Mirëmëngjes bashkatdhetarë, miq e shokë, kudo që ndodheni!
Kohët e fundit, po ndjek disa emisione të Televizionit Shtetëror, Shqiptar. Më parë e vështroja rrallë, për shkak të programeve të tij, të cilat nuk para më ngjitnin. Ndoqa me endje e më dha shumë kënaqësi një emision kushtuar Artistit të Madh e të papërsëritshëm, këngëtarit Demir Zyko. U kënaqa. Temat me theks Atdhetar që po transmeton ky rrjet, për mua, por nuk besoj të jetë vetëm tek unë, më ngjallin shumë interes dhe më relaksojnë. Emisionin e bëri të këndshëm zëri “brilant” i folësit të rrallë Xhelil Aliu, të cilin e falënderoj, edhe me këtë rast.
Një vajzë, tha, përafërsisht: “Demir Zykua nuk është vetëm i Skraparit por i gjithë Shqipërisë...”! Ashtu mendoj edhe unë. Sa u detyrohemi, ne si popull, këtyre vlerave të rralla. Shfrytëzoj rastin të vë në dukje se emisione të tilla, lipsen më tepër, që të mbetet e të shumohet Historia e popullit tonë, i cili nxjerr vlera si ato të Demir Zykos.
Meqenëse është rasti, dua t’ju kujtoj, atyre që e dinë, një episod nga jeta e Artistit të Madh, Demir Zyko, të cilin e kam dëgjuar: Tek Artisti i Madh Demir Zyko, talenti u shfaq që në fëmijëri. Nëna, e niste me bravare, pa ngrënë (se nuk kishte). Porosia e saj ishte: “Bir-o, herë pas here, gjatë ditës, kur të kthesh bravaret, këndo që të të dëgjojë Nëna e ta kuptoj që je gjallë...”!
Gjykojeni vetë, sa e dhimbshme është kjo shprehje! Kush të mundet e kush ka talent për të shkruar, është i lutur ta pasqyrojë në shkrimet e tij.
Ju përshëndes e ju nderoj!