…Vijojnë mbresat vetjake, nga viti i mallkuar 1997
(Nga ferrë e vogël, del lepur i madh)
Kuptimin e vërtetë të këtij slogani, do ta mësoni, pas pak.
Me një autocisternë që mbante rreth 30.000 litra naftë, e cila vinte nga fqinji i Jugut rrugëtoja, nga Tepelena, në Tiranë. Autocisternën e guidonte kunati i madh; Agron Tahir Ilirjani (ndjesë pastë). Në kabinë, përveç meje, rrugëtonte dhe djali i vetëm i Agronit, me moshë rreth 12 vjeç. Agroni nuk e ndante nga vetja të birin, të cilit, Ai donte ti mësonte profesionin e nderuar të shoferit dhe, njëkohësisht e monitoronte. Rruga na shkoi mbarë. Pas kalimit të qytetit të fierit, deri në qytetin e Lushnjes, hapësirën e kontrollonte policia (ashtu siç ishte), e ne nuk e kishim merakun se mos na dilnin në rrugë bandat grabitqare, të cilat plaçkitnin e vinin gjoba. Në segmentin rrugor Tepelenë – Fier, Agronin e njihnin e i hiqnin kapelen, si vendasit dhe gjobëvënësit. Ata e njihnin Agronin, si djalë azgan, çapkën e trim dhe si instruktor dinjitoz i shumë djemve, të cilëve u kish dhënë zanatin e preferuar të shoferit. Edhe në qytetin e Lushnjes e në rrethina, policia i kish të evidencuar pjesëtarët e bandave që merreshin me pisllëqe e i kishte nën kontroll.
Duket e pabesueshme pas kaq vitesh, kur gjërat, me apo pa qëllim tjetërsohen, falsifikohen e interpretohen sipas dëshirave dhe interesave të njerëzve. Por, pikërisht, kur ishim duke kaluar hekurudhën, për ti lënë shëndetin qytetit të Lushnjes, na ngjau ajo që nuk e pritnim; një burrë, me moshë e me shtat mesatar, me qime të kuqërremta, puçranjos në fytyrë, pa kapele, me pistoletë në dorë, të drejtuar nga shoferi i autocisternës, bëri shenjë për të hapur krahun e për të fikur motorrin e mjetit. Disa metra më tej, nën hijen e një pishe të re, qëndronte një njeri, i ngjallur, me automatik kallashnikov, në gjoks. Boluçi ishte bërë qull, nga vapa; djersa i kishte dalë mbi bluzë, rremba – rremba. Puçranjosi u afrua tek xhami i shoferit e i tha Agronit: “Gjobën”! Dhe nuk e largonte tytën e pistoletit nga autocisterna. E ndjeva rrezikun që na kanosej. Mendova për jetën tonë, por dhe për paratë që kisha me vete, të cilat, nuk ishin të pakta. Djali i Agronit, e konceptonte e nuk e konceptonte rrezikun vërtetë. Në dorë kisha, një granatë dore. I bëra shenjë kunatit, në kuptimin që tja hidhja granatën e dorës gjobëvënësit. Mos, o gomar, tha Agroni me zë të ulët aq sa mos të dëgjonte puçranjosi, po ne rrugëtojmë me një autocisternë, e cila ka brenda rreth 3 tonë naftë. Do të na përpinte flaka e nga djegja e naftës, do të shkaktohej një zjarr i madh, në qytet. E dëgjova e u binda. Adoleshenti, po lëvizte e donte ti vinte në ndihmë të Atit. Ku ta dinte Ai se ishte ulur mbi një sasi të madhe granatash dore. Po ta dinte këtë, Ai, mesiguri që do të rrëmbente ndonjë granatë e tja lëshonte puçranjosit.
Komunikoi Agroni, me gjobëvënësin. Në esencë, shoferi i tha “banditit”: “Çfarë gjobë më kërkon mua? Unë jam argat, si ti dhe në xhep kam para sa për bukë”! Nxorri nga xhepi një kartmonedhë 500 lekëshe, të re e ia drejtoi kuqos. “Merre, këtë që kam, mbaj atë që të takon dhe pjesën tjetër, ma kthe mua që të ha diçka, në rrogozhinë“! Po ku ngopej pritmëria që kishte puçranjosi, nga ai aksion gjahu. Kuqua, e mori kartmonedhën, fërkoi mjekrën me të, diçka belbëzoi nëpër dhëmbë. Dëgjuam vetëm fjalët: „Zoti ti shtoftë„ ! dhe e futi atë në xhep. Pasi mori „gjobën“, ai urdhëroi lëshimin e motorrit dhe lëvizjen përpara, për të dalë në rrugën automobilistike kombëtare.
E kisha parë dhe më parë atë fytyrë të pështirë, të cilën e mbajta mend, nga qimet e kuqe dhe nga puçrat në fytyrë. Kohë më parë, kur shkoja nga Tirana, në Tepelenë, me një furgon plot me metrazhe, ky birbua, në atë kohë në cilësinë e policit (sot e kishte hequr kapelen), më ndaloi e më gjobiti me 500 lekë, mbasi nuk kisha faturë me TVSH. Sot, qyqari në pangopësinë e tij prej lypsari (kështu ishin katandisur policët, kërkonin 200 lekë, për të pirë një birrë) kishte dalë si gjobëvënës, për llogarinë e tij.
Vazhduam rrugëtimin; në Rrogozhinë, ndaluam për të pirë një kafe, tek një kafeteri, e cila menaxhohej nga një grua tepelenase. Më pas vijuam rrugën për në Tiranë. Agroni, shkarkoi naftën e u kthye në Tepelenë, po atë ditë. Në kthim, mbasi kish kaluar qytetin e Lushnjes, ai burri i ngjallur, me automatik në gjoks, i cili mbështeste puçranjosin në atë aksion mjeran e kriminal, i doli përpara, e ndaloi dhe e pyeti: „Nga të kemi or trim“? Nga Tepelena.gjegji shoferi i autobotit, tashmë me cisternin dhe me xhepat bosh. “Po, edhe unë, Andej jam, tha boluçi; jam nga Vasjari.
Ai, duke u përpjekur për ta afruar Agronin, donte ti bënte një nder, si patriot. „Nëse në rajonin e Lushnes dhe të Fierit (në Veri të Semanit, do të të dalë njeri për të grabitur, thuaji emrin tim dhe do të të lirojnë menjëherë“. Siç mund ta merrni me mend, boluçi ishte njëri nga krerët e bandave gjobëvënës të cilit i dëgjohej fjala, në radhët e banditëve.
Kështu përfundoi kjo aventurë e cila ngjante me një ëndërr të keqe. Pas kaq vitesh, ngjarja mund të komentohet e të interpretohet, sipas mendimit aktual e sipas interesave të pashmangshme të sejcilit, por ju siguroj në vërtetësinë e atyre që kam shkruar.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 4 – 6 mars 2021.