Niazi Nelaj

Shkrime

Gazmore, për të përcjellë pandeminë

16 maj 2020 · 1 min lexim

Dikur, në Tiranë bënte biznes një tregtar "i vogël", të cilin, simbolikisht e thërrisnin: Tate. Ky Tatja e kishte hundën në përmasa tej të zakonshmes. Tek dyqani i tij mblidheshin adoleshentë, kryesisht basketbollistë të klubit "17 nëntori" dhe të "Dinamos". Ata, bënin gallatë me njëri-tjetrin dhe me Tatën.

E mërzitën Tatën, me shakarat dhe me vënien në lojë të tij. U ankua burri i huaj në Rajonin e policisë, dhe shefi i Rajonit i caktoi një polic, i cili bënte turnin e shërbimit tek dyqani i Tatës. Çunat, tashmë kalonin aty pranë, në këmbë apo mbi biçikletë dhe e përshëndesnin Tatën, duke nxjerrë pëllëmbën e dorës, përpara hundës, gjë që do të thosh, të njëjtën gjë.

Mirëpo Tata ishte mësuar me qyfyret e çunave dhe i ambientuar me talljet e tyre, i ngacmonte adoleshentët, me fjalët: "Ho mre kopukë, ua ka mbledh qeveria, ua ka bo, na", dhe dëftonte me dorë.

U largua polici e djemtë u mblodhën si grenxat tek foleja e tyre e vjetër. Nisën nga të tyret dhe e mërzitën Tatën.

Një ditë Tata mbylli dyqanin e trokiti në zyrën e zv. Ministrit të Brendshëm. Kudo i hapën derën se e njihnin. Sapo Tata u ul në poltronin që i rekomandoi shefi, Tata mbeti i habitur kur dëgjoi nga goja e shefit: "Erdhe ti hundederr, ç’e mirë të pruri?" Tata, i habitur, u përgjigj: "Po unë për t’u ankuar për këtë kam ardhur", e doli jashtë.

Kalofshi lehtë këtë pandemi mizore!

← Të gjitha shkrimet