Me dashamirësi!
Kohët e fundit më ndihu fati e i kalova disa ditë përvëluese të këtij muaji, në dy nga vendet më të bukura e më të freskëta që ka vendi ynë; në Voskopojë e në Pogradec. Për të parin kam shkruar më se një herë. Voskopoja e bekuar dhe e bukur, përditë zbukurohet e i shtohet diçka e re. Nuk ke çfarë t’u shtosh të thënave për Të.
Pogradeci (Poradeci, siç thonë vendasit) është vendosur si me dorë në mes të lartësive përqark me atë gjol që e mrekullon. Në Pogradec gjeta e lashë njerëz të kombësive të ndryshme, të cilët jo vetëm dalloheshin nga ngjyra e lëkurës por dhe nga gjuhët që flisnin. Gumëzhin tërë qyteti, sidomos në orët e mbrëmjes, ku zhurmës së tyre i shtohet një muzikë e këndshme dhe e përzgjedhur. Kësisoj Pogradeci është shndërruar në një “perlë” të vendit tonë dhe na nderon. Siç dihet, e mira nuk njeh cak e unë, me aq sa pashë do të përpiqem të rendit disa gjëra, të cilat nuk i shkojnë asaj bukurie të rrallë.
Edhe vetë “perlat” nuk kanë përsosmëri, edhe për ato mund të thuash diçka. Po përpiqem të them jo ndonjë të panjohur, por të njohura që vazhdojnë teksa kërkojnë zgjidhje. Me keqardhje e them se gjatë shëtitjeve nëpër qytet, ndesha në dy botë të cilat nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Nëse buza e gjolit mund të cilësohet si një “mrekulli”, në pjesën e brendshme të qytetit, të duket vetja si në “Kandahar”.
Edhe buza e gjolit, ku është investuar fuqishëm, nuk mbetet pa vërejtje. P.sh., është plazh por roja plazhi nuk më zunë sytë. Ka dy lloj plazhesh: Publik dhe privat. Të parët m’u dukën të varfër e të kufizuar teksa privatët “shkëlqejnë” e kanë tendencë të zaptojnë territore.
Nëpër qytet të zënë frymën emërtime në gjuhë të tjera. Të tilla ka kudo, por më tërhoqi një tabelë ku shkruhej: Bufe- hotel- kafeteri “Dashnorja e fundit”. Emër të tillë nuk më kishin parë sytë.
“Mrekullia vetë” ndodhet në Tushemishtin e Teta Ollgës. Në këtë vendbanim gjen njerëz me zemër e shpirt dhe me duar artisti. Nëpër portat e shtëpive, kryesisht gra, kishin nxjerrë tezgat ku përveç artit që kishin derdhur në eksponatet që paraqesin, kanë dhe një sjellje tërë kulturë dhe edukatë, sikur të kenë lindur prej një nëne.
Edhe për këtë “mrekulli” që ka sajuar mendja dhe dora e njeriut, do të thosha, me dashamirësi dy mendime: Ndërhyrjet e shumta, sidomos në shtrimin e rrugicave dhe në ngritjen e mureve mund të kishte më tepër finesë. Një rrugicë, nga më kryesoret, pa trotuar anash, mjaft e populluar, qarkullohet nga këmbësorë dhe makina bashkë.
U kënaqa me ato që pashë, në ato pak ditë të cilat nuk dëshiroja të mbaronin. Ëmbëlsira, thonë se lihet për në fund. U mrekullova kur takova shokë me të cilët prej të paktën 60 vjetësh nuk ua kisha ndjerë zërin.