Mendohem e mendohem por nuk gjej përgjigje
Mendohem e mendohem por nuk gjej përgjigje. Kjo më shqetëson shumë e më lë pa gjumë: Si mendoni ju: Largimi i njerëzve nga njëri-tjetri, është modernizim apo cikël i jetës? Dikush më sugjeroi: “Nuk të troket njeri në derë dhe askush nuk ta hap derën, po trokite”? Më “përvëloi” ky fakt, mbasi kemi qenë e jemi shtëpi bukëdhënë. E kuptoj ndryshimin që ka ngjarë por nuk e shpjegoj dot, përse ngjan kështu?
Dikur, më rrëfente një njeri i imi me personalitet se në qytetin e Përmetit, edhe portat e avllive liheshin hapët; në oborr ndereshin rroba e asnjëri nuk “vinte dorë”! Në shtëpinë bukëdhënë të prindërve të mi, në Kalivac hynin e dilnin njerëz, pambarim. Ata priteshin e përcilleshin me bujari! Edhe në shtëpinë time, në Tiranë, kanë bujtur, si në shtëpinë e tyre, dhjetëra njerëz. Hallexhinj, ushtarë, të sëmurë, studentë, nëpunës etj. etj.
Kjo gjë, sot ndodh mjaft rrallë dhe vë re se njerëzit sikur janë më të ftohtë. Të jetë thjesht çështje interesi; problem pronësie apo çfarë të jetë?
Është e vërtetë se njerëzit, për shkaqe të ndryshme janë përhapur në të gjithë globin tokësor. Ku nuk i gjen njerëzit tanë? Nga Amerika, në Kanada, në Australi, në Turqi e në Greqi, ku nuk kanë shkuar vajzat dhe djemtë tanë.
Janë të shumtë ata që na nderojnë, në fushat ku punojnë, janë akoma më të shumtë ata që pohojnë gojëplotë se janë shqiptarë dhe këtë e kanë për nder, por nuk janë të paktë dhe ata që kanë hedhur një gur prapa e nuk duan të dinë as për vendin; as për njerëzit.
Do të emigrojnë, domosdo, madje dhe do të ketë, siç ka emigrantë në vendin e tyre, por Shqipërinë dhe njëri-tjetrin nuk duhet t’i harrojmë, përndryshe endemi në kotësi!
Ju dua e ju çmoj ndaj e ndava me ju këtë brengë.