Niazi Nelaj

Shkrime

Trungu rrëfimtar

25 janar 2024 · 3 min lexim

Është i njohur fakti: Drurët e pyllit vegjetojnë. Ata mbijnë, rriten dhe “vdesin” sipas “kodit” të tyre gjenetik. Njeriu e ka pasur drurin bashkudhëtar dhe e ka shfrytëzuar në interes e për nevoja vetjake. Mund të them, pa kurrfarë drojë se shoqëria njerëzore dhe qytetërimi (banesat, urat, rrugët e komunikimit, ngrohja etj.) kanë pasur në themel lëndën drusore.

Më së shumti, njeriu e ka shpërdoruar dhe e shpërdoron, pa mëshirë pyllin, duke e masakruar atë e kjo është për të ardhur keq. Masakrimi i pyllit është ndoshta njëra nga egërsitë e pariparueshme. Pandjeshmëria ndaj çështjes, na thotë se njeriu, me veprimet e tij keqbërëse, nuk arrin të kuptojë: “Çfarë po i bën vetes”!

Popuj të ndryshëm kanë qasje jo të njëjtë ndaj pyllit. Jetëgjatësia dhe cilësia e çdo druri është variabile. Kështu dhe përdorimi i tij. Këto varen nga lloji i drurit, nga toka që e ushqen, nga klima, nga pozicioni gjeografik, nga ditët me diell dhe nga kushte të tjera natyrore.

Njeriu, qaset ndaj drurëve të pyllit me një lopatë në dorë për të hedhur pleh e për të ndihmuar rritjen natyrore të drurit, në kushte thatësire të pazakontë është parë dhe me një kovë në dorë, për të ujitur bimën, por mban dhe një sëpatë në dorë, për të bërë masakër ndaj drurëve të pyllit.

Ndodh dhe më keq e është për të vënë kujen. Njerëz, me urë në dorë, me apo pa qëllim, i vënë zjarrin pyllit dhe rrinë e vështrojnë apo ngrohen në nxehtësinë që çlirohet nga djegja. Sipërfaqe të tëra me pyje shkrumbohen, pavarësisht se mjedisi ndotet dhe njerëzimit i kanoset një rrezik serioz.

Kohët e fundit kam parë një rast tejet interesant që më la mbresë, duke bërë një krahasim të thjeshtë qasje. Në rrethinat e Mynihut (Gjermani), në vendin e quajtur në këndin e një parcele të “qendisur”, anës udhës së asfaltuar, në afërsi të shkollës fillore, vura re një vend të mbuluar me xham të lartë rreth 1 m nga toka, me një tabelë të bardhë, të shkruar, brenda. Objekti më ngjasoi me një muranë, nga ato që ngriheshin prej kalimtarëve, në një anë udhë, ku kishte ngjarë një ndarje nga jeta. Mendova: Po kjo muranë, këtu, disa qindra kilometra larg fshatit tim?

Kureshtja më shtyri të çapitesha drejt saj. U afrova dhe e vrojtova me detaje.

Brenda xhamit ishte një trung me diametër rreth 1 m, i sharruar me kujdes e i pastër. Fidani i blirit ishte mbjellë në kohën e sundimit të Napoleon Bonapartit e ishte sharruar në vitet '20 të shekullit që përcjellim. Ndoshta objekti shërben për t’u rrëfyer nxënësve të shkollës pranë, vlerat e tij shumëplanëshe. Rrathët e moshës së trungut na bëjnë me dije, nga fryn era; anët e horizontit, temperaturat e trevës, lagështinë etj. Të gjitha këto janë dhe të shkruara në letër.

Shpresoj se shumë nga ata që do ta lexojnë këtë shkrim, do të mendojnë si unë: Gjermania, si vend i zhvilluar me mendje e me punë, dhe si “lokomotivë” e Europës, nuk besoj të ketë nevojë të reklamojë një kërcu. Gjetkë rreh çekiçi. Njerëz të kulturuar e të qytetëruar çmojnë çdo objekt e mundësi për të paraqitur vlerat reale.

Po ne, që përsëritim vend e pa vend se jemi të varfër e po na ikin njerëzit valë-valë, sa mundësi e vende të bukura, të pashoqe kemi por nuk i shfrytëzojmë me efektivitet. Turizmi, në vitin që lamë pas njohu “Maja”, të mos flemë mbi dafina por të lëvizim se turisti që na vjen, me dashamirësi, nuk ka nevojë të mbushë barkun por sidomos të kënaqë syrin dhe vendi ynë ofron bukuri të rralla natyrore, por është e domosdoshme të shtojmë dhe bukuri nga mendja dhe nga dora e shqiptarëve.

← Të gjitha shkrimet