…Vijojnë mbresat vetjake, nga viti ogurzi 1997.
(Nata është e të huajit – kanë thënë disa bashkëkombas); kriminelët bënin krime në çdo kohë por, nata ishte aleat i tyre).
Përcaktimi i mësipërm është mjaft i gjetur e i vërtetuar plotësisht në jetë. Ai është përfundim logjik i nxjerrë nga jeta e njerëzve e nuk është stisur sipas vullnetit të njërit apo tjetrit. Brenda këtij togfjalëshi ka një domethënie të madhe. Nuk marr përsipër të zbërthej e të sqaroj idetë e të tjerëve. Megjithatë, nga përvoja vetjake, një mendim e kam e atë e them troç: Viti ogurzi 1997, i përngjante një natë të zgjatur, me gjumë të rëndë. Paudhësitë që solli ai vit, të cilin e mallkojnë të gjithë njerëzit e ndershëm, ishin të panumërta e të shumëllojta. Në këtë shkrim po ju bëj me dije, një rast që më ka ngjarë, në një natë të pakëndshme, e cila u gdhi e shoqëruar nga një skenë krimi iminent. Më ngjau ajo që mund ti ngjante cilitdo. Asnjëri nuk mund të parashikonte atë që do ti ngjante e kur do të ndodhte?
Rasti që po ju sjell në vëmendje, është vetjak, i shkëputur nga gjerdani i ndodhive mizore të cilat janë të mbarsur me rreziqe të vërtetë e me shqetësim të madh. Ndodhia ka ngjarë në Tepelenë, qytet të cilin, siç e kam pohuar dhe më parë e kam shumë për zemër. Për mua, ata gurë e ata njerëz me burrëri të rrallë, janë të veçantë, të pashoq, e mjaft të dashur. Ruaj plot kujtime të vyera që nuk mund të shlyhen nga mendja të cilët më bëjnë, jo vetëm nostalgjik, por, sa herë i sjell në mendje, më kalojnë mornica e trishtohem.
Në vitin 1997, që në nisje të tij, akoma pa filluar trazirat, me kontribute jo vetëm të mijat, përfundova e kompletova, një goxha dyqan, të kohës e të pajisur me mallra të kërkuara. Dyqani ndodhet thuajse në mes të qytetit tim të preferuar.Kur ndodhesha në Tepelenë, e gdhija natën, në një dhomë, në katin e tretë, të banesës ku ishte strehuar familja e nderuar e Tahir Ilirjanit. Dritarja e dhomës ku flija e vështronte nga lart – poshtë dyqanin dhe isha në pozicion të favorshëm, për të bërë qitje me armë. Në dritare, mbasi kishin nisur trazirat, mbaja një karabinë dhjetëshe, me fishekë në gojë e në siguresë, dhe një granatë dore difensive (mbrojtëse), gjithashtu të vendosur në siguresë. Natën kryeja dhe detyrën e rojas të dyqanit. Natën, nuk më zinte gjumi; më shumë nga meraku për dyqanin. Kur më merrte gjumi, zgjohesha papritur e brofja në këmbë. Për çdo zhurmë që dëgjoja, dyshoja e çohesha, për ta verifikuar. Duke fërkuar sytë, vishesha si vishesha, rrëmbeja armën e bëja të dilja nga shtëpia. Shpesh, vrullin ma ndalte Tahiri, i cili e kishte gjumin të lehtë dhe merakun të madh. Nuk e kanë thënë mekot, sloganin se „malli është një me shpirtin“.
Një natë, kur kishte shkuar mesnata e qytetin e kishte zënë gjumi, dëgjova ca çukitje, e zhurmë llamarine. U shqetësova seriozisht e dola. Teksa zbrisja shkallët, mendova: E pat dyqani! Ajo zhurmë metalike që dëgjova, mund të jetë shpërthimi i qepeneve të dyqanit, me ndonjë levë hekuri. Në atë kohë katrahurë, thyheshin, pa të keq, qepena e vitrina, sikur „grabitqarët“ të luanin bixhoz. Mendova se i kishte ardhur radha të grabitej dyqanit tim. Me karabinën në dorë, të cilën mbaja të kapur afër tytës, si ushtari kur vrapon, për të kapur transhenë e armikut. Lehtë – lehtë, si hajdut, qarkova dyqanin. Çukitjet i dëgjova, sërish, edhe kur vura veshin pas murit të dyqanit të Kolos, i cili ishte në proces. Jashtë nuk pipetinte asnjë këmbë njeriu. Kolua(ndjesë pastë), gjitoni ynë, me shtëpi e me duqan, për të strehuar pulat që mbante, kishte veçuar një kthinë, posaçërisht për shpendet, të rrethuar me llamarina. Pulat, të cilat nuk durojnë dot sa të vijë mëngjesi e të marrin ushqimin e ditës, çupitin llamarinën, me shpresë se diçka do të gjejnë, për plëncin e tyre. Qarkova dyqanin, pashë qepenët, të cilët ishin siç i kisha lënë, kur mbylla dyqanin, në darkë dhe, në rrugë, nuk vura re asnjë lëvizje apo ndryshim. U binda se alarmin ma kishin dhënë të mirat pula të gjitonit tim. U ktheva në dhomë e u shtriva, por gjumi nuk më mori. Çukitja e pulave pas llamarinave, amplifikohej e më vinte në veshë si utërimat e autoambulancave, në rrugët e Tiranës, në këtë kohë pandemie.
Një ditë tjetër, afër mëngjesit, dëgjova një thirrje, e cila më zgjoi, nga ai gjumë i thellë, të cilin, në fshatin tim e quajnë : “Gjumi I qenve”; se qentë lodhen së lehuri e duke vrapuar, gjithë natën e, në mëngjes i këput gjumi. Zëri që vinte së poshtmi thërriste: Agim! O Agim! Thërrisnin kunatin tim (ndjesë pastë)! U zgjova i llahtarisur, sytë më vajtën tek dyqani e mendova se mund të ketë ngjarë diçka e pazakontë! Nuk thonë mekot se „Gjuha vete tek dhemb dhembi“. Tek dera e dyqanit, në rrugën e ngushtë e cila ngjitet lart, kish ndaluar një veturë e bardhë, e tipit Benz Mercedes. Një djalë thatim, me shtat mesatar, me pistoletë në dorë, qëndronte tek shkallët e dyqanit e thërriste Agimin. E bëra zemrën gur e më dha kurajo fakti që kishte zbardhur dita e në qytet dukej çdo gjë, si në pëllëmbë të dorës. Duke larguar gjumin nga sytë, u vesha shpejt e shpejt e dola, i pa armatosur. I thashë vetes: „Po dal për të mbrojtur dyqanin tim; le të bëhet ajo që është e shkruar, unë dhe të gjithë, jemi nën „pushtetin“ e „egërsirave të pyllit“ e do ti bindemi fatit. Sapo u afrova tek „trimi“ me pistoletë në dorë e njoha; ishte djali i gjitonit, disa pallate më sipër. Ai ishte pjesëtar i një grupi “të paudhësh”. Vura re që edhe ai më njohu. Nuk I fola në emër se e dija që mund të më vriste, por dhe ai nuk më dha të njohur. Në makinë ishin të ulur tre djem të tjerë; (njëri në timon). Asnjëri prej tyre nuk lëvizi nga vendi. Në fytyrat e tyre dukej pikëllimi e i mbanin kokat ulur.
Djali me pistoletë në dorë, i cili e mbante tytën e armës përpjetë më dha urdhër: “Hap dyqanin, shpejt“! Tek po hapja qepenin e dyqanit dhe derën e tij nuk ia ndaja sytë pistoletit vdekjeprurës, në dorën e një “banditi”. E nisa me qëndrim diplomatik dhe mendova ta vazhdoja po ashtu. E pyeta, me keqardhje, kriminelin: „Ç‘farë ka ndodhur që jeni kaq të pezmatuar“? Djali sikur u zbut nga kjo pyetje imja e nuk ngurroi të përgjigjej: „Kanë vrarë „x“- sin, në Memaliaj“! Vijova me opinionin tim : „Po ç’patën me të? Ai ishte djalë i mirë e nuk i binte njeriu në qafë“! Sikur ta njihja djalin e botës. Ai patjetër që ishte i ngatërruar në punë të pista. Trimi, e pikasi qëndrimin tim keqardhës, u zbut e u afrua, por pistoletën nuk e uli nga dora e unë vazhdoja të isha vrojtues vigjilent.
Rrëmbeva një çantë nga ato që përdorja për furnizim e i thashë “trimit”: Më ndihmo pak! Dhe vijova pyetjen: “Çfarë doni nga unë”? “Duam rroba për ta veshur xhenazen – tha ai“. Mbaje torbën, i thashë, me synimin hileqar që djali të vendoste pistoletin në xhep. Dhe nisa të futja në çantë rrobat që duheshin për të veshur një meit. Futa në çantë një kostum të zi; një këmishë të bardhë; një kollaro; një kanotjere; një palë të mbathura; një palë çorape; një palë këpucë; një shami xhepi, të bardhë dhe një rrip mesi. Para se të mbyllja zinxhirin e çantës, futa Brenda dhe një shishe nga ato të parfumit, plot. Të gjitha plaçkët që futa në çantë, ishin të reja. Pashë në fytyrën e vrerosur të “trimit” një shenjë kënaqësie. Duke dalë nga dyqani, „trimi“, m’u drejtua, me një zë sikur lutej; „Po ne nuk na ndodhen para, në dorë, që të bëjmë likujdimin e mallit! „Ik or Çun, i thashë, se nuk më mbeten paratë tek ju, mua dhe e përcolla deri tek makina. Ai, së bashku me mua, vuri çantën në bagazh, hyri në makinë e më përshëndeti kur u nisën. U çlirova nga një siklet i madh. Sikur hoqa nga supet malin e Shëndëllisë që më vështronte si një dëshmitar okular.
Ngjarje të tilla, „makabre“ kriminale, në vitin 1997, numëroheshin thuajse çdo ditë. Kriminelët, me poshtërsitë që bënin nuk kursenin asnjëri, madje as njerëzit e tyre më të afërt. Një mësim mund të nxjerrim nga historia: „I prapi, prapësitë i bën për veten e tij dhe „pas qafe e ka“; siç thonë në disa treva të vendit tonë. Mirë do të ishte, nëse mëkatet, që bën, çdo njeri ti paguajë vetë e mos tua lërë hipotekë të tjerëve.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, gjatë muajit mars 2021