Si “Tersi i Pojanit”
Fshatrat e Korçës, si të fushës dhe ato të rrethinave malore, historikisht kanë qenë të banuara nga njerëz autoktonë, të mendjes, të punës e të pushkës. Pa përmendur emra, mjaft prej tyre kanë lënë gjurmë në historinë e vendit tonë, për bëmat e tyre atdhetare. Mjaft të tjerë janë shquar e shquhen për arritje në shkencë ku kanë kapur “maja” në arritjet botërore.
Në Fushën e Korçës ndodhet një fshat me emrin Pojan. Pojanakët janë njerëz me zemër të mirë e të sajdisur. Në kuvendet e burrave, një njeri, gjithnjë dilte kundra rrymës e mendonte ndryshe nga të tjerët. Ai ishte skeptik e për çdo gjë thosh: “kjo nuk bëhet e ajo është e pamundur”!
Pojanakët u mërzitën nga “jo”-të e tij dhe e pagëzuan me nofkën: “Tersi i Pojanit”! Me kast, fshatarët, nuk e njoftonin për kuvendin e radhës, por, ai ia gjente volinë dhe merrte pjesë, jo pa qëllim. Duke kundërshtuar çdo plan e vendim të bashkësisë, “tersi i Pojanit”, e helmonte atmosferën.
Një ditë pleqësia e fshatit vendosi ta thërriste veçan, e i thanë: “Rri pa folur, mbylle gojën e do të të japim dy shinike me misër”! E pati gati përgjigjen “Tersi i Pojanit”: “Po sikur të mos bjerë shi e të mos bëhet misri, çfarë do të më jepni”? E djallosi që e djallosi propozimin e pleqve, “tersi i Pojanit”!
Që atëherë, pojanakut të prapë, i mbeti nofka: “Tersi i Pojanit”! Ka dhe sot të tillë; ata kanë ndryshuar vetëm gunën e thonë vetëm “Jo”!