Mburremi me moshën; notojmë në pleqëri
Jeta e njeriut është fat. Edhe mosha që përcjell në jetë, një njeri është fat dhe privilegj. Dikush nuk provon as fëmijërinë por, ndahet nga jeta akoma pa ardhur. Ndodhin dhe aksidente e të papritura të pashmangshme.
Kënaqësitë janë të shumëllojta, sipas moshës, rrethanave dhe kushteve. Të gjitha janë të parashikueshme dhe të përballueshme veç, pleqëri me vuajtje e mundime të mos kish. Sa mirë e ka gjetur urimin populli kur thoshte: "E paç pleqërinë të bardhë!" Kush nuk do ta dëshironte këtë?
Dikur, në qytetin e Tepelenës, të moshuarit, e pinin kafene tok dhe në pranverë bënin "inventarin". Ata bënin bilancin, kush ka ikur e kush ka mbetur? Tahirit i thoshin: "Hapu ti se nuk je në radhë me ne; ty të ka harruar mortja!" Tahiri jetoi plot 103 vjeç dhe në atë moshë lexonte, pa ndihmën e syzeve të miopisë. Pra, jetët nuk i ngjajnë njëra-tjetrës; ato përjetohen individualisht.
Dëgjoj tutje-tehu: "Jam kaq e aq vjeç", duke u mburrur me vjetët që mban mbi supe. Po përpiqem ta zbërthej, këtë pretendim:
Njeri syresh, duke reklamuar moshën synon t'u krekoset bashkëbiseduesve të kenë kujdes kur flasin me të se ka goxha bagazh mbi supe e nuk është ndonjë rronxho-bonxho.
Ka të tjerë që e kanë shkuar jetën "pallë" e nuk u ka thënë njeri: "Punë e mbarë"! Një njeri që kam njohur, mburrej se në jetën e tij nuk kishte lexuar asnjë libër. Edhe kur shtrihej në shtrat e donte të flinte, e shoqja i lexonte ndonjë pasazh e birbua flinte menjëherë!
Dikush thotë se në jetën e tij ka bërë këtë e atë, duke i atribuuar vetes edhe punë të cilat vetëm sa i ka dëgjuar.
Jeta është plot me raste të larmishme e interesante. Siç është ngjyrashumë, jeta e njeriut edhe pleqëria nuk është e njëjtë. Ajo nuk dihet si vjen. Pleqëria, kanë thënë se është e çalë e vjen ngadalë. Disa sinjale i jep e ato duhen çmuar.
Një gjë është e vërtetë e nuk ka nevojë të vërtetohet: Pleqëria të ngushton e të bën tahmaqar. Njeriu i shkretë, me avancimin e moshës, ndjen atë që i vjen dhe mundohet të kapet, si gafore, pas çdo gjëje.
U lutem, mos qeshni me atë të moshuar që ndeshni në rrugë dhe vështroni tek ai se mbledh e merr sende të përdorura. Disa thonë se: "paska lajthitur"! Mund të mos jetë e vërtetë kjo; ai i moshuar nga halli ka dalë nga vetja.
Ashtu dhe njeri që bëhet nevrik e nuk ka durim. Ai është i konsumuar nga jeta dhe gjatë saj ka dëgjuar lloj-lloj broçkullash.
Nëse vështroni një njeri me 1 apo dy fakultete që shet libra të përdorur, mos e përbuzni ju lutem se jeta e ka detyruar të bëjë këtë punë të rëndomtë.
Ka të tjerë të moshuar të cilëve, u pëlqen vetmia. Ata nuk duan të takojnë asnjeri e nuk duan të dëgjojnë muhabete të dëgjuara shumë herë. Nuk janë të gjithë të lënë nga mendja; halli i ka bërë të tillë.
Dikush, ata që e kanë për detyrë dhe që i kanë mundësitë, le t’i drejtojnë sytë dhe vëmendjen nga kjo shtresë, e cila sa vjen e bëhet më e madhe në numër.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 13 shtator 2024