Niazi Nelaj

Shkrime

Ekipi i \"Skënderbeut\" të Korçës, në futboll, në vitin 1955

28 mars 2025 · 3 min lexim

Po provoj kujtesën; pranoj, me mirësjellje, çdo kritikë; çdo vërejtje apo sugjerim

  1. Në portë- Laci

  2. Mbrojtës i djathtë- Trajan Veriga; gjysmë biond; trupmadh; energjik.

  3. Qendërmbrojtës-Petraq Mile; i shëndetshëm dhe energjik; i fuqishëm; gjuante fort, në kufijtë e zonës së "rreptësisë", godiste shtyllën transversale dhe topi përfundonte në rrjetë. Si mbrojtës ishte i pakalueshëm, sulmuesit kundërshtarë që e sulmonin, i merrte "zvarre".

  4. Mbrojtës i majtë- Stavri Tole, vendin e tij, më pas e zuri mësuesi im i fizkulturës Maqo Prodani.

  5. Gjysmëmbrojtës i djathtë- Rrapo Sholla. Futbollist me sedër, luftarak e i palodhur. Kur sportdashësit korçarë bërtisnin: "Denju Rrapo"! Ai i futej kundërshtarit, në sparkade dhe i merrte ose i prishte topin, në rastin ekstrem e "kosiste" nga këmbët. Nuk dilte kurrë "huq" por pastronte zonën, me moton: "O topin, o këmbën!"

  6. Ridka - gjysmëmbrojtës i fuqishëm; rezistent dhe luftarak. I qetë në lojë dhe ndërhynte me saktësi.

  7. Zeni Cela- Trupvogël por mjaft i shkathët. Rrëshqiste me top, nëpër këmbët e kundërshtarit dhe driblonte lehtë; shpesh ua kalonte topin mbrojtësve kundërshtarë, nëpër shalë.

  8. Gaqo Strati; i thonin dhe Gaqke Batallovina. Ishte futbollist i çuditshëm. Kishte nuhatje e gjuante fort, por shpesh vinte në zonën e gjashtëmbëdhjetëshit dhe gjuante jashtë, duke dëgjuar utërimën e sportdashësve: U.U.U!, në raste të tjera, gjuante fort e shënonte nga distanca 30 m. E krahasonin me futbollistin shkodran Hamdi Bakalli.

  9. Xhuvi Mborja - qendërsulmues i gjatë, i qetë, me flokët kokoridhka, fytyrën bojëgruri. I gjatë, elegant, teknikisht i arrirë, kishte prirje për të bërë lojë kolektive. Kishte përdorim mjaft të mirë, me kokë dhe sportdashësit e krahasonin me Nandor Hidegkutin e Hungarisë.

    Kur Peco Milja u largua nga futbolli, vendin e tij, në qendër të sulmit e zuri shoku im i klasës- 18-vjeçari Maksim Aliqemal Tuxhari. Xhuvi u kthye në qendër të mbrojtjes dhe nuk e kalonin dot futbollistët e skuadrave kundërshtarë.

    Maksi ishte teknik i rrallë dhe i kishin lezet driblimet. Ai ngjante me një balerinë, kur luante futboll.

  10. Kosta Koca- futbollist mjaft i shpejtë dhe me zemër. Kosta ishte i pakët nga shtati, por nga shpirti ishte "shpuzë" dhe krenar. Vendin e tij, më parë e e kishte mbajtur Stavri Lubonja apo, siç i theshin: Stavri hungarezi. Atë e "peshkoi" "Dinamo" e Tiranës, siç bëri, më vonë dhe me Aleko Pilikën.

  11. Gaqo Lara- Sulmues i majtë, i gjatë, i shkathët dhe rezultativ. E "peshkoi" ekipi i Partizanit, ku bëri prokopi.

Plotësim: Në vitin 1955 ekipi i futbollit të Korçës nuk e kishte emrin: "Skenderbej" por: "Puna e Korçës". Kujtoj se ishte në vendet e para të Kampionatit kombëtar të futbollit. Në një vit, u rendit në vendin e tretë.

Luhej në fushën e vjetër, të shtruar me pluhur qymyri e të rrethuar nga tela me gjemba. Kur binte shi, e futbollistët zhyteshin në llucë, nuk i dalloje dot. Stadiumin e ndërtova por nuk e gëzova se mbarova shkollën dhe u largova nga Korça ime e dashur.

Kujtoj policët që ruanin fushën, na përzinin por me ato këpucët e rënda nuk na kapnin dot neve që bridhnim si lepuj. Kur u iknim, u nxirrnim gjuhën me shaka e u thoshim: "Hajde na kapni, o sheme"!

Me sinqeritet e dashamirësi, pranoj çdo vërejtje, sugjerim apo korrigjim! Ju dua e ju respektoj!

← Të gjitha shkrimet