Vijojnë mbresat vetjake nga viti i Zi 1997 (Krimi dhe makabriteti nuk ishin vetëm në rrugë, por kudo)
Pa bërë atë që di vetëm të qahet, me qëllimin e mundshëm për të qenë në qendër të vëmendjes apo të makabritetit, kujtoj një rast, i cili, për nga rrezikshmëria kishte shtrirje në të gjithë vendin e se nuk besoj të ketë ngjarë vetëm me mua.
Me shumë mundim e me sakrifica, jo vetëm të mijat, arrita të organizoja një biznes të vogël por me fitim jo të vogël, ku u punësuan e u ushqyen dy familje: Njëra në Tepelenë; tjetra në Tiranë. Pa nxjerrë gjoksin, mund të them se në muajin qershor të vitit 1977 në të gjithë rrethin e Tepelenës, vetëm biznesi ynë, pagoi taksat, në shtet. Biznesi ynë ishte nga më të furnizuarit dhe në ata kushte, mallin e kishte të shitur, me siguri. Punoja në dyqan edhe vetë, sidomos në orët e para të ditës, por kisha një garanci të fortë: vlerat dhe autoritetin e familjes Ilirjani dhe respektin që gëzonte në Tepelenë e në rrethina, figura e Tahirit. Po ju sjell në vëmendje një dukuri, me shumë raste brenda:
Ishte koha kur djem të rinj, të cilët punonin në greqi, kryesisht në sektorin e bujqësisë, si argatë, shkonin e vinin në vendet e punës dhe fitonin, me punë të ndershme, para, për të plotësuar disa nevoja të familjes së tyre. Ata, në cilësinë e refugjatit, ktheheshin pranë familjeve kur plotësonin objektivat që i kishin vënë vetes. E dinin dyqanin dhe zinin derën, herët, në mëngjes, mbasi rrugëtonin natën dhe mjeti i transportimit (autobusi) i sillte në Tepelenë që në mëngjes. Siç ishin, me zhele, të pa larë e të pandërruar, të paqethur e të parruar, të mbathur me lepitka apo me sandale, siç punonin në arë, nuk donin të ktheheshin në fshat e ti vështronin të tjerët, ashtu, si gjynahqarë, ishin dhe në moshë të re synonin të çiftoseshin, prandaj kërkonin tesha të reja që të ngjanin si kurbetlinj. Me logjikën dhe me mentalitetin e tregtarit, kur furnizoja dyqanin me mallra, nga Tirana, mbaja parasysh kërkesat e veçanta të djemve refugjatë. Sapo isha kthyer nga furnizimi dhe kisha mall që u përshtatej djemve. Ata, me kënaqësi blinin një xhup; një palë xhinse; një palë atlete; një triko; këmishë; kapele; çorape; rrip mesi dhe një thikë çobani, me këllëf, për ta ngjeshur në brez. Si rregull, ata, për tu veshur e për tu ngjeshur, shpenzonin rreth 500- 600 dhrahmi. Kësisoj, ne fitonim diçka dhe djemtë largoheshin nga dyqani, të lumturuar e të kapardisur.
Një ditë, në dyqan më erdhi një çift të rinjsh. Si vajza dhe djali ishin shtatlartë, të veshur mirë, të pashëm e shëndetplotë. Vajza i kishte flokët të verdhë, sytë i kishte bojëqielli e ishte shumë simpatike. Ajo e fliste Gjuhën Shqipe, gjysma-gjysma e me akcent grek. Djali, një fshatar i paqytetëruar ishte i egër në të parë dhe kokoroç, në sjellje. Ai ishte martuar me një vajzë greke dhe e kishte prurë në Shqipëri për të soditur bukuritë e fshatit shqiptar dhe ashpërsinë e maleve tona. Me këtë martesë dhe me veprimin që pasoi, djali, ndoshta synonte t’u dëftonte bashkëfshatarëve dhe të tijeve, „sa i zoti ishte e çfarë mund të bënte, „birbua“. Ai ishte i armatosur, rëndë ndonëse me armë të lehta. Në brez mbante dy pistoleta, me këllëfe të hapët, gati për të vepruar. Kishte të varura dhe dy granata dore, me sigureca të montuara, të cilat kishin ca llokma të dukshme. Granatat e dorës ishin difensive (mbrojtëse) rrezja e veprimit të të cilave është rreth 200m.
Ishte herët, në mëngjes e, si rregull, në këto orë shërbeja vetë, në dyqan. Çifti „bëri këmbë“ (hyri në dyqan i pari dhe unë thashë, me bindje, mirëseerdhët, paçi fat. Besoja në këtë besëtytni të kotë. Djali donte ti bënte qejfin të fejuarës por dhe të dukej trim, në sy të saj. Ai kërkoi xhinse, për të dashurën. Ato ditë kisha bërë furnizimin nga Tirana, me mall, prandaj, serbes, i nxorra disa NGJYRA E NJË SERI MASASH, MBI BANAK. Më zuri syri një koli me xhinse të bardha, ia prezantova çiftit dhe shtova, për të përforcuar reklamën e mallit, siç veprojnë rëndom tregtarët.
„Trimit“ i hipën xhindet nga fjalët e mija e m’u drejtua me egërsi: „Kujt i thua ti se janë italiane“?
Ne e njohim mallin italian, prandaj mbylle gojën e mos fol fare; mi bëke dhëmbët si të çakallit“- dhe vuri dorën në brez; atje ku ishte pistoleti. U ndjeva keq. Bo; bo – mendova; tani e pagova qeraxhinë“! Hodha sytë tek automatiku “kallashnikov”, me fishekë në gojë e në sigurecë, i cili m’u duk i largët, shumë i largët, aq sa nuk mund ta arrija, për të bërë zap egërsirën që më ra në pjesë atë ditë. “Trimi ishte më i ri e me një të shkrepur të pistoletit, mbaronte punë me mua. Rasti ishte tepër i vështirë e koha nuk premtonte. Një fat, nuk e kuptova se nga më erdhi, m’u gjend në ato çaste kritike. E dashura iu drejtua “bishës” me fjalët, në greqisht: “Pame na figume”, që, siç duket kanë kuptimin: ikim! Dolën, të dy nga dyqani, e unë, kur ata zbritën shkallët, u mbusha me frymë. I thashë vetes: Shpëtove, se do të kishe ikur për lesh”!
“Shpëtova”!
Pas disa minutash, në distancë rreth 30 m. më sipër, dëgjova një krismë pistoleti. “Egërsira”, në trotuar kishte vënë re një adoleshent që po luante me bashkëmoshatarët dhe qeshte. “Birbua” për tu dukur trim përpara të dashurës, nxorri pistoletin dhe qëlloi mbi fëmijën, duke e lënë atë të vdekur. Viktima ishte nga fshati Damës; Ai kishte ardhur në Tepelenë, për punët e tij e nuk kishte lidhje fare, me çiftin, madje asqë i njihte ata. Qytetarët u lebetitën nga ky krim i shëmtuar e pa shkak. „Egërsira“ i mori jetën një fëmijë të parritur e të pambrojtur. Thanë se „birbua“ është me të meta mendore. Kjo vihej re hapët, nga sjellja dhe nga çarja e mendimeve, kur donte të thosh diçka. Thanë se, në Gjirokastër, kur pinte kafe me serën e tij, ishte shprehur: „Si nuk po gjendet një njeri që të më vrasë mua“? Gjithashtu, dëgjova se policia e ndiqte, për ta kapur e për ta prangosur, si kriminel i regjur. „Trimi“, për ti shpëtuar policisë, kishte vajtur në një stan, në malin e Këndrevicës, ku e zbuluan dhe e asgjësuan, me ndihmën e helikopterit. E gjeti më në fund atë që kërkonte krimineli kokëbosh!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj. Në Tiranë, më 1 mars 2021