Niazi Nelaj

Shkrime

Të jesh i varur

25 mars 2018 · 8 min lexim

Nuk është fjala për raportet mes njerëzve në karrierë, por për ndikimin e fuqishëm emocional që lënë në jetën e njeriut disa vese. Them vese, mbasi e kam të vështirë ta emërtoj tjetërsoj përjetimin e disa dukurive negative, të cilat i ndeshim jo rrallë. Ta quash ves, jam i vetëdijshëm se është më e pakta dhe nuk e shpreh plotësisht domethënien e kësaj fjale. Parë në sipërfaqe, lind ndjesia e gabuar se kjo dukuri nuk ka të bëjë e nuk u përket bashkëfshatarëve tanë kur, në fakt, nuk është tërësisht kështu. Lëvizja e lirë e njerëzve, emigracioni dhe migracioni, pavarësisht nga shkalla e pjesëmarrjes së njerëzve dhe distanca e përshkuar, ndikojnë fuqishëm në globalizimin e dukurive negative, ndaj të cilave askush nuk mund të jetë i imunizuar. Jetojmë në kohë kur japim e marrim me të ndryshëm dhe mes atyre që na hyjnë në punë, përthithim dhe vese apo prapësi të cilat nuk janë tonat, por „na ngjiten“, sikur të mos na mjaftonin ato që kemi trashëguar.

Është e vërtetë që çdo njeri ka „filtra“ për të pastruar atë që thith, por është gjithashtu e vërtetë se sita apo shosha nuk i mban dot përsipër të gjitha llozhurat, disa nga të cilat depërtojnë e përzihen me drithin e mirë. Pa u rrekur të angazhohemi gjatë me argumentimin teorik të problemit, le të zbresim në terrenin praktik, i cili është dhe më i prekshëm e më i kapshëm.

Disa pijedashës (për fat të keq, nuk janë pak), përdorimi sistematik i pijeve alkoolike, pavarësisht se veprimit të tyre mundohen t’i vënë një justifikim teorik (së shumti, veprimin e tyre e shpjegojnë si reagim ndaj halleve që i kanë pllakosur), i ka bërë të varur nga alkooli, aq sa nuk bëjnë dot pa pirë. Vështroni për një çast derën e pijetores që keni pranë shtëpisë, ku dergjen në radhë e mezi presin sa të hapet lokali, për të rrokullisur një gotë, esëll, që në mëngjes. Ka të tjerë që e hapin derën e pijetores, sapo feks dhe e mbyllin atë kur vjen mëngjesi i ditës tjetër. Hyjnë në pijetore, me mendjen e tyre e dalin prej saj, me mendjen e alkoolit. Derisa të hapet pijetorja, ata lëpijnë buzët e imagjinojnë veprimet e tyre e të shitësit. Këtë dukuri e kam vrojtuar vetë e nuk e kam të dëftuar.

Dikur, në Berat, në lagjen „Murat Celebie“, hyra në një lokal, ku tregtoheshin sende ushqimore dhe pije të forta. Më kishin thënë se në atë lokal tregtohej yshmer cilësor, me shije, siç dinë të bëjnë gratë e Kalivaçit. Mbajta radhë, isha pas një burri me moshë e me shtat mesatar, i cili synonte të blinte dozën e zakonshme të alkoolit. Burrit i mbetën sytë tek shitësi e dukej sikur po përpinte veprimet e tij.

Kur shitësi mbushte gotën e radhës, me raki, nga shishja që mbante në dorë, klienti qejfli pijesh lëpinte buzët e, nga padurimi, i dridheshin duart. „Miku“ u qetësua vetëm kur mori në dorë gotën plot dhe, pa vajtur tek vendi i caktuar, rrufiti, dy-tri herë, lëngun e bardhë e „të tërbuar“. Sa të tillë kemi në mjediset tona? Krejt natyrshëm, e dalëngadalë, të tillë njerëz kalojnë në vartësi të alkoolit e nuk ndahen lehtë prej tij, edhe pse e kuptojnë dëmin e madh që ai sjell për shëndetin dhe për xhepin.

E kam të vështirë të besoj se nuk keni parë si sillen ata që kanë kaluar në vartësi të bixhozit. Disa mbajnë radhë përpara lokaleve ku zhvillohen lojërat e fatit, me vështrim të turbullt e me sy të zgurdulluar, si të hutuar e në shqetësim sikur diçka u ka humbur, me shpresën mashtruese se do t’i ndihmojë fati për të përftuar një shumë parash, pa punuar. Kur nuk mund të futen në mjediset e lojërave të fatit, ata që janë të varur nga bixhozi sajojnë lojëra të tjera, si ajo me targat e makinave, me kapelet e kalimtarëve deri tek përgojimi i veshjeve të femrave e të meshkujve, me veçori në paraqitjen e jashtme. Bixhozçiut, kur e ka të mbyllur sallën e lojërave të fatit (të cilat, për fat të keq, janë shtuar mjaft e janë bërë si ato shushunjat që thithin gjak), „i kruhet trupi“ po nuk i hodhi „zaret“ edhe duke rrugëtuar në mjegullën e fatit.

Po duhanpirja dhe vartësia nga nikotina? Johan Nikoti, i cili e solli duhanin, si bimë aromatike, që përtej oqeanit, në Mesjetë, zor se do ta përfytyronte dëmin e madh që u shkaktoi njerëzve duhanpirës. Organet e frymëmarrjes dhe rrugët nëpër të cilat kalon tymi i duhanit, nga pirja sistematike, vishen me një cipë nikotine, e cila dëmton bartësit dhe ata që janë përqark tyre. Ai që pi duhan dhe që ka kaluar në vartësi të nikotinës nuk mund të qëndrojë pa të; ia kërkon trupi, thonë të varurit prej nikotinës. Edhe ushqimin është gati të sakrifikojë ai, për hir të duhanpirjes.

Ndalimi i pirjes së duhanit nuk mund të bëhet as me ligje, të cilat nuk mungojnë, as me propagandë. Para së gjithash, braktisja e duhanpirjes është çështje vullneti e karakteri.

Vartësia, si term, është pafundësisht e larmishme dhe shfaqet në forma nga më të ndryshmet. Një gjahtar nuk e shtyn dot ditën pa shkuar për gjah ose pa hedhur grepin në ujë. Aq e varur është kjo kategori njerëzish nga gjuetia, saqë, po të mos dalin një ditë, u duket sikur nuk mbushen dot me frymë. Vartësi e një lloji tjetër është prirja e një kategorie njerëzish ndaj seksit. Rëndom, meshkujt dhe femrat që rendin pas kësaj dukurie quhen manjakë, por jo të gjithë e meritojnë këtë „nofkë“. Kur nuk e arrijnë atë që synojnë, të tillë individë mbyllen në „strofkën“ e tyre dhe vënë në lëvizje fantazinë e sëmurë.

Vartësi është dhe rënia në vorbullën e thashethemeve. Është sëmundje, është ves apo është mani? Emërtojeni si të doni, kjo nuk ka shumë vlerë. E rëndësishme është se të tillët përgojojnë cilindo që munden; synojnë të prekin personalitetin dhe integritetin e tjetrit dhe, natyrisht, përpiqen të ngrenë veten (u duket sikur e ngrenë), duke tentuar të ulin tjetrin. Në njëfarë mase është çështje karakteri, por mendoj se kufizimi i kësaj dukurie mund të bëhet dhe kur i kundërvihet bartësit opinioni i shëndoshë që e rrethon. Rreziku i thashethemeve nuk ka të bëjë vetëm me atë që është bartës, por duke shpifur e përgojuar të tjerët, cenohet uniteti e lulëzojnë grindjet dhe përçarjet.

Në jetë ndeshemi me lloje nga më të ndryshmet të vartësive. Patjetër që ju ka rastisur të vështroni lypës rruge, nga ata që kërkojnë lëmoshë e që duan të përftojnë pa djersitur. Nisur nga ndjesia humane dhe nga shpirti i mirë, ndoshta dhe u keni dhënë lëmoshë. Një lypsar nuk mund të rrijë pa lypur, edhe po t’i gjesh një punë e të ketë të ardhura. Një lypsar (lypsare) e ka ves të lypurit.

Ai (ajo), si dhe shitësi, me kohë bëhet psikolog. Lypësi e kupton cili nga kalimtarët do të japë lëmoshë, ashtu sikundër një tregtar me përvojë e kupton: a do të blejë diçka ai që hyn në dyqan, apo thjesht ka hyrë në shitore për të vrojtuar asortimentet dhe çmimet?

Një kategori e veçantë njerëzish ka kaluar në vartësi të profesionit që ushtrojnë. Patjetër ju ka rënë në sy një muzikant i pasionuar, i cili, edhe në rrugë, kompozon, luan në instrument (imiton), ose bën dirigjentin. Një matematikan, kur shpik papritur një formulë të re apo kur zgjidh një ekuacion të vështirë, e shkruan zgjidhjen ku të mundet, edhe në kapakun e shkrepses apo të paketës së cigareve. Një berber, kur kalon pranë dyqanit, të vështron nga flokët; një këpucar nuk i heq sytë nga këpucët që ke mbathur, një urbanist, edhe kur kalon në rrugë për punët e tij, nuk harron të bëjë vërejtje për projektin e zbatuar, për fasadën, zgjidhjen e një ndërtimi etj.

Në këto raste e në të tjera, të cilat nuk u përmendën, kemi të bëjmë patjetër me një vartësi nga profesioni. Provoni të bisedoni me një jurist! Ai, në bisedë të lirë (jo vetëm në zyrë), do të kërkojë që çdo mendim të jetë i kopsitur e i argumentuar me fakte të shkruara në dokumente. Dokumente të shkruara, përndryshe mendimet janë të pavlera. Kam ndeshur një çoban dhensh, i cili kishte lënë bagëtitë në mal e ishte veshur nënoficer aktiv, në detyrën e kujdestarit.

Lumëmadhi ishte mësuar të komunikonte me dhentë e tij, në gjuhën e tyre dhe, kur shkonte në fjetinë për të zgjuar ushtarët, u drejtohej atyre me sinjalet: „Rr-rr-rr“ e me „Hej – hej – hej“. Kam parë dhe një bujk kalivaças, arat e të cilit, kur punoheshin prej tij, ngjanin si të pikturuara. Ai nuk e hidhte farën pa parë më parë se sipërfaqja e tokës kishte zënë shtrat merimange dhe, kur ulej mbi një plis, i ngroheshin të ndenjurat, etj., etj.

Për t’i vënë „kokë“ këtij shkrimi, më duhet të them se burimet dhe llojet e vartësisë janë të ndryshme e pa limit; por dhe lufta kundër tyre nuk mund të bëhet, me sukses, pa vullnet, këmbëngulje e durim. Po të kuptohet se çdo ves e vartësi është diçka jo e brendshme e njeriut, por e huajtur dhe po të përdoren metoda lufte efektive, edhe shmangja e tyre, besoj, do të sjellë rezultate konkrete.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, mars 2018

← Të gjitha shkrimet