Niazi Nelaj

Shkrime

Kam një kërkesë në formën e një lutjeje

26 janar 2025 · 2 min lexim

Kam një kërkesë në formën e një lutjeje: Si shqiptar e bir shqiptari, si njeri që e dua shumë këtë vend dhe përgjërohem për të, kam një kërkesë apo mendim, quajeni si të doni, të cilin po e bëj publik, i nxitur nga një reportazh që ndoqa sot, kushtuar zonjës Marjeta Pronjari Zace.

Zonja Marjeta Zace, ka qenë njëra nga vajzat më të kompletuara e më të pasionuara për sportin. Ajo na ka dhënë disa rekorde kombëtare e na ka zbardhur faqen, në një kohë kur vajzat që merreshin me sport përgojoheshin.

Zonjën Marjeta e kam njohur qyshse ishte në vitet e shkollës së lartë dhe stërvitej në kushte të asaj kohe, në një gropë kërcimi së larti në territorin e repartit ushtarak ku shërbeja. Aktualisht Ajo është gjyshe dhe nuk i ndahet kontributit për të mirën e vendit. Të jem i sinqertë, kjo intervistë, marrë nga një mjeshtër i rrallë i këtyre punëve ishte aq mallëngjyese dhe e vërtetë sa më përloti. Ndoshta kjo është dobësi vetjake, e cila me avancimin e moshës shtohet.

Në atë kohë, në territorin e repartit ushtarak ku drejtoja, ishte i ndaluar qarkullimi i njerëzve. Madje kishim bërë dhe një vendroje, të armatosur dhe me kompetenca sipas rregullores. Lejonim, me dëshirë dhe si përkushtim për punën që bënin vetëm futbollistët e ekipit të “Partizanit” dhe Zonjën Marjetë Pronjari me trajnerin e saj.

Zonja Marjeta Pronjari, në atë kohë gëzonte respektin e të gjithë atyre që e njihnin. Kur u lidh me një “yll” tjetër të sportit shqiptar, me Kushtrimin, i cili ishte, gjithashtu një djalë i rrallë, respekti për Zonjën Marjetë u shtua.

Aktualisht, mjaft shqiptarë të shquar, jo vetëm në sport, por në shumë fusha të jetës, kanë shtegtuar. Disa kanë marrë shtetësinë e vendit ku kontribuojnë, por, gjithsesi deklarojnë hapët se janë shqiptarë dhe se e kanë për nder këtë përkatësi.

Mediat tona të nderuara e punëshumë i kanë të gjitha mundësitë për t’i përjetësuar vlerat e këtij populli e të kombit mbarë. Nuk më vjen mirë të humbasin apo të mos njihen tërësisht vlerat e njerëzve tanë të Mëdhenj. Ka kohë që orvatem të dëgjoj zërin origjinal të Havize Leskovikut, por mjerisht nuk kam arritur. Sa e sa vlera të tjera të kombit tonë të talentuar e vatër pjellore nuk i disponojmë publikisht apo mund t’i ketë zënë pluhuri i harresës.

Uroj, me zemër që këto fjalë të mos bien në veshë të shurdhët!

← Të gjitha shkrimet