Niazi Nelaj

Shkrime

Për çdo lajm që evidencon shqiptarinë

22 shkurt 2023 · 1 min lexim

Për çdo lajm që evidencon shqiptarinë e në veçanti kur shpërfaqen vlerat e shqiptarëve gjë që na dëfton për vitalitetin e tyre, pa pasur asnjë hije racizmi, lumturohem, pa masë. Më gufon zemra e mbushem me frymë kur mësoj se në “x” vend u ngrit flamuri shqiptar, ose, kur marr vesh se nxënësit shqiptarë janë të parët në shkollën filan apo në qytetin fistek.

Që jemi të veçantë, kjo nuk ha diskutim, por të ruash gjuhën, zakonet, traditat, veshjen, këngët e vallet e vendit tënd, edhe duke qenë në dhe të huaj, i rrethuar nga vendasit për 200 e më shumë vite, kjo është një mrekulli.

Në Ukrainë jeton një komunitet shqiptarësh, i cili numëron rreth 500 vetë. Të tillë komunitete, disa herë edhe më të shumta në numër, jetojnë në disa vende të botës.

Dikush më pat thënë se mes zaparozhasve trima, por të pashkollë që i përgjigjen Sulltanit me fjalor që vetëm ata mund ta thonë, ndodhej dhe një shqiptar. Kjo është e padokumentuar, por kur mësoj se në Jug të Ukrainës jeton, prej kohësh një komunitet shqiptarësh, besueshmëria në vërtetësinë e atij njoftimi, më shtohet.

Urimi im i zemrës është: “Rrofshin e u shtofshin shqiptarët qëndrestarë, të zgjuar e trima, se na nderojnë vendin dhe veten e tyre”! Vërtet aktualisht jemi të varfër por nuk na mungon vitaliteti, me të cilin me siguri që do të vijë ndryshimi që dëshirojmë!

← Të gjitha shkrimet