Niazi Nelaj

Shkrime

Mendjeholli dhe mendjefjolli.

22 qershor 2020 · 2 min lexim

Prej kohësh vijon diskutimi i zjarrtë: “Më mirë të dish, apo më mirë të kesh?” E pambarimtë është pjesëmarrja në diskutime. Disa thonë, më mirë të kesh; të tjerë këmbëngulin në të tyren se është më mirë të dish. Ec e gjeje kush ka të drejtë?

Kjo kërkon një peshore të saktë e mendje mbi mendje, të cilën asnjëri nuk e disponon. Kush e pretendon këtë, ose e thotë në gjaknxehtësi e sipër, ose ka mendim të mirë por të pabazuar për mendjen e vet.

Në kohën për të cilën bëhet fjalë, këtu e 50 vjet të shkuara, një shef i zgjuar e zemërmirë, priti në zyrë një kuadër, i cili iu ankua për gjitonin. (Në atë kohë, praktikohej strehimi i dy familjeve në një apartament). Shefi, që të mos ishte i vetëm, thirri pranë një funksionar, më të ri në moshë, të cilit i ngarkoi të mbante shënime (protokollin).

E dëgjoi, me durim, shefi, ankimorin e parë e në përfundim i tha: “Ke të drejtë djalë”! Iku birbua dhe trumbetoi se shefi i dha të drejtë.

E dëgjoi ndodhinë, tjetri e trokiti në derë të shefit, me ankesë për gjitonin. “Ke të drejtë”! I tha shefi dhe këtij. Doli nga zyra, i gëzuar lumëmadhi.

Ndërkohë, ai që mbante protokollin, iu drejtua shefit: “Po unë shef, pa të drejtë jam”? “Ik, or dreq, mbylle atë qitap se edhe ti ke të drejtë”.

Si përfundim, të gjithë kishin të drejtë por asnjëri nuk e mori atë.

Pa marrë anën e asnjërit, dua të them dhe unë fjalën time, pa iu imponuar askujt. Po sjell një shembull, i cili, vërtet ka ngjarë lashtë e është vetëm një rast, por nuk është pa rëndësi.

Na ishin dy shokë: njëri mendjehollë e tjetri mendjefjollë. Mendjeholli ishte dhe fatlum. Atij i ecte në lojën me letra, mes shokësh, për të përcjellë kohën, natyrisht dhe me ndonjë stimul të lehtë.

Mendjefjolli kish grumbulluar ca para e kish porositur një palë këpucë. Shokët e dinin këtë dhe e kandisën të futej në lojën me letra.

Në fillim i eci mirë loja e bëri ca para; pastaj rrota u kthye kundër tij dhe i la, në lojë, paratë që kish mbledhur për të bërë këpucë. Të nesërmen, tek këpucari vajti mendjeholli, i cili riporositi këpucët që taksi shoku i tij.

Kjo ka ngjarë gjysmë shekulli më parë, sot, ndryshimet që kanë ngjarë, kanë shtuar mendjehollët; vetëm emrat e tyre janë të ndryshëm. Në çdo rast kemi të bëjmë me përftim, jo nga puna, por nga mashtrimi, akraballeku, etj. etj. Gjykojeni vetë çështjen!

← Të gjitha shkrimet