Rrëfim i detyruar
Thonë, se në vitin 1947 bimën e misrit e ngau lloha e ai u bë si asnjëherë. Fshatarët rrëfejnë se misrin e prisnin me sëpatë e jo me drapër, siç bënin zakonisht. Një bujk i mirë, i cili e kultivonte misrin me esnafëri (nuk ishte nga Bubësi), atë vit bëri shumë misër. E preu me gjithë familjarët e tij, e mblodhi në një vend të përshtatshëm, dhe po në arë, së bashku me gruan e tij, nisi ta ripte. Në mes të togut, ndezi një zjarr, në prushin e të cilit, piqte palkare.
U lodh e u këput. Mbuloi zjarrin me hi e ra të flinte, me gjithë petka, i veshur. Kështu bëri dhe e shoqja.
Në gjumë e sipër, gruaja u rrotullua, mundet nga ndonjë ëndërr dhe ra mbi prush. U dogj në prapanicë. Burri, mezi e fiku zjarrin që morën petkat e saj. Mbasi kishte fikur zjarrin, vuri dorën tek faqja dhe, i menduar sajoi bejtet:
"... Dhe sivjet që bëra drithë, m’u dogj gruaja në bithë;
Shiqir që shpëtoi vera; hallall ia kam bërë të tëra... "!
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve dhe ndjesë, për përdorimin e detyruar të këtij zhargoni, jashtë natyrës sime!