Si e gjeta Nunushin?
Mos mendoni se më kishte humbur shoku im i klasës së tetë, të nëntë, të dhjetë e të njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë. Kishim kohë që nuk ishim parë. Në vitet '50-të, kur u çel Teknikumi Bujqësor "Irakli Terova", në Korçë, vërshuan mjaft djem e vajza nga qyteti buzë Gjolit të Poradecit. Ata vijonin mësimet në degë të ndryshme, si, veterinari; zootekni; agronomi; agro-zootekni dhe frutikulturë. Poradecarët nga qyteti buzë liqenit shquheshin për bukuri fizike e shpirtërore; për edukatë e sjellje qytetare dhe për shkathtësi.
Zana Agolli, e cila mësoi agronomi ishte një "zanë" e vërtetë4. Vëllezërit Perent e Fatmir Olli u jepnin tonin veprimtarive kulturore dhe sportive të shkollës. Gjokë Jovani ishte mbrojtës i pakalueshëm, kurse kushëriri i Tij, Virgjili, ishte njëri nga sulmuesit, të cilit nuk ia merrje lehtë topin. Zihniu i Hoxhallarëve, i cili ishte shtatlartë e muskuloz, na gjendej në mbrojtje sa herë na kanosej rreziku. Kishte dhe plot të tjerë si Tanush Zgjani; Mendu Kadilli; Isa Mani etj. etj; të cilët ishin të afrueshëm me shokët dhe të paqtë.
Nunushin (kështu i thonim me përkëdheli Novruz Barutit) e kisha, jo vetëm shok klase e ishte i përparuar në mësime, por ishte dhe një "gardian" i sigurt në portë. Nunushit symprehtë e akrobat, ishte e vështirë t’i shënoje gol.
Kujtoj kohën kur luanim me topa llastiku, në një fushë fare të vogël, të shtruar me pluhur qymyri. Nunushi, më parë dilte nga mensa sa hynte në të. Ai hante në këmbë dhe shumë shpejt. Nxitonte se atë fushë me përmasa të kufizuara, kush e zinte i pari e shfrytëzonte për të luajtur. Të tjerët bënin sehir. Nunushi me një top llastiku në dorë, të cilin e përplaste, e zinte fushën, i pari.
Klasa ku bëja pjesë ishte nga më të mirat në shkollë, në lojën e futbollit. Nunushi, ishte i sigurt në portë; Xhemal Dauti, luante bukur në mesfushë e ne i thonim "Xhoda", e krahasonim me Xhevdet Shaqirin. Bukur luante dhe shoku ynë i klasës – Luan Duçja.
Në klasë kishim dhe Maksim Tuxharin, i cili luante centerforin, si balerin. Maksim Aliqemal Tuxhari, kur ishte ende adoleshent, luante futboll me ekipin e të rriturve të "Skënderbeut". Ai ishte jo vetëm futbollist cilësor, por dhe djalë i edukuar e me norma. Veçse kishte pak kohë të luante me ne mbasi mësonte shumë dhe ishte njëri nga "shembullorët" e shkollës.
Nuk shquhesha në lojërat me top; në sportet e rënda -po. Kur mungonte Nunushi, shokët, nga halli më futnin të ruaja portën, por unë shtrihesha mbasi kishte kaluar topi dhe shokët më thonin: "Ngjan me Esat Beliun". Kur dilte nevoja për të plotësuar sulmin, më futnin mua. Por, kur i bija topit, kot, më kot, shokët më krahasonin me Hamdi Bakalin ose me Gaqo Batallovinën.
Fund i pjesës së parë të rrëfimit...
Pjesa e dytë e rrëfimit:
... Pas gati 60 vitesh, kur isha në prag të të tetëdhjetave, shfrytëzova një vajtje për të kaluar pushimet në qytetin e bukur klimaterik të Poradecit, për të kërkuar e për të takuar Nunushin, shokun tim të viteve '50të. Një teke e të moshuarve kjo, nëse mund ta quajmë të tillë. Nunushi, është i biri i mësuesit të vjetër dhe të nderuar poradecar: Qamil Baruti. Qamili ka banuar buzë gjolit, në një vilë vetjake, e cila është shndërruar në një lulishte ku relaksohen të moshuarit dhe në një shëtitore të këndshme. Edhe Nunushi e bën jetën midis Poradecit dhe Amerikës.
Kërkimin e shokut tim e pata të vështirë për arsye se në Poradec, si në të gjithë vendin, në qytet, kanë zbritur, banorë të rinj. Prandaj është mjaft e vështirë të takosh një të njohur, rastësisht. Madje edhe organet kompetente, nuk e kanë të lehtë ta bëjnë këtë.
E nisa nga më e thjeshta, kërkimin. Pyeta, një për një të moshuarit që qëndronin të ulur, në stola: "A jeni poradecarë autoktonë, apo të ardhur?" Shumica dërrmuese ishin të ardhur. Kot t’i pyesja.
Vajta në Bashki, me mendimin se dikush do të më përgjigjej pozitivisht. Por u zhgënjeva keq. Në zyrën e gjendjes civile, një zonjë, me shumë edukatë e kulturë, mbasi shfletoi disa regjistra, më tha: "Nuk është qytetar i Poradecit!" Në fakt kishte një rrethanë penguese: Nunushi mbante dy mbiemra: Unë e njihja me mbiemrin Bariti, kurse ai dhe familjarët e tjerë të Tij, mbanin dhe mbiemrin Sulstarova.
Vajta në Seksionin e Arsimit me mendimin se babai i Nunushit- Qamili, kishte qenë mësues i nderuar dhe mbase do të gjeja identitetin e tij, në ndonjë regjistër. Një mesoburrë, më priti me nderime dhe me edukatë. Pyetjes sime, nuk iu përgjigj menjëherë. Ai shfletoi një regjistër, por identitetin që kërkova, nuk e gjeti. Për ta mbyllur bisedën, shtetari m’u ankua: "Unë shtatë vjet kam në këtë detyrë dhe akoma nuk ia kam marrë dorën!"
E mbajta vrapin, në Rajonin e Policisë. Një polic trupmadh që ishte në shërbim, edhe pse i thashë hallin që kisha, nuk ma vari fare, por u mor me një grua rome, të ngjallur e cila kishte 4-5 fëmijë e, siç duket kishin bërë ndonjë prapësi.
Halli u shtua. Vajta në zyrën e pensioneve, me mendimin se shoku im, kudo që të shkojë, një pension e merr dhe gjurmët, më mirë se në zyrën e pensioneve nuk kisha ku ta gjeja. Një zonjë e vërtetë, me moshë mesatare, u ngrit nga karrigja ku ishte ulur e me mirësjellje, më njoftoi: "Personi që kërkoni, e merr këtu, pensionin e pleqërisë, por ka tre muaj që nuk ka ardhur. Siç duket, mund të jetë jashtë shtetit."
Bisedën time me nëpunësen e shtetit e dëgjoi një burrë thatim, me moshë mesatare, i cili mbante në qafë një goxha trastë nga ato që mbajnë shpërndarësit e postës. Më bëri shenjë e unë iu afrova. "Shko tek një kioskë, pranë Rajonit të Policisë dhe kërko pronarin!" Ashtu bëra.
Në kioskë tregtonte një burrë i ngjallur, me moshë mbi mesatare. I thashë hallin dhe burri i panjohur, më tha: "Nunushi është vëllai im", dhe më dha numrin e celularit. U lidha në telefon me shokun tim; lamë takim e pimë kafe së bashku. Kujtuam e përgojuam. U kënaqëm në praninë e njëri-tjetrit.
Mua më ndodhi të kërkoja një poradecar dhe vendasit janë shumë bashkëpunues e të respektuar, në veçanti ndaj jabanxhinjve, por uroj të mos ndesheni me ndonjë kondrapedal në ndonjë qytet tjetër.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më o1; 10; 2025