ishte ngritur dhe e vështronin shoferin me një urrejtje, të paparë, me sy të zgurdulluar e gjithë inat, për pabesinë që u bëri. Shoferi qëndronte në timon, i ngrehosur e i kënaqur se formula e tyre kishte funksionuar.

Shkrimi është mjaft i rëndë, dhe një njeri me mend në kokë e i vetëdijshëm për atë që ngjan rreth tij, patjetër që do të preket e do të fyhet, keqas në shpirt, për atë që ka ngjarë. Fatkeqët, u tradhëtuan e u prenë në besë, disa herë në atë natë të zezë. Ata, në radhë të parë i tradhtoi fati I tyre i zi që i shpuri në atë grackë e cila ngjante me shpellën e qikllopit, të Mitologjisë. Ata u tradhtuan nga shoferi “kokoroç” I cili mund të ketë qenë në ortakëri me grabitqarët. Nuk ka rëndësi nëse grabitësit ishin vendalinj apo erdhën me një makinë të vogël, prapa autobusit nga Memaliajt fjala vjen. Rëndësi ka fakti, se këta përbindësha, të pashpirt e të pa njerëzishëm, me dhunë me metoda çnjerëzore, kryen atë masakër, të cilën, e ka të vështirë ta përfytyrojë një njeri i ndershëm të cilit nuk mund tja rrokë mendja.

Mjeranët u prenë në besë, nga banorët e zonës, në veçanti nga ata që ishin më pranë vendngjarjes. Banorët e fshatit Pecaj, si gjithë familjet shqiptare, në atë kohë të trishtë, mblonin në shtëpitë e tyre, një armë dhe shumë municione municione. Atë natë të zezë ata preferuan ti linin fatkeqët që ulërinin në fatin e tyre dhe përkëdheleshin pas shtrojeve të ngrohta, në vend që të brofnin në këmbë e t’u shkonin në ndihmë vuajtësve të atij kalvari. Kjo nuk është në traditën shqiptare dhe nuk e nderon atë komunitet. Në natyrën normale njerëzore, një njeri nga Shqipëria, zakonisht merr anën e atij që është në fatkeqësi e nuk bëhet palë me atë që përkohësisht dhe vetëm në dukje paraqitet si i “fortë”.

E kam lënë për në fund por të më besoni; e kam shumë të vështirë të hedh në letër, atë që ndjen zemra. Në autobus kishte gra me fëmijë, disa nga të cilët flinin me ëndrra në prehërin e nënave, të sigurtë në mbrojtjen e tyre. Kishte të tjerë fëmijë, me thithkat e sisëve të nënave në gojë, të cilët thithnin të qetë qumështin jetëdhënës e nuk mund ta konceptonin atë që ndodhi. Merreni me mend, çfarë traumë pesuan ata fëmijë, kur dëgjonin lebetitjen e nënave e nuk e kuptonin psenë. Ka dhe një gjë, të cilën një mendje e arrirë e ka të vështirë ta konceptojë. Gratë, zakonisht, ishin të shoqëruara nga burrat e tyre. Në një kohë kur monstrat, tentonin të përdhunonin, në ndonjë rast dhe e arritën qëllimin, të përdhunonin gratë në sy të fëmijëve dhe të burrave të tyre, çfarë ndjesie patën ata qyqarë të cilëve u ra në pjesë ky fat. Ata ishin të paarmatosur dhe vetëm grushtat kishin për t’u mbrojtur prej veprimeve shtazarake të „grabitësve„ të pashpirt e pa cipë në faqe.

Më tej nuk mund ta përshkruaj atë që ngjau atë natë. Edhe pse pas kaq vitesh, nga emocioni dhe nga revolta e brendshme që ndjej nuk ndihem mirë të hedh në letër atë batërdi. U nëpërkëmbën tradita, zakone, doke, e çfarë të duash nga disa xhahilë, të cilët nuk e meritojnë të quhen njerëz. Po, nga mbinë këta kafshë? A thua se dolën nga toka e nuk u rritën mes komunitetit? Nuk u vajti mendja se në shtëpi apo në gjini kishin motra, nëna, vajza, nuse etj. etj të cilave mund t’u vinte radha të pesonin kësisoj? Të më falini por nuk e vazhdoj dot më rrëfimin. Dhimbja që ndjej ma errëson arsyen e revolta është e pamatë. Sa të drejtë ka patur Ernest Heminguej, në ato që shkrojti, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo që u mundova tju rrëfej është ndodhi e vërtetë; kush të dojë le ta kundërshtojë, uroj që prapësi të këtij karakteri të mos duken më në trojet tona. Prandaj, ju ftoj të jemi vigjilentë e të marrim në dorë një fshesë të ashpër, për të përzënë edhe hijen e asaj që ngjau. Një fjalë e urtë tironse, na tërheq vëmendjen për të mos nënvleftësuar asgjë. Ajo na kujton se : „Ku ka zo; s’o pa gjo“! Dhe zërat janë të plotë e të fuqishëm, fantazmat e atyre dukurive negative po vërtiten. Ato nuk duhen lejuar. Natyrisht, sejcili bën aq sa mundet e atë që mundet; të gjithë të bashkuar mund të bëjmë më shumë, për ti prerë udhën të paudhit.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, gjatë muajit shkurt 2021

← Të gjitha shkrimet