Niazi Nelaj

Shkrime

Gëzuar festën, o njerëz që shpërndani dritë!

6 mars 2024 · 3 min lexim

7 marsi është festë e njerëzve më të dashur e më të respektuar- përhapësve të dritës. Do të thoja: Kjo është festë e dritës dhe diturisë. Nderim e përunjësi për ata që kanë marrë përsipër këtë mision fisnik!

Pa u rrekur të bëj evidencë, mësuesia, në të gjitha format, ka lashtësinë e jetës mbi dhe. Çdo prind u mëson fëmijëve, fjalën e parë, ngritjen në këmbë dhe çapitjen etj. Prindi, për fëmijën mbetet mësues i përjetshëm. Nderim të veçantë u drejtoj Nënave, të cilat, në këtë çështje kanë një rol të veçantë.

Po mësueseve dhe mësuesve të nderuar, të cilët kanë zgjedhur të jenë në krye të listës, për misionin e të nxënit që kanë marrë përsipër. Vetëm ato (ata) që japin dije, e dinë çfarë përcjellin. Çdo njeri u mbetet borxhli përhapësve të diturisë. Secili ka kaluar në këtë shtrungë, ku ka marrë mësimet e nevojshme për jetën.

Ndaj, sot, në prag të kësaj feste të Madhe, them: Lavdi e përjetshme përhapësve të diturisë!

Ndonëse do të më thonë, përse zgjodhe këtë vend, dua të prek, me dhimbje një çështje të cilën e kam shumë për zemër e më prek, thellë në shpirt, kur e vështroj si është katandisur e si rrokulliset përditë.

E kam fjalën për Gjuhën e bukur, të lashtë e të vështirë Shqipe. Jemi shqiptarë e duhet të flasim shqip. Është pranuar se Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të lashta të njerëzimit, por që është në rrezik të fiket, siç ka ngjarë me simotrat e saj. Mbi Gjuhën tonë, po bëhet një presion i pazakontë. Fajin duhet ta kërkojmë tek vetja.

Personalisht lumturohem për çdo arritje që mban vulën e shqiptarisë. Sa i lumturuar ndihet ai (ajo) që ndodhet jashtë dhe kur dëgjon gjuhën e dashur shqip, bëhet tjetër njeri. Kështu si po vërtitet rrota e historisë, shqiptarët i gjen në çdo skutë të globit.

Si njerëz të zgjuar shqipot kanë mësuar e do të mësojnë shumë gjuhë të tjera, por Shqipen nuk duhet ta lënë mënjanë e ta harrojnë. Është në nderin e tyre t’ua mësojnë shqipen edhe fëmijëve të tyre. Sa më bëhet qejfi kur mësoj se në çdo vend ka komunitete shqiptarësh që bëjnë beli dhe respektojnë ditët tona simbolike, së bashku.

Përkundrazi, për faqen e tyre të zezë, disa njerëz, të veçantë (shyqyr që nuk janë të shumtë) flasin vetëm në gjuhë të huaja. Të tjerë, shkojnë më tej, sa e përbuzin gjuhën tonë të bukur.

Të kuptohemi; nuk jam kundër të mësuarit të gjuhëve të tjera. Detyrë për të ruajtur të pastër gjuhën shqipe, nuk e kanë vetëm disa gjuhëtarë, të cilët po firojnë dita-ditës, por, prindërit, mësuesit, funksionarët, administrata e kushdo që mundet. Mendoni se edhe shtete moderne, në ditët tona e kanë të ndaluar me ligj, të folurën e të shkruarën në gjuhë të tjera.

Këto fjalë, të thëna në revoltë e sipër, me një farë ashpërsie të justifikuar, nuk besoj t’ia prishin bukurinë kësaj feste popullore, kaq të dashur- 7 marsit.

Gëzuar festën e dritës, populli im arsimdashës!

← Të gjitha shkrimet