Kemi qenë apo jemi bërë qaramanë?
Çfarë nuk po na shohin sytë e çfarë nuk po na dëgjojnë veshët në këto ditë të mbrapshta? Në analizë të fundit, të gjithë biem dakord se në vendin tonë fukarallëku është ulur këmbëkryq. Skamja dhe spekulimi bëjnë kërdinë.
Ka diçka që duhet thënë: Kur bëjmë sikur analizojmë, gishtin nuk e drejtojmë kurrë nga vetja por nga tjetri. Shkakun e gjendjes dhe përgjegjësinë, nuk na vjen mirë ta marrim përsipër por e kemi më të lehtë të fajësojmë tjetrin. A nuk është kjo qaramani? Do të dalë ndonjë e të thotë, e, çfarë mund të bëjmë ne; çfarë kemi ne në dorë? Po, kemi dhe shumë madje.
Në terma të përgjithshëm: të bëjmë secili detyrën tonë, si qytetarë të këtij vendi. Po, a i bëjmë si duhet detyrat vetjake? Unë them se nuk i bëjmë si duhet detyrat. Këtë e kam të bazuar e nuk ia fus kot.
. Pluhur, pluhur e vetëm pluhur, me grimca metalike e pa to, thithim gjithë ditën e natën. Ai; ajo fshesaxhija, po ta njomë fshesën, nuk besoj se i thahet dora.
Vëreni autoambulancat, të cilat lëvizin nëpër qytet me shumë zhurmë. Nga sistemi i tyre i alarmit, i shkelur deri në fund, besoj se ndihen keq edhe ata që janë në shtëpi apo në udhë, jo vetëm të sëmurët që bart makina.
Të lëvizësh nëpër trotuar, të kalosh tek vijat e bardha; të mos flakësh mbeturinat në rrugë; të mësohesh të mbash e të respektosh radhën; të mos i bësh zhurmë gjitonit në orën e pushimit, mos t’ia shkelësh gazin deri në fund mjetit, pavarësisht nga ora etj. etj. Edhe të komunikosh në udhë me fjalor të pranueshëm, pa fyer njeri etj. është qytetari, them unë.
Pa ju bezdisur, po ju sjell një shembull nga jeta: Para pak kohësh, djali shtatëvjeçar- Andes i cili banon në Gjermani, kur pinim kafe, i tha të atit; "O Ba; përse nuk ka pemë dhe gjelbërim këtu, por vetëm beton? Sa të rritem unë, pa do të vij e do ta bëj Shqipërinë si Gjermania!" Mezi po pres të rritet Andes e të vijë të bëjë ndryshimin.
Motra dhe vëllezër: "Mendoni sikur çdo familje të mbajë në balkon të paktën 2 vazo me lule, sa mund të ndryshonte gjendja." Etj. etj. etj.
Ju respektoj e ju dua shumë! Duajeni dhe ruajeni veten, se moti po e bën të tijen!