Niazi Nelaj

Shkrime

Barra e rëndë e votës. (Vëzhgim në ditën e zgjedhjeve parlamentare)

25 prill 2021 · 2 min lexim

Një fije letër është fleta e votimit por, peshën e ka të rëndë. Ajo mban brenda një përgjegjësi të madhe, me vlera historike. Ka brenda dhe mjaft dilema. Dilema kryesore është: "Për kë të votoj?", d.m.th.: "Kë të bëj mik?"

Që në mëngjes, duke ndjekur njoftimet në televizor, vura re një gjë tepër interesante. Dita e zgjedhjeve, është ditë gëzimi e duhet të kthehet në festë popullore. Në festë njerëzit janë të qeshur, u shkëlqejnë sytë e u ndrin cehreja.

Vajzat që transmetojnë kronikat, nxinin e sterronin. Sikur të ishim në ditë "zie". Përse ngjan kështu?

Dola në rrugë, Tirana m'u duk e shkretë. Në rrugë pashë njerëz të kërrusur që mezi hidhnin çapet e rëndë. M'u dhimbs kryeqyteti ku banoj prej më se 1/2 shekulli. Nuk e kisha parë kurrë kështu.

Dola, apostafat për të parë lulishten tek vëllezërit Frashëri, e cila u përurua dje. Bukur, fort! E bukura flet vetë. Druaj se mjedisi shkëlqente, për shkak të përurimit, sot është e djele e njerëzit vrapojnë tek kutitë e votimit; nesër do të vështrojmë fara, letra, gjurmë këmbësh mbi stolat e rinj, të lyer me llak.

Eca më tej, atje ku janë mbjellë qershi japoneze, të cilat kanë çelur me një bukuri të rrallë; një pensionist, i vetmuar, i ulur në një stol, mendohej thellë. Me siguri që qante kohën kur ka qenë i ri dhe e bluante meraku i zgjedhjeve.

Rrugës përqark liqenit të Tiranës, më zuri syri një çift të ri, të kapur dorë për dorë. Shyqyr thashë, më në fund.

E kështu, vijon kjo ditë, e cila ishte me diell, e ngrohtë dhe me shumë shkëlqim. Megjithatë festë nuk pashë e nuk po ndjej as tani, në mbrëmje. Përse të jetë kështu?

Jemi nga popujt më të lashtë të kontinentit, kultura nuk na mungon; tolerancën e njohim, ashtu si dashamirësinë për tjetrin.

Zgjedhjet do t’i fitojë ai që i meriton e ai që do t’ia japë timonin populli. Ai është sovrani, të tjerët duhet të jenë në shërbimin e tij e jo të privilegjeve që rrjedhin nga kolltuku i deputetit.

Mendoj se duhet ta vështrojmë shokun jo si armik por si vëlla e mik. Natën dhe numërim të votave paqësisht, ashtu si sjellje dinjitoze, pas shpalljes së fituesit.

Jemi në zemër të Europës, e duhet të sillemi si Europianë, me njëri-tjetrin. Shqipëria, këtu ka qenë e këtu do të jetë, në jetë të jetëve; individët, cilëtdo qofshin janë kalimtarë.

Natën e mirë dhe uroj relaks!

← Të gjitha shkrimet