Niazi Nelaj

Shkrime

Maria

12 tetor 2024 · 2 min lexim

Në faqen perëndimore të Malit të Deçiçit, në ngjitje të kthesave të Rrapshstarjes, në krahun e majtë kur ngjitesh ndodhet fshati me emrin Brigje. I gjithë fshati ndodhet në anën tjetër të klonit famëkeq. Fshatarët, për të vajtur tek të afërmit e tyre në fshatrat fqinje detyrimisht duhet t’i nënshtroheshin një kontrolli të imët e të rreptë kufitar, në një pote të përgatitur posaçërisht. Ata i nënshtroheshin verifikimit të pranisë fizike dhe me dokumente, 2 herë; një herë kur dilnin dhe një herë tjetër kur hynin.

Po në faqen perëndimore të këtij mali, diku nga mesi i tij ndodhej një vilë, e cila i përkiste një gjenerali serb, i cili vinte aty, me gjithë familjen dhe qëndronte për të bërë pushime, meqenëse klima është mjaft e përshtatshme.

Një herë, në postën kufitare të Hanit të Hotit u paraqit një vajzë, shqiptare, në moshën e adoleshencës, e bukur, "perri" dhe e shëndetshme- faqekuqe. Ajo vinte nga një fshat i rrethinave të Tuzit, vullnetarisht në Shqipëri.

Çfarë kishte ngjarë? Vajza quhej Maria. Prindërit e saj e kishin fejuar, pa dëshirën e saj, me një djalë, i cili nuk ishte aq në mendore. Vajza, siç kishte mundur e kishte kundërshtuar fejesën pa dëshirën e saj, tek prindërit dhe tek familjarët e saj, por rregullat kanunore e detyronin atë të merrte një burrë të padëshiruar. Kundërshtoi Maria, disa herë por në vend të përgjigjes, kishte marrë kërcënime.

Mbasi u mendua gjatë, Maria gjeti si rrugëzgjidhje, të dorëzohej në postën kufitare shqiptare, me shpresë se në Shqipëri do të ishte e qetë dhe e sigurt. U dorëzua Maria në Postën kufitare, por atje e "rrëmbyen" specialistët dhe e çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Mbasi e "shtrydhën" vajzën, specialistët arritën në përfundimin se kalimi i kufirit prej saj nuk kishte motive politike.

E shoqëruan, me fjalë të mirë e me gurët në trastë, Marian, përtej kufirit tonë. Natyrisht që këtë nuk e kishte parashikuar vajza, ndaj mbeti e pakënaqur. U prek në sedër vajza dhe vajti, në shtëpinë e prindërve, e dëshpëruar. Prindërit dhe familjarët e saj e deklaruan të përdalë vajzën e tyre dhe e quajtën: "Lënëshë".

Maria, vendosi të hakmerrej. Ajo, faqe ushtarëve tanë të kufirit, nisi të bënte seks me ushtarët e vendit fqinj.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 11 tetor 2024

← Të gjitha shkrimet