Nica dhe Zemani
(Një familje e thjeshtë shqiptare, me histori interesante)
Ndoshta nuk do të përfillesha për të hedhur në letër këtë histori të kahershme dhe të re, po të mos kish qenë ajo mbasdite fatlume e katër janarit të vitit 2013, kur, së bashku me bashkëshorten shkuam në shtëpinë e të moshuarës Nicë, e cila ka mbushur 85 vjeç. Vajtëm për ta parë e për ti uruar njeriut tonë, vitin e ri 2013. E gjetëm në shtëpi e kjo na gëzoi. Nuk na u desh të pritnim fare.
Nica është lindur në Delvinë, nga dy prindër ortodoksë, me kombësi e shtetësi shqiptare nga Baba Themistokliu i Papadhimeve dhe nga Nënë Anna. Ajo banon prej kohësh në Tiranë, në lagjen 9, pranë kryqëzimit të „21 dhjetorit“, në një sipërfaqe banimi të kufizuar, prej 2 dhoma e një kuzhinë, ku ka lindur e ka rritur dhe ka martuar 4 djem. Në atë ngushtësi banimi, Nica pastërtore, e kish kthyer banesën në vend „pelegrinazhi“, ku hynin e dilnin, si në shtëpinë e tyre, njerëzit e saj e më tepër ata të Zemanit. Lexues të nderuar, në rrëfim bëhet fjalë, jo për Nicën që përshkruan shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare, në Romanin „Gjenerali i Ushtrisë të vdekur“, por për gruan fisnike, bujare e zemërmirë, të mirën Nicë Saliaj.

Nxituam për ta takuar e për ta uruar, të moshuarën Nicë, e cila ka zënë shtratin e është e rrënuar, nga mosha, nga sëmundja e nga lodhja e patreguar që ka përjetuar gjatë gjithë jetës, rrjedhojë e fatit të trishtë që i ra në pjesë. Zonja Nicë, ka zënë shtratin dhe lëviz me vështirësi. Prandaj i shkuam në banesë; për ta takuar e për ta uruar. Na kish marrë malli për këtë grua e cila me sjelljen e saj dashamirëse të bën për vete, deri në atë shkallë sa të merr malli për Të. Rrallëherë e me vështirësi Nica na ka telefonuar, përzemërsisht e me tone miqësore, si për të na kujtuar detyrimin që kemi ndaj saj.
Dera e saj ka qenë e hapur vazhdimisht për dashamirësit e asaj shtëpie. Ajo na ka pritur e na ka përcjellë kurdoherë, me dashuri e respekt duke na falur shumë mirësi. Vatra e Nicës dhe e Zemanit ka shërbyer si një strehë e ngrohtë për të gjithë ata që hynin e dilnin prej saj me qëllime të mira. Pjesëtarët e familjeve Ilirjani dhe Mullaraj, nga Tepelena, njerëz të një gjaku me Zemanin dhe vëllanë e tij të vetëm- Qazimin, të rinj e të moshuar, në çdo kohë, jo vetëm që kanë qenë të mirëpritur në atë vatër fisnikësh por kanë gëzuar status e preferencë të veçantë.
E gjetëm në shtrat, të mirën Nicë. Krevati i saj ishte në një kthinë të kuzhinës të vogël stërgjatëshe, pranë dritares. Përmasat e kuzhinës janë skandaloze. Ajo është projektuar si paradhomë e banesës, nën një çati, ku është strehuar djali i vogël i saj Kostandini, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijë të sekseve të ndryshëm, në moshën e adoleshencës. Apartamenti prej dy dhoma e një kuzhinë, në katin e parë të një ngrehinë dykatëshe, me çati, i ndërtuar në vitet ’50 të shekullit të shkuar, ndodhet në rrugën „Frosina Plaku“, në Tiranë. Nica, bashkëshorti i saj i ndjerë – Zemani dhe katër djemtë e tyre, banojnë prej shumë vitesh në këtë apartament.
Sapo hymë në kuzhinë, Ajo na njohu e u gëzua shumë. Si dikur, kur ishte e re e me fuqi fizike, Nicës i qeshi nuri e u bë shend e verë. Pa lëvizur nga vendi, Ajo, me vështirësi u ngrit përgjysmë, vuri syzat, ngriti pak kokën, na mirëseardhi e na përqafoi, të dyve. Të parën përshëndeti e përqafoi bashkëshorten time, e cila është mbesë e Zemanit. Nica e moshuar, mbasi përfunduam ceremoninë e takimit, i tha mbesës të burrit të saj të ndjerë: „Pa ngrije pak kokën e më vështro në sy se më nxorre mallin e të ndjerës Metullahe“! Vura re se e moshuara ishte tërë emocione dhe nuk mundi ti fshihte ato. Dridhej, e tëra. E kish marrë malli për ata që i do zemra e mezi pret ti vështrojë. Mbesa e saj, sikur ta kish gati përgjigjen, në çast ia ktheu reston: “Ngjaj, si të mos i ngjaj? Nënë e kisha dhe çfarë Nënë”?
Duke më përqafuar e mbasi më puthi, në faqe, siç të puthin gratë, në trevat e Jugut të vendit, iu drejtua mbesës: “Ky është burrë zotni; më i nderuari e më I respektuari në fisin tuaj”! E përqafova edhe një herë për këtë kompliment të saj e Ajo më puthi sërish. Si për të më rrëfyer një gjë të mblojtur brenda vetes, apo një dert të saj, me zë që të dëgjohej në atë mjedis të kufizuar, ballazi mu drejtua e më tha: “Ty të kam vëlla? Apo jo“? Pohova, me kokë e me zë për të vërtetuar se ato që thosh ishin të vërteta. Është e dhimbsur dhe e dëshiruar, bujarja Nicë; i çelej nuri e i qeshte buza, kur i shkonin njerëz, për ta parë. Këtë prirje Ajo e kish të trashëguar e të kultivuar qysh nga rinia e saj. Avancimi i moshës, ia kishte shtuar këtë prirje të mirë. Zemërmirësia e Saj, vihej re qysh në komunikimin e parë.
Sidomos dy familjet tepelenase: Ilirjanët dhe Mullarajt e kanë njohur prej kohësh dhe në vazhdimësi bujarinë e shpirtit human të Asaj gruaje Zonjë të Zotëruar. Prandaj dhe ne, të dy, burrë e grua, nuk ishim fare të papërgatitur për këtë takim interesant e nuk shkonim në të panjohurën. Ne të dy dhe dy familjet e mësipërme ishim ndër njerëzit më të preferuar e më të dashur për Zonjën Nicë, për dajo Zemanin dhe për djemtë e tyre. Bujarisë të shpirtit të saj i shkonte, për bukuri çiltërsia e thënjeve të saj, kurajua për t’u përballur me dinjitet dhe ndershmëria e sjelljes qytetare. Ajo grua kishte kurajon civile e ia plaste në fytyrë, kujtdo, të vërtetat, e, nuk donte të dinte si do ta priste tjetri (tjetra) opinionin e saj, për atë që bisedohej. Mjafton të ishte e bindur se po thosh të vërtetën. E përqafova, me mall e me respekt dhe, për një çast, më ngjau sikur po takoja Nënën time, të ndjerën Zonjë Temja.
E mira Nicë, gjatë kohës që qëndruam në shoqërinë e saj, më përsëriti disa herë; siç përsëritin të moshuarit: „Të kam vëlla; ti je burrë“! Doemos që m’u bë qejfi. Ca më tepër që një njeri si Nica, më lëvdonte në sy të bashkëshortes time, e cila është mbesë e burrit të saj – Zeman Saliaj (ndjesë pastë). Në fund të viteve ’60 të shekullit të shkuar, kur lidha martesën e parë e u sistemova me shtëpi rreth 20m pranë shtëpisë të tyre, çmova vlerat reale të familjes së tyre e u lidha ngushtë me ta, me dashamirësi e me respekt të ndersjelltë. Kur lidha martesë me mbesën e tyre, marrëdhëniet mes nesh k u shtuan e u bënë më të prekshme.
Biseduam me të moshuarën pa drojë, hapët e si të afërm që ishim. Bashkëshortja ime, duke respektuar traditën e familjes nga rrjedh e për të respektuar Nicën e moshuar e të sëmurë, i çoi asaj një pako me gatime të Vitit të Ri dhe fruta. Të moshuarës iu bë qejfi dhe atë gëzim që ndjeu e shprehu hapët. Jo se ndodhet në mungesë të të ngrënave, por, për faktin e thjeshtë se i ndershmi çmon nderin që i bëhet. Kush, më mirë se Nica Zonjë i ka nderuar e i ka respektuar ata që kanë merituar përkushtimin e saj.
Pas pak, teksa ne të tre po bisedonim, me përzemërsi e me mall, me njëri – tjetrin, duke sjellë në kujtesë dhe çaste të bukura të së shkuarës, edhe pse në ngushtësi, por të lumtur, në derë u dha djali i katërt i familjes – Kostandini. Kur ishte i mitur, ngaqë ishte shumë i mbarë, i urtë e i llastuar (siç ngjet me fëmijët e prasëm të familjes), me përkëdheli i thonim : „Pulaq“! Kjo novkë i mbeti kostës, edhe kur u rrit, se për ne ai mbeti i fundit i djemve dhe shumë I mirë. Kur u bë për martesë, Kosta u lidh me një vajzë tironse, nga familje e mirë. U bashkua me ne dhe bashkëshortja e Kostës. Vajza e tyre, një adoleshente bukuroshe, tepër e zgjuar, gjatë kohës që ne bisedonim vençe, erdhi e na takoi, por u ul e nuk u shkul nga kompiuteri, i cili është bërë si gjymtyrë për këtë vajzë inteligjente. Ajo, me sa duket, e ka ndarë mendjen të marrë udhën e shkencës e jo atë të paditurisë. Bravo i qoftë ! Asaj dhe prindërve të saj arsimdashës!
Gjatë qëndrimit në shoqërinë e njëri – tjetrit, me Zonjën Nicë dhe me Kostandinin e bashkëshorten e tij, biseda rrodhi për tema nga më të ndryshmet që na shqetësojnë. Folëm për jetesën, për punën, për strehimin, e çuam bisedimin tek gjitonët e vjetër e të rinj dhe u ndiemë mirë në shoqërinë e të zotërve të shtëpisë, ku roli primar i Nicës ishte evident. Na përcollën, deri tek porta e jashtme, Kostandini dhe e shoqja; Nica e kishte të pamundur të dilte.
Familja Saliaj, me katër djem të martuar banojnë në ngushtësi të madhe në atë mjedis të kufizuar. Sakrifica e tyre ka qenë e vazhdon të jetë e rrallë. Në njërën nga dhomat e këtij apartamenti banon djali i tretë i Nicës dhe Zemanit – Mondi (ndjesë pastë), së bashku me bashkëshorten dhe me dy fëmijë të rritur. Kur Zeman Saliaj ishte në jetë, pushtetarët lokale dhe ata të qendrës i kishin premtuar zgjerim familjes Saliaj, por ai nuk ndodhi asnjëherë. Premtimi pasoi premtimin e gënjeshtrat bënë radhë, por Nica me katër djem mbeti në të njëjtën sipërfaqe banimi. Ky apartament vetëm në regjistrat e zyrave të pushtetit ekziston me dy dhoma e një kuzhinë; në fakt është një zgeqe ku është e vështirë edhe frymëmarrja. Ecejaket, ankesat dhe kërkesat e vazhdueshme të të ndjerit Zeman Saliaj dhe të Nicës fjalëzjarrtë, janë arkivuar nga makutët e djeshëm e nga ata që janë sot, por ngushtësia ka mbetur ngushtësi, madje, me ndryshimin që ka ndodhur në jetën e familjarëve nuk ka ndryshuar dhe premtimet, mbeten vetëm premtime.
Kur u ndamë nga Nica, bashkëshortja ime e pyeti të moshuarën: „Do të të vijmë sërish, çfarë do të të sjellim? Për çfarë të ka vajtur mendja“? Dhe e moshuara e pamundur, sikur ti drejtohej vajzës të saj porositi: „Më ka shkuar mendja për byrek me kungull“! Një kërkesë fare e thjeshtë për një amvise si imeshoqe, e cila, përveç të tjerave, është mjeshtre e të gatuarit. Këtë tipar të mbesës të saj, Zonja Nicë e njihte mirë; prandaj nuk ngurroi ta porositete.
U kthyem në shtëpinë tonë, të kënaqur që takuam Nicën, atë që donim e nderonim shumë dhe për faktin që i dhamë asaj, një kënaqësi sado të vogël, në atë gjendje që ndodhet. Kënaqësia dhe mirësia që na përcolli ajo grua „kreshnike“ nuk mund të prevalonte mbi keqardhjen që ndjemë duke u ndarë nga ai „engjëll mbrojtës“ e cila, jo vetëm që ka vuajtur shumë në jetë, por dhe tani që i erdhi pleqëria, hallet nuk iu ndanë. Gjendja e saj shëndetësore dhe ajo sociale, na prekën jashtë mase e nuk mund të pajtoheshim me të. Ne e donim shumë Nicën dhe të sasjet dhe e donim që ajo të ishte përherë si flutur, por jeta ka ligjet e saj e prej tyre nuk mund të përjashtohet asnjëri.
E mbajti fjalën fjalëmbajtura dhe brenda javës, përgatiti një byrek me kungull, siç di të gatuajë ajo, të cilin ia çova Nicës. E gjeta të shtrirë në minderin e saj. „Jam e sëmurë, nuk kam bërë as drekën„ – u përpoq të justifikohej e sëmura. Tek jastëku, fëmijët i kishin lënë medikamentet e emergjencës mjekësore; tek koka i kishin lënë dhe një bastun ortopedik. Ishte vetëm. Tek shijonte copat e byrekut, i cili ishte gatuar me shije e për të moshuar të sëmurë, urimet e zemërmirës Nicë, nuk kishin të sosur. „I lumshin duart sime mbesë“ – tha Ajo „Ma ngjalli të paharruarën Metullahe, Nënën e saj“.
Histori dashurie si ajo mes Nicës dhe Zemanit, janë të rralla. Në vendin tonë për shkak të të ashtuquajturës luftë e klasave, ka patur, pa masë lidhje dashurie dhe ndarje të detyruara, në të cilat ka vazhduar motivi i tërheqjes fizike por, në mjaft raste ka qenë e heshtur dhe dy të rinjtë janë vënë mes dy zjarreve. Në njërën anë vlonte brenda qenies së tyre, avra e tërheqjes dashurore; nga ana tjetër, dashuria e tyre ishte nën vrojtimin e syve të opinionit, të ndarë me dysh; një pjesë i ndjente të rinjtë në ndjenjat e tyre kurse një pjesë tjetër (ajo konservatore) mbështeste traditën e u bindej urdhrave mizorë të partisë – shtet. Dashuria e Nicës për Zemanin dhe e kundërta, u mbrujt e pastër, larg ndikimeve të opinionit dhe pa përfillur vullnetin dhe orientimin nga lart, i cili e pengonte këtë lidhje dashurore. Prandaj, dashuria e dy të rinjve në fjalë, u ngjit mbi barrierat e Luftës klasore; triumfoi mbi të dhe i dha frutet që priteshin.
Në takimin e dytë, në shtëpinë e saj, e pyeta, pa të keq, por për qëllimet e mija, për historinë e lidhjeve të saj me Zemanin dhe për jetën e tyre. Të jem i sinqertë me ju, të dashur lexues; më kish lindur ideja për të shkruar një lloj rrëfenjë, për këtë histori interesante, e cila nuk u ngjan të tjerave edhe pse deri – diku ngjasojnë. Dola nga shtëpia, bleva në një shitore aty pranë një stilolaps dhe letër e u ula e intervistova, fije për pe të sëmurën, ashtu siç ishte, në shtratin ku lëngonte. Me çiltërsinë e një fëmije dhe me përkujdesjen e një nëne për mos t’u bërë keq të pjellëve të saj, Nica mu drejtua me një pyetje të natyrshme: „Po, përse të duhet biografia jonë, ty“? I rrëfeva të vërtetën e ajo nuk më kundërshtoi. Mendjen e kish si dikur, në të ri; artikulonte pastër ndonëse reagonte me vështirësi ndaj pyetjeve të mija. Nga sa kuptova, nuk e kish të vështirë të kujtonte të shkuarën e saj dhe të bashkëshortit të ndjerë, vetëm se duhej ngacmuar kujtesën, herë pas here. Me dy stilolapsa në dorë, të cilët i bleva në një shitore fruta – perimesh, në prani të djalit të madh të saj; Petit dhe bashkëshortes të tij – Mirës si dhe djalit adoleshent të Kostandinit Zhvillova bisedën me bashkëbiseduesen time të këndshme. Ata, të gjithë, në atë vend të ngushtë, nuk kishin ku të uleshin, prandaj takuan gjyshe Nicën, përshëndetën mua e u larguan në punë të tyre. Kur mbetëm të dy, i thashë dhe një herë të mirës Nicë se dua të shkruaj për familjen tuaj, për hir të miqësisë që kemi dhe respektit të ndersjelltë. E meriton „heroina“ Nicë dhe trimi Zeman Saliaj, së bashku me djemtë e tyre si vitore, të mbeten në histori, siç kanë qenë, e si janë rritur, në atë ngushtësi mjedisi por nën kujdesin e dy zemrave të mëdha e dashurisë pa kufi të prindërve të tyre. Vendosa të shkruaja, me ndjenjë mirësie, thjeshtë e pa teprime, siç ka rrjedhur jeta e tyre e trazuar. Ato që dëgjova nga goja e Nicës hallemadhe, jo vetëm se janë autentike por zënë dhe vendin qendror në këtë shkrim modest. Kujtimet dhe opinionet e të afërmve të tyre, vetëm sa e plotësojnë këtë histori interesante e të rrallë. Sa do të doja që në këtë shkrim të zinin vend dhe mendimet e vyera të të ndjerit Zeman Sadullah Saliaj, por, për fatin tim të keq, u kujtova vonë e Ai supernjeri nuk është në jetë prej vitesh.
Siç më rrëfeu e moshuara Nicë, Ajo është lindur në një familje fisnike, me tradita atdhetarie, në Delvinë të rrethit të Sarandës, më 7 korrik të vitit 1928 (sipas regjistrimit kishetar). Delvina, në ata vite ishte nënprefekturë. Ajo ishte një trevë e lashtë, e mbushur me histori trimash me fletë e me bëma trimash, qyteti u rrit e u veselit, nga koha në kohë, me kontributet e banorëve të saj. Delvinjotët punëtorë, atdhetarë e arsimdashës, me përpjekje të pazakonta, lanë simotrat prapa, në rrugëtimin historik e doli në ballë të fqinjëve, në këtë „garë“ të heshtur, qetë-qetë.
Babai i Nicës – Themistokli Papadhima, një arsimdashës i flaktë, me dëshirën e pamatë për të nxënë, u arsimua në fushën e jurisprudencës e u bë dikushi. Ai u bë i njohur e mori famë, si njëri nga juristët më në zë, në trevat e Jugut të vendit tonë. Themistokli Papadhima e ushtroi detyrën e gjyqtarit, në disa rrethe të vendit e për shumë vite. Ai punoi në Sarandë; në Delvinë; në Konispol; në Gjirokastër, në Kolonjë e gjetke. Nënë e Nicës ishte Zonja Anna Papadhima. Ajo ishte bijë e një familje fisnike nga Delvina. Në kohën që përcolli, Ajo pati fatin të ishte një Nënë e mirë shtëpiake e cila rriti dhe edukoi një vatër me fëmijë, mes tyre dhe Nicën tonë të mirë. Vajza e Papadhimeve si bartëse e traditave dhe vlerave morale të krahinës, Nënë Anna, i rriti e i mëkoi fëmijët e saj të shumtë me tiparet që kish vetë Ajo, duke i rritur shqiptarë të denjë. Nica, „heroina“ e këtij rrëfimi u rrit e u mëkua me vlerat e bashkëtrevasve duke përthithur gjithë kujdesin dhe përkushtimin e prindërve dhe të familjarëve të saj rigoroze.
Nica Papadhima, fëmijërinë e përcolli pranë familjes ku mori edukatën e prindërve dhe të familjarëve, e rrethuar nga një mjedis ku sundonte edukata e kultura qytetare. Ajo, kur mbushi moshën për të vajtur në shkollë, u regjistrua dhe ndoqi mësimet e para, në shkollën fillore të Delvinës, të cilën e përfundoi me tregues cilësorë, të cilët e vinin vajzën e Themiltokliut në ballë të klasës dhe të shquar në shkollë. Asaj nuk i mungoi asgjë nga çfarë i duhej për të qenë një nxënëse e dalluar. Në shkollë e jashtë saj, vajza e familjes Papadhima u shqua për zgjuarsi natyrale, shkathtësi dhe kishte dhuratë nga natyra një bukuri të rrallë femërore. Ajo femër kishte një mprehtësi të veçantë që binte në sy. Asgjë në mjedisin ku jetonte e në shkollë, nuk i shpëtonte pikasjes të saj. Mama Anna, i mëkoi, hap pas hapi të bijës, normat e një sjellje plot edukatë e respekt për ata që e rrethonin, në veçanti për të moshuarit si dhe e brumosi, me njohjen dhe zbatimin e traditave, zakoneve të kohës e të trevës. Nica, me zell të madh nuk linte rast pa përshëndetur e pa ndihmuar të moshuarit. Në edukatën e saj familjare e në sjelljen e mirëfilltë qytetare dukej qartë prirja e vajzës që rritej me caktimin e kufirit që ndan të mirën nga e keqja. Nëna e mirë, nguliti tek e bija tipare të qenësishme të karakterit si bujaria, shpirti i mirë dhe dashamirësia, të cilat u bënë tipare të spikatura të karakterit të saj dhe u shpërfaqën, me forcë gjatë gjithë jetës së saj.
Disa vite të shkollës fillore, e cila ishte me vlera si të bëje gjimnazin, Nica i kreu në qytetin e Tepelenës, larg vendbanimit të familjes të saj të origjinës. Në Tepelenë, Nica u sistemua e banoi në shtëpinë e tezës të saj (motrës të Nënës) e cila quhej Katerina Dhimitri, e cila, aso kohë ishte arsimtare. Sjellja e Nicës fëmijë ra shpejt në sy të qytetarëve tepelenas; vajzat e klasës e të shkollës dhe gjitonët, duke parë tiparet e pëlqyeshme të Nicës, „vrapuan“ : kush ta bënte shoqe më parë, e sigurt se do të përftonte prej saj.
Si në Delvinë, ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe në Tepelenë“, heroina“ e rrëfimit tonë, Nica e Themistokli Papadhimës shkëlqeu, mes vajzave të moshës të saj. Tiparet karakteristike të mira të saj, si mprehtësia, zgjuarsia, shkathtësia, hiret e bukurisë vajzërore e të pubertitetit, të cilat sapo nisën të lulëzonin, i shtuan personalitetit të saj, vetëm tipare të mira. Vajzës delvinjote, të rritur me pekulë në një familje fisnike, gjatë viteve kur përcolli mësimet e shkollës unike, i la mbresa të thella një djalë i moshës të saj. Ai mishëronte tipare mjaft të mira, të cilat, nuk mund të mos çmoheshin nga e zgjuara Nicë. Zemani i Bikos dhe i Sadullah Saliajt, nga Kashishti i rrethit të Tepelenës, me dëshirën e zjarrtë për të nxënë, vinte, në këmbë, nëpër monopate të rrezikshëm, në dimër e në verë, kalonte dhe pasarelën mbi Vjosë e cila ishte ndërtuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe përkundej mbi dy pallamare çeliku që e mbanin të varur. Zemani, për të ndjekur mësimet e shkollës unike, e cila, në atë kohë në Kashisht ishte vetëm një dëshirë e mirë për t’u arsimuar, rrugëtonte, në këmbë rreth 4 orë në ditë, lodhej e rropatej, rrezikonte shumë por shkollës nuk i ndahej.
Mes dy të rinjve lindi një ndjenjë simpatie dhe pëlqimi të ndersjelltë e cila, me kalimin e kohës u rrit, në heshtje dhe kur të dy kapën moshën madhore u konkretizua. Historia e kësaj lidhje është tejet interesante e meriton vëmendje, por, për këtë do të bëhet fjalë më pas. Zemani, që në vegjëli, reflektonte mirësi e shpirt të mirë. Ai, në familjen e tij ishte edukuar e formuar me sjellje e qëndrime prej një atdhetari të zjarrtë, me tipare qartësisht të dallueshme të zemrës të gjerë e të mirë, zgjuarsisë natyrale, thjeshtësisë e të qenit i çiltër, i drejtë e i rregullt, të cilat u rrinin bukur në shtat, atyre tipareve të bukura të fytyrës zeshkane, dy syve të mëdhenj si kokrra ulliri të pjekur, fytyrës që kuqelonte, sa herë nuk ishte dakort me veprime që nuk i shkonin për shtat. Zemani ishte topolak e i shëndetshëm, nga ata meshkuj të cilët, rëndom i thërrasin “buçko”. Para se të futej në pasarelë, tek këmbët e saj, Zemani qëndronte një copë herë sa të vinte nga fshati i tij Nalo Bisha, e cila, gjithashtu ndiqte mësimet në Shkollën Unike të Tepelenës. Ai, Nalon e kishte si motër dhe ndjenja kalorsiake e tij, ishte gati ti vinte në ndihmë, një vajzë, në këtë rast, për të kaluar pasarelën që lëkundej. Nica dhe Zemani, ishin të zgjuar e të etur për dije dhe uleshin në bangat e shkollës, duke u bërë sy e veshë, për të përftuar sa më tepër nga spjegimi i mësuesve. Asqë i shkonte në mendje Nicës „flutur“, se pikërisht djali nga Kashishti Zeman Sadullah Saliaj, do të bëhej, në të ardhmen bashkëshorti i saj dinjitoz.
Erdhi viti 1938. Nica u rrit e i hipi një nur bukurie i rrallë. Ajo mbushi 10 vjeçe dhe e përfundoi shkollën fillore. Prindërit e saj i kishin kushtet dhe mundësitë ekonomike për ti dhënë vajzës së tyre të zgjuar e me dëshirë për t’u arsimuar më tepër dije. Ajo u dërgua në Vlorë, për të vazhduar studimet në Shkollën Teknike. Kjo shkollë, në atë kohë ishte njëri nga institucionet arsimore më në zë, në vendin tonë. Si rregull, atë shkollë e frekuentonin e i nënshtroheshin regjimit shkollor fëmijët e zengjinëve të trevave të Jugut si dhe nga e gjithë Shqipëria. Emra të njohur si Hysni Kapo; Manush Myftiu; Kadri Hazbiu etj. Kanë qenë nxënës të saj. Në shkollë e në internat, Nica shkëlqeu, si vajzë e rregullt dhe nxënëse e „elitës“, mjaft e rregullt e me edukatë të shëndoshë. Dëshira për tu thelluar në mësime i ndrinte në sy. Treguesit cilësorë të saj, në mësime ishin nga më të përparuarit. Nica ishte përherë në pararoje të vargut të nxënësve.
Nisi Lufta e Dytë Botërore. Vendi ynë u bë njëra nga “viktimat“ e para të agresionit fashist. Shqipëria u shndërrua në shesh betejë, ku plekseshin interesa të ndryshme të fuqive imperialiste. Shkolla Teknike në Vlorë, si mjaft institucione të tjerë arsimore u mbyll; ajo u përshtat sipas planeve të pushtuesve dhe në shërbim të tyre. Nica dhe mjaft moshatarë të saj në pamundësi për të qëndruar në Vlorë, u shpërngul nga shkolla e vajti atje ku kishte familjen biologjike, në Delvinë. Meqenëse vendi ynë u pushtua, në çdo skaj; për të qenë më të sigurtë, Nica dhe familja e saj e origjinës, u shpërngulën në fshatin Nivicë – Bubar të rrethit të Sarandës. Në këtë fshat me tradita labe dhe të bukur, familja e Nicës dispononte një shtëpi, toka të begata, vreshta e ullinj dhe mjaft bagëti të imëta, gjedhë e kafshë ngarkesë. Kjo familje kishte prona e dyqane edhe në qytetin e Sarandës. Në Vurg, familja Papadhima kishte toka pjellore dhe depo drithi.
Në shtëpinë e Nicës, në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte instaluar një radiotransmetuese, e cila njoftonte kronikën e luftës dhe lajmet, në disa gjuhë. Nica dhe familjarët e të afërmit e saj, mblidheshin rreth radiostacionit për t’u njohur me njoftimet, mbi luftën, në fronte të ndryshme të saj. Lajmet transmetoheshin në gjuhët: Shqip; Italisht; Greqisht; Anglisht; Rusisht, etj. Në atë shtëpi, të sigurt, shtypeshin trakte me përmbajtje në favor të Luftës Nacionalçlirimtare. Nica adoleshente, me zgjuarsinë dhe mprehtësinë e saj, ndihmonte, në këtë veprimtari atdhetare. Ajo mban mend e më rrëfeu se në këtë shtëpi u shtyp trakti i parë, kushtuar vrasjes, të „Heroit të Popullit“ – Memo Meto, në fshatin Kuç, të Kurveleshit. Madje, edhe pas kaq vitesh, e moshuara më citoi tekstin e traktit të parë, si vijon:
„… Nga komanda vjen haberi, fonogrami, me nxitim;
Ti njoftohet ushtërisë, se në Kuç u vra një trim;
Memo Meto Oratori, natë e ditë, në veprim;
Memo të kërkon partia, se do shkoshë me shërbim …“!
Në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, Nica bënte pjesë në Rininë Antifashiste. Veprimtari konkrete e saj ishte: Shtypte trakte, në një shaptilograf që ndodhej në mjediset e shtëpisë të tyre dhe luante teatër, me pjesë nga lufta partizane. Magazinat e familjes të Themistokli Papadhimës, në Vurg të Delvinës ishin plot me misër, me grurë, me patate, me fasule, me bulmetra e me produkte të tjera bujqësore e blegtorale. Karvanet, të ngarkuar në depot e familjes Papadhima me këto prodhime, transportonin produkte ushqimore për partizanët e formacioneve luftarake në fshatrat: Kuç, Kallarat e gjetke, të rrethit të Vlorës, atje ku zhvilloheshin luftime të ashpra.
Babai i Nicës – Themistokli Papadhima ishte një intelektual i mirëfilltë, përparimtar e atdhetar. Ai e donte Shqipërinë, të lirë, pa bejlerë e agallarë. Themistokli Papadhima, kish pikëpamjen, sipas të cilës, njeriu duhet të punojë në shtet ku të marrë një pagë të caktuar. Por, ai duhet të ketë dhe pronën e tij private; shtëpi e katandi dhe, kur nuk kishte punë në shtet, të kish me se të merrej, në pronën e tij. Kur Babai i Nicës – Themistokliu ishte gjykatës, në rrethin e Kolonjës; kujton Nica, në zyrën e tij, në gjykatore, një ditë i vajti i kamuri atdhetar Sali Butka, me një qese me flori. I kamuri kërkonte, me anë të ryshfetit (korruptimit), të merrte në pronësi vijën e ujit të fshatit të tij. E dëgjoi me vëmendje bashkëbiseduesin, juristi Themistokli Papadhima e u përgjigj: “… Mua, më ka caktuar shteti, në këtë detyrë, jo për të marrë ryshfete, por, për të dhënë drejtësi. Në qoftë se të takon vija e ujit, mesiguri që do ta marrësh, në të kundërt, vër majat nga vure thembrat e vështro punët e tua“! Nuk e priste këtë përgjigje, i kamuri, të cilit i dëgjohej fjala, në krahinë e më gjerë. Ai mori qesen me flori, mbrapsht, doli nga zyra rrëmbimthi e nuk e pa udhën nga të shkonte. Mirëpo, Babai im, tha Nica, u mor me politikë e ra në grackat e saj. Ai ishte kundër masave që mori pushteti, i dalë nga Lufta Nacionalçlirimtare, prandaj, në muajin dhjetor të vitit 1945, familjen tonë e internuan, siç ngjante rëndom në ata vite, me kundërshtarët e regjimit.
Vendi i internimit të familjes Saliaj ishte Kamza (Kampi i përqendrimit, pranë Shkollës së Dakës), në vendin e quajtur Kodërkamzë, në tokat e Taf Kaziut (sot Universiteti Bujqësor). Më pas, kampin e përqendrimit e shpërngulën në Valias e më vonë në Cërrik të Elbasanit. Siç më rrëfeu vetë Nica; të internuar, në atë kamp, pjesëtarë të familjes time ishim: „Unë, Mama Anna; katër motrat dhe vëllai, të cilin e morën, me detyrim, nga Shkolla e Mesme e Naftës, në Kuçovë ku vazhdonte studimet“. Ime motër, e vogla, u internua së bashku me ne, edhe pse ishte e mitur (vetëm 3 vjeçe). Në kampin e përqendrimeve, mes kufizimeve të papara, ajo u rrit, jo si moshatarët e saj, por si e kufizuar nga të gjitha të drejtat e moshës. Në kampin e përqendrimit ishin 3000 vetë. Godina e Shkollës së Dakës ishte e ndarë në dy seksione: Në njërin syresh banonin robërit gjermanë të luftës, rreth 300 vetë; në seksionin tjetër banonim ne, të internuarit shqiptarë. Në kampin e internimit punonin 3 femra gjermane të Gestapos. Kur robërit gjermanë të luftës u riatdhesuan, gjermankat vazhduan të punonin tek ne; më vonë, edhe ato u riatdhesuan.
Jeta jonë në atë kamp internimi ishte jetë skllavi. Gjatë një njëzetekatërorëshi kishim mjaft rropatje e privacione. Pa ndërprerje. Të internuarit monitoroheshin vazhdimisht, nga policia me uniformë dhe nga ajo me petka civile. Kapiteni i parë Zeman Sadullah Saliaj, nga fshati Kashisht i rrethit të Tepelenës, ish partizan i Brigatës së 6 – të Sulmuese, anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, ishte komandant I kampit të internimit. Në kamp – kujton Nica – shërbenin dhe disa policë me sjellje të njerëzishme. Ata, brenda rregullave të kampit për trajtimin e të internuarve, silleshin mirë me ne. Njëri syresh, ishte Verior. Atë e quanin Han. Me sjellje korrekte dhe dashamirëse ndaj të internuarit silleshin dhe të tjerë policë. Kujtoj një polic korçar, i cili ishte i shkolluar dhe një tjetër nga Ballshi të cilët manifestonin njerëzillëk me ne. Të internuarit kryenin punë të rënda. Aso kohë ishte në ndërtim fabrika e tullave, tek ura e Kamzës, mbi lumin e Tiranës, pranë Shkollës së Dakës. Në ndërtimin e saj, punonim kryesisht ne të internuarit. Si vajzë e re, e zgjuar, e shkathët dhe e shkolluar, Nicën e caktuan të kryente detyrën e ekonomistit, në kamp. Ajo kishte për detyrë të bënte „forcën“ për t’u furnizuar me ushqim, për të internuarit dhe për policët që i ruanin ata, si dhe mbante evidencën e të internuarve që largoheshin nga kampi dhe të atyre që vinin rishtaz, në kamp.
Vajza e internuar Nicë Papadhima, me hijeshinë e saj dhe me zgjuarsinë, shkathtësinë e rininë e saj, me ato hire vajzërore të cilat sapo kishin shpërthyer, në shtatin e saj imcak, tek vraponte nga njëri cep i kampit, në tjetrin, nuk kaloi pa rënë në sy të komandantit të kampit të të internuarve, kapitenit të parë, Zeman Sadullah Saliaj. Për hir të së vërtetës, Zemani ishte fort i ri, i dalë nga Lufta partizane, tërë energji e trimëri, i bukur si ai, i qetë, i shkathët, i sjellshëm e tërë hir, në kulmin e djalërisë e plot reputacion, me ndikim të fuqishëm në shoqërinë që e rrethonte dhe në radhët e eprorëve të tij. Guximi, trimëria dhe tiparet e tjera të lavdërueshme, i kishin dhënë djalit të madh të Sadullahut, atë vend që meritonte në shoqëri.
E vrojtoi mirë e mirë e për shumë kohë Nicën, pëlqeu figurën e saj dhe tiparet e qenësishme të karakterit të një vajze të rregullt, siç e dëshironte Ai, „i hipi gjaku në kokë“ dhe mes dy të rinjve nisi një marrëdhënie e re, e fshehtë dhe e rrezikshme, e cila u shndërrua në një dashuri të ndersjelltë, të pastër e të çiltër, e cila përfundoi me martesë. Duke u lidhur me dashuri, me një të internuar, Zemani, i mendoi mirë rrjedhojat që do të kish nga kjo lidhje e pazakontë, e pangjarë deri atëherë në vendin tonë. Ai, pa përfillur barrierën klasore që i ndante dy të rinjtë, rrjedhojë e origjinës të Nicës, midis dy alternativave, zgjodhi dashurinë dhe vërtet humbi karrierën por fitoi një bashkëshorte të denjë e besnike, e cila, në fund të fundit, nuk kish përse të vuante reperkusionet për një veprim të pa bërë prej saj.
Marrëdhëniet dashurore mes dy të rinjve, në fshehtësi e larg syve të përgjuesve të shumtë, u thelluan; Nica mbeti shtatëzënë. Tashmë gjërat mes tyre u bënë më serioze e raporti mes dy të dashuruarve, kërkonte legalizim. Zemani, sipas rregullave të kohës, njoftoi partinë dhe komandën, për hapin që kish bërë dhe për vendimin që kish marrë. Ai kish reputacion e i shkonte fjala, në Ministrinë e Brendshme, nga e cila varej dhe në rrethet shoqërore kudo ku njihej e ku kish lidhje pune, fisnore, shoqërore e miqësore. Lidhjet e tij të gjakut ishin të ingranuara ngushtësisht me Partinë Komuniste të Shqipërisë. Vetë Zemani nisur nga urrejtja pa kufi për pushtuesin dhe si i rritur në një mjedis atdhetarësh, ku bashkë me qumështin e Nënë Bikos, kish thithur dhe dashurinë për Kashishtin, për malin e Shëndëllisë, mbi fshat e i dhimbsej çdo gurë e çdo kaçube me shkurre, në atë trevë, ku njerëzit të marrin gjak në vetull. Pjesëmarrja në luftime, ku Zemani partizan ishte shquar për guxim e trimëri e kish kompletuar Atë, me tipare luftarake dhe e kish „pjekur“ dhe e kish kalitur, fizikisht e mendërisht. Ndaj dhe vendimin për të mospërfillur „gardhin e Luftës së klasave“ por u lidh me të mirën Nicë, pavarësisht se Babai i saj, ishte pozicionuar kundër regjimit të kohës, ishte një vendim i matur, i pjekur e i menduar mirë.
U përpoqën shokët, miqtë, familjarët, tërë ata që e njihnin dhe e donin, madje dhe eprorët e tij, për t’i mbushur mendjet Zemanit nga Kashishti që të kthente mendim, por Ai, me bindje e me besnikëri, nguli këmbë në drejtësinë e vendimit që kishte marrë dhe në vitin 1949, lidhi martesë me Nicën e Papadhimeve nga Delvina. Ai vullnetarisht hoqi dorë nga ofiqet, gradat dhe nga privilegjet që i jepte statusi i anëtarit të partisë, komandantit të kampit të të internuarve, ish partizanit trim, kapërceu barrierat klasore që e ndanin nga Nica, e dashura e tij besnike e u martua me Të. Ndodhia ishte e paparë; qëndrimi i Zemanit ishte optimist e i guximshëm, ai gjykoi, jo sipas vijës ideologjike që propagandohej me forcë, por, mbi bazën e thirrjes që i bënte ndërgjegjja e tij e pastër, pa ndikime nga propaganda partiake që ngjallte urrejtje klasore dhe përqafoi urtësinë popullore që kërkon paqetim e mirëkuptim. Vendimi që mori Zeman Saliaj për të përbuzur ndryshimet klasore për hir të dashurisë të pastër e të ndersjelltë ishte i guximshëm e i menduar mirë, në një kohë kur „peshorja“ e kohës çmonte qëndrimin në pajtim me vijën e partisë dhe ishte e pamëshirshme për ata që shkonin në të kundërt.
Mjaft presione, madje dhe kërcënime iu bënë djalit nga Kashishti i Tepelenës – Zeman Saliaj që të hiqte dorë nga vendimi që kish marrë; por Ai këmbëngulte në të tijen, jo për kokëfortësi, por si një vendim i marrë me vetëdije e i menduar gjatë. Kur moralistët u bindën se nuk e kthenin dot trimin e mençur Zeman Sadullah Saliaj nga udha ku ishte futur nisi kalvari i reperkusioneve. Meqenëse Veprimi i Zemanit binte në kundërshtim me vijën e partisë, fillimisht Atë e përjashtuan nga radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe e liruan nga radhët e Ushtrisë Popullore, të dalë nga Ushtria Nacionalçlirimtare. Kjo ngjau në muajin shtator 1950.
Në muajt e fundit të shtatzanisë, Nicën e nxorën nga kampi i përqendrimit ku ishte e internuar. E çuan në Shkodër sa të lirohej nga shtatzania. Në Shkodër, Nica qëndroi 3 muaj. Atje Ajo solli në jetë djalin e parë të familjes – Petin, i cili ishte fryt i dashurisë të tyre të sinqertë. Gjatë kësaj kohe, Zemani vazhdonte të ishte oficer, me ndryshimin se e transferuan në brigatat e ndjekjes kundër bandave të armatosura që vepronin, sidomos në zonat e Veriut të vendit. Ky ndryshim në karrierën ushtarake të Zemanit ishte një lloj ndëshkimi dhe paralajmërimi se e pritnin të tjera masa ndëshkimore, më të rrepta.
Zemanin e ndëshkuan, rreptë dhe e liruan nga ushtria, por, për hir të meritave dhe reputacionit që gëzonte i dhanë shtëpi në Tiranë e punë, në fermën e Xhafzotajt, në rrethin e Durrëzit. Trimi nga Kashishti i Tepelenës, Zeman Sadullah Saliaj, përzgjodhi të strehohej me familjen, në Tiranë dhe të punonte në detyrën e ekonomistit në Ndërmarrjen Bujqësore në Xhafzotaj. Para vitit 1944, përpara se të nisej për në luftë kundra pushtuesve, Zemani ishte shkolluar në shkollën teknike të Golemit të Kavajës, e cila ishte në kujdestarinë e amerikanit Harry Fultz. Në atë shkollë, Zemani mësoi profesionin e ekonomistit e u diplomua në këtë shkencë. Pas çlirimit të vendit, kur u çel Shkolla e Mesme Ekonomike, në Kombinatin e Tekstileve „Stalin“, në Tiranë, Zemani kreu Teknikumin Ekonomik; natën. Detyrën e ekonomistit të mesëm, Zeman Saliaj e ushtroi, deri sa doli në pension pleqërie. Ai punoi në Xhafzotaj, në kushte mjaft të vështira. Mjafton të them se Zeman Saliaj, çdo ditë, shkonte e kthehej, me tren, nga Tirana, në Xhafzotaj, brenda ditës. Në Xhafzotaj, nuk kishte stacion treni, por makina gjigande prej hekuri, atje, paksonte shpejtësinë e Zemanit topolak, me hipertension, i duhej të hidhej nga treni, në ecje. Kish ndodhur të binte në tokë, jo në këmbë por mbasi vraponte pas trenit, për hir të inercisë, të rrokullisej si top futbolli, derisa të sfumohej shpejtësia. Gjykojeni vetë sakrificën e atij njeriu për të rritur fëmijët që solli në jetë. Mbase ngjan e tepërt po të theksoj se cilido që e njohu Zeman Salinë, në punë e në jetë, patjetër që ka pikasur tek Ai, një shok e mik për kokën e mikut; një njeri të qetë, fjalëpak e punëshumë; të qetë, të përkushtuar, të besës e të sakrificës; një njeri „pa gojë“; të urtë, të gjindshëm e fjalëëmbël. I tillë mbeti, Zemani nga Kashishti i Tepelenës, deri në fund të jetës së tij halleshumë.
Pas qëndrimit në Shkodër, Nica, me fëmijën e parë, Petin – latant, erdhi në Tiranë e u strehua në një banesë të rrethuar nga gjitonë tiranas autoktonë, për të cilët Ajo ruan respekt të thellë. Pas tre muajsh, Nicës iu desh të shtegtonte në Kashisht të rrethit të Tepelenës, në familjen e bashkëshortit të saj, Zemanit. As që mund ta merrni me mend sa të vështirë e pati Nica, jetesën në atë fshat ku, aso kohë mungonin edhe sendet elementare për të menaxhuar një bebe. Mirëpo e zgjuara Nicë, duke menduar se edhe në atë skaj të largët të vendit, jetohej e njerëzit shumoheshin, u përshtat shpejt, me kushtet që gjeti dhe bëri siç bënin bashkëfshatarët nga Kashishti. Në familjen e Zemanit, Nica gjeti mbështetje e përkrahje të fortë. Babai i Zemanit Sadullahu e donte dhe e respektonte shumë nusen e djalit të madh – Nicën, e cila me sjelljen e saj dhe respektin që krijoi për Baba Sadullahun dhe për Nënë Bikon, fitoi shpejt zemrat e tyre. Dashuria dhe respekti i Sadullahut dhe i Bikos, për nusen e Zemanit, ishte i shtuar dhe nga fakti se Ajo kishte sjellë në jetë një djalë, i cili ishte simbol i vazhdimësisë të trungut dhe çmohej shumë sipas traditës vendase. Kur Nica do të largohej nga Kashishti për të shkuar në Tiranë, pranë burrit të saj të dashur, Baba Sadullahu, një burrë I urtë e I mençur, e përcolli nusen e djalit dhe, duke i lënë lamtumirën (falemëshëndetin) i tha: “Përse po iken moj nuse? Qëndro këtu, se unë, edhe dhëntë do ti shes, për të mbajtur ju të dy“!
Por Nica e kish të pamundur të qëndronte më gjatë, në Kashisht, ndonëse i pëlqeu shumë fshati dhe njerëzit. Burri i saj, aso kohë ishte i sistemuar në punë larg shtëpisë. Atij I duhej, çdo ditë të shkonte në Xhafzotaj e të kthehej, për rrjedhojë kishte nevojë për kujdesin dhe menaxhimin e punëve nga e shoqja. Shtëpinë, në Tiranë, Nica e kishte lënë vetëm e duhej të kujdesej dhe për të. Prandaj, një ditë, mori djalin në pelena, (kollopan) e u nis për në Tiranë.
Shtëpia e re, me nevojat për t’u kompletuar, sipas kohës; me një fëmijë latant, i cili kishte kërkesa të veçanta, qenja e Zemanit në punë larg familjes dhe hyrjet e daljet e shumta në shtëpinë e tyre, e detyruan Nicën të kërkonte punë. Me atë ekonomi të brishtë, familja e re e Nicës dhe e Zemanit, nuk i përballonte dot nevojat e shumta. Pushteti i ri, i sapodalë nga Lufta, bazuar në faktin se Nica ishte grua e zgjuar dhe kishte kryer dy vite të shkollës teknike të Vlorës si dhe kish punuar si ekonomiste në kampin e internimit (me arsyetimin se të tillë nivele dhe aftësi gjendeshin pak, e punësoi Nicën inventarizuese të librit, në libraritë e Tiranës. Duke parë qëndrimin korrekt, prirjen e saj për pastërti dhe aftësitë menaxhuese të saj, Atë, më vonë e sistemuan në punë si edukatore, në çerdhet dhe në kopshtet e fëmijëve të kryeqytetit. Me tiparet e veçanta dhe me sjelljen e saj dashamirëse – qytetare, me dëshirën, aftësitë dhe zellin që dëftonte në punë, gojëmjaltës Nicë, e cila fitoi shpejt zemrat e shoqeve dhe të punëdhënësve, me qëllim që ta lehtësonin, si e vetmja grua në atë shtëpi me shumë halle e detyrime, i dhanë një „bonus“ shoqet e punës, të cilin e miratoi dhe administrata e ndërmarrjes: Ajo do të punonte 6 orë në ditë e do të paguhej për 8 orë. Ky veprim dashamirës i kolektivit punonjës, ia bëri më të lehtë punën, Nicës e ajo u përkushtua më fort ndaj familjes dhe bashkëshortit.
Vitet rrodhën dhe familja Saliaj, në Tiranë, u strehua në një apartament me 2 dhoma e 1 kuzhinë, në rrugën „Frosina Plaku“, pranë kryqëzimit të ashtuquajtur të „21 dhjetorit“. Njëra nga dhomat ishte me paradhomë. Shteti e kishte llogaritur këtë sipërfaqe të kufizuar si kuzhinë. Çifti Nica e Zeman Saliaj, të dashuruar marrëzisht pas njëri – tjetrit u shtua dhe me dy djem të tjerë: me Landin dhe me Mondin. Në kërkim të një vajze, erdhi në jetë djali i katërt i tyre – Kostandini e me këtë lindje u mbyll cikli i lindjeve, për këtë çift interesant.
Në mesin e viteve, 70 të shekullit të shkuar, pata shansin të isha gjitonë me familjen e Nicë e Zeman Saliaj. Ata ishin me katër e unë me dy djem, të mitur. Banoja disa metra, në Veri të banesës së tyre. Pata mundësinë të njihesha me ta për së afërmi dhe për shumë kohë (7 vjet). U njoha me të gjithë; në veçanti me dy prindërit e tyre; me Zonjën Nicë dhe me Zemanin, të cilit nuk I ndihej zëri dhe mjaft banorë të bllokut nuk e vështronin (ikte e vinte natën, në punë) e nuk e njihnin fare. Të katër djemtë e tyre u rritën njëri pas tjetrit. Familja e tyre ishte njëra nga familjet më të rregullta e më të qeta më të papërzierat e më të respektuarat në bllokun tonë të banimit. Merita për sjelljen korrekte e dashamirëse të familjes së tyre u takon të gjithë familjarëve, prindërve dhe fëmijëve të tyre. Nica dhe zemani ishin gjitonë të përkryer dhe prindër model. Nuk mund të mos ta theksoj rolin primar të Zonjës Nicë, e cila, ishte „zemra“ e bllokut tonë. Shtëpia e saj gumëzhinte si zgjua bletësh nga hyrjet e daljet dhe nga qëndrimi i grave, të mëhallës, të cilat shkonin tek shtëpia e tyre, për të parë pastërtinë shembullore e për të marrë udhëzime, për ta mbajtur shtëpinë të rregullt e të pastër, për të gatuar e për t’u veshur, për t’u kujdesur për burrin dhe për fëmijët dhe për çdo nevojë që kishin. Ajo kompensonte, denjësisht, mungesën për një kohë të gjatë të Zemanit, në rolin e prindit për edukimin e fëmijëve. Zemani, burri i shtëpisë e babai i katër djemve ngrihej që me natë dhe e mbante vrapin tek stacioni i trenit për të kapur në kohë makinën e hekurt që do ta çonte në punën e tij, në Ndërmarrjen Bujqësore të Xhafzotajt, ku, gjithashtu, ishte shembullor, në çdo drejtim.
Të katër djemtë e familjes Saliaj, nën kujdesin kryesisht të Zonjës Nicë dhe nën „hijen“ (autoritetin, pa imponim) të Zemanit Burrë për t’u zënë në gojë, shquheshin në bllok e në shkollë, si fëmijë të edukuar bukur e me norma, të shëndetshëm, të sjellshëm, të pastër e me tipare qytetare. Asnjëri prej tyre, në asnjë rast nuk u bë objekt ankesash e kritike, në rrugicë e në bllok. Sjellja e tyre e qetë e pa çapkënllëqet e moshës bënte që banorët e bllokut të thoshin, vetëm „Bravo“ e për këtë i drejtoheshin Nicës me fjalë mirënjohjeje. Ata, më tepër se me fjalën e urtë të prindërve, u rritën me shembullin e figurës të tyre.
Urtësia, shpirti i mëndafshtë, korrektësia kudo e kurdoherë dhe dashuria pa fund për njerëzit ishin tipare dalluese të luftëtarit të shquar të formacioneve partizane, trimit me fletë – Zeman Sadullah Saliaj. Mungesa e gjatë e Zemanit, në familje, i shtonte barrën të mirës Nicë, por Ajo e përballonte ngarkesën me vitalitetin e saj tipik. Të shpejtë; të shkathët si flutur, të zgjuar e të mençur, pastërtore e të rregullt, me personalitet të spikatur, të qeshur, bujare, mikpritëse dhe të duruar, të tillë e njoha atë grua „engjëll“, të cilën e donin dhe e respektonin gjithë sa e njihnin apo që kishin të bënin me të. Bazuar në vlerat e saj morale dhe njerëzore, për të mirën Nicë, mund të jap vetëm një vlerësim që është një „Bravo“, me shkronjë të madhe.
Në bllokun ku banonim, në ata vite, Nicën e njihte dhe e respektonte, i madh e i vogël. Kjo konsideratë për të kish të bënte me vlerat e saj, vetjake. Me atë shtat të imët, brenda të cilit gjallonte një vullnet e sedër e paparë dhe e papërkulur, me atë vështrim të mprehtë, hetues, me logjikë të shëndoshë e me fjalën që ngjiste e shëronte si melhem, Ajo ua dilte për bukuri punëve të shumta të asaj shtëpie me pesë burra brenda dhe gjithë atyre hyrje – daljeve, sikur të kishim të bënim me një zyrë shteti, ku paraqiteshin hallet e njerëzisë. Në atë shtëpi nuk kisha dëgjuar kurrë të flitej me zë të lartë apo me tone autoritare, ashtu siç nuk kisha parë as nuk kisha dëgjuar për ndonjë zënkë të prindërve, në sy të fëmijëve e jashtë tyre. Të katër çunat, visheshin e silleshin si katër „pëllumba“, i mbante të pastër Mama Nica, i vishte me gusto, sipas kohës dhe mundësive ndonëse në familje jetonin ngushtë; me të ardhura modeste. Nuk u mungonte asgjë atyre „engjëjve“ sepse për mirëqenien dhe lumturinë e tyre, sakrifikonin dy prindër të ndershëm e me dinjitet njerëzor. Asnjëri nuk pati pretendime për sjelljen e tyre por të gjithë i vështronin me zili.
Histori me vete, tek e cila ia vlen të ndalemi fort e ta nënvizojmë si rast të rrallë është shpirti bujar i asaj gruaje kapedane. Nuk do të ndalem tek pritja dhe përcjellja që u bënte njerëzve të saj, se kjo është e ditur dhe e natyrës njerëzore e nuk ka nevojë për koment. E them plot gojën, me forcën e shpirtit dhe hapët, me kompetencë e vërtetësi, atë që kam „shijuar“ vetë dhe jo vetëm në një rast. Mikpritja e Nicës ishte hyjnore. Me bujarinë e shpirtit, me ngrohtësinë e një gruaje dhe nëne të mirë, me dhimbsurinë dhe me përkushtimin e një njeriu që e ka edukatë ti gjendet tjetrit, si në të mirë dhe kur ai ka hall. Nica, me dashamirësi priste e përcillte, sajdiste, nderonte e respektonte njerëzit e burrit, sido që ishin e të çdo niveli, moshe, seksi apo, besimi. Pse mos ta them siç e ndjej? Ky virtyt i asaj Zonje të rëndë, në një fare mënyrë ishte shprehje e dashurisë që kishte për bashkëshortin e sjellshëm e durimmadh – Zeman Saliaj. Njëherazi, sjellja e saj flet për fisnikëri. Të tillë e kishin edukuar Nicën prindërit e saj; e tillë ishte edukata e Asaj gruaje të rrallë.
Nica Saliaj (Papadhima) e kish shndërruar shtëpinë e Zemanit, në rrugën „Frosina Plaku“, në një hotel dhe në restorant ku mysafirët hynin e dilnin në çdo kohë të ditës apo të natës. Në atë shtëpi të kthyer në një „vakef“ vinin fshatarë e qytetarë, nga Kashishti e nga Tepelena dhe nga treva të tjera të vendit, të veshur mirë dhe me petka dosido. Ata vinin në Tiranë për punët e tyre; një takëm për të shkuar tek një mjek specialist; të tjerë për të takuar djemtë e tyre ushtarë apo studentë; kishte dhe nga ata që vinin për t’u ankuar për padrejtësitë që u ishin bërë nga pushtetarët lokale etj. etj. Mysafirët e Nicës e të Zemanit, kur merrnin udhën për në Tiranë, llogaritnin vetëm paratë e rrugëtimit kurse për të fjetur, për të ngrënë e për të pirë e kishin të siguruar tek „faltorja“ (shtëpia e çiftit Saliaj, në rrugën „Frosina Plaku“, e cila ngjante si ai majaku në breg të detit, i cili orienton mjetet lundruese në det. Të gjithë e dinin shtëpinë e këtij çifti „derë e madhe“ dhe e kishin të lehtë vajtjen pa teklif, si në shtëpinë e tyre; madje dhe pa trokitur. E dinin që, në çdo kohë i priste e mira Nicë, me krahë të hapët e me buzë në gas.
Mikpritjen e Nicës dhe të Zemanit, mund ta konfirmojnë: Tahir Ilirjani 103 vjeçar (ndjesë pastë); Fazlli Mullaraj, 95 vjeçar dhe e shoqja e ndjerë – Kadeja; vëlla Qazimi; djali i madh i Tahirit- Agroni (ndjesë pastë); Vajza e madhe e Tahirit…; vajzat dhe djemtë e Tahirit (Teuta; Violeta (ndjesë pastë); Valentina; Agimi (ndjesë pastë); fëmijët e Fazlliut e cilido që merrte udhën për në atë shtëpi, dera e së cilës hapej kanate e brenda saj gjenin shumë ngrohtësi e bujari. Mikpritjen e Nicës e të bashkëshortit të saj, Zemanit nuk mund ta harrojnë, pinjollët e familjeve që kanë gjak nga i Mullarajve dhe Ilirjanëve; Maksimi; Drita; Afrimi, Astriti, Arta, pinjollët e Sheqerës (ndjesë pastë); Lindita, Roberti e dhjetra të tjerë të cilët kanë trokitur në çdo kohë, në atë derë, e cila qëndronte pa reze nga brenda.
Zemanit, atij deli burri, me zemër të madhe e i dhimbsur sa ska, i qeshte nuri e bëhej shend e verë kur në shtëpinë e tij, me sipërfaqe të kufizuar por me traditë mikpritëse dhe me bujari të pamatë, vinin mysafirë. Zemani kishte mall për fshatin e tij – Kashishtin e Tepelenës, ku kishte zënë mullën e ishte mëkëmbur dhe për familjarët e tij, prandaj, kur i vinin mysafirë të nderuar, ai shfaqte gjithë vulgun e mallit e të dashurisë për njerëzit. Nuk mund ta përfundoj shkrimin, pa shkruar diçka për portretin e atij burri që nuk vjen më.
I shkurtër e topolak; me shtatin tërë muskuj; me fytyrë të gjerë kuqalashe, me ballin të lartë, me dy sy të mëdhenjë, të zes, shprehës të pakrahasueshëm të botës të tij të pasur dhe karakterit të fortë e të qëndrueshëm. I qeshur, i gëzuar nga jeta plot peripeci, pa u penduar për atë veprim të guximshëm që bëri, duke flakur tej barrierat e të ashtuquajturës luftë e klasave e cila ishte e stisur dhe e nxitur, për të përçarë e për të denigruar njerëzit. Zemani ishte i dashur e zinte vend të nderuar në shoqërinë ushtarake dhe në lidhjet familjare, e miqësore; Atij njeriu i qeshte buza e cila më shumë se fjala, shprehte atë që nuk e thoshte dot. Gëzimin e tij të natyrshëm, jo të shtirur, e vija re sa herë e takoja në rrugë apo kurdoherë që i shkoja në shtëpi. Pas lidhjes time me mbesën e tij, në vitin 1979, raportet me atë familje të pazakontë, ndryshuan shumë. Zeman Saliaj mbeti gjithnjë mik për kokë e njeri i nderuar e i respektuar. Të tillë e kam njohur Zemanin, ndaj, tani që nuk është më në jetë, Ai ka mbetur i gdhendur, siç ishte, njeri i njerëzishëm në kujtesën time dhe e kujtoj me respekt figurën e tij. Sepse Ai njeri ta impononte respektin e nuk të linte kurrë të fyer. Nuk mund të bëhej ndryshe. Zeman Sadulla Saliaj, nuk është më e nuk na dëgjon, por veprimi i tij, para shumë viteve, kur edhe frymë duhet të merrje me leje, guxoi të flakte tutje „gogolin“ e luftës së klasave e cila propagandohej me zell e me shumë bujë dhe zbatohej me nënshtrim servil.
Zeman Saliaj ishte një burrë nga ata për të cilët të merr malli ti takosh e të flasësh me të. Ai e jetoi jetën intensivisht dhe e përballoi atë, siç i erdhi, pa përfillur privacionet dhe rreziqet që e kanosnin. I mbeti brengë e thellë mossistemimi i familjes së tij, siç e meritonte, në mënyrë që ta jetonin jetën, si njerëz, normalisht. Vështirësitë ekzistonin e njiheshin nga të tërë, por nuk ishte fare pa rrugëdalje. Banesa ngriheshin, madje shumë, por, siç duket edhe në çështjen e strehimit ndiqej nga pushteti, kriteri klasor. Zemanin, si njeri me personalitet të spikatur dhe me vlera, të cilat ia dinin e ia njihnin shumë njerëz, e pritnin në zyrat e pushtetit me fjalë të mirë dhe e përcillnin me „gurë në trastë“. Si të parët dhe të prasmit, i premtuan shumë por nuk ia zgjidhën problemin kurrë. Familja e tij mbeti atje ku u strehua në vitin e largët 1951. Kush e ka parë ku banonte Zeman Sadullah Saliaj, mesiguri që është revoltuar e, me mellef ka mallëkuar shkaktarët. Zemani çohej herët në mëngjes, shkonte me vrap për të kapur trenin, bënte gjithë atë udhë, me atë zhgarravinë prej hekuri, mbërrinte në punë më herët nga të tjerët, që mos tu jepte shkak e material të ligjve që e suverjonin dhe eprorëve të tyre zemërzinj, kthehej vonë në familje, i lodhur e i drobitur e nuk kishte një vend ku të shlodhte kockat e të përtërinte forcat për të përballuar ditën e ardhshme të punës.
Në vitin 1976, Zemani iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në zemrën e tij të lodhur e të brengosur. Kardiokirurgu që bëri ndërhyrjen, u bëri me dije familjarëve të Zemanit, se pacienti i tij, pas ndërhyrjes në zemër, do të jetonte edhe 7 vjet. Edhe pse i sëmurë, me probleme në organin jetik të njeriut, në zemër, me të cilën nuk bëhet shaka, Burri me burrëri, e cila i bënte beli, dhe me inat në dhëmbë nuk iu nda punës së mëparëshme. As në Kohën kur e kishte të domosdoshme, Zemanit nuk I dhanë një vendpunë që ta lehtësonin sadopak e ti zgjatnin jetën. Por atë që nuk e bënë pushtetarët zemërligj, e bëri e mira Nicë, e cila e rrethoi burrin e saj të përbetuar në dashurinë e përjetshme mes tyre, me tërë përkujdesjen që dinte e që mundte ajo grua për kokën e gruas.
Siç tha kirurgu që e operoi, ashtu ngjau dhe në fakt. Gjashtë muajt e fundit të jetës, Zeman Saliaj u deklarua invalid e nuk shkeli më në punë. Në muajin dhjetor të vitit 1993, Zeman Sadullah Saliaj, ndërroi jetë, në shtëpinë e tij, në Tiranë, i rrethuar nga familjarë, (Nica dhe fëmijët) të afërmit, shokë e miq të shumtë, të cilët e donin dhe e nderonin shumë, atë burrë dhe Zonjën Nicë. Gjitonët, të preferuarit e tij, u dynden e qëndruan gjatë, në atë familje. Ata e njihnin Nicën dhe Zemanin prej 32 vitesh, në gjitoni të mirë. Ata e ndjenin detyrimin që kishin për familjen Saliaj, prandaj çmuan ti gjendeshin pranë e ti thonin dy fjalë zemre, për ta ngushëlluar të mirën Nicë, katër djemve të tyre, vëlla Qazimin, motër Nadon dhe motrën Vasijeko e gjithë të tjerëve, të cilëve u dhimbte zemra për atë humbje njerëzore të papërsëritshme. Fjalët e mira dhe kujtimet me vlerë për të ndjerin nuk shterën për shumë kohë, bëmat e Zemanit të ndjerë kaluan gojë me gojë e zunë vendin kryesor në bisedat mes shokësh e miqsh.
Një ditë, mbasi ndërroi jetë, Zeman Saliaj u përcoll në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, në parcelën e parë. Një varrim madhështor e një pjesëmarrje e gjerë; një lumë njerëzish morën pjesë në përcjelljen e njeriut të mirë, luftëtarit konseguent për të renë përparimtare. Të prekur e të përlotur, ishin të gjithë ata që morën pjesë. Në krye të kortezhit mortor ishte Zonja Nicë; vëlla Qazimi, motrat e Zemanit; katër djemtë si yje të çiftit, shokë, miq, dashamirës dhe gjitonë të shumtë, njerëz të ardhur nga rrethe të ndryshëm të vendit, nga vendet ku kish punuar e jetuar; nga krahina të ndryshme të vendit, ku Zemani partizan, shkeli në çdo cep të vendit dhe nga troje të Veriut ku ai ndoqi këmba – këmbës diversantët. Edhe ata që nuk mundën të merrnin pjesë në përcjelljen e këtij trimi, e qanë atë, në vetmi, me shpirt e me zemër.
Vdekja e shokut të jetës e dëshpëroi, së tepërmi të mirën Nicë. Lidhja e tyre ishte e veçantë dhe u krye në situata të rënda. Ajo vazhdoi për shumë vite dhe vetëm vdekja e ndau. Nga martesa e tyre erdhën në jetë katër yje; njëri më i mirë se tjetri. Martesa e çiftit u përcoll nga një harmoni e respekt i ndersjelltë, të cilin njerëzit rrallë e kishin ndeshur. Asnjëri prej dy bashkëshortëve të dashuruar marrëzisht pas njëri – tjetrit, nuk ia prishi qejfin tjetrit. Ata ishin „dy trupa, me të njëjtin shpirt“ dhe jetonin jetën e njëri – tjetrit. Shumë u dëshpëruan, pavarësisht se e shfaqnin në mënyra të ndryshme dëshpërimin, miqtë, shokët, të afërmit, gjitonët, të gjithë ata që e përcollin njeriun e tyre të zemrës dhe të tjerë që nuk i patën mundësitë. Zeman Saliaj u përcoll për në banesën e fundit, me madhështi e siç e meritonte.
Duke ndjerë dhimbjen e thellë që shkaktoi ndarja nga jeta e bashkëshortit të saj të pëlqyer, Zeman Sadullah Saliaj, në çift me të cilin Ajo përcolli një jetë të vështirë, ku në çdo „kthesë“ mund të thyenin qafën, por, nëse mund ta shpreh kësisoj, Ajo grua u qëndroi furtunave të kohës, me trimëri dhe e ka parë jetën „drejt në sy“ e nuk i është trembur asaj, por, si një kapiten i rrallë, ka çarë dallgët e detit të jetës, pa humbur Nordin. Ajo, vërtet braktisi familjen, për hir të dashurisë të pastër, por fitoi shumëçka. Mbi të gjitha fitoi personalitetin e saj, dashurinë e respektin e njerëzisë, si dhe katër „yje“ të cilët i ndritën shtëpinë dhe jetën.
Në rrëfimet e Nicës, kur mbeti pa Zemanin, theksohet:“… Me Zemanin kam kaluar shumë mirë! Atë jetë mbaj mend unë!… Djemtë i kam të mirë, ata nuk më kanë sjellë asnjë problem. Duken që kanë marrë shumë nga Ati i tyre. Shoqërinë e kanë të mirë dhe kanë bërë krushqi të fisme. Zemani vërtet vuante nga zemra por punës nuk iu nda. Çdo ditë rrugëtonte me tren, nga Tirana, në Xhafzotaj e kthim, dhe punonte, si Ai, me kohë të plotë e me përkushtim të rrallë. Vetëm në 6 muajt e fundit u deklarua invalid e nuk e pa më vendin e punës, për të cilën „u shkri “. Në vitin 1976, Zemani iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, në zemër. Pas operacionit, mjeku që e operoi, na tha:“ Pacienti im nuk mund të jetojë më shumë se 7 vjet “! E besuam e ashtu na ndodhi. Në muajin dhjetor të vitit 1993, pas një ataku „të ri “kardiak, Zemani ndërroi jetë. M’u errësua bota e nuk më hynte në sy, asnjëri. Ishja e lidhur ngushtë me Atë çikë burre. Nuk lëngoi në shtrat që të kisha mundësinë të kujdesesha për të, siç e rrethova me kujdes të shtuar, gjatë gjithë jetës tonë të mundimshme. Vdekja e papritur e Zemanit i ngjan një aksidenti automobilistik, në të cilin, i dashuri niset për të bërë një udhë e nuk kthehet. Na la në dëshpërim të thellë e nuk mundi të shqiptonte asnjë amanet. Vetëm rrotullonte sytë e diçka donte të thosh. Asnjëri përveç meje nuk mund ta kuptonte këtë gjuhë„ memece“, me shenja, siç e kuptonim ne, të dy njëri – tjetrin. U nda nga jeta një burrë vlerashumë; u shua një trim i çartur, të cilit nuk ia bënte syri „terr “edhe përpara plumbave të armikut. Na iku përjetë një shok e mik i rrallë, një vizionar, i cili nuk lën kollaj. Lodhja, stresi, hallet e mëdha të cilat nuk iu ndanë por e shoqëruan gjatë gjithë jetës ia shkurtuan jetën trimit. E tillë është jeta e njeriut, me të pritura e me të papritura, herë të përkëdhel e më së shumti të përplas keqas, derisa të dërrmon e të merr përgjithnjë“.
Pas ndarjes nga jeta të Zeman Sadullah Saliaj, në periferi të aerodromit të Tiranës (Laprakë), pranë shtëpisë të Zemanit, dy të moshuar bisedonin, në intimitet. Burrat ishin të veshur me rroba shajaku të zi; me llabanë; mbanin qeleshe të bardha në kokë. Opingat e tyre prej llastiku, ishin të thurura e me thekë. E folura e tyre, ishte me theksin e veriorëve. Ata mund të ishin nga Kalaja e Dodës. Të moshuarit, kishin mbërritur në rrethinat e Tiranës, së bashku me bagëtitë e imëta (delet) e tyre. I çonin bagëtitë, në trevat e Jugut, atje ku dimri ishte më i butë dhe bari jeshilonte edhe në stinën e ftohtë. Nica kapi „një cep“ nga biseda e tyre. Burrat, i dëftonin njëri tjetrit se, në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, në trevat e rrethit të Dibrës (rrethi i Peshkopisë), kishin njohur një oficer, me gradën e kapitenit, shumë trim e me zemër të madhe. Sipas fjalëve të tyre, kapiteni ishte nga Tepelena; Ai komandonte një repart të ndjekjes, në kohën kur ndiqeshin në ata male e në terrene të vështirë malore bandat e armatosura, të cilat synonin përmbysjen, me dhunë të pushtetit popullor. Të moshuarit përmendën dhe emrin e oficerit që mbante gradën e kapitenit. Ai quhej Zeman Saliaj, dhe kishte lënë shije të mirë tek malësorët, me qëndrimin dhe me sjelljen e tij; madje dhe i kishte përkrahur e i kishte ndihmuar ata. Bëhej fjalë për Zemanin tonë të dashur e të paharruar, heroin e këtij shkrimi. Biseda mbërriti në veshët e të moshuarës Nicë, e cila e kishte përcjellë të shoqin në botën tjetër. Ajo i takoi, të dy burrat që mbanin mbiemrin Kaloshi dhe u afrua, e bisedoi me ta, ngrohtë, sikur t’i njihte prej kohësh. Burrat nga malësia kishin mësuar se Zemani ishte ndarë nga jeta e u kishte ardhur keq për këtë ngjarje të trishtë. Ata i thanë Nicës: „I thamë Zeman trimit, kur e liruan nga ushtria, të vinte tek ne, në malësi, se për ato të mira që ke bërë, në fshatin tonë, do të të ndërtojmë një kullë me tre kate; dritareve do t’u vëmë dopjo xham, mbasi bën ftohetne anët tona, por Ai nuk na dëgjoi“! Pas kësaj ndodhie të rastësishme, Nica kapedane, e cila i njihte e i zbatonte normat e qasjes të malësorëve të veriut, prandaj Ajo e ruajti miqësinë që lidhi burri i saj i ndjerë me pinjollët e fisit të Kaloshëve në ata vite me furtunë, kur në viset e tyre si në tërë Shqipërinë „ligjëronte“ dyfeku e binin trimat.
Atë ditë qëndrova në shoqërinë e të mirës e të mençurës Nicë rreth 2 – 3 orë. Për tjetër gjë vajta e tjetër më doli përpara, Biseduam, në vetmi, çiltërsisht, për jetën e saj e të Zemanit, për lidhjen mes tyre dhe për jetën e përbashkët. Ajo tashmë i ka lënë të 96 vitet e nuk mund të dalë jashtë, as në rrugicën pranë. Ajo grua që nuk linte shtëpi e familje pa shkelur e pa biseduar me njerëzit, në veçanti me gratë, për të cilat ishte kthyer në një mësuese vullnetare të dëshiruar. Disa herë më pyeti: “Përse të duhen ty këto të dhëna biografike? Mos i bësh publike”! Gjykojeni vetë kujdesin e nënës për fëmijët e saj. Ajo ka drojë se mos, shkrimi im do tu sjellë telashe djemve, të cilët mezi i ka rritur e nuk do që t’u hyjë asnjë gjemb në këmbë. E sigurova „motrën time“, se ato do të mbeten midis nesh dhe unë di ta mbaj fjalën. Nica, e cila i ka rrethuar djemtë e saj, me të gjitha përkujdesjet, kujdeset që edhe tani, në të errur, nuk ka merakun e saj por atë të fëmijëve që ka sjellë në jetë. Të tilla janë Nënat tona të mira; kështu i paçim përherë; ky është urimi im i zemrës.
U ndava nga e moshuara Nicë, të cilës i duhet shkuar më shpesh, i mbushur me emocione, e mora prej saj shumë mirësi. I premtova se do ta vizitoja sërish. Por, për fat të keq, ai “engjëll” më 7 nëntor të vitit 2014, u nda nga jeta, në shtëpinë e saj, në Tiranë. Nica e “Madhe” u përcoll me madhështi, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, nga një lumë njerëzish nga Tirana e të ardhur nga shumë treva të vendit. Ajo grua me shpirt e ndjesi “hyjnore” u varros në varrin e Zemanit. Do të rrugëtonin, në përjetësi, të dy, edhe pas vdekjes, siç kishin qenë të bashkuar në jetën plot halle që përcollën. U përzgjodha për të folur mbi varrin e të ndjerës dhe këtë e bëra me shumë respekt për Të. Njëri, nga djemtë e saj, kur e zbritëm të ndjerën nga makina, më sygjeroi: „Bjeri shkurt“! Nuk më erdhi mirë, por ai kishte parasysh siç duket fjalimet e gjata që përgatisin pensionistët, në këta raste. Pas ceremonisë varrimit, njerëzit u tërhoqën, për të takuar familjarët e të ndjerës, sipas traditës. Vëllai i Zemanit, Qazimi dhe një tjetër, m’u afruan e më shtrënguan dorën. „Të lumtë! Pëshpëritën ata dashamirë“!
Shënim: Ky shkrim, u konceptua e u përpunua gjatë vitit 213, kur, e mira Nicë ishte akoma në jetë e dërgjej në shtrat. Nuk u postua, për të mbajtur fjalën që i dhashë të intervistuares. E printova në kopje të kufizuar; njërën kopje ia dhashë Nicës, e cila e vuri nën jastëk. Pas vdekjes së saj, me lejen e djemve, mendova ta „kreh“ e ta ripunoj me qëllim publikimin e tij.
Variantin e parë të shkrimit e konceptoi Niazi Nelaj, gjatë muajit janar të vitit 2013, në Tiranë.
Varianti aktual, u përpunua gjatë muajve tetor – nëntor 2020; nga Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë.
Opinione nga pinjollët e familjes Ilirjani:
Nuk mund ta quaj të përfunduar këtë punë pa tërhequr opinionet e disave prej pinjollëve të familjes Ilirjani e cila ka qenë njëra nga familjet më të preferuara të Nicës dhe të Zeman Saliaj. Dëshira ime është të paraqes në këtë shkrim të plota e nga të gjithë ata që kanë patur kontakt me këtë familje të „shenjtë“ e me shumë vlera. Kaq munda e me këta opinione u mjaftova. Disa nga ata që mund të më rrëfenin, ndoshta më tepër, nuk janë më në jetë; të tjerë i ka mundur mosha e thyer e janë në pamundësi për shkaqe të gjendjes shëndetësore të rënduar të tyre, ose janë larg në distancë dhe e kam të pamundur të shkoj pranë tyre. Kam bindje se edhe me kaq sa është shkruar, së bashku me opinionet e tërhequr, tabloja për ti paraqitur më të plota vlerat e Nicës e të Zemanit dhe të familjes së tyre të nderuar të cilat ua paraqes mjaftueshëm lexuesve dhe dashamirësve. Sipas shkallës së njohjes dhe moshës të opinionbërësve, po e nis nga më i prasmi i familjes së njohur Ilirjani.
- Agim Tahir Ilirjani (ndjesë pastë) : Kur ishja ende i parritur, erdha në Tiranë, në shtëpinë e Nicës dhe të Zemanit. Shoqërohesha nga Nëna ime, Metullahja (ndjesë pastë), e cila ishte nga Kashishti i Tepelenës dhe e kishte Zemanin djalë të tezës; Bikos. Në këtë rast, më shoqëronte dhe im Atë Tahir Ymer Ilirjani (ndjesë pastë), i cili me origjinë ishte nga fshati Damës I rrethit të Tepelenës, dhëndërr në Kashisht. Para se të largoheshim nga shtëpia e tyre bujare Nica, e cila nuk i nxirrte ata që donte, nga shtëpia, duarbosh, më bleu një kostum në ngjyrën e mjaltit, me një vijë të bardhë dhe një palë këpucë plastike, nga ato që prodhonte Fabrika e Plastikës në Durrës. Të tillë veshje, Nica i bleu dhe djalit të vogël të saj – Kostandinit, me të cilin ishja i të njëjtës moshe.
Një herë, vajta në Kashisht, së bashku me Kostandinin dhe me djalin e dytë të Nicës – Edmondin (ndjesë pastë). Qazim Saliaj, vëlla i dajo Zemanit, mbante në shtëpi një palë doreza boksi, të cilat, në atë kohë gjindeshin me vështirësi. I ndërronim, me radhë dorezat, boksonim me njëri – tjetrin dhe me djemtë e fisit tonë. Krenari dhe Ganiu, trembeshin e nuk ua mbante të boksonin me ne që ishim djem qyteti. Avdiu, tek kroi kishte një man, i cili, atë vit ishte plot me kokrra. Së bashku me Mondin (ndjesë pastë) dhe me Kostën hipa në man e nisëm të hanim. Avdiu na pa e na qëlloi me gurë. U trembëm e zbritëm nga pema. Afër kroit kishte kopshtin dajo Qazimi dhe kushëriri i tij – Lamcja. Lamcja kishte dhe bletë e piqte petulla, me mjaltë. Kujtoj se Hyseni, grindej me Sheqerën dhe mbanin mëri. Duhej të vinte Metua (ndjesë pastë) që nga Tepelena, për ti pajtuar. Luanim futboll, së bashku me çunat e mëhallës. Unë dhe Kosta ishim më të mirët. Me ne luante dhe Gjinal Veizaj, i cili, aktualisht ndodhet në Amerikë.
Kur kryeja kursin e shoferëve, në Durrës, shkoja shpesh në shtëpinë e Nicës. Ajo, më priste mirë e më jepte për të ngrënë, njëlloj siç u jepte djemve të saj. Dajo Zemani shkonte në punë, në Xhafzotaj. Që në mëngjes, me tren. Ai, kur u lidh me Nicën dhe do të ndëshkohej nga partia ku ishte anëtar, e hodhi poshtë teserën e partisë. Djalit të dajo Qazimit, Robertit, ia kam vënë unë emrin, në Kashisht.
- Valentina Tahir Ilirjani, vajza e tretë e Metullahe dhe Tahir Ilirjanit: Në muajin shtator të vitit 1976, erdha në Tiranë, për të nisur studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, me shkëputje nga puna. Në kryeqytet, nuk kishja qenë më parë e nuk kishja asnjëri, me përjashtim të familjes të Nicës dhe dajo Zemanit. Tek Nica gjeta mbështetjen kryesore, shtëpinë e saj e kishja si timen, prandaj nuk e ndjeva aq largimin nga Tepelena dhe nga familja ime e origjinës. Si e ardhur rishtaz në Tiranë, qytetin nuk e njihja. Banoja në konvikt, me shoqet që zura.
Nica, së bashku me djemtë, më merrnin në shtëpinë e tyre; qëndroja atje, sipas rastit e më përcillnin djemtë e saj, deri në hyrje të konviktit. Në ata vite, kushtet në konvikt, për vajzat ishin të papërshtatshme, mjaft të vështirë. Çdo të shtunë, pas mësimeve, shkoja në shtëpinë e Nicës. Atje gjeja kushte të përshtatshme për t’u larë; laja teshat, ushqehesha dhe kaloja natën. E kishja bërë shtëpinë e tyre si shtëpinë time, tek prindërit, në Tepelenë. Tek Nica ndihesha si tek Metua ime. Nica, dajo Zemani dhe djemtë e tyre, nuk mërziteshin kurrë. Kur ishja në shtëpinë e tyre, mbasi përfundoja punët e mija vetjake, merrja fshesën në dorë e nisja të fshija. Shtëpinë, të cilën Nica e mbante „si dritë“, por unë bëja atë që më përkiste. Nuk mund ta harroj sjelljen e asaj gruaje bujare e cila me çiltërsinë që e karakterizonte më thoshte : „Po shyqyr që në shtëpinë tonë hyri një vajzë“! Ishte e dëshiruar Nica dhe dajo Zemani për të patur një vajzë, por nuk qe e thënë; ata prunë në jetë katër djem.
Çunat e Nicës, të katër, më donin shumë e në shtëpinë e tyre të kufizuar, ndonëse ishin ngushtë, më krijonin një mjedis të ngrohtë e miqësor. Kënaqesha nga pritja dhe sjellja e tyre kundrejt meje. Mbasi përfundova Fakultetin e u largova nga Tirana, shkoja më rrallë në shtëpinë e Nicës dhe të dajos. Kjo ishte e justifikuar, mbasi punoja e jetoja larg; në Tepelenë. Dua të them dhe një fakt : Gatimet që dilnin nga duart e Nicës ishin „të shkëlqyera“; të pastra e me shije. Nuk e kuptova asnjëherë si i sajonte Ajo grua ushqimet me asortiment e me vlera ushqimore. Në tavolinën e saj nuk mungonte kurrë gjella. Edhe kur nuk kishte mish për tia hedhur gjellës, shija e saj ishte sikur të ishte mishi brenda.
Më ka mbetur i skalitur në kujtesë, një mësim që më ka dhënë Nica, kur laja pjatat, pas një „zënke“ të natyrshme lidhur me cilësinë e larjes të tyre. Nica, kur nisja të laja pjatat, më thosh: „Bijo-o! Kujdes kur lan pjatat! Pjata është e shpëlarë mirë, kur kërcet, po ta prekësh me dorë“. Mësimi i dytë që mora nga nusja e dajos ka të bëjë me nderjen e teshave, në tel, pas larjes së tyre, për t’u tharë. Ajo, si nikoqire e mirë dhe e kujdesshme, para se ti nderte teshat, në tel Ajo i kthente mbrapsht. Mora guximin dhe e pyeta nikoqiren Nicë, përse e bënte këtë veprim ? Ajo u përgjigj: „I kthej që ti zërë dielli mirë e të thahen edhe të qepurat, midis copëve të rrobës, që të mos mbajnë lagështi“. Veç ta vështroje si i nderte rrobat e lara, sipas një radhe, e cila të habiste. Të parat nderte rrobat intime, pas tyre nderte mbathjet dhe kanotjeret, më tej këmishët dhe bluzat e në fund pantallonat. Nderja në tel kësisoj, bënte jo vetëm që ato të dukeshin bukur estetikisht e me rregull por dhe thaheshin të gjitha teshat, pa i zënë diellin njëra – tjetrës. Këtë mësim të vyer të Nicës, e pëlqeva dhe e zbatoj, sot e kësaj dite.
Në banesën e Nicës, asnjëherë nuk më zunë sytë parregullsi e rrëmujë. Në banesën e saj, në çdo kohë sundonte rregulli, sistemimi e pastërtia; thua se atje nuk banonte njeri. Çdo gjë, në çdo kohë ishte në vendin e vet.
Mbasditeve, së bashku me Nicën, dajo Zemanin dhe djemtë e tyre, uleshim në atë balkon të kufizuar dhe bisedonim. Kjo ngjante më tepër kur moti ishte i ngrohtë e ishim të mbrojtur nga era. Bisedonim për tema nga më të ndryshmet. Në çdo rast, mendimet e Nicës prevalonin mbi tonat. Ajo ishte tepër e zgjuar dhe e mprehtë; nuk e linte fjalën të binte në tokë. Më kish zënë syri, në shtëpinë e saj të hynin e të dilnin shumë njerëz, kryesisht të seksit femër. Mysafirët vinin për problem nga më të ndryshmet që përbënin shqetësim për ta. Disa gra interesoheshin për të mësuar, si gatuhej x apo y gjellë. Disa nëna të reja e pyesnin Nicën për shërbimet që duhet t’u bëhen foshnjave, kur ishin mirë dhe kur sëmureshin. E mira Nicë, në çdo kohë e për çdo rast, e kishte të gatshme përgjigjen dhe nuk përtonte kurrë, për t’u gjendur pranë njerëzve në nevojë.
Kur vinte në Tepelenë, ku ndalonte, para se të nisej për në Kashisht, para se të zbrisnin tek pasarela e të merrnin udhën e gjatë malore, qëndronin pak në shtëpinë tonë, në Tepelenë. Nica, vinte së bashku me djemtë. Ne gëzonim kur i vështronim tek ngjitnin shkallët e banesës tonë, se i donim e na donin shumë. Interesante dhe e pamatë ishte dashuria e ndersjelltë e Nicës me Mamanë tonë të ndjerë, Metullahen dhe me bashkëshorten e dajo Fazlliut, nga Mullarajt e Kashishtit – Kadenë. Kur ato, të trija shtroheshin në bisedë të ngrohtë, ne fëmijët e tyre i bënim sytë dhe veshët „katër“, për të mësuar diçka të re. Nica ishte me kulturë e me horizont dhe kur fliste kishje qejf ta dëgjoje ligjëratën e saj, tërë elokuencë. Njerëzit e Zemanit, nga Kashishti, kur Nica dhe djemtë shkonin në shtëpinë e tyre, përtej lumit të Vjosës, tek bishti i pasarelës, nxirrnin njerëz me kuaj për ti pritur e për ti shoqëruar. Ata, të njëjtën gjë bënin dhe kur kthehej Nica nga fshati.
- Teutë Tahir Ilirjani. Vajza e dytë e Metos dhe e Tahirit: Në vitet 1972 – 1975 ndiqja studimet e larta, në qytetin e Shkodrës. Rrugën nga Tepelena, në shkodër, për shkak të largësisë dhe vështirësive në transport, e bëja me ndalesa. Një natë, më duhej ta përcillja, detyrimisht, në Tiranë. Hotel dhe restorant të sigurtë dhe gratis kishja shtëpinë e Nicës dhe të dajo Zemanit. Nicën nuk mund ta harroj kurrë. Ajo, për mua ka qenë nënë e dytë. Edhe kur kthehesha nga Shkodra, para se të nisesha për në Tepelenë, më duhej të qëndroja një natë, në banesën e tyre. Ajo më ka trajtuar sikur të më kishte vajzën e barkut të saj. Nica, kur unë kthehesha nga Shkodra, me rrugë hekurudhore, dërgonte Petin tek Stacioni I trenit. Ai më priste e më shoqëronte deri tek banesa e tyre. Në disa raste i gjeja të ulur, në tavolinën e ngrënjes, duke drekuar apo duke darkuar. Ardhja ime nuk ishte e parashikuar e Nica nuk ishte nxjerrë pjatë me vete. Disa artikuj ushqimore, sidomos mishi, gjalpi, vezët etj, ishin të kufizuara e të racionuara. Sapo hyja tek dera, akoma pa u përshëndetur me të gjithë, Nica më ftonte të ulesha në tavolinë, për t’u ushqyer. Mirësia e atij njeriu të vriste me fjalë e me gjeste. Më vinte rëndë kur vështroja Nicën kur nxirrte nga pjata e njërit prej djemve të saj thelën e mishit dhe e vendoste në pjatën time. Meqenëse vija nga udha e isha e lodhur, Ajo më vinte të lahesha e më shtronte për të pushuar në krevatin e Petit. Çarçafët që më shtronte e më mbulonte ishin të pastër e të bardhë si akull. Kur unë shtrihesha në krevatin e Petit, ky, i fundit flinte në shesh.
Doja ta ndihmoja për të bërë punët e shtëpisë, por Nica e shkathët, nuk pranonte kurrë. Ajo kishte karar vetëm tek duart e saj. Përveç që më sajdiste, si mbesë e burrit të saj, Nica më nxirrte për shëtitje. Ajo i jepte porosi Petit: ”Nxirre Teutën nëpër Tiranë, që të vështrojë qytetin dhe të bëjë shëtitje”! Dilja nëpër Tiranë, në shoqërinë e Petit; vështroja rrugët, dyqanet, ndërtimet e reja dhe ndihesha mirë, e përkrahur dhe e relaksuar. Të nesërmen, Nica dërgonte Petin, në agjencinë e autobusëve interurbane, tek sahati, që të blinte një biletë, për mua e të nisesha për në Tepelenë. Biletën e blinte me lekët e saj e mua nuk mi pranonte kurrë ato. Të njëjtën gjë bënte dhe dajo Zemani. Kujtoj si i drejtohej Nicës dajo Zemani. Ai i jepte porosi bashkëshortes të tij të dashur: „Teutën e dua shumë; Atë e kam si Meton, prandaj të ma shikosh mirë se e kam si vajzë“!
Atë grua nuk e pashë kurrë të mërzitur e me turinj të varur. Edhe pse hyrje – daljet në shtëpinë e tyre nuk kishin të sosur. Një palë dilnin e dy palë të tjera hynin në atë familje. Nica kishte në shtëpi 5 meshkuj, të cilët donin shërbim. E lodhur sa nuk thuhet, ajo grua nuk tha kurrë : „U lodha“! Siç na donte edhe na sajdiste. Nica donte e sajdiste, me respekt edhe mysafirët e tjerë që bujtnin tek ajo familje pritëse. Mirësinë e kishte në shpirt; bujarinë e trashëgonte dhe e kish në gen.
Kur e pyesja: „Përse e bën gjithë këtë nderim për njerëzit, pa dallim“? Ajo përgjigjej, çiltër: „E bëj për Zemanin tim dhe për Metullahen; se Zemani, një motër ka – Meton e ju jeni mbesat e mija. Metua është motra ime e pandarë ! Teuta e përfundon rrëfimin për Nicën, me fjalët: „Nica do të mbetet në zemrën time aq e dashur sa dhe Nëna ime – Metua“!
- Violetë Tahir Ilirjani (ndjesë pastë) – vajza e prasme e Metos dhe e Tahirit: Jam vajza e vogël e Metullahe dhe Tahir Ilirjanit, prandaj nuk kam shumë kujtime për të mirën Nicë; por, edhe kaq sa kam, shpresoj ta japin të mjaftë opinionin e përgjithshëm për atë grua „engjëll“. Disa gjëra më janë ngulitur fort në ndërgjegje e nuk mund të shkulen, nga bota ime. Më kujtohet, fort mirë, sa shumë kujdesej Ai njeri për të përgatitur ushqimin e fëmijëve, të dajo Zemanit dhe të mysafirëve të shumtë që hynin e dilnin në atë derë. Nica çohej herët në mëngjes; e ndalte nxitimin tek furri i bukës, në bllokun e banimit, blinte nga ato simitet e bardha, të ngrohta; kthehej në shtëpi me të njëjtën shpejtësi, përgatiste ushqimin për mëngjesin dhe e vendoste mbi tavolinë.
Shtëpia e saj ishte e pastër në çdo kohë, ajo shndrinte, si farmaci e mirë. Ushqimet e të gjithë llojeve, i servirte të freskëta e të ngrohta; sendet ushqimore, i zgjidhte, me dorë, një nga një; Nica ishte tepër e zgjuar e me përvojë dhe nuk kishte shitës që ta mashtronte.
Nica ishte tepër e ndieshme dhe e kujdesshme, jo vetëm për fëmijët dhe bashkëshortin e saj, dajo Zemanin, por dhe për fisin e të dyja anëve. Më kujtohet viti 1992 dhe ndodhitë që e përcollën atë. Bashkëshorti im, në atë kohë ishte pedagog, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve „Enver Hoxha“, oficer. Në këtë shkollë, si në të gjithë vendin ngjanë trazira të shoqëruara me revolta. Ishte koha kur nëpër rrugët e Tiranës, nuk pushonin krismat e kallashnikovëve dhe fishkëllenin plumbat. Nica, e cila i përcillte situatat me vigjilencë të shtuar e ishte në dijeni të zhvillimit të ngjarjeve u vu në siklet për bashkëshortin tim oficer. Shqetësimi i saj i kapërceu kufijtë e kujdesit të një nëne për të birin. Ajo dërgoi në shtëpinë tonë djalin e madh të saj – Petin, i cili erdhi pranë banesës tonë në lagjen „Ali Demi“, thirri nga rruga, pyeti për shëndetin tonë, në veçanti pyeti për timshoq dhe, kur mësoi se të gjithë ishim shëndoshë e mirë, u largua i qetë. Sa e vëmendshme e sa kujdes bënte ajo grua, për njerëzit.
Kur në Tepelenë, vinin Nica dhe dajo Zemani, në familjen tonë, ne, të vegjël e të mëdhenj, mezi i pritnim. Të gjithë ne, fëmijët, ishim të malluar ti takonim; ti dëgjonim e të mësonim diçka prej tyre. Se ata vinin nga kryeqyteti e mesiguri që kishin informacion më të gjerë, nga ne që jetonim në provincë. Ata të dy i donim e i respektonim shumë; jo vetëm se ishin njerëzit tanë por, më tepër se ishin njerëz të mirë, nga ata që meritojnë çdo nderim e respekt. Kur në shtëpinë tonë, në Tepelenë, vinin mysafirë, ne të vegjëlit fshiheshim nga droja. Kjo nuk ndodhte kur në shtëpi vinte Nica dhe dajo Zemani. Ata ishin të preferuarit tanë dhe të mirëpritur në çdo kohë.
Në vitin 1999, unë, bashkëshorti dhe dy fëmijët tanë të mitur: Pranvera dhe Arioni u kthyem në Tiranë, pas një emigracioni disavjeçar në vendin fqinjë të Jugut. Shkuam për një vizitë kortezie në shtëpinë e dajo Zemanit. I gjetëm, të dy; Nicën dhe Zemanin, në shtëpi. Nicës i „mbetën“ sytë tek fëmijët tanë. Se si i dukeshin. I vështroi me vëmendje, nga koka tek këmbët, me dashuri por dhe me kërshëri e,në intimitet më tha: “Leta; fëmijët tuaj qenkan shumë të bukur e të shëndetshëm. Këta nuk ngjajnë fare me fëmijët tanë, ndonëse ne kujdesemi shumë për ta. Fytyra e tyre është e bardhë dhe e lëmuar. Faqet u ndrijnë nga pastërtia e nga fëmijëria. Duket që janë rritur në Greqi. Ajo komunikoi me fëmijët tanë në Greqisht dhe u lumturua, pa masë“!
- Vajza e madhe e Metullahe dhe Tahir Ilirjanit, e martuar në Tiranë më dha opinionin: Nica e fitoi dashurinë dhe respektin e njerëzve që e rrethonin dhe të njohurve të saj, me tiparet e karakterit dhe me personalitetin e saj. Nga gratë e dy fiseve tanë: Ilirjanëve dhe Mullarajve, Nica shquhet për nivel të lartë, për kulturë qytetare, për edukatë familjare dhe për mirësjellje. Në atë kohë, nuk kam parë e nuk kam dëgjuar; vetëm në libra kam lexuar për një dashuri si ajo e Nicës për dajo Zemanin dhe e kundërta. Ata, të dy e donin dhe e respektonin njëri – tjetrin, pa masë. E mira Nicë, jo vetëm që e donte, me shpirt dhe e respektonte shumë dajon tim, por ajo kujdesej, në mënyrë të veçantë për Atë.
Më ka lënë mbresa të mira e të paharruara sjellja e Nicës, me Nënën e Zemanit – Bikon, e në veçanti raporti dashamirës i saj për Babanë e dajo Zemanit dhe të dajo Qazimit – Sadullanë. Si rrallëkush në fisin tonë e nga ata që kam njohur, Nica kishte një respekt të veçantë për prindërit e burrit. Ajo vinte nga kryeqyteti në fshat e me qëndrimin e saj na linte pa mend. Nuk ishte parë; as në Kashisht, as në trevën tonë që një grua, të vinte nga kryeqyteti e të përshtatej aq mirë e aq shpejt, me mënyrën e jetesës të fshatit dhe të njihte e të zbatonte aq mirë traditat dhe zakonet e vendit. Nica nuk ishte qibare. Ajo futej në shtëpitë e fshatarëve, ulej shesh –besh, si fshatarët, komunikonte me gratë, thjeshtë e me dëshirë të mirë; i mësonte ato si të gatuanin, si të lanin rrobat e shtëpisë dhe teshat e trupit, si të qepnin e si të andronin, si të kujdeseshin për shtëpinë, për fëmijët dhe për bashkëshortët. Ajo dallohej për sjellje me thjeshtësi dhe kishte mënyrë komunikimi të pëlqyeshme. Nica dinte të përshtatej e të sillej sipas veçorive të njerëzve.
Fëmijët e Nicës dhe të dajo Zemanit i dalloje lehtë. Ata ndryshonin nga moshatarët e tyre. Të katër djemtë e familjes Saliaj në Tiranë, në çdo çast i vështroje të pastër, të larë e të hekurosur, me paraqitje të rregullt, si katër pëllumba, të cilët ta kishte enda ti vështroje. Meqenëse familja banonte në një mjedis të ngushtë, Nica i vinte të flinin, të katër djemtë, në të njëjtën dhomë, të shtrirë përbri njëri-tjetrit, sikur të ishin ushtarë. Nica dhe dajo Zemani i kishin edukuar djemtë e tyre, për së mbari. Ata, në lagje, në shkollë e në shoqëri silleshin me edukatë qytetare dhe ishin tepër korrekte, jo sherrxhinj e grindavecë. Sjellja e tyre bënte beli e pëlqehej shumë nga gjitonët, nga banorët e lagjes dhe trupa e arsimtarëve, në shkollë. Kësisoj, ata nderonin e ua shtonin respektin prindërve të tyre, në opinionin shoqëror.
Nica punonte në një kopsht fëmijësh. Shoqet e punës e donin dhe e respektonin shumë. Ato pëlqenin mençurinë, zgjuarsinë, fjalën e mirë dhe mendimet e pjekura që jepte, në çdo rast. E njëjta situatë ishte sunduese, në raport me Nicën edhe në bllok e në lagje, ku gratë gjenin, në çdo kohë përgjigje e rrugëzgjidhje, nga e palodhura Nicë.
Dera e Nicës ishte e hapur kanate, në çdo kohë për të gjithë dashamirësit e saj dhe të anës të dajo Zemanit. Kur vinim në Tiranë, asnjëherë nuk shkonim në hotel dhe nuk e njihnim restorantin. Hotel dhe restorant, për ne ishte shtëpia e Nicës; shpirti i saj si det. Vetëm paratë e biletës bënin llogari, ata që merrnin udhën për në Tiranë, se e dinin që, për të tjerat mendonte e mira Nicë. Tek Nica hynin e dilnin njerëz nga më të ndryshmit e ajo i priste me fjalë të ëmbël e me duar në qafë. Vinin njerëz për të parë e për të takuar fëmijët e tyre, që ndiqnin shkollat; të tjerë për të vizituar të afërmit që ishin të shtruar në spital apo djemtë ushtarë etj. etj. Kishte dhe nga ata që vinin në Tiranë, për t’u ankuar në organet e larta të partisë e të shtetit për padrejtësitë që u ishin bërë etj. Nica, e lodhur, nga puna, nga shërbimet që u bënte 5 meshkujve në familje e nga mysafirët e shumtë që hynin e dilnin në atë shtëpi, përballonte, me shumë sakrifica e privacione, të ardhurit për hesap të tyre. Ishte shumë e zonja, e shkathët dhe me sedër ajo goxha grua, prandaj ishte e paepur. Nica i priste e i përcillte të ardhurit me krahë të hapët e me buzë në gaz. Merzitine apo bezdinë nuk ia pa njeri asaj gruaje. Fjalët e saj të mikpritjes, kur i vështronte njerëzit ti drejtoheshin shtëpisë të saj: „Urdhëroni; mirëseerdhët; na gëzuat e na nderuat, urdhëroni brenda„! Dhe i qeshte nuri.
Djemve të saj nuk u mungonte asgjë në racionin ditor të ushqimit, edhe pse ngushtësia për ushqime, në atë kohë ishte e madhe. Pastërtore, deri në mani ishte Nica jonë. Kur i vinim në shtëpi, na shtronte në kuzhinë. Në shtëpinë e tyre, hapësirat e banimit ishin të ngushta, por ato hapeshin e bëheshin të gjera prej shpirtit e zemrës të saj të paanë.
Në shtëpinë e Nicës kafja nuk kishte të sosur megjithëse kafja jepej me racion. Gratë e bllokut e të lagjes, hynin e dilnin tek Nica, si në shtëpinë e tyre. Ato pinin kafe, përmbysnin filxhanet dhe bëheshin sy e veshë për të dëgjuar parashikimet që u rrëfente Nica. Shtëpia e Nicës i ngjante një koshereje bletësh. Nga njerëzit e shumtë që hynin e dilnin prej saj.
Të them të drejtën, Nicën e kisha model. Ato që shikoja në shtëpinë e saj, i aplikoja dhe në shtëpinë time, mbasi i kisha eksperimentuar më parë, në kushtet e banesës tonë, në Tepelenë. Nuk kisha parë asgjë që të mos shkonte në sjelljen dhe në punën e asaj gruaje. Ngushtësia e banesës dhe ajo ekonomike, nuk e pengonte aspak atë njeri mbasi zemra dhe shpirti bujar i saj i kompensonte ato, më së miri.
6. Agron Tahir Ilirjani (ndjesë pastë); djali i madh i Metullahe dhe i Tahir Ilirjanit: Zanati im është shofer, profesion të cilin e kam bërë timin që kur ishja në ushtri, në Korçë. Unë isha djali i pestë i asaj familje fisnike. Jatakun e kisha të shtruar e pjatën me gjellë, në tavolinë. Ndoshta, nga të gjithë fëmijët e Ilirjanëve e të Mullarajve, unë e kam vizituar më shpesh familjen e Nicës e të dajo Zemanit, në Tiranë. E zonja e shtëpisë, Nica zemërmirë, nuk mërzitej kurrë nga vajtja ime atje. Unë jam rritur në shtëpinë e tyre. Nuk më veçonin nga djemtë e tyre, aq sa gjitonët, jo pa shpoti thonin: „Ky është djali i madh i shtëpisë, e ke me burrin e parë këtë“? Apo jo. Të gjithë shkriheshin në gaz; Nica nuk e keqkuptonte asnjëherë.
Në anët tona, thonë: „Miqësia ngjan pa benet“! Në familjen tonë në Tepelenë, Nëna Jonë Metullahe Musa Ilirjani (Mullaraj), me origjinë nga Kashishti, kushërirë e parë e Zemanit dhe e Qazimit, (vajzë teze e tyre) ishte një Nënë Terezë e dytë. Me Nicën pritëse zemërgjerë, kishin shumë gjëra të përbashkëta. Dashuria për njerëzit dhe bujaria e shpirtit të tyre, dilnin mbi cilësitë e tjera të mira të tyre.
Nuk mund ta harroj sakrificën e saj sublime, kur na vdiq Metua, më 25 tetor të vitit 1997. E moshuara Nicë, në moshë të thyer e shëndetligë, mori udhën e largët e të mundimshme dhe erdhi, në Tepelenë për ti dhënë lamtumirën e fundit simotrës të saj. Shpirti i saj i sakrificës kur bëhej fjalë për njeriun dhe dashuria e pamatë që kishte për të gjithë, janë një shembull i mirë që duhet ndjekur.
Intervistën e zhvilloi Niazi Nelaj, rreth orës 14.oo, të datës 26 janar 2013, në Tiranë.
Shënim 1: Aktualisht, ndodhemi në një situatë tjetër, të re e të ndryshuar. Pas Zeman Saliaj dhe Metullahe Ilirjanit (Mullaraj) është ndarë nga jeta Nica; vdekja e së cilës la një goxha hapësirë boshe në të tre fiset dhe në mjedisin ku jetonte. Ajo grua që gjatë jetës bëri vetëm të mira, u nda nga jeta mbasi mori dhe një plagë tjetër të rëndë: përcolli në shtëpinë e përjetshme djalin e dytë të saj Edmondin, pas një ataku në zemër. Njëri pas tjetrit, janë ndarë nga jeta: Kadeja; Tahiri; Violeta; Agimi dhe Agroni. Kohët e „arta„ të viteve që përshkruhen në këtë rrëfim biografik, tashmë kanë mbetur vetëm në kujtesën e atyre që i kanë përjetuar.
Shënim 2: E papërsëritshmja Nicë ndërroi jetë, në shtëpinë e saj, në Tiranë, më 7 nëntor të vitit 2014. Nuk vuajti gjatë e nuk u dërgj në shtrat për shumë kohë, ai shpirt hyjnor. Ndarja e saj nga jeta ishte natyrale. Ajo, iku e rrethuar nga fëmijët e saj, nga nipër e mbesa, nga njerëzit e saj e të dajo Zemanit, nga gjitonë e mjaft të dashur të saj. Ajo u varros, të nesërmen, më 8 nëntor 2014, në varrezat publike të Sharrës, në të njëjtin varr me Zemanin e saj të dashur. Një lumë njerëzish e përcollën „engjëllin„. Mbajta fjalën e lamtumirës. Njëri nga djemtë, kur po i drejtoheshim vendit të „shenjtë“ më pëshpëriti: “Bjeri shkurt”! Ishte mërzitur nga fjalimet e gjata të pensionistëve, në ceremonitë mortore dhe dukej që ishte nxehur. Pas ceremonisë, m’u afruan 2 burra. Njëri ishte Qazim Saliaj; tjetri nuk më kujtohet. Dajo Qazimi, më hodhi duart në qafë e më tha: “Të lumtë”! Doemos që më erdhi mirë, por Ajo grua, meritonte çdo nderim.
Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 10 nëntor 2020