Niazi Nelaj

Shkrime

Çfarë të jetë? Magji; nostalgji apo mall i pashuar?

7 gusht 2021 · 11 min lexim

Kush e pa e nuk u mrekullua nga bukuritë e qendisura si me dorë të „perlës“, në mes të dheut – Vlorës tonë të dashur. Vizitorët, sado gjatë të kenë qëndruar në këtë mrekulli shqiptare, nuk mund të plotësohen me bukuritë përrallore të saj. Ata, kur u duhet të largohen nga Vlora, u mbetet koka pas. Edhe mua, kështu më ngjau, megjithëse nuk shkelja për herë të parë në këtë qytet. Çtë jetë vallë kjo që ngjan me çdo njeri e jo vetëm një herë ? Magji; nostalgji apo një mall i pashuar ? Mundet të jenë të trija tok. Kjo ka më tepër gjasa të jetë e vërtetë.

Sazan e Karaburun janë vatanet e mia

Vlora është e bukur vetiu. Pakrahasimisht kapedane e gjithë nur. Nëna natyrë e ka privilegjuar Vlorën. Deti i kaltër e i mbyllur; mali mbi qytet, i cili, vende – vende të krijon ndjesinë se po rrokulliset; qyteti që hijeshohet përditë dhe ata njerëz të veçantë, janë disa nga „perlat„ e saj. Vlora është „magji“ me vete. Asaj, vazhdimisht i shtohen magji të tjera, brenda magjisë të madhe. Qyteti dhe rrethinat, me atë bukuri të rrallë, të lënë pa fjalë e bëjnë ti thërrasësh mendjes. Lungomare, më e reja e shtesave dekorative është magji, e papërfunduar, që zgjatet e zgjatet, përditë. Do të thoja, pa e bërë fjalën dy se kemi të bëjmë me një „magji“, në rrugëtim.

Nuk shquhem për të bërë bilance, por ndonjë krahasim të rëndomtë edhe mund ta bëj. Krahasoj Vlorën e viteve, 50 të një shekulli më parë ku qarkullimi i njerëzve bëhej me pajtone dhe qyteti „lëngonte“ nën peshën e skamjes e nën mbretërinë e mushkonjave, me këtë Vlorë që vështroj, sot kam marramendje e nuk ngopem së medituari. Krahasimi është një marrëzi, ose një sipërmarrje, pa fryt por jam i shtrënguar ta bëj përpara një madhështie që të imponohet. Ngazëllehem e më rreh zemra fort, nga gëzimi dhe nga krenaria, emocionohem e ndihem krenar kur gjykoj se kjo mrekulli i takon vendit tim e atë mund ta kundrojë e ta prekë cilido vizitor; vendas apo i huaj.

Lungomaren e kam parë atëherë kur nisën punimet për ndërtimin e saj. Vështroja kamione shumëtonësh, të cilët zbraznin në buzë të detit tonelata me një lloj dheu gri në të verdhë, i cili përzihej me ujin e të linte përshtypjen e një llokaçeje gjigande apo siç i thonë në anët tona, të një lëtyre. Qëndroja gjatë duke vrojtuar atë skenë e cila më ngjante me një katrahurë. Habitesha me atë që e bënin këtë „mysybet“ e pyesja veten: „Po këta, të marrë janë ? Me këto baltovina që zbrazin anës detit, mos na ndotin ujin e na shkatërrojnë plazhin“ ? E kisha gabim; domosdo. Nuk arrija të vështroja „prapa pyllit“. Vetëm në kokën e arkitektit sundonte ideja e transformimit cilësor të mjedisit urban. E vështroj dhe sot, këtë „mrekulli“ e mrekullohem. Nuk më vjen të largohem prej saj. Nuk ngopem së pari, atë bukuri të rrallë që ka transformuar mençuria dhe dora e njeriut.

Sapo ka nisur sezoni turistik e Lungomare po zgjatet në drejtim të bregdetit jugor. Ashtu, e pa përfunduar, pjesë – pjesë po shfrytëzohet, për bukuri. Rri në një vend, vështroj, kënaqem, por nuk ngopem së pari. Sa do të doja të qëndroja më gjatë, për ta kundruar e për ta shijuar atë mrekulli! Ky ndërtim kompleks është një realitet i prekshëm, befasues dhe relaksues. „Magjia“ e tij është e pamatë. Përballë kësaj bukurie verbuese edhe më zemërligu e keqdashësi i qëllimtë është i detyruar të thotë të vërtetën; atë që i zënë sytë. Siç thotë populli ynë; „dielli që ndriçon dynjanë, nuk mund të mbulohet me shoshë; ashtu si minarja e xhamisë, nuk mund të futet në thes“! Të bësh sikur nuk ta zënë sytë këtë mrekulli njerëzore, për mendimin tim, është më shumë se një mëkat; ta çmosh këtë vepër madhore me kandarin e partive politike, të cilat venë e vijnë, apo me barometrin e ideologjive, të cilat ia lënë vendin njëra – tjetrës është utopi apo keqdashje e qëllimshme. Partitë dhe ideologjitë e tyre, tok me klasat drejtuese, në garë me njëra – tjetrën të cilave nuk u zënë këmbët dhe, nuk mund të kenë të krahasuar me Vlorën tonë magjike e cila aty ka qenë e aty do të mbesë; Zonjë e rëndë; krenare për lashtësinë e saj dhe për bëmat e njerëzve të shquar që ka nxjerrë, të cilët kanë habitur njerëzimin mbarë, në çdo etapë të historisë njerëzore.

Vlora është krenari me vete. Vlonjatët autoktonë i kam dëgjuar të thonë: „Po nuk qe vlonjat, nuk bëhesh dot, i tillë“! Populli i mençur, me filosofinë e tij të spikatur ia ka vënë viegen, siç e meriton kësaj pune. Këtë thënie të kuptimtë ka nevojë ta „përtypin“ mirë, të gjithë ata që e dëshirojnë një gjë të tillë. Janë të lumtur ata që janë të lindur në këtë trevë, por dhe ata që janë të ardhur, nuk mbeten pa gjë, madje, do të thosha se janë dy herë të lumturuar e me fat mbasi banojnë në një qytet të cilin e ka zili bota mbarë. Them, me bindje se nuk mbeten pa gjë, mbasi edhe ata kanë të drejtë të krenohen me transformimet që kanë ngjarë. Edhe këta kanë pjesë në transformimet madhështore të krenarisë kombëtare – Lungomares. Ata e kanë të lidhur qenjen e tyre me këtë qytet e kjo nuk më duket pak.

Nuk kam ndërmend tju rokanis kokën por dua tju besoj e të ndaj me ju një episod nga vajtja ime e kohëve të fundit, në Vlorë:

Një ditë qershori të vitit në vazhdim, kur të nxehtit akoma nuk kishte shtrënguar dhe ajri saharjan nuk kishte mbërritur mbi vendin tonë, im bir, me qëllim që të vrojtoja e të shijoja Lungomaren, më çoi me makinë, deri tek Moli i Vjetër. Kur isha në moshën e adoleshencës, si gjithë fëmijët e Vlorës, të cilët, për hir të së vërtetës ishin më të shkathët e më të zhdërvjellët nga ne fëmijët fshatarë, sa e sa herë jam kredhur e kam marrë pjesë në „garat“ naive mes adoleshentëve të moshës time. I kujtoj, me dhimbje e me mall ata vite të lavdishëm, të cilët janë të pakthyeshëm. Dhe jo vetëm unë. Bashkëmoshatarët e mi të atyre viteve, tashmë janë „pjekur“ ose kanë „shtegtuar“. „Zbrit ! Baba – tha djali, ec pak në këmbë që të provosh sa të mbajnë këllqet; shijo dhe Lungomaren, të cilën nuk e ke parë si është „qendisur“ dhe çfarë dekori të bukur i ka shtuar Vlorës bukuroshe“ Më erdhi për hosh e si ish ushtarak i bindur, zbatova urdhrin, pa hezitim. Nisa të ecja në këmbë, në korsinë e caktuar për këmbësorë. Djali më ndiqte, me makinë, me shpejtësi të vogël e më monitoronte. Vërtet u lodha ca por më tepër u relaksova. Bukuria e rrallë që po vrojtoja më kënaqi shpirtin. Çapitesha, jo pa shqetësim dhe me vigjilencën e nevojshme. Nga Vlora, në drejtim të Ujit të Ftohtë, çvendosej një lumë me qytetarë e me qytetarë, të veshur mirë, sipas stinës. Ata ecnin të shkujdesur, të gëzuar e plot energji. Shkonin në punët e tyre. Më të shumtët ishin femra, të veshura bukur, me kostume sportive, të qeshura e me gëzim në fytyrat e tyre të nxira nga dielli.

Në anën Lindore të Lungomares, në katet e parë të ngrehinave shumëkatëshe, po furnizoheshin njësitë tregtare dhe kafeteritë e shumta. Pjesa e rrugës, deri tek korsitë e dedikuara ishte më e gjerë, por nëpër të qarkullonin, me shpejtësi e si të mundnin, makinat e furnizimit. Ecja në korsinë e caktuar për këmbësorë, por edhe aty nuk gjeta qetësi. Më duhet të isha vigjilent për t’u ruajtur nga makinat e vogla, të cilat qarkullojnë pa kriter. Palmat, të rreshtuara si ushtarakët në kuadrat parade, duket sikur i bëjnë karshillëk detit, më vinin në ndihmë. Diku, pranë vijave të bardha, paksova hapat e vendosa të ndaloja ndonjë kalimtar për ta pyetur. Të pyesja ndonjë femër, nuk më vinte për mbarë. I zura udhën një të moshuari që vinte përballë, në korsinë ku çapitesha dhe unë. Ai burri që ndalova (i zura udhën), më ngjau si më i përshtatshëm për rastin tim. Ishte shtatshkurtër, si unë, me një borsalinë të madhe në kokë, veshur me një kostum bojëbezhë, të prerë e të qepur jo në masën e tij. Dukej si i futur në thes. Siç duket, kostumi dhe borsalina e tij ishin produkte të firmës „Gabi“, të blera tek „pirgu“. Këpucët i kishte shkelur tek thembrat e i hiqte osh. Ecte i pashqetësuar. E përshëndeta; ma ktheu përshëndetjen me korrektesë. Kuptova se nuk ishte qytetar vlonjat, autokton, por, siç duket, kishte “rarë” kohët e fundit, nga fshatrat përqark qytetit. Megjithatë, nga përgjigja që më dha dhe nga pamja e jashtme e fytyrës (sidomos nga vështrimi i mprehtë e dyshues), më la përshtypjen e një njeriu të zgjuar. Më “bleu”, menjëherë. Si i thonë fjalës: “Vajta për lesh e dola i qethur”. Sapo e pieta: “Ku ndodhemi këtu se jam larguar çpejt na Vlora”? Ai u përgjigj: ”Jemi tek Rruga – Ura”. Një në dorë, thashë me vete. Kuptova se bashkëbiseduesi nuk ishte pa haber, ndaj vazhdova me pyetje. “More i uruar – i thashë; po ku të kaloj unë, se këtu korsi paska plot por, kudo kalojnë makina. Po këmbësori i gjorë, ku të kalojë ? “Ku të të mbushet mendja, gjegji I moshuari. Po mirë, thashë unë, po sikur të më shkelë ndonjë makinë, në këtë katrahurë lëvizjesh, ku nuk pyetka njeri, as për vija të bardha, as për identitet korsish e as për semaphore ? Interesante ishte përgjigja e tij: “Fundja, plak je e nuk bëhet shteg për ty, po të shkeli makina!“ Nuk e vazhdova bisedën, më tej se e kuptova që isha i humbur. Kjo përgjigje e tij, me shpoti brenda ishte ç’ishte. Mirë ma bëri; vetë e kërkova. Mbasi e falenderova të panjohurin, njerëzisht, vijova udhën për tek miqtë e mi, të cilët më pritnin, pranë stadiumit „Flamurtari“.

Para se të nisesha nga Tirana, i telefonova shokut, kolegut e komandantit tim të viteve ‚60 të shekullit që shkoi, të madhin e të mirin Kostandin Sadikaj. Në këtë telefonatë mësova se miku im e pinte kafen rreth orës 10.oo të paraditës, në Lungomare, së bashku me shokun e tij Ramadan Ramadani. Të dy janë goditur rëndë nga fati kohët e fundit. Ata banojnë të vetmuar e janë të moshuar. Doja të bëja „qokën“, siç thonë në Tiranë. I bëra me dije Kostës, se nesër, në atë orë, do të kaloja për ti takuar e ndoshta mund të pinim dhe një kafe së bashku. Kostandini, me dashamirësi kish njoftuar për këtë mundësi shokët: Agim Balili; Nehar Jazexhi dhe, fare rastësisht, u ndodh në atë vend ish pedagogu i përgatitjes fizike të atyre viteve, kolonjari Luan Zaimi. U ndjeva mirë që do të takoja disa nga kolegët e mi të dikurshëm, pavarësisht se në Vlorë banojnë aktualisht mjaft nga shokët e miqtë e mi më të mirë. Koha në dispozicion ishte e pamjaftueshme për të njoftuar të tjerë, në veçanti ishaviatorët me banim në Vlorë, njerëz të fisit tim të gjerë; kalivaças e të tjerë nga rrethinat. Koha që kisha në mundësi për ti takuar ishte aq e kufizuar sa nuk do të mundesha as ti përshëndesja. Ndoshta dikujt, nga ata që janë më të ndjeshëm mund ti ketë mbetur hatri; këtë e kuptoj, por, e vërteta e pastër është kjo.

Më duhet të ndaj me ju një ndodhi, e cila më ngjan shumë interesante. Shumëkush mund të jetë në dijeni të ndodhisë fatkeqe dhe statusit aktual të ishoficerit të organeve të punëve të brendshme Ramadan Ramadani. Ai mblidhet i vetëm e në opinionin tim nuk ka gjë më të rëndë se vetmija, në pleqëri. Vetmia të vret; të hanë edhe muret e shtëpisë kur je i vetëm. Ramadani, jo vetëm që nuk m’u nda, derisa erdhi më mori djali që më shpuri në atë takim, por, 2 – 3 herë më propozoi të më jepte drekë. Çfarë bujarie? Çzemër të bardhë ka Ai njeri hallemadh ? Kemi të bëjmë me një qasje tipike, të mirëfilltë shqiptare, të cilën nuk duhet ta humbasim udhës.

U largova nga Vlora “magjike” dhe nga kjo “perlë e re” që quhet Lungomare, duke shpresuar se do të kthehem sërish e do të qëndroj më gjatë, për ta shijuar më mirë të pashijuarën e për të takuar më tepër njerëz, nga ata që dua e i respektoj shumë.

Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim, me opinionin e një gruaje të mençur shqiptaro – amerikane, e cila, prej kohësh banon përtej Oqeanit Atlantik dhe që kish mbetur e mahnitur kur u befasua nga Lungomarja e nga ndërtimet e bukura e me sistem në zonën e Skelës e të Ujit të Ftohtë Ajo pohoi: “… Pashë një gjë mjaft të bukur; një bukuri të rrallë. Harku i ndërtimeve nga Skela, në Ujë të Ftohtë, me ato ngrehina të bukura shumëkatëshe të cilat ngjajnë si zgjatim I njëra – tjetrës; aq të bukura e të sistemuara me shije e me kompetencë dhe vetë Lungomarja, me atë shtrirje buzë detit që zgjatet përditë janë, jo vetëm një mrekulli e mendjes dhe duarve të specialistëve shqiptarë, të cilat nuk i kemi parë deri më sot. Të tilla vepra të përkryera arkitektonike i ndesh njeriu rrallë në Globin tokësor. Njerëzit nuk duhet të mërziten kur u duhet të presin radhën, për shumë kohë, në të dy skajet e qytetit të bukur të Vlorës. Kërkohet pak më tepër durim, se punët janë të pambaruara“.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 30 qershor 2021

← Të gjitha shkrimet