Niazi Nelaj

Shkrime

Vijojnë episodet me kujtime vetjake, nga viti i Zi 1997, i cili qe dhe shumë i gjatë; apo m’u duk mua ngaqë pruri e shpalosi aq shumë poshtërsi

26 shkurt 2021 · 8 min lexim

Veçova nga blloku i kujtimeve të shkruara në atë kohë, një ndodhi, të cilën nuk mund ta largoj nga kujtesa. Aq mbresa të pashlyera më la ai mëngjes i mbarsur me disa ndodhi, njëherësh, i pleksur (thurur) me elemente çuditërisht të ngjashëm. Brenda ndodhisë ishin të pleksur disa elemente, të cilët, jo vetëm që e bënin më të kompletuar ngjarjen, por dhe më të hidhur e makabre.

Kthehesha nga Tepelena, me maunën e mikut tim, Afrim Mullaraj. Në kabinën e makinës ishte dhe bashkëshortja ime, e cila është vajzë hallës të Afrimit. Do të ktheheshim në shtëpinë tonë, në Tiranë, ku na prisnin 2 djemtë adoleshentë. U nisëm herët nga Tepelena, me qëllim që ta kishim ditën përpara. Rruga (bëhet fjalë për udhën e vjetër automobilistike, e cila kalonte nëpërmjet Fratarit, Balleshit, e Patosit e më pas rruga të çonte në Fier. Deri në Povel, çdo gjë na vajti „Vaj“. Ishte koha kur ishin formuar Komitetet e Shpëtimit. Nuk e kuptova kurrë, as tani nuk e kam të qartë qëllimin e formimit të tyre; detyrat që kryenin; kush i zgjidhte dhe në fund të fundit; kujt i duheshin ? Ndodhia që vijon, shpresoj ta bëjë më të qartë gjënë. Rasti që do t’ju rrëfej më poshtë është i përafërt me atë që ndodhi, një natë të zezë me refugjatët fatkeqë në fshatin Pecaj, por nuk është e njëjta gjë.

Dy maune, të ngarkuara me hekur shufër, (me të paktën 35 tonë sejcila), vinin nga Greqia, për në destinacion. Ato, meqenëse në rrugë kishte mjaft “postablloqe” ku shfaqeshin në mënyrë të beftë, “grabitqarë” “gjobëvënës”të natyrave të ndryshme, kur qarkullonin në ato udhë, detyrimisht shoqëroheshin nga njerëz të armatosur, të zgjedhur, trima e të zotë, të cilët paguheshin për detyrën që kryenin.

Ngjarja e rëndë dhe e mbarsur me pasoja të rrezikshme për jetën e njerëzve, ngjau në vendin e quajtur Povel, para se të shkosh tek ura ngushtë me një kalim, në fund të zbritjes nga kthesat pas kalimit të Symizës, atje ku është një kthesë e fortë, para se të futesh në urë. Në anën e djathtë të udhës, kur zbret, fare pranë, kur është një mëhallë e quajtur Sulaj (Lankaj) me banorë të ardhur, kryesisht nga Fshati Drizar dhe nga Kremenari. Të dy fshatrat, janë të njohur, historikisht, si treva me popullsi luftarake, ku trimat e guximtarët kanë qenë e janë të shpeshtë. Ata, në ato kohë të turbullta ishin të gjithë të armatosur e me municione të bollshme. Para se të shkosh tek gropa ku marrin zhavor, për të mbushur gropat e udhës, mbi të cilën ngrihet një kodrinë e lartë rreth 350 m, me gurë e me përrallë maunet dhe ata që i shoqëronin, u përplasën, me armë, me një bandë grabitësish të ardhur nga rrethinat e Vlorës me synim për të përvetësuar maunet me hekur. Përplasja me armë ishte e ashpër; fshatarët e mëhallës Sulaj, e cila ishte jo më tepër se 50m. në Veri të udhës automobilistike kombëtare, edhe pse ishin luftarake dhe të armatosur, e dëgjuan luftën që u ndez, por preferuan të mbulonin kokën me jorgane e të mos prononcoheshin. Siç duket, ata kanë menduar se përplasja që kishte ngjarë e luftimi që po zhvillohej, kishte në themel grabitjen; kohët ishin të turbullta e nuk ia vlente të merrnin anën e askujt.

Duke zbritur për tek një lokal pa shkuar tek ura e ngushtë mbi përrua, e cila ishte e bllokuar nga njerëz të armatosur, të cilët nuk lejonin kalimin nëpërmjet urës, në krahun e djathtë ka qenë e është një lokal ku u shërbehet, kalimtarëve të shumtë dhe vendasve. Përtej urës, në rrëzë të kodrës që rrëshket, më zunë sytë një autoblintë e cila ishte e policisë të Ballshit. Aty nis udha e ngushtë në anë të përroit, e cila shkon tek vendi ku kanë qenë tunelet (10 tunelet) me rezervat e karburantit dhe më tej janë dy mullinj, të menaxhuar nga njerëz atdhetarë e trima. Udha e verbër, gjarpëron anës përroit, për në Perëndim dhe përfundon mbi urën që është ndërtuar mbi Vjosë, e më tej në fshatrat e Vlorës. Çdonte ky blint, në atë vend e në atë kohë, ata që ishin brenda tij, mund ta dinë e mesiguri që mund të japin spjegime të sakta. Po çfarë kishte ngjarë e cili ishte përfundimi i asaj përplasje me armë ? Do të përpiqem ta përshkruaj, siç e mendoj:

Tepelenasit që shoqëronin maunet, si “mercenarë me pagesë“, nuk mund të rrezikonin jetën, për hekurin e tjetrit, për një dorë para, prandaj e kishin marrë „lehtë“ misionin delikat“. Meqenëse rrugëtonin në territore që i konsideronin aleatë, besoj, kanë menduar, me mendjelehtësi: „Jemi trima dhe të armatosur; territoret ku kalon rruga, i kemi të njohur dhe aleatë…etj“. Kësisoj ishin të shkujdesur dhe ndjenin një farë sigurie të pabazuar. Banda grabitëse që kishte ardhur nga rrethinat e Vlorës, siç duket ishte më e organizuar dhe e vendosur për të rrëmbyer prenë. Prandaj, dolën me supremaci ndaj shoqëruesve të mauneve me hekur ngarkuar. Arrij në këtë përfundim mbasi, të dyja maunet me hekur, nën kërcënimin e armëve kishin kaluar urën e Povlës e ishin futur në rrugën e ngushtë, që gjarpëron buzë përroit, në drejtim të trevave të Vlorës. Ato ishin futur në udhën që të çon në Vjosë, e nëpërmjet urës, kalon në territoret e rrethit të Vlorës.

Nuk di çfarë u bisedua e çfarë ortakërie kishte midis atyre që lëviznin me blint dhe pjesëtarëve të Komitetit të Shpëtimit, të Tepelenës. Në atë kohë, policia e shtetit „funksiononte“ vetëm në qytetin e Ballshit. Nuk më pëlqeu fakti që në territorin ku ajo vepronte u krye një masakër, pa viktima.

Zbritëm tek sheshi, që formohet përpara një lokali ku hahet e pihet dhe ku shërbehej kafe e pije freskuese. Hapëm krahun. U futëm, të tre në lokal, me shpresë se diçka do të merrnim. Brenda në lokal, ishin ulur për qejfin e tyre; hanin mëngjes të rëndë, me mish përpara dhe konsumonin alkool, një grup djemsh, në numër jo më tepër se 10 vetë. Shumë prej tyre i njihja. Ata kishin mbështetur armët, pas murit e po ushqeheshin. Ishin të gjithë djem të rinj, të moshës 30 – 40 vjeç, të gjallë, trima, me figurë të pastër, sikur ti kishje përzgjedhur me dorë, nga djemtë më të mirë të Tepelenës.

Roja, një djalë shtatshkurtër, i lidhur mirë në trup, i armatosur rëndë e me granata dore në brez, qëndronte në lokal, i gatshëm për të dalë i pari, prej atij vendgrumbullimi. Edhe ai po ushqehej. Siç duket, djemtë kishin kaluar një natë të vështirë e ishin të uritur.

Mbasi i përshëndeta me grusht, siç ishte e modës në atë kohë, u afrova me kujdes dhe pyeta:“Kush është i pari i këtij grupi ? (Ata ishin Komiteti i Shpëtimit, të Tepelenës). „Unë, u përgjigj, një goxha djalë, shtatlartë rreth 2m; bukurosh e i veshur mirë; i armatosur, si të tjerët“! E njihja e Ai më njihte por nuk ramë në sy të të tjerëve. Iu afrova tek veshi, miqësisht, që të mos na dëgjonin të tjerët e i thashë:“Kam qenë oficer; jeni grumbulluar në këtë lokal e jeni „lëshuar“; po rojan, ku e keni ? Janë situata të paqarta e të rrezikshme për jetët; i ligu, me një granatë dore, mund tju asgjësojë të gjithëve; dhe i sygjerova: nxirrni rojan përpara lokalit e mos lejoni asnjeri të afrohet“! Më dëgjoi, u bind dhe urdhëroi rojan të dilte në vendin ku duhet të qëndronte.

Nuk më kujtohet, nëse pimë kafe apo morëm ndonjë pije freskuese, por, pas komunikimit që pata me Kryetarin e Komitetit të Shpëtimit të Tepelenës, Ai dha urdhër të na lejonin të kalonim urën e ne, lëvizëm përpara, kaluam urën e ngushtë mbi përrua dhe nisëm ngjitjen e malores gjithë kthesa, në udhën që rrëshqiste, vende – vende me i ngjante asaj kohe. Nisëm udhën për të dalë tek rrepet e Greshicës, ku gjithashtu ishte një postabllok, ku i merreshin paratë çdo shoferi që tentonte të kalonte në atë „shtrungë“.

Më ka mbetur në mendje ajo ndodhi e rrallë; jam përpjekur të ndriçoj, me veten time disa gjëra, të cilat e kam të vështirë ti sqaroj. Takova Komitetin e Shpëtimit. Një togfjalësh ky, „i madh“ por që e ka marrë padrejtësisht këtë nofkë. Pyetja që shtrohet është: „Kë do të shpëtonte ky Komitet dhe nga kush“? Pyetja tjetër e cila pason të parën vijon sikur të donte të plotësonte të parën është: Nuk më vjen mirë ta krahasoj atë „risi“, me pushtetin e dalë nga Lufta Nacional çlirimtare e popullit shqiptar, i cili i kishte detyrat të qarta e populli i dinte, por them: „Po këta“? Ata, individualisht ishin nga djemtë më të mirë e „të pa bërë pis“ të qytetit, trima e me figurë të pastër, por kishin marrë mbi supe një barrë të rëndë cila ishte jashtë mundësive të tyre. Më vete mendja se në këtë mes mund të kishim të bënim me një ortakëri. U bë goxha përpjekje me armë, atë natë e nuk rezultoi asnjë i lënduar, apo nuk pati asnjë jetë të humbur. Po blinti i policisë të Ballshit, si e përse u gjend në atë vend; në atë kohë? Rezervoj mendimin se në atë mjedis të qelbur, që krijoi viti i Zi 1997 të cilin, pa mëdyshje mund ta krahasoj me pandeminë që po përjetojmë, zor se mund të ketë mbetur njeri i pa molepsur (infektuar) apo pa u kompromentuar.

Një gjë lipset ta kemi të qartë, si bukën që hamë se vetëm duke e mallëkuar atë vit e atë kohë, apo duke u lutur që të mos vijë më në këta pregje, nuk mjafton. Kërkohet vigjilencë e shtuar dhe punë konkrete, nga çdo njeri i ndershëm, kudo që të ndodhet e çfarëdo punë të bëjë. Pa formuar një front unik mbarëkombëtar, si barrikadë ku nuk mund të depërtojnë të këqijat që i paraprinë asaj situate dhe duke bërë zap shkaktarët, nuk kemi gjë në torbë.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, gjatë muajit shkurt 2021

← Të gjitha shkrimet