Niazi Nelaj

Shkrime

Egërsi

2 maj 2024 · 2 min lexim

Nuk arrij të kuptoj, përse gjithë kjo egërsi, në pazar? Nuk pretendoj se thuhet për herë të parë kjo, por, në praktikë vazhdon e rritet. Dihet se edukata e njeriut, në fund të fundit është dhunti. Njëherazi nuk mund të mohohet se edukimi i njeriut nis që në barkun e nënës. Ka dhe lidhje të ngushtë me genin. Mirësia, vërtet lidhet me shpirtin por nuk mund të mohohet se ka dhe individualitete. Dikur kanë thënë: "... nga ferra del trëndafili dhe e kundërta!" Këtë e besoj, pa rezerva.

Në ditët tona, vë re se po i bëhet shërbimi (jehonë) kriminalitetit dhe kriminelëve. Makutëria është në modë e po i merr shpirtin fukarait. Përveç mjedisit tolerues, nuk arrij të kuptoj, kujt i nevojiten krimi dhe kriminelët? Tërë këtë egërsi që ndeshim, në çdo hap e përditë, kush e ushqen e kujt i duhet?

Nuk e kanë thënë më kot se paraja e madhe "ha" të zonë. Kur e provon në shpinë, arrin ta besosh. Ata që janë pasuruar në rrugë jo normale; jo me djersën e ballit por në rrugë të tërthorta, të shtypin me këmbë dhe gëzojnë kur të vështrojnë që vuan.

Vendasit, qëmoti, thoshin: "Në Tiranë ka ardhur Lem Bylyri!" Kohët e fundit, Tirana është bërë njëmilionëshe. Nëpër rrugë vëmë re dhe mjaft të huaj, të cilët kanë vërshuar për interesat e tyre, jo për të na bërë mirë neve që qenkemi të varfër. Egërsinë dhe pashpirtësinë, nuk e besoja tamam - tamam, derisa e pësova në kurriz.

Kohët e fundit, për arsye të mijat, doja të bëja një printim. Siç e pimë kafen në lokalin ku njohim menaxherin apo kamerierin, edhe unë vajta tek një i njohur. Për shkaqe vetjake (vuaj nga një hernie diskale) dhe meqenëse mjedisi ishte tumbllas i mbushur me studentë, u ula në një karrige, jashtë "laboratorit", në pritje të radhës. U paraqita në atë vend jo në kohë të volitshme.

Pa e njohur, i fola një vajzë: "Jam në radhë, por jam ulur se ashtu e kam punën." Ajo pohoi, me kokë. Një burrë, të cilit nuk ia pashë fytyrën, me kapadaillëk, më tha: "Ku e njeh ti atë vajzë që i flet?" "Thjesht i kërkova të respektojë radhën", i thashë dhe shtova: "Jam me probleme shëndeti, ndaj jam ulur", i thashë burrit, por ai, në vend që të më thoshte ndonjë fjalë të mirë, më tha: "Po të jesh i sëmurë; shko në spital?"

Po ky ç’pati, mendova dhe duke gjykuar siç më tha mendja ime, nuk desha ta vazhdoja polemikën, i thashë, me mirësjellje: "Të falënderoj!" dhe pa e parë në sy u çova e ika.

Siç duket, burri që shpalosi tërë egërsinë e tij, ishte nga raca e pronarëve të rinj të cilët e kanë qesen - plot por koka e tyre është bosh!

Shpresoj mos t’u ndodhë një gjë e tillë!

← Të gjitha shkrimet