Niazi Nelaj

Shkrime

Ç’të jetë vallë?

2 tetor 2024 · 2 min lexim

Vërtet ndodhia është e lashtë por përmban vërtetësi brenda. Është i njohur fakti që në odat shqiptare, si tek burrat dhe tek gratë, në krye të qoshes d.m.th. më të nderuarit e të respektuarit kanë qenë: Mësuesit; ushtarakët dhe klerikët. Edhe kur nuk ishin të ftuar, i zoti i dasmës, gostisë, vakisë etj. mezi priste të kaptonte pragun e derës njëri nga këta. Ose u dërgonte ftesë (njoftim).

Në një fshat të largët shqiptar, bëhej dasmë. Në shtëpinë e dhëndrit, në krye të qoshes ishte një ushtarak. I zoti i asaj dasme, baba i dhëndrit, i entuziazmuar e me mendje të kthjellët, në dërgatën për të marrë nusen, caktoi për të parë, pikërisht ushtarakun. Kësisoj, ai nderonte veten, krushqinë dhe dërgatën.

Vajtën krushqit në shtëpinë e nuses, tërë qejf e çakërrqejf, të ngrohur nga përdorimi i alkoolit dhe të kurajuar nga fakti që kishin të parë një ushtarak. Babai i nuses i priti me gjithë respektin dhe me të mirat e mundshme duke i uruar, në tog dhe një nga një, me formulën e bukur shqip: “Të na trashëgohen dhe miqësinë ta kemi të pandarë”!

Pas riteve, kur dërgata, mori nusen dhe do të nisej për në shtëpinë e dhëndrit; babai i nuses i tha diçka, mënjanë kryemikut ushtarak. “M’i bëj shumë të fala krushkut, e i thuaj se kam bërë duhan të mirë; të më dërgojë një tefter letër duhani.” Një tefter letër kishte 50 fije. Nënteksti ishte: I thuaj krushkut të më dërgojë 50000 lekë.

Kur u kthyen krushqit në shtëpinë e dhëndrit, babai i këtij të fundit e pyeti ushtarakun: “A të dha ndonjë porosi apo të bëri ndonjë kërkesë, babai i nuses”? Jo, u përgjigj ushtaraku, vetëm se kur u ndamë më tha, ato që i tha e unë ua rrëfeva më sipër. “Hiç, po Habili”, u përgjigj babai i dhëndrit, i cili e kuptoi nëntekstin. Babai i nuses kërkonte nga babai i dhëndrit 50000 lekë. Përse i kërkonte këto para babai i nuses, gjykojeni vetë!

← Të gjitha shkrimet