Niazi Nelaj

Shkrime

Një epitaf, jo si të tjerët.

8 qershor 2024 · 1 min lexim

Zakonisht, epitafet shkruhen pas ikjes në udhën pa kthim, por ka dhe raste kur merret "paradhënie". Kam njohur një njeri, i cili këmbënguli të lexonte epitafin e tij, sa ishte në jetë dhe, e lexoi. Por, kam dëgjuar dhe për një rast tjetër, në të cilin epitafin e formuloi vetë ai që priste të flamosuren.

Burri për të cilin bëhet fjalë, vuante nga zorra e trashë, e cila e bezdiste shumë. Ai kishte një shok të afërt, kirurg, në një qendër shëndetësore kombëtare. Shoku i afërt, i tha një ditë: "Përse vuan kaq shumë? Hajde të të operoj unë dhe të shpëtosh nga sikleti." E besoi burri shokun dhe iu bind. U operua por rezultoi me sëmundje të keqe dhe shëndeti i tij erdhi në rënie.

Kur ishte në shtratin, të cilin nuk e preferon asnjëri, thirri të birin e i tha: "Kam një amanet, bir-o." U habit i biri se nuk kishin lënë asnjë shërbim pa i bërë! Atëherë burri, me seriozitetin e çastit të rëndë, i tha të birit:

"Tek pllaka e varrit, dua të shkruani: ‘Isha mirë; kërkova – më mirë; përfundova këtu.’"

Shpresoj ta keni të qartë nëntekstin...

← Të gjitha shkrimet