Monopateve, në udhën për në fshatin Çetë (Kujtime nga Korça e vitit 1957-1958)
Në vitin 1957 -1958, madje dhe më pas infrastruktura rrugore e rrethit të Korçës si e gjithë vendit nuk ishte si ajo që është aktualisht. Fshatarët e trevës së Korçës, në veçanti ata të zonave malore, për të zbritur në qytet, çapiteshin me zamet me kilometra të tërë, në këmbë, ditën e natën, në kohë të mirë e kur binte llohë, duke përshkuar monopate e rrëpira, nëpër kalvarin e lodhjes e në prani të rreziqeve.
Në hyrje të vitit 1958 u nisa për një udhëtim jo turistik për në fshatin Çetë të rrethit të Korçës. Ishin pushimet e dimrit të shkollës së Mesme Bujqësore "Irakli Terova" e mua nuk më leverdiste të shkoja në fshatin e lindjes, në Kalivaç të rrethit të Tepelenës, për mungesë fondesh monetare (bileta, vajtje-ardhje kushtonte 500 lekë). Prandaj, së bashku me shokun tim nga fshati Çetë G.K. mora udhën për në Çetë, nga mali, në këmbë.
Në atë kohë rrugë automobilistike nuk kishte dhe ne u ngjitëm malit, në këmbë, duke ndjekur monopatet. Do të kaloja një pjesë të ditëve të pushimit në familjen e shokut tim. Shoku im e dinte udhën nëpërmjet malit dhe e kishte përshkuar atë edhe herë të tjera.
E kisha për herë të parë atë udhë. Të dy ishim të rinj dhe e morëm me sportivitet. Më pëlqeu fshati Mborje, Miniera e qymyrgurit në Drenovë, galeritë e saj që shponin malin dhe gurët me ngjyrë të zezë të cilët i shkela deri në njëfarë lartësie.
Pas kalimit të Minierës, ngjitëm malin gjysmë të zhveshur deri në njëfarë lartësie ku niste pylli me pisha të rralla. Deri në fshatin Dardhë, rrugën malore nuk e ndjemë fare. Natyra e bukur e atyre anëve dhe freskia që shtohej me ngjitjen në lartësi na e bënte më të lehtë udhëtimin në ngjitje.
Mbërritëm në fshatin Dardhë. Në atë kohë Dardha ishte një fshat i zakonshëm malor, me klimë të "fortë" dhe me kulturë "përbrenda".
Pas Dardhës zbritëm tek Mulliri i Sinicës. Kaluam njëfarë udhë nëpër përroin ujëpak e gurëshumë. Përroi buron nga Mali i Gramozit dhe nga Guri i Nuses. Gurët e përroit kishin ngjyrë të zezë dhe ishin të latuar. Në Sinicë kishte shumë kumbulla të egra e lajthi. Përroi, vende-vende ka peshk troftë.
Me një "vrap pele" mbërritëm në fshatin Çetë, në familjen e shokut tim.
Me vete kisha një torbë pëlhurë, brenda së cilës kisha një palë gërshërë vreshti dhe një sharrë të vogël. Në shkollë kisha mësuar nga drenovari Mihallaq Duro të krasitja mollët dhe pemët e ngjashme dhe vreshtat. Mendova që ato ditë që do të qëndroja në familjen e shokut tim të krasitja mollët e bahçes së tij dhe, po të më jepej mundësia edhe të ndonjë gjitoni, kundrejt pagës. Fundja konviktor dhe fukara isha.
Gjatë ditëve që qëndrova në familjen e shokut tim dhe tek dajot e tij, në fshatin Bozhigrad pashë disa gjëra që më bënë të habitem. Do t’i shpjegoj më poshtë. Provova dhe shijova gjellët e shijshme që gatuanin amvisat. Më pëlqeu shumë, fasulniku, kumpirat dhe turshitë, me perime, sidomos lakrameja turshi dhe piperkat.
Të dy djemkat adoleshentë, vajtëm në Bozhigrad, në familjen e dajos së shokut tim. Çfarë t'ju rrëfej? Lashë mendtë me kulturën që gjeta.
Për fat, një natë erdhën në konakun e dajos, dy dajallarë të tij, të cilët jetonin diku gjetke me bashkëshortet e tyre. Në mbrëmje, të dy çiftet e ardhur, shtruan dy jatake ngjitur me njëri-tjetrin dhe u shtrinë në çift të përqafuar me njëri-tjetrin.
Në fshatin tim e në rrethina, në atë kohë as që bëhej fjalë për të tillë civilizim. Atje sundonte fanatizmi dhe nemja e të tilla sjelljeve. Ku e ku, janë këto fshatra me tonat?
Si vrojtues i kujdesshëm u interesova, për veglat bujqësore që shërbenin për të punuar tokën dhe për veglat e tjera. Fshatarët e këtyre anëve, përdorin disa vegla pune, të cilat janë të përafërta me tonat por ka dhe mjete të veçanta si lejleku, me të cilin ata korrin të lashtat dhe të vonat.
Kanë dhe drapërinj por lejleku u volet. Shati; lopata, krehëri; prashajka, damaluku, parmenda e drurit etj, janë të përafërta me tonat. Veç u ndryshojnë emërtimet. Sëpata p.sh. sipas madhësisë emërtohet: Latoshkë etj. etj.
Por më la pa mend një lloj beli i cili ishte i gjatë e në formë drejtkëndëshi. Ai e punon tokën thellë dhe bujku lodhet më pak.
Arrita në përfundimin se fshatarët e këtyre anëve janë shumë punëtorë dhe të mençur. Energjitë e tyre nuk shkojnë kot.
U mbushën ditët që kisha parashikuar dhe mora udhën e kthimit për në Korçë. U rrita e u trimërova në ato ditë. Në konsensus me shokun tim, kthimin në Korçë vendosa ta realizoja vetëm. Tashmë rrugën e mbaja mend, por më frikësonte nata dhe ujku.
Nuk e parashikova dot prishjen e motit. Sapo dola në fshatin Dardhë e mora udhën tatëpjetë, monopatit, nisi një llohë dëborë e cila erdhi duke u dendësuar. Shpejtova çapin, në mënyrë që bora e re të mos më mbulonte monopatin.
Zbrita me vrap, deri në Minierën e Drenovës. Në fushën e Korçës e kisha më të lehtë, por kur mbërrita tek Kisha e Shentriadhes, bora kishte mbuluar dhenë e udha nuk dukej.
U orientova me Spitalin e qytetit dhe, me vrap kalova Përroin e Dunavecit që vjen nga Mborja e u futa në qytet ku orientimi im ishte më i lehtë.
Kështu përfundoi aventura ime. Pas saj e ndjeva veten më të rritur e më të burrëruar!