Mendoj se ia vlen të hedhësh në letër një vëzhgim
Shkrimi është bërë nga pozitat e njeriut që vrojton por nuk ndryshon dot asgjë veç vetes. Kohët e fundit, në rrjetet sociale, sidomos në faqet e Facebook-ut kam vënë re një lloj "garë" të pashpallur dhe një prirje për të postuar sa më tepër fotografi. Të reja e të kohëve të shkuara, vetjake dhe të familjarëve apo të afërmve, të sapolindur apo të ndarë nga jeta, të sëmurë që lëngojnë apo të gëzuar e plot optimizëm.
Në optikën time është mirë dhe keq. Të dyja anët e medaljes i ka me vete. E mira, qëndron në faktin se bëhet e ditur gjendja aktuale, prirjet dhe i bëhet jehonë të shkuarës. Kësisoj, nuk harrohen ata për të cilët kemi mall për ta por dhe njohim të shkuarën e komunitetit brenda të cilit jetojmë.
Do të mundohem të përkufizoj dhe të keqen e kësaj punë. Shumë fotografi postohen pa identitet të plotë ose me identitet të tjetërsuar. Nuk bëhet fjalë për marifetet që përdoren por për të njohur e për të identifikuar atë që është shfaqur.
Kohët kanë ndryshuar e njerëzit gjithashtu. Ca kanë mbetur të rinj dhe janë vitalë, kur të tjerë, mosha apo problemet shëndetësore i kanë "tkurrur" (nuk bëhet fjalë për ata që janë të sklerotizuar rëndë) e i kanë të kufizuara ndjesitë.
Le të gjykojmë pak dhe për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë ndryshuar vendbanim shpesh e nuk janë në dijeni të ndryshimeve që kanë ngjarë. Është më mirë që pranë çdo fotografie të spostuar të dëftohet dhe identiteti i personit. Përndryshe puna bëhet ujem e nuk kuptohet se me ke kemi të bëjmë.
Ca më keq kur, pas shumë vitesh, ndonjë kokorosh kokëbosh, në fotografi e në rrëfime na shitet sikur çoç ka qenë e çoç është kur faktet na thonë të kundërtën. Nuk shkon fare të bësh kompetentin kur nuk je i tillë e nuk ke qenë asnjëherë i rëndësishëm.
Më falni që u rokanisa kokën, por ta dini që shkrimin po e postoj i nxitur nga ndonjë padrejtësi e dukshme. Më duhet t’u njoh respekt e mirënjohje, edhe atyre që mundohen të shkruajnë historinë, pa qenë historianë e pa pasur në dorë të vërtetat historike.