I pari emigrant ekonomik shqiptar, në Amerikë
Në kohët që kalojmë, në qarkullim ka aq shumë shkrime e njoftime, sa jeta e një njeriu është e pamjaftueshme për t’i njohur. Ca më tepër kur dijenive të vërteta u shtohen hamendësi apo sajime të qëllimta. Sikur të ishin duke garuar, qarkullojnë lloj-lloj njoftimesh për shqiptarin që shkeli i pari në brigjet e kontinentit të lakmuar amerikan. Secili për interesin e tij apo të komunitetit që i përket paraqet një emër i cili, edhe mund të jetë i vërtetë ashtu siç mund të jetë dhe i sajuar. Historianët e paanshëm e kanë për detyrë parësore të na zbulojnë të vërtetën e vetme.
Në fshatin malor me shumë burime ujore të Katundit në rrethin e Korçës, Shoqata AK e Vakefeve ka ngritur një lapidar kushtuar At. Nikolla (Kolë) Kristoforit dhe shumë bashkëfshatarëve të tij. Në ballinën e këtij lapidari është shkruar një opinion i Nolit të Madh dhe një tjetër i Konicës të mirënjohur.
At. Nikolla (Kolë) Kristofori u lind në fshatin Katund të Korçës më 1859 dhe është ndarë nga jeta në vitin 1940. Ai emigroi në Boston në vitin 1884 dhe njihej me nofkën: “Kolombi Shqiptar”. vijon...
vijon... Theofan Stiljan Noli shkruante: “... Ai, Kola Kristofori, i pari themelues i Komunitetit Shqiptar të Bostonit, kryeqytetin e Lëvizjes Shqiptare të Amerikës, veteran i radhëve të para të kauzës sonë. Asnjëri prej nesh nuk mund ta nderojë Atë, plotësisht, për atë që meriton. Ruaje Zot”!
Faik Konica, një tjetër mentar i shquar shqiptar, ka shkruar për “Shtegtarin” e parë në Boston, At Nikolla (Kolë) Kristoforin: “... Ishte dekani i shqiptarëve të Amerikës. Shqiptar me ndjenja të thella e të qeta; me qartësinë e ujërave të thella; njeri me karakter fisnik; këshillonjës në kohë dyshimi; ndihmës në orë të keqe; fliste një Shqipe të pastër...”
Ka dhe opinione e vlerësime nga të tjera mendje të mençura. Më lë mbresa të thella fakti që dy shqiptarë të mëdhenj, me fjalë të kursyera kanë gdhendur, siç dinin ata madhështinë e një shqiptari kokëplotë e atdhetari zemërzjarr; thellësisht human, si At. Nikolla (Kolë) Kristofori.
Fiksimi në atë lapidar që na rrëfen historinë e një fshati, duke shpalosur vlerat e tij shumëplanëshe është në nderin e Shoqatës AK Vakef; punë e cila mund e duhet të shtrihet më tej. Ata që i kanë dhënë historisë së vendit tonë, historia nuk duhet t’i lërë t’i zërë pluhuri i harresës.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; nga Kalivaci i Tepelenës.
Shkruar në Tiranë, më 26 mars 2024