Niazi Nelaj

Shkrime

Edhe mirë; edhe jo mirë!

24 korrik 2023 · 2 min lexim

Nuk bëj analizë e nuk jap orientime. Rrëfej ato që vështroj; them fjalën time. Në fund të fundit, çdo njeri e ka kokën mbi supe dhe e di vetë çfarë bën. Veç një merak e kam e kur vështroj të ketë dyndje e shpeshtësi të madhe, ndonjë ngacmim e kam.

Facebook-u është siç dihet; respektoj lirinë, pa kufi që na jep duke krijuar mundësi të shpalosim atë që na vjen ndër mend dhe ashtu siç e gjykojmë dhe pa shpërblim. Po të qe ndryshe mbase nuk do të kishim kaq dyndje. Çfarë shkruajnë njerëzit, jo vetëm se nuk më intereson por ndihem i pafuqishëm të kundërveproj.

Më tepër më shqetëson çështja e fotografive që shpalosen. E çfarë nuk të zënë sytë? Po që reklamojnë fëmijë; sikur po garojnë me bukurinë dhe me brishtësinë e tyre.

Vështroj fotografi të lashta, të ruajtura me kujdes nëpër sepetet e familjeve. Dikush paraqet veten në etapa të ndryshme të jetës, si për të rrëfyer: Cili ka qenë e çfarë ka bërë? Vështroj dhe komunitete nxënësish, punonjësish, ushtarakësh etj. etj.

Të bezdisura janë disa fotografi të shtirura, në veçanti ta shpifin disa fotografi në të cilat, ndonjë manjak u ngjitet si... pas këpucës personaliteteve të shquara për t’i dhënë peshë vetes etj. etj.

Bëjnë mirë që publikojnë fotografi të panjohura por, rezervoj të drejtën të them se në këtë çështje vë re mjaft hipokrizi.

Kam mendimin se të bësh publike dikë që e ke dashur shumë është çështje private dhe gjykim vetjak, por pyetjen e kam: Përse pikërisht tani që personi i dashur është ndarë nga jeta? Dashuria për të tutë është e natyrshme dhe mes tyre ka diferencime. Ashtu sikurse vetë njeriu, më shumë se të tjerët do veten, është i dashuruar pas vetes.

Kush ka më tepër prirje për të publikuar fotografi e relike? Pa pretenduar se e kam gjetur tamam, po rendis disa kategori:

Në radhë të parë mund të jenë nostalgjikët, të “pjekurit” ku futem dhe vetë. Këta duan të njihen dhe të mbeten. Pas tyre mund të ngjiten në podium ata që i kanë mundësitë financiare dhe teknike. Shfrytëzojnë avantazhin që u ka krijuar Facebook-u.

Pyetjen e shtroj thjesht: Me këta të ikur, për të cilët u përvëlohet barku, kur ishin në jetë, si i trajtonit? Tani që nuk i kemi i kërkojmë, por të përjetshëm nuk ka e nuk mund të ketë. Siç po na zënë sytë e po na dëgjojnë veshët, shkëputja e brezave është evidente e mund të thellohet!

← Të gjitha shkrimet