Niazi Nelaj

Shkrime

Në bashkëjetesë me qentë, por jo qenërisht

21 gusht 2021 · 2 min lexim

Njeriu, që kur erdhi mbi tokë, siç ishte, i egër e lakuriq, vështroi rreth tij e pikasi kafshë. Ishte e domosdoshme shoqëria me to; disa, me qëllim që t’i hante; të tjera për t’i pasur roja apo për shoqëri. Se, i vetëm, njeriu nuk rron dot.

Njëra nga kafshët shtëpiake, më të afërta të njeriut u ndodh qeni. Qeni; më shumë i përçmuar e më pak i uruar e ka shoqëruar njeriun në çdo etapë të ekzistencës e të jetës së tij. Njeriu, herë e donte dhe e mbante pranë, e ushqente, i ndërtonte kolibe, herë e ledhatonte e ndonjëherë e ndërsente. Ia kish nevojën ndaj kish kundrejt tij këtë vijë sjelljeje. Edhe sot, të njëjtat motive janë.

Mirëpo komutacioni: "Qen, bir qeni" nuk më duket aq i këndshëm. Në këtë togfjalësh, më tepër ka përçmim se sa lëvdatë për origjinën.

Nga qentë, kam fobi. Nuk dua t’ju rrokanis duke përshkruar ndodhinë por, në kujtesën time është ngulitur një kulish, i bukur, laraman, të cilin e thërrisnim Balo. Ishte i vogël dhe e ushqeja me qull ose me përshesh me qumësht, në koliben që kish ndërtuar Babai im, për të. Kur u ndava nga Balua (në vitin 1946), më shumë qava për kulishin Balo se sa për Babanë, të cilin ma shtetëzuan, tok me dhentë dhe e shpunë në malet e Vithkuqit, çoban me rrogë, me brigadat blegtorale të shtetit. Nejse, ky kujtim më përket mua e nuk dua të bezdis njeri.

Sot kohët kanë ndryshuar dhe kafshët shtëpiake, madje dhe zvarranikë e egërsira pylli po zënë vend, përherë e më shumë në jetët e njerëzve.. Thonë se qeni është kafshë, nga më besnikët e njeriut. Kjo është e vërtetuar si historikisht, ashtu dhe shkencërisht. Mbështes opinionin se bëjnë mirë ata që bashkëjetojnë me kafshë shtëpiake, sidomos me qen të kultivuar e të kuruar.

Pa harruar se kafshët veprojnë mbi bazën e instinkteve dhe kanë kodin e tyre biologjik. Ata qasen miqësisht me ata që i menaxhojnë, por, kur u prishet terezia- rebelohen e kundërveprojnë, deri në kafshim. Dmth= kthehen në origjinë.

Kam shansin të dal shpesh për shëtitje nga kodrat e liqenit artificial të Tiranës. Në këto ditë super të nxehta ky veprim është ndoshta shpëtimtar. Popullimi, në këto ditë është i pazakontë dhe krahas njerëzve ndesh dhe shumë qen. Disa qen janë pa maska; të tjerë pa kapistall etj. etj. Rebelimi i tyre mund të çojë në kafshim, sidomos tek të vegjlit, të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë ku fillon e ku mbaron loja me qentë. Problemi vështirësohet kur mendon se mjaft menaxherë të kafshëve janë të moshuar e nuk mund të ndërhyjnë aq shpejt për të parandaluar të keqen.

E tora kaq gjatë fillin vetëm për të lëshuar një mesazh: "Të bashkëjetojmë me qentë, por jo qenërisht!"

Ju respektoj për Vëmendjen!

vëmendjen!

← Të gjitha shkrimet