Niazi Nelaj

Shkrime

Me opinga llastiku

11 prill 2025 · 4 min lexim

Nxënësit e vitit të parë të Teknikumit Bujqësor "Irakli Terova" të Korçës mblidheshin në Korçë, nga disa rrethe të Shqipërisë së Jugut. Vajta në kohën e duhur dhe E shtatori i vitit 1955, më gjeti të gatshëm për të nisur vitin e ri shkollor. Të tjerë bashkënxënës, të cilët vinin nga rrethe si ai i Sarandës; i Gjirokastrës; i Përmetit; e nga rrethi i Vlorës e ai i Elbasanit, madje dhe nga rrethi i Kolonjës e ai i Poradecit, të cilët ishin më të afërm si distancë, erdhën 2-3 ditë, me vonesë.

Nxënësit që vinin nga fshatrat e rrethit të Korçës, si ata të fushës dhe të malësisë, si "agallarë" që u thonin qytetarët e Korçës vinin në shkollë, me nge. Ose nuk u pëlqente profesioni që do të merrnin në shkollë, ose familjet donin t’i kishin në shtëpi edhe disa ditë më tepër. Mësimi i rregullt nisi rreth datës 4 shtator 1955, kur në shkollë u mblodhën shumica e nxënësve.

Nxënësit nga qyteti i Korçës, ishin në shkollë dhe të gatshëm, qysh më 1 shtator 1955. Irene Meria; Maksim Tuxhari; Bardhyl Lubonja; Gëzim Kuqo; Vaso Boci; Jovan Kacorri; Pandi Çiçi e Pandi Gaçe, nga Drenova etj ishin të pranishëm në Shkollë që në ditën e parë të saj, por nuk mund të niste mësimi mbasi nuk plotësohej numri i nxënësve.

Derisa të niste mësimi i rregullt, ne që kishim ardhur në shkollë, na çonin në fermë, e cila, aso kohë ishte ekonomi ndihmëse e shkollës dhe shërbente kryesisht për të marrë njohuritë praktikë. Nën drejtimin e pedagogut Gaqo Duro, nga Drenova e Korçës, grumbullonim kashtën e të lashtave dhe bykun e shirjes së tyre, plot me hala të hidhëta. Si i thonë fjalës: "Sa për t’u gjetur Kola në punë!"

Me ndonjë "shok" të zënë aty për aty "vidhesha" nga kjo punë dhe bëja shëtitje nëpër qytet, për të mësuar rrugicat e tij ose dilnim një xhiro, deri në fund të bahçes me mollë të ëmbla të Tenit shpirtmirë. Rrugët e qytetit, m’i mësoi kolonjari Agim Refat Ismaili, i cili ishte një vit më lart. Më pas, Agimi m’u bë shok i afërt i jetës ushtarake, deri më sot, kur të dy përcjellim moshën e tretë.

Një ditë, para se të nisnim mësimin e rregullt, në konvikt erdhi një djalë, i moshës sime, nga fshatrat e malësisë së Dardhës. Ai ishte i lartë në shtat, me flokë të drejtë, e si gjemba, gjysmë biond, me veshje, baritje e me qasje tipike prej fshatari. Kishte blerë e kishte veshur një palë bollka të reja gri dhe një këmishë të bardhë me vija, me krahë të shkurtër. Nuk kishte zbritur në qytet, asnjëherë në jetën e Tij. Ishte lërë e ishte rritur në fshatin e tij, pranë prindërve.

Më trokiti "fati në derë". Më jepej shansi t’i mësoja rrugët e Korçës për të shlyer në njëfarë mënyrë detyrimin që i kisha shokut tim Agimit. Kësisoj, u bëra, udhërrëfyes, por nuk i shisja mend të paditurit.

E nisëm rrugëtimin udhërrëfyes, nga Banka e Shtetit; kaluam nëpër Bulevardin "Gjergj Kastrioti" u kthyem në Bulevardin "Republika", i dëftova, në distancë Bibliotekën e qytetit, vend që më pas u bë "foleja" ime e pre4feruar, pamë kinemanë: "Morava" e i sugjerova se më parë (para çlirimit të vendit) ajo quhej: "Sinema Majestik" dhe morëm rrugën për të dalë tek "Ushtari i Panjohur" i cili personifikonte luftëtarin e shquar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të trojeve amtare: Nexhi Benja.

Kur merr kthesën, djathtas për të dalë në Bulevardin përpara shtatores, në qoshe ishte, një dyqankë, me sende ushqimore. Në atë dyqankë shitëse ishte Eftalia nga Leskoviku, një grua e pakët nga shtati, por "flutur" dhe "flori" nga shpirti! Nuk blemë ushqime mbasi nënat na kishin nisur me vete por vumë re se aty shiteshin dhe akullore, me kaush.

Djali që shoqëroja, nuk kishte provuar në jetën e tij të hante akullore dhe e kullufiti të gjithë njëherësh, madje me gjithë kaush. E plevitosi të gjorin, diçka murmuriti, nemi apo shau nëpër dhëmbë dhe e hodhi akulloren për tokë. Dolëm përjashta. Djali disi i skuqur në fytyrë, nga turpi.

Në trotuar një burrë me ngjyrë, llustronte këpucët e kalimtarëve. "Shoku" im i ri, mbasi u ul në karrigen bosh i tha kurbatit: "Lyemi me bojë të zezë këto jopingat pej llastiku!" "Jo, bre", gjegji kurbati: "Unë t’i lyej se paracka dua, por boja nuku mban mbi llastikun e makinave!" "Lyeji; lyeji!", tha me kokëfortësi e me ton urdhërues djali.

I lyeu kurbati por, sa bëmë udhën deri në konvikt, e cila nuku është shumë e gjatë, boja e zezë doli nga jopingat dhe ato u bënë larushe. Xha Shyqyriu nga malësitë e Gjergjevicës, kur vajtëm e i thamë se do të jemi konviktorë, nuk na solli pengesë.

Më pas, kur kishim bërë gati tre vite shkollë, e u zumë shokë pej vërteti, një ditë dimri, së bashku morëm udhën e malit e u ngjitëm në fshatin e Tij, në Çete, ku qëndrova, në familjen e Tij, rreth 10 ditë. Shoqëria na vate mbarë!

← Të gjitha shkrimet