Barba Ilija

Bëhet fjalë për Ilija Nanon; voskopojarin autokton, njëshekullor; kujdestar dhe ciceron në Manastirin e Shën Johan Prodhromit, në Voskopojë dhe në kishën e Shënepremtes, e cila është më e lashta në trevë.
Ata që kanë pasur fatin e mirë të shijojnë mrekullitë e atyre anëve, patjetër që e kanë takuar dhe e kanë njohur Barba Ilijan. Barba Ilija njihet si “aset” i rrallë në këto objekte kulti. Jo për hir të kohës së gjatë në shërbim, në këto objekte kulti, por për shkak të vlerave të rralla humane që mishëron e përcjell.
Shtatshkurtër por i plotë e i fortë, i shkathët e vital, siç janë banorët e këtyre anëve. Barba Ilijan, çdo mëngjes e vështroje tek çapitej përpjetë malit, mbuluar nga pisha e zezë, e cila të “çan gjoksin” me ozonin që çliron. Si ndonjë shqarth, me shkathtësi e me hap të pandalur, Barba ngjiste, zakonisht në këmbë atë malore të thekur, si në verë dhe në dimër.
Barba Ilija qëndronte në Manastir, gjatë gjithë ditës duke pritur e përcjellë, vizitorë vendas e turistë të huaj. Kureshtja i shtyn pelegrinët për të parë bukuritë e kishës së lashtë brenda Manastirit dhe mjedisin shlodhës e argëtues të Manastirit.
Është e vështirë të përcaktosh moshën e atij burri. Ai është i kalitur, si në punë dhe në ecje. Edhe vetë Barba, kur e pyet për moshën, ngatërrohet. E “tradhtojnë” rrudhat në gushë e në ballë dhe koka pa flokë.
Me dy sy zhbirues paqësorë, me një zemër të madhe e me një dashuri qiellore, Barba Ilija, me të gjithë qenien e tij të fal shumë dashuri e mirësi. Me bindje të palëkundur në ekzistencën e Zotit dhe të jetës së përtejme, Barba Ilija përfaqëson një besimtar të devotshëm në shërbim të çështjes të cilës i është përkushtuar, të cilën e kryen me shumë dashuri e pathos. I pashkollë por me përvojën e jetës, kur rrëfente për historikun e Manastirit dhe për afresket e rralla, Barba Ilija të linte gojëhapët, me njohuritë dhe elokuencën.
... vijon...
...vijon... Fjala e tij e ëmbël dhe dashamirësia e Tij, pa kufi, më tërhoqën drejt Tij dhe e bëra mik, shpejt. Bindja e Barba Ilijas tek Zoti, ishte në themel të gjithë qasjes së Tij.
Në territorin e Manastirit gjeja hithra të pastra me të cilat bëhet byrek i shijshëm. Më pëlqente të qëndroja në atë freski ku relaksi dhe shlodhja ishin të garantuara. Në kohën e lirë, mbasi kisha plotësuar “normën” me dëshirë ndjeja kënaqësinë e qëndrimit në shoqërinë e Barba Ilijas, i cili më pranonte, siç isha.
Kur u mbyllën objektet e kultit, në vitin 1967, Barba Ilijas i pikoi në zemër, por, si njeri me shpirt të mirë e tolerant, pranoi versionin e ri, iu nënshtrua praktikës së kohës dhe bëri siç tha partia. Atë e caktuan në detyrën e rojës së fushës së kooperativës bujqësore, të cilit, vendasit i thonë pojak. Kjo detyrë që iu besua Barba Ilijas ishte me përgjegjësi dhe delikate. Ai i pikaste kobatarët që rrëmbenin gjënë e përbashkët, por e bënte njërin sy qorr e njërin vesh të shurdhët. Me besimin në drejtësinë qiellore, Barba, së brendshmi mendonte: “Të ligjve u kam lënë Zotin”!
Bazuar në tiparet e tij (njeri pa vese), organi i nomenklaturës e caktoi brigadier të arave. Barba i njihte punët e bujqësisë, mbasi bujqësia dhe blegtoria nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën por Ai ishte mjeshtër, i mbarështimit të të leshtave. Për këtë punë Barba ishte “njësh”! Megjithatë, ndershmëria dhe të qenit i drejtë, edhe në këtë detyrë e nxorën faqebardhë.
Ilija Nano, gjatë kohës kur funksiononte kooperativa bujqësore e fshatit, madje dhe pas viteve të demokracisë, ndihej keq, “vajtonte në heshtje gjëmën që i ngjau Manastirit të Shën Johan Prodhromit dhe pronave të Tij.
Kur Barba vështronte si kositeshin livadhet, pronë e Manastirit dhe si” mbinin “hotelet, me emra tregues, në pikat më të bukura të Malit të Voskopojës, i vinte të bërtiste, fort, sa t’i çahej gurmazi, edhe pse e dinte që zërin e tij nuk do ta dëgjonin ata që e kishin në dorë këtë punë.
I therte në zemër plakut besimtar, kur dëgjonte zhurmën e traktorëve, të varesë e të çekanëve. Me vete thoshte:” Çbëni ashtu mor të marrë “? A e dini pronë e kujt është; mos e gëzofshi?” etj.
Pas shndërrimeve demokratike që ngjanë dhe në Voskopojë, Objektet e kultit u rihapën e Barba Ilija u përzgjodh në funksionet që kishte pasur më parë. E gjeti guri vendin. Tashmë, edhe pse i moshuar, Barba shtoi përkushtimin dhe mirësinë. Ai tashmë kishte dhe përvojën e shfrytëzimit kolektiv.
Para dy vitesh Barbën e nxorën në pension. Ai, në familje nuk çoi pensionin e nuk i shtoi mirëqenien familjes, por i shtoi mjerimin. Pension i thënçin. Largimi nga puna, avancimi i moshës, sëmundja e rëndë dhe problemet sociale që përjeton, e kanë mpakur Barba Ilijan e Ai nuk është më vital si më parë. I hoqën lëvizjen.
Kohët e fundit i bëra një vizitë kortezie në familje. Pashë dhe preka mjerimin që e ka pllakosur. Këtë nuk e meriton Ai njeri e Ai shpirt njeriu. Kush e vë këtë në dyshim udhën e ka të hapët.
- Me shpirt e me zemër i uroj mikut tim, shëndet e jetë të gjatë, pa telashet e moshës!
... Vijon...
...vijon dhe përfundon... Voskopoja, të cilën e kam për zemër është vlerashumë. E njohur prej kohëve që nuk mbahen mend, si qendër e banuar e vllehëve nomadë Voskopoja na ka përcjellë vlera të qenësishme, të kulturës shqiptare, mesjetare e më të hershme. Voskopoja ka qenë e është një gurrë e pashtershme vlerash ndër të cilat kultura qytetare, në të gjithë përbërësit e saj është për t'u pasur zili.
Kohët e fundit, qeveria e ka shpallur Voskopojën, njërin nga të 100 fshatrat turistike të Vendit. Çfarë fshati more njerëz? Voskopoja është njëri nga qytetet më të lashta të Vendit.
Ky shkrim, nuk ma merr mendja se hap ndonjë dritare të re, në lëmin e historisë; të tjerë e kanë bërë më parë dhe më bukur këtë gjë. Shkrimi im të lë përshtypjen e atyre rrugicave që formohen në shkretëtirë, të cilat i mbulojnë dunat e rërës. Megjithatë, nuk besoj se i bëj ndonjë dëm çështjes së autoktonisë voskopojare.
Mjafton të theksojmë kishat e shumta të këtij qyteti, të cilat nuk kanë shërbyer vetëm si objekte kulti, por kanë qenë dhe vatra të edukimit të fuqishëm atdhetar e shoqëror.
Në vitet e fundit kam qenë shpesh në Voskopojë dhe kam vënë re një dukuri të rrallë, të cilën është e vështirë ta ndeshësh gjetke. M'u kujtua fëmijëria ime në Kalivaç të Tepelenës, ku nëse takoje dikë në rrugë, pavarësisht se mund të mos ta njihje, e përshëndesje. Këtë e pashë dhe në Voskopojën e ditëve tona. Kjo qasje njerëzore është kulturë dhe dëshmon qytetari.
Katrahura që na ka pllakosur kohët e fundit i ka prishur ekuilibret dhe gjithnjë e më rrallë njeriu e ndjen shijen e autoktonisë. Kërkoj mirëkuptim: Nuk dal kundër zhvillimit dhe lëvizjes së lirë, por, disa shenja autoktonie duhet të mbeten. Kohët e fundit kam parë në Voskopojë një dyndje të të kamurve nga rrethe të tjera, në dëm të autoktonëve.
E kam shprehur dhe në shkrime të tjera; kam polemizuar, madje ashpër me vendas që të mos shiten trojet e të parëve, por kam bërë aq sa mund të bëjë një dashamirës. Më vjen keq kur vë re ca njerëz, me çanta të fryra nga paratë, të cilat duan t’i pastrojnë aty. Ndërtojnë, mbi trojet që i kanë blerë lirë nga disa fukarenj vendas me çmime të lira dhe ndërtojnë banesa të dukura e të shtrenjta. Voskopojari nuk i blen dot ato.
Në optikën time, Voskopoja u përket voskopojarëve autoktonë. Nuk ndihem mirë kur ndesh rrallë mbiemra si Grori; Samaras; Nano; Fallo; Ballauri; Cipi; Trasha; Zguri; Sholla; Baba, Prendi etj.
Sa mirë bëjnë ata që venë në kurbet; mbledhin një grusht me para, si këmba qelbin, dhe kthehen në Voskopojë për të ringritur banesa të bukura e të forta mbi trojet e të parëve. Rrugët me kalldrem dhe banesat të veshura me gurë të gdhendur i shtojnë bukurinë asaj mrekullie që ka bekuar Zoti, në Voskopojë.
Dikur Voskopoja ishte komunë e kishte disa kompetenca; sot e kanë kthyer në njësi administrative, të varfër dhe në kompetenca. Kështu i hapet udhë korrupsionit dhe prapësive. Nuk më duket e gjetur praktika e mbylljes së Kishës brenda Manastirit, për të restauruar afresket, në pikun e sezonit turistik.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 28 e 29 gusht 2024

