Ngjan si kuiz por nuk është tamam i tillë
Kujtoj shoqet dhe shokët e Shkollës së Mesme Bujqësore "Irakli Terova" në Korçë, shkollë, e cila na rriti e na formoi me njohuritë e kohës, si njerëz e si qytetarë të devotshëm. Shkollën e nisa në degën e veterinarisë; e vazhdova për agrozootekni dhe e përfundova shkollën e mesme, për teknik frutash.
Shoqet dhe shokët e klasës dhe të shkollës ishin nga treva të ndryshme të vendit; nga lumi i Shkumbinit e në jug. Në klasë kishte nxënëse dhe nxënës nga Korça qytet dhe nga rrethinat dhe nga rrethi i Kolonjës, kishte nxënës, thuajse nga çdo fshat. Kështu dhe nga fshatrat e Luginës së Devollit të cilët, në atë kohë ishin në juridiksionin e rrethit të Korçës.
Ndër nxënësit e klasës dhe të shkollës, pogradecarët ishin të veçantë e mund t'i veçoje me lehtësi nga neve që vinim nga fshati. Elbasanas; vlonjatë; tepelenas; përmetarë; gjirokastritë dhe nga rrethi i Sarandës vajza e djem të shkathët e të zhurmshëm bënin që klasat dhe shkolla të gumëzhinin nga zërat e tyre fëmijërorë.
Në klasa e në shkollë kishim një unitet shokësh, për t'u pasur zili. Nuk kishim shoqëri të sëmurë; as për interesa meskine, por ishim si një bllok betoni që nuk çahet lehtë.
Në raportet gjinore shquheshim për ndershmëri. Vajzat e klasës e ato të shkollës, i trajtonim si motra. Kur ndonjë djalë me prirje të shthurura, ngacmonte ndonjërën nga vajzat e klasës apo të shkollës, i suleshim të gjithë dhe e bënim të ndihej keq.
Pas përfundimit të shkollës së mesme u shpërndamë e nuk u pamë për shumë kohë. Megjithatë, marrëdhëniet mes shokësh nuk njihnin shenjë barazimi. Disa shokë i kisha më të afërt e disa të tjerë më të distancuar. Por, dashuria për njëri-tjetrin vlonte në gji; ajo e mbante gjallë kujtimin.
Ndoshta kemi të bëjmë me një veçori të moshës, por, ndonjërin e kam kërkuar, gjatë gjithë jetës e nuk i jam ndarë, derisa ia dëgjova zërin.
Shokun tim të mirë; Xhoxhin e Çomkajve, nga fshati Hoçisht i rrethit të Korçës, nuk mund ta largoja kurrsesi, nga mendja dhe nga zemra. Xhoxhin e ruaj në kujtesë, ashtu siç ishte akoma i parritur: Të urtë; të dashur; të respektuar; pa llafe, i ndjeshëm por nuk ngatërrohej me njeri; i mëndafshtë, i pashëm; një djalë i sjellshëm, me edukatë të shëndoshë dhe me kulturë.
Nuk i ndihej zëri, Xhoxhit, si në klasë dhe në shkollë. Mësonte shumë shoku im e nuk i shkelte asnjëriu në sinorin e tij. Jorgo Çomka është nga ata njerëz, për të cilët të merr malli.
Hoçishti, vërtet është fshat, por njëri nga fshatrat më të qytetëruar të rrethit të Korçës. Ai numëron dhjetë kisha, të cilat kanë ndikuar pozitivisht, në edukimin e njerëzve.
Në vite, djemtë korçarë, me prirje e me kërkesa të veçanta, kur bëheshin për t'u çiftosur, merrnin udhën e shkonin në Hoçisht për të zgjedhur për nuse, njërën nga bukuroshet e fshatit Hoçisht. Të jem i drejtë, më duhet të pohoj se edhe djemtë nga Hoçishti nuk mbeteshin pas.
Xhoxhin nga Hoçishti, ashtu si dhe shokë të tjerë, i kontaktova me telefon, pas shumë vitesh ndarjeje fizike me ta. Kanë kaluar gati 70 vjet që kur jemi ndarë. Një jetë e tërë. Shumë gjëra kanë ndryshuar, tek ne. Sidomos zëri, tashmë është tjetër dhe vështirë ta njohësh shokun nga zëri, pas shumë vitesh. Vijon pjesa e dytë e rrëfimit...
Vijon pjesa e dytë e rrëfimit...
Pas vështirësive që hasa për të gjetur numrin e celularit të Xhoxhit, e telefonova. Nuk u prezantova e nuk e zbulova identitetin tim që në nisje të bisedës. E lashë gjënë në rrjedhje të lirë. Ndaj ngjan si kuiz.
E pyeta e për çfarë nuk e pyeta, shokun tim. Ose, siç ka thënë dikur populli ynë; e pyeta për rrënjë e për dhëmballë.
"Po prej nga je", më tha shoku, "mirë që nuk më prezantohesh sipas rregullit?"
"Jam nga Babani", i thashë, dhe shtova: "Ne babanarët e kemi lyer xhaminë me gjizë, siç na gënjyen kolonjarët dhe na u mblodhën mizat..."
"Jo", u përgjigj shoku im, "babanarët janë njerëz të zgjuar"...
Si për të argumentuar thënien time, i sajova një ndodhi, e cila mund të jetë e vërtetë, por që nuk më ka ndodhur mua. Ishte për të qeshur dhe qeshëm, të dy.
E pyeta Xhoxhin: "Ku e ke kryer shkollën e mesme, kur, çfarë shkollë ke kryer dhe a i mban mend shoqet dhe shokët e klasës?" Ai u përgjigj saktë dhe pa mërzi. Është i duruar shoku im.
Pastaj e pyeta, për disa toponime si, për Çardhakun; për Gurin e Capit; për Vlanicën etj. dhe për disa hoçishtara, me emër.
Ai më pyeti sërish: "More, po nga je që i ditke kaq mirë këto anë?" E pyesja e më pyeste, por nuk po më njihte akoma.
E solli hera dhe e pyeta për disa objekte e rrugica të qytetit të Korçës. "Mos je korçar, bre?", tha Xhoxhi.
Kur e pyeta për disa mësues tanët, si për drejtorin e shkollës: Vangjel Rikashi; për mësuesit, vëllezërit Duro, prej Drenovës; për Kicken që na jepte letërsi, për Kico Metaksane, që na jepte matematikën dhe fizikën; për Maqo Prodanin që drejtonte përgatitjen tonë fizike etj, vura re se Xhoxhi u trondit seriozisht.
Pastaj e pyeta për shokët e klasës dhe i kujtova më të gjatin e shkollës - Bardhyl Kozma Lubonjën dhe për të tjerë shokë e shoqe.
"Ehu", tha shoku im, "Bardhi dhe një Njazi, nga Këlcyra, e braktisën zanatin dhe morën udhët e qiellit".
Nuk m'u durua e i thashë: "Unë jam ai Njaziu, por nuk jam nga Këlcyra por nga Kalivaçi i Tepelenës".
"Po ti fol, o i uruar", shpërtheu shoku im i fëmijërisë, më kujtoi një novkë, me të cilën më drejtoheshin shoqet dhe shokët e klasës.
Folëm gjatë, atë ditë, folëm dhe disa herë të tjera, por, tashmë shoku im e njihte zërin tim.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 8.10.2025