Niazi Nelaj

Shkrime

Diskotekat tona

12 prill 2025 · 4 min lexim

Kohët kanë ndryshuar; tok me to edhe njerëzit. Krahasimet mbeten pa vlerë. Dukuri të reja, të papara më parë po përjetojmë. Zhvillimi është i gjithanshëm e nuk mund të mohohet. Atij nuk mund t’i vësh gardh; as nuk mund t’i përcaktosh kufij.

Por, jo çdo gjë që na duket si e re, është e tillë. Ndonjë dukuri, e cila nuk na përshtatet neve të moshës së “pjekur”, siç është përdorimi masiv i drogës, lakuriqësia etj. të cilat na parakalojnë, edhe pse i kemi inat e nuk na pëlqejnë, jemi të patakat për t’i bërë zap.

Dikur, në vitet e adoleshencës apo të rinisë tonë kur ishim të kufizuar në disa veprimtari, të cilat sot janë legale; gjithsesi mbijetuam e kemi qenë të kënaqur me veten tonë. Vështrojmë tërë këto lokale natë me emra nga më të ndryshmit dhe në gjuhë që nuk e kuptojmë dhe portierët, të veshur shik, të cilët vetëm që nuk të kapin për krahu, të luten të futesh brenda, kundrejt pagesës, për të bërë “qejf”. I them vetes, madje me zë të ulët që mos të më dëgjojnë: “Ku kemi qenë e ku jemi?” Më duhet të kujtoj, jo pa keqardhje por me vërtetësi ato kohë të vështira kur kufizimet ishin të shumta.

Një grup shokësh të Shkollës së Mesme Bujqësore “Irakli Terova”, të vetëquajtur “çapkënë”, rebeloheshim e “vidheshim” nga mësimi dhe dilnim një xhiro nga Kisha e Shëndëllisë për të bërë një çikë “qejf”. Po cili ishte “qejfi” ynë? Me kontribute të përbashkëta konviktorësh autorizonim njërin prej nesh për të blerë në hotel “Turizmi”, në fund të Bulevardit “Republika” një ose më tepër paketa me cigare “Diamant”, nga ato paketa, të cilat kishin të pikturuar një gamile me një kalorës arab mbi shpinë dhe një xhami mbi kuti. Kur nuk gjenim të tilla cigare, blinim një paketë Lux blu (natyrisht cigare pa filtër). Këto cigare, në atë kohë ishin duhani më i mirë në qarkullim.

E merrnim vrapin e shkonim nga kodrat, mbasi në atë mjedis e ndjenim veten më të sigurt dhe ishim larg syve të pedagogëve tanë, apo larg syve të ndonjë spiuni, nga ata zemërzinj që merreshin dhe me fëmijët si ne. Po të diktoheshim ose të na spiunonin se pinim cigare, pa asnjë mëdyshje, do të na thyhej një notë në sjellje, për rrugaçëri, e cila ishte një masë serioze dhe e rëndë për një nxënës. Nuk “pinte ujë” as rekomandimi që më kishte bërë Dr. Kaculini për të pirë disa cigare në ditë, me qëllim që të forcohej mukoza e hundës në njërën vrimë të saj.

Në fshehtësi, shoqërisht tymosnim, me qejf cigaren dhe ky ishte “qejfi” ynë i asaj dite. Shokët i kishim të besës dhe asnjëri nuk e mësoi “bazën” tonë ku bënim prapësira.

Në njësitin tonë të “çamarrokëve” kishte konviktorë dhe nxënës të jashtëm. Shokë të ngushtë dhe të besës ishin: Përparim Kodra, nga fshati Velitern i rrethit të Korçës; Qerim Muskaj, nga fshati Pirg i të njëjtit rreth; Gëzim Kuqo, prej Korçe; Bardhyl Lubonja, po prej Korçe e të tjerë. Të gjithë dashamirës të letërsisë dhe të thekur për pak liri.

Kishim dhe një kënaqësi tjetër: Ishim të thekur pas letërsisë. Në qytetin e Korçës, aso kohe funksiononte një Bibliotekë, dhuratë e filantropit Thoma Turtulli, me disa mjedise të përshtatshme për të lexuar, ku ishte metodiste një vajzë për kokën e vajzës- Kostaqja e ditur dhe e sjellshme. Mjaltë e kishte fjalën Kostaqja, të cilën nuk mund ta harroj për atë që ka bërë për mua. (Më ka futur në hullinë e leximit).

Bëhesha me krahë, kur vështroja të hynin në Bibliotekë, mjaft femra të moshuara korçare, të veshura shik e me kapele republike në kokë; me ca libra me format të madh nën sqetull e me sjellje të mëndafshtë, zinin një vend e lexonin librat që kishin me vete. Në Bibliotekë, në një kthinë të veçantë lexonte dhe studionte Profesor Spiro Konda.

Mirëpo në Bibliotekë dhe në qarkullim, disa libra të ashtuquajtur “libra të verdhë” siç ishin: “Ura e Psherëtimave”; “Kompania e Bretkosave”; “Harku i Triumfit”; “Sikur të isha djalë” etj. Madje edhe romani disavëllimësh: “Konti i Montekristos” në atë kohë ishte libër i rezervuar.

Kishim 2 shanse njëherazi: Vendin e fshehtë, guvën prej gëmushe diku në Perëndim të Kishës e kishim; Numri i shokëve ishte po ai dhe njëri nga shokët tanë të klasës, Maksim Tuxhari, i biri i Aliqemal Tuxharit, në familje dispononte një bibliotekë të pasur, dhe me libra nga ata që na ngacmonin kureshtjen e fëmijës. Vetë Maksi nuk bënte pjesë në grupin e “çapkënëve” e nuk merrej me lexime jashtëshkollore, por ishte i angazhuar me mësimet dhe me futbollin. Në të dyja disiplinat, Maksi ishte i “shkëlqyer”!

Po si lexonim tërë ata djem? Librat na i lexonte shtatlarti Gëzim Kuqo, i cili kishte diksion të fortë e të qartë dhe ishte më i besuari i Maksit.

Në këtë gëmushë nuk vinim çdo ditë por kur “Vidheshim” nga mësimi. Interesante ishte se, secili nga ne, mbante mend ku e kishim lënë leximin në radhën paraardhëse. Librat nuk na besoheshin neve që ishim konviktorë, mbasi ne ishim vazhdimisht të monitoruar dhe njëri nga kujdestarët e konviktit, një burrë i gjatë, me një kapotë të errët, të gjatë deri në fund të këmbëve, përflitej si njeri i policisë.

Këto ishin diskotekat tona. Kufizimet tona ishin pikërisht në një kohë kur, energjitë tona, ishin në shpërthim dhe kishim nevojë për pak liri.

← Të gjitha shkrimet